Prof. Flamur Tartari: Frederik Shiroka “Poeti” i kirurgjisë shqiptare

1282
Jetëshkrimi
“Poeti” i kirurgjisë shqiptare, Frederik Shiroka, me jetën dhe veprimtarinë e tij të madhe në dobi të njerëzve, bëri që jo vetëm populli e vendi të krenohen me të, por edhe brezat e mjekëve, të cilët, tek shkelnin në truallin magjik të mjekësisë, në tempullin e humanizmit, kanë nevojë ta njohin këtë korife të madh të kirurgjisë shqiptare, mesazhin e jetës së tij. Frederik Shiroka lindi më 27 shtator 1907 në Shkodër, në këtë qytet me tradita të lashta atdhedashurie dhe bujarie. Studioi në Austri, në Grac, në Fakultetin e Mjekësisë. Si shumë intelektualë të tjerë shqiptarë, sidomos mjekë, ai nuk pranoi katedrat në universitetet e Evropës, madje dhe të SHBA-së por erdhi e punoi në Shqipëri. Shqipëria në ato vite kishte nevojë të madhe për intelektualë të zot, bij e bija të saj. Këta mjekë që erdhën për të punuar në atdheun e tyre, mbeten edhe sot pasqyrë e gjallë e humanizmit. Të tillë ishin me dhjetëra si: J. Basho, O. Jonuzi, S. Tefiku, I. Tartari, K. Kërçiku, J. Jorgoni, J. Theodhosi, R. Buda e shumë e shumë të tjerë. Kësaj plejade i takon dhe i madhi Shiroka, që kudo ndjehej krenar se ishte shqiptar dhe shpesh u përgjigjej disa njerëzve se “… Unë nuk kam doj ç’kulturë, por kam kulturën dhe edukatën shqiptare që më dhanë nëna dhe baba im, prandaj mos harroni që jemi shqiptarë”. Në diskutime me miq e shokë të tij, ai citonte Jani Bashon, këtë atdhetar e mjek të madh shqiptar, organizator i fletores “Djalëria” në Vienë më 1920 të studentëve shqiptarë. Kur një shok i klasës i shkrojti në gjuhën frënge një letër ai me të drejtë ia ktheu shqip duke e nisur me kritika ndaj shokut:” S’ka asgjë më të rëndë për një shqiptar kur i shkruan vëllait të tij në një gjuhë tjetër, s’ka më fyerje kur përdoret gjuha e huaj midis dy shqiptarëve… Mos harroni se gjuha më e bukur është gjuha që na mësoi nëna, ajo shqipe, prandaj në të ardhmen unë pres vetëm letra në gjuhën shqipe… :” Edhe shumë vite më vonë, kur Shqipërinë e pushtoi fashizmi italian, debati kryesor në spitalin e Tiranës ishte midis dr. Shirokës dhe dr. Locit, mjek italian, të cilit dr. Shiroka iu përgjigj: “… Unë nuk të lejoj të operosh e të bësh eksperiment në trupin e shqiptarëve siç keni bërë në Abisini. Metodat tuaja operatore janë të vjetruara… Shqiptarët janë ndër kombet më të lashtë të Evropës, dr. Loci, prandaj jua theksoj edhe një herë, nuk ju lejoj të operoni me mua”. Këtë dinjitet ai e ruajti tërë jetën e tij. Frederik Shiroka bëri vetëm 20 vjet punë kirurgjike, por dha një ndihmesë të shquar në drejtim të ecjes përpara të kirurgjisë në Shqipëri. Ai me të drejtë sot quhet “themelues i kirurgjisë moderne shqiptare” (P. Gaçja). Nuk ka pjesë të trupit të njeriut ku të mos ketë kaluar bisturia në duart e arta të Shirokës. Ai ishte njeri, në radhë të parë, gojëmbël dhe i papërtueshëm. Shumë shkodranë e tiranas e kujtojnë me mall të madh birin e tyre, që në çdo kohë, në të ftohtë e në vapë, me biçikletën e tij të vjetër “Bianki”, kalonte në kalldrëmet e rrugës së Dibrës për në spital për të shpëtuar nga vdekja njerëzit. Kur doktori i madh vdiq, të gjithë thonë se paskemi patur një kirurg të shquar, që duhej vlerësuar. Kirurgu me duar të arta, megjithëse jetoi në tre regjime të ndryshme, mbeti shqiptar me karakter dhe dinjitet. Të gjithë ambicieve të disa kolegëve partiakë në ato vite ai iu përgjigj me punë dhe me zgjuarsi i bënte ta respektonin. Frederik Shiroka mbeti për ne kirurgët një idhull, që rrallë i vjen një kombi. Ai përdori teknika të shkëlqyera operatore, duke bërë operacione në zemër e tru, dha diagnoza të sakta, shëroi me fjalë dhe me duart e arta qindra e qindra njerëz, që e kujtojnë me respekt edhe sot në përvjetorin e 89-të lindjes, me respektin më të madh. Është nder për kombin tonë që ka nxjerrë njerëz të tillë. “Të mos trishtohemi që e humbëm…, por të falënderojmë Zotin që e patëm… “ Nga Bibla
“Edhe në qoftë se kirurgjia s’ka atdhe, kirurgu ka… “
Frederik Shiroka
Kjo thënie kuptimplote e bën më të pavdekshëm të madhin Shiroka. Shiroka i përket atij brezi, kur Shqipëria, pas Kongresit të Lushnjës, por merrte një farë fizionomie si shtet, qysh pas Pavarësisë më 1912. Lindi në Shkodër më 1907 në një familje atdhetare shkodrane, me tradita e kulturë. Ishte fëmijë i zgjuar, i gjithanshëm në aktivitetet kulturore e kjo bëri që të binte në sy të bashkëqytetarëve, të cilët donin ta ndihmonin. Kur shkoi në Kremes të Austrisë, për 2-3 muaj mësoi gjuhën gjermane, të folur dhe të shkruar. Doli shkëlqyeshëm në shkollën e mesme dhe fitoi bursën për të vazhduar Fakultetin e Mjekësisë në Grac të Austrisë. Atje, si student vendosi të bëhej kirurg, sepse Shqipëria në atë kohë kishte shumë nevojë për operatorë. Pas mbarimit të studimeve dhe specializimit për kirurgji erdhi në Shqipëri më 1935, dhe filloi punën pranë spitalit civil në Tiranë, me një kirurg të huaj, sepse dr. Osmanin e kishte pushuar Zogu nga puna dhe dr. V. Labovitin e kishte transferuar në Gjirokastër. Vizitën e parë në Tiranë e bëri te dr. Osman Jonuzi, themelues i kirurgjisë shqiptare. Ardhja e tij në spitalin e Tiranës u mirëprit nga bashkatdhetarët e tij dhe mjekët, si: dr. S. Tefiku, dr. B. Zyma etj., të cilët e ndihmuan dhe e orientuan kirurgun e ri. Menjëherë ra në sy talenti i tij si kirurg, jo vetëm në mjedisin mjekësor, por edhe tek populli, që kishte shumë nevojë për të. Këtë gjë e vuri re edhe mjeku çifut Lehman, qysh në javën e parë të operacioneve. Pushtimi fashist e gjeti Frederikun e ri në punë. Ai kishte bërë shumë operacione brenda një kohe të shkurtër. Duke qenë se Shiroka nuk pranoi të hynte në partinë fashiste, e larguan nga puna në Tiranë dhe ai u detyrua të shkonte në Shkodër, në qytetin e lindjes. Aty dha një ndihmesë të madhe në mjekimin e popullit, në spital e në çdo shtëpi që e thërrisnin. Ai ndihmoi pa u kursyer luftëtarët e lirisë, të plagosur në luftën kundër fashizmit. Në ditët e para të çlirimit mjekoi pa u lodhur të gjithë partizanët e luftëtarët e tjerë që çliruan Shkodrën, të plagosur e të sëmurë. Në
periudhën e tifos së morrit, zotësia dhe nderimi për të i tij dolën në pah në thirrjen që i bëri popullit të Shkodrës për të çuar në spital 400 krevate, batanije e dyshekë. Brenda ditës spitali i Shkodrës u pajis plotësisht. Atë e nderonte dhe kisha, që i hapi dyert për të shtruar të sëmurë, meqë nuk kishte vende në spital. Më 1946 erdhi në Tiranë, kirurg i parë, shumë entuziast për të punuar e për të përgatitur kuadro të reja, të cilët mungonin në ato vite. Kishte shumë vështirësi e pengesa, si dhe xhelozi ndaj tij, sepse shpesh i kujtonin prejardhjen, duke e quajtur mikroborgjez. Këto strese ia dëmtuan dalëngadalë shëndetin këtij shkencëtari shqiptar. Në kujtimet e tij profesor Shefqet Ndroqi shkruan: “Dr. Shirokën e kam njohur qysh nga viti 1946 në spitalin civil të Tiranës, ku punonte si kirurg primar. Kisha dëshirë të punoja me të për mjekimin e tuberkulozit nga ana kirurgjikale, meqë deri atëherë nuk ishte bërë shumë. Me ndihmën e tij arritëm të krijojmë kirurgjinë torakale në sanatorium, më 1950. Atëherë filluam të bëjmë torakoplastikën dhe operacionet mbi nervin frenik. Po kështu bëmë edhe operacionin e pneumotoraksit ekstrapleural, që praktikohej në Evropë dhe në botë. Unë shpesh bisedoja me të për të përdorur një teknikë të re franceze, që ai e zotëronte, por më thoshte: “Shefqet, teknikisht e realizoj, por suksesi i tij varet shumë nga ndjekja e mirë postoperative, për të cilën unë nuk kam kohë. “ Atëherë mora përsipër ta ndiqja vetë dhe e realizuam me sukses. Ai më mësoi karakteristikat më të mira të tij: ia transmetonte më të riut teknikën operative. Nuk ishte egoist, por dashamirës dhe kënaqej kur kirurgët e rinj ecnin përpara. Fliste me adhurim për mjekët e rinj: P. Gaçen, F. Papariston, R. Golemin, M. Drasën, Dh. Shytin, B. Elezin, M. Mirashin (student në atë kohë), N. Theodhosin, G. Velçanin etj., që do ta çonin më përpara kirurgjinë në qoftë se do të ecnin me ritmet bashkëkohore”. Ai shpesh thoshte një shprehje të Shekspirit: “Përvoja fitohet vetëm me punë dhe përsoset me kohë.” “Pas bërjes së operacionit të parë, në prostat”, kujton një nga nxënësit e tij, dr. Maksut Drasa: “Menduam të vazhdojmë për përsosjen e metodës së Milinit, që e realizuam me sukses. Për këtë Shiroka ishte shumë entuziast. “ Ai bëri operacione në ato vite kur në vendet fqinje nuk bëheshin të tilla. Për herë të parë bëri operacion në mushkëri, një vajze 16-vjeçare që jeton edhe sot. Ai operoi në kocka, mëlçi, stomak, zorrë, tru etj., gjithmonë me sukses. Po kështu bëri Perikardiolizën e parë në Shqipëri, operacion në zemër, i pa bërë ndonjëherë.
Me të drejtë prof. P. Gaçe e quan atë: “Themelues të kirurgjisë shkencore shqiptare”. Kanë kaluar 42 vjet nga vdekja e tij dhe Shiroka ka mbetur i gjallë në zemrën e popullit të Shkodrës, Tiranës e gjithë Shqipërisë. Megjithatë ai përmendej pak e shkurt në leksione
apo në libra të prof. P. Gaçes, F. Paparistos e B. Elezit. Vetëm më 1985, kur u shkrua në shtyp nga mjekët, me rastin e 30-vjetorit të vdekjes, pushtetarët u detyruan të pranojnë se paska ekzistuar edhe dr. Shiroka. Busti i tij kishte mbetur në një qoshe të pavijonit të kirurgjisë i harruar dhe vetëm ndërhyrja e prof. Dhimitër Litos dhe intelektualëve shkodranë, bëri që të organizohej një sesion shkencor në Shkodër dhe më pas në Tiranë nga prof. P. Gaçe. Ka ardhur koha që edhe figura e doktor Shirokës të zërë vendin e saj, krahas korifenjve të tjerë shqiptarë të shkencës, sepse ai e meriton plotësisht. Kemi të drejtë të krenohemi, jo vetëm ne shkodranët, por të gjithë shqiptarët, që bashkë me Fishtën dhe Migjenin, lindëm edhe “Poetin e kirurgjisë shqiptare”, Frederik Shirokën, njeriun e madh dhe mjekun që kudo ku shkoi jashtë shtetit, i befasoi kolegët me madhështinë e talentin e tij, duke mbetur gjithmonë shqiptar i vërtetë, humanist dhekirurg i shkëlqyer. Mjeku i shquar që nuk harrohet. 
Shkodra, qyteti i kulturës dhe i atdhetarizmës shqiptare ka nxjerrë njerëz të shquar të këtij kombi. Në mes tyre shkëlqen edhe Frederik Shiroka, themeluesi i kirurgjisë moderne të Shqipërisë, i cili sot përkujtohet me krenari nga i gjithë populli, pacientët dhe nxënësit e tij. Duhet të theksoj se Shqipërisë
nuk i kanë munguar asnjëherë njerëzit e ditur dhe s’kanë për t’i munguar asnjëherë sepse kjo është dhuratë e Zotit.
Cili ishte dr. Shiroka?
Ai ishte një njeri shpirtgjerë që i përmbushte me rreptësi e pikë për pikë detyrat dhe fjalët humane të Betimit të Hipokratit. Njeri human, i gatshëm për të ndihmuar të tjerët, pa dallim se cili ishte dhe se cilës klase i përkiste. Pesë vjet pasi kishte filluar punën në spitalin e Tiranës, dr. Lehmani u çudit me talentin e të tij, guximin në çdo operacion dhe ndjekjen e gjatë pasoperatore që u bënte të
operuarve… Shumë qartë në regjistrat operatorë të viteve ‘39-’40 shkruhen ndërhyrjet kirurgjikale të vështira të bëra nga dr. Shiroka si p. sh. operacione në TBC-në e kockave, në plagë të shumta nga dëmtime të mëdha të organeve të ndryshme, në mjekimin e shumë sëmundjeve obstetrike kirurgjikale, në sëmundjeturologjike, në sëmundjen e përhapur
të ekinokokut e shumë e shumë të tjera. Duke u nisur nga talenti i këtij kirurgu me të ardhme në vitet ‘40 mjeku çifut e ftoi në Institutin e kërkimeve të Filadelfias për të punuar bashkë, po përgjigja e Shirokës ishte: “Vendi imështë më i dobishëm në Shqipëri se në Amerikë. Unë do të veproj si mjekë të tjerë shqiptarë si Ashta, Benusi, Basha etj. që populli i do dhe i nderon. Ja pra cili ishte dr. Frederik Shiroka, ja çfarë edukate i kishte dhënë familja dhe Shkodra këtij njeriu të madh dhe mjeku të kalibrave evropiane e botërore. Çdo pjesë e trupit të njeriut e çdo organ i tij u prek nga bisturia e artë e Shirokës dhe në shumicën e rasteve ajo ishte jetëdhënëse për qindra e mijëra pacientë që operoi. Shiroka për kohën që jetoi ishte një Nënë Terezë e dytë për Shqipërinë, dhe zemrën ia dha vetëm Shqipërisë. Megjithëse jetoi në periudha dhe regjime të ndryshme, duke kaluar shumë të përpjeta dhe zigzage, ai i përballoi me sukses. Këto ia rritën më tepër etjen për të zhvilluar shkencën e kirurgjisë shqiptare më me guxim dhe entuziazëm, sepse ai kishte një kulturë të shëndoshë dhe fytyra e tij nuk mori asnjë njollë. Por, pa asnjë dyshim, të gjitha këto ngacmime ndikuan në jetën e tij. Në vitet ’48 ’49 doli në Angli nga prof. Terenc Millin një teknikë e re operatore për kurimin e adenomës së prostatës dhe, në vitet ‘52-’53 dr. Shiroka së bashku me kolegët e tij, si kryekirurg që ishte në Spitalin Civil të Tiranës, e përdori për herë të parë në vendin tonë, ndërkohë që në klinikat e vendeve të Ballkanit nuk përdorej. Shumë ndërhyrje kirurgjikale të vështira, të bëra për herë të parë në Shqipëri mbajnë vulën e Frederik Shirokës. S’është e pakët ndërhyrja e tij në operacionet e kokës në klinikë pa patur arteriografi apo skaner e rezonancë që ekzistojnë sot. Ja, këtu qëndron madhështia e
këtij mjeku të madh që me rastin e 30 vjetorit të vdekjes së tij prof. Petrit Gaçja e quan Themeluesin e Kirurgjisë Shqiptare, emër që e meriton plotësisht. Frederik Shiroka respektonte në mënyrë të veçantë dhe e quante me të drejtë dr. Osman Jonuzin si Baba të Kirurgjisë Shqiptare për humanizmin dhe shpejtësinë që ai kishte në operacione pavarësisht se ishte në moshë të madhe. Gjithashtu ai debatonte duke i vlerësuar shumë edhe kolegët e tij që punonin dhe ishin shumë të aftë si doktorët Sotir Polenën në Korçë, Vasil Labovitin në Gjirokastër, Spiro Treskën, S. Mborjen etj., ashtu si respektonte edhe mjekët e Spitalit Ushtarak në vitet e pasluftës, si prof. Petro Canin, përpekt të veçantë. Dr. Jul Koliqin, prof. Sh. Ndroqin etj. Kurajoja e tij u shtua kur erdhën dhe filluan të specializohen për kirugji edhe mjekë kirurgë të rinj te të cilët ai shikonte të ardhmen e kirurgjisë shqiptare. Dhe intuita e tij nuk u gabua, sepse sot ne jemi dëshmitarë për mësuesit tani kirurgë si prof. P. Gaçe, prof. F. Paparisto, dr. F. Spahiu, prof. Ll. Ziçishti, prof. M. Drasa, dr. Shyti si dhe ish-nxënësit e tij dr. M. Mirashi, N. Theodhosi, P. Velo, B. Elezi etj., që po japin një ndihmesë të madhe në zhvillimin e kirurgjisë shqiptare. Këta janë një plejadë e madhe mjekësh kirurgë të shkollës së Shirokës së madh.
Si kirurg me duar të arta ai u vlerësua në
atë kohë edhe nga kirurgë e personalitete të vendit tonë e nga bota. Kur akademiku i famshëm Vishnjevski, më 1955, paraqiti disa punime të tij për disa operacione në formë të një mikrosimpoziumi, dr. Shiroka me modesti, por edhe me kompetencë, paraqiti shumë ndërhyrje kirurgjikale me rezultate të shkëlqyera, ku paraqitej shkolla e kirurgjisë shqiptare. Akademiku ngeli i mahnitur nga ky mjeshtër i kirurgjisë shqiptare dhe e ftoi në Moskë për të shkëmbyer përvojë, duke e vlerësuar shumë. Siç dihet, është ai që në Rusi demonstroi në mënyrë të shkëlqyer
shumë teknika të reja të përdorura në perëndim dhe të aplikuara shumë shpejt në Shqipëri, gjë që flet për ecurinë e kirurgjisë në vendin tonë. Janë pikërisht këta shkencëtarë që i vunë me të drejtë emrin “Kirurgu me duar të arta”. Në të vërtetë populli kishte vite që ia kishte vënë këtë emër të merituar. Dr. Shiroka është ai që, bashkë me infermieren e tij M. Caci, i ka dhënë gjak fëmijës para operacionit, vetëm për ta shpëtuar.

Shkrimi u botua në gazetën Telegraf të datës 15.12.2015
Sigal