Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nuk zbaton vendimet e Apelit

871
Qeveria e “Rilindjes” pretendon se po ngre shtetin ligjor, duke ashpërsuar në ekstrem Kodin Penal dhe cilëson vepër penale edhe shkeljet e thjeshta administrative, që deri tani dënoheshin me gjobë, për t’i detyruar qytetarët dhe bizneset që të respektojnë ligjin. Mirëpo, kjo politikë e të ndërtuarit shtet, duke futur masivisht qytetarët në burg edhe për shkelje administrative, është një alibi me praktikën që zbatojnë konkretisht institucionet shtetërore, të cilat ato vetë, nuk zbatojnë dhe nuk ekzekutojnë vendimet e formës së prerë të Gjykatave të Apelit.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit spastron policët, me kritere politike
Pas shtatorit 2013, në Policinë e Shtetit filloi një fshesë spastrimi i punonjësve të saj, bazuar në kritere partiake edhe pse formalisht Policia e Shtetit, është e departizuar dhe e depolitizuar. Të gjithë ata punonjës, që sipas udhëheqjes së re të Policisë së Shtetit, i përkasin politikisht së Djathtës, apo janë emëruar në kohën e qeverisjeve të së Djathtës, në çdo gradë, në çdo shkallë të piramidës së strukturës së Policisë së Shtetit, duke filluar që nga policët e thjeshtë, do të zboheshin me ultimatum. Sikurse pohon për gazetën “Telegraf” kryesindikalisti i Policisë së Shtetit, Sadetin Fishta, DPP në marrëdhëniet me punonjësit e saj, nuk ka zbatuar aspak kontratën kolektive, por i ka detyruar punonjësit e saj të nënshkruajnë kontratë individuale. Sipas nenit 11 të kontratës kolektive të punës, që është nënshkruar nga DPP dhe Sindikata e Policisë së Shtetit në 3 mars 2009, ndër të tjera thuhet se “ në rast pushimi kolektiv nga puna, ose shkurtimesh funksionesh organike për shkak të ndryshimeve strukturore në Policinë e Shtetit, punëdhënësi (DPP) konsultohet më parë me drejtuesit e sindikatës…”. Ndërsa në nenin 12 të kontratës kolektive thuhet se “Të zgjedhurit në organet drejtuese në çdo institucion policor nuk mund të largohen nga puna, as të lëvizen pa u marrë më parë mendimi sindikal i palës përfaqësuese e nënshkruese (pika 4 dhe 5 e nenit 181 të Kodit të Punës). Kryesindikalisti Fishta pohon për gazetën “Telegraf”, se në asnjë rast DPP nuk është konsultuar me sindikatën, por ish-drejtori Didi e ka shpërfillur plotësisht. 
Policët zbohen masivisht nga puna, me 2 motivacione të përbashkëta 
Për të justifikuar de jure këtë spastrim, udhëheqësit e DPP shpikën 2 motivacione klishe, ku qindra punonjës të Policisë së Shtetit, u larguan nga puna. Këto 2 motivacione të largimit të punës të punonjësve të Policisë së Shtetit, në bazë të vendimeve të fletëlargimit të tyre nga puna janë: 
Ripranim në Policinë e Shtetit në 2005, në kundërshtim me ligjin
Grup motivacioni i parë i largimit të policëve nga detyra:“ Lirohet nga Policia e Shtetit, pasi është ripranuar në kundërshtim me kriteret ligjore (neni 20/2 të ligjit nr 8553 datë 25.11.1999 “Për Policinë e Shtetit”, neni 58/1 i ligjit 9749 datë 4.6.2007 “Për Policinë e Shtetit”, neni 46 i Rregullores së Personelit të Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr 804, datë 21.11.2017, pasi është ripranuar në strukturat e Policisë së Shtetit me urdhër nr 2451/2 datë 11.11.2005, nga kategoria e të përjashtuarve me motivacionin “Për shkelje të betimit, që cenojnë ligjin dhe detyrën” 
Shkurtim të funksionit organik
Grupmotivacioni i dytë i largimit të policëve nga detyra: Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar “Lirimin nga radhët e policisë së shtetit me argumentin: Për shkurtim të funksionit organik dhe në pamundësi emërimi në një detyrë tjetër, të lirohet nga Policia e Shtetit”. Në fakt, ka edhe motivacione të tjera të zbimit të punonjësve të Policisë së Shtetit, por thelbi është se, pavarësisht nga marketingu ligjor, që i kanë dhënë motivacionit, e vërteta është se ata largohen ngaqë janë të padëshurieshmit politikë, dhe menjëherë vendet e tyre të punës zëvendësohen nga militantët partiakë, që kontribuuan në zgjedhje, pavarësisht kualifikimit, aftësive, kritereve të punës, etj. Shumë nga të zbuarit nga Policia e Shtetit, që kanë punuar mbi 10 vjet, edhe janë kualifikuar jashtë shtetit, por, kjo nuk u shërben më qëllimeve të drejtuesve politikë të Policisë së Shtetit. Thuajse të gjithë të zbuarit nga puna nga Policia e Shtetit u janë drejtuar maratonës së gjykatave administrative, për të kërkuar të drejtën e tyre, pasi pretendojnë se u janë shkelur të drejtat. 
Gjykata e Apelit pranon që janë zbuar jashtë ligjit, por nuk u njeh të drejtën e rikthimit në punë
Sipas kryetarit të Sindikatës së Policisë së Shtetit Sadetin Fishta, sot, mbi 300 ish policë kanë fituar të drejtën e ankesës së tyre në gjykatat e Apelit, pra jo vetëm në gjykatën e shkallës së parë, mirëpo deri tani Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ende nuk i ka ekzekutuar vendimet e gjykatës së Apelit. Është një paradoks ligjor, kur institucioni shtetëror, sikurse DPP, nuk zbaton vendimet e formës së prerë të Gjykatës së Apelit. Por, paradoksi është edhe në vendimet e gjykatave të Apelit, që, pavarësisht nga motivacionet e largimit nga puna të policëve, Gjykata e Apelit u jep të drejtën, që ata janë larguar në kundërshtim me ligjet në fuqi, detyron institucionin e DPP t’u japë një dëmshpërblim material të ankuarve (ish-policëve).
Ja raste konkrete, ku Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nuk zbaton vendimet e Apelit
Gjykata administrative e Apelit, me numër vendimi 960, e kryesuar nga Alkelina Gazidede, anëtarë Rilinda Selimi dhe Blerona Hasa, lë në fuqi vendimin e gjykatës administrative të shkallës së parë, në vendimin numër 309, duke e quajtur lirimin e punonjësit (nuk e publikojmë emrin, por gazeta “Telegraf” ka të zbardhur vendimet e gjykatave respektive) në kundërshtim me ligjin. Po kështu gjykata administrative e Apelit, në vendimin numër 3519, më kryetare Altina Nasufi, anëtarë Lindita Sinanaj, Artur Malaj, vendos që të lërë në fuqi vendimin e gjykatës administrative të shkallës së parë, për punonjësin(nuk e publikojmë emrin, por gazeta “Telegraf” ka të zbardhur vendimet e gjykatave respektive) , duke e cilësuar lirimin në kundërshtim me ligjin. Të njëjta vendime ka marrë gjykata administrative e Apelit edhe për qindra punonjës të tjerë të Policisë së Shtetit që janë spastruar me kritere politike pas shtatorit 2013, por që deri tani Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nuk pranon që të ekzekutojë vendimet e Gjykatës së Apelit, duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin. Pyetja që ngremë ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është: Kur ju, si institucioni më i lartë i Policisë së Shtetit nuk doni të respektoni dhe të zbatoni ligjin, atëherë, si do të keni të drejtë ligjore t’u kërkoni qytetarëve të respektojnë e zbatojnë ligjin? 

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 15.12.2015
Sigal