Ismail Kadare-Dita e jetimëve me shkrimtarin e madh të një kombi të vogël

871
Sigal

Rrëfimet e pathëna të Kadaresë: Fëmijëria në Gjirokastër, historitë me fashistët e nazistët, nderi i gjirokastritëve, takimet me lexuesit dhe mesazhi për institucionet shtetërore. Ja komenti ekskluziv i Helena Kadaresë

Ekskluzive nga Albert Z. Zholi

(Pjesa e II)

Ne në Gjirokastër krenohemi, kur na pyesin çfarë ka nxjerrë ky qytet, themi se ka nxjerrë Kadarenë, nuk e di sa kohë keni jetuar në Gjirokastër dhe çfarë ndikimi ka pasur ajo në veprat tuaja?

Më vjen mirë që takoj një bashkëqytetare timen dhe mund të jesh edhe kushërira ime. Gjirokastra ka luajtur një rol të madh në krijimtarinë time dhe unë këtë nuk e kam fshehur, por e kam theksuar duke shkruar një libër që e kam quajtur “Kronikë në gur” që është për Gjirokastrën, ku përmend edhe mbiemrin tuaj.

Përmendet ky mbiemër pasi nëna ime është nga familja Dobi dhe aty kam pasur dajat e mi dhe tezet e mia. Pra, dua të them se ky qytet ka lënë gjurmë të pashlyeshme, sepse vetë Gjirokastra ishte qytet shumë interesant, po shumë.

Në Gjirokastër unë kam qenë i vogël kur erdhën ushtritë italiane që na pushtuan, në vitin 1939. Italianët kishin një porosi nga shteti i tyre që të silleshin mirë me femrat, mos t’i provokonin, sepse Gjirokastra është qytet fanatik, qytet që femra nuk ngacmohet. Orientimi ishte: Mos i fyeni shqiptaret se shqiptarët janë me sedër të madhe. Por italianët nuk e respektuan shumë këtë gjë dhe shpesh qëllonte që banorët fanatikë të Gjirokastrës kur shikonin të thyhej ky urdhër i eprorëve italianë nga ushtarët edhe përlesheshin.

Pra, gjirokastritët ishin shumë të ashpër me italianët që ngacmonin vajzat e tyre. Unë kam parë me sytë e mi që plaka të lagjes sime kanë kapur prej flokësh oficerë italianë që ngacmonin vajzat e tyre. Kjo gjë ndodhi në kontrast me gjermanët që erdhën më vonë. Gjermanët kishin të njëjtin udhëzim.

Ata kishin një udhëzim të fshehtë që të mos ngacmonin shqiptaret, femrat për punë nderi, sepse populli i jep rëndësi të madhe dhe do të na krijohen telashe politike. Gjermanët nuk kthenin as kokën kur kalonin vajzat dhe gratë dhe i bindeshin urdhrave të dhëna. Kujtoj shpesh episode të tjera që ishin edhe për të qeshur.

Kjo ishte e mirë, se nuk e bënte realitetin që ta përshkruaje atë vetëm bardh e zi, ku nga një anë ishin partizanët e mirë dhe nga ana tjetër italianët dhe gjermanët e këqij. Për fat të keq kjo periudhë nuk zuri vend në letërsi dhe e dobësoi letërsinë shqipe.

-Cili është mesazhi dhe apeli që ju i drejtoni institucioneve shtetërore politikës shqiptare dhe mbarë shoqërisë shqiptare?

Unë bëj rrallë takime me lexuesit për asnjë arsye të ndërlikuar, por, sepse kjo më lodh shumë dhe lexuesit presin gjë të madhe nga shkrimtari. Shkrimtari ulet në tavolinë pi dhe kafenë dhe e nderojnë të gjithë, por dhe e filmojnë ku është edhe më keq akoma, mendojnë se është flori në çdo gjë. Shkrimtari ka një përgjegjësi morale, pasi populli lexon atë që ai shkruan, por shkrimtari nuk është qenie e jashtëzakonshme dhe as hyjnore.

Dhe sa herë ulem të bisedoj me lexuesit mendoj se çfarë do t’i them unë lexuesve, pasi është gjë e vështirë. Zakonisht pyetjet janë të tilla që nuk të japin shumë dorë të flasësh lirshëm dhe pa hezitim. Në Shqipëri dhe në vendet ish-komuniste hapësirat për krijuesit kanë qenë të këqija, pasi nuk flitej kurrë për gjëra intime të shkrimtarit.

Ju dini për shkrimtarë të huaj lloj-lloj historish, por për shkrimtarët tanë të njohur të viteve 1930-1990 nuk dini historinë e martesave të tyre dhe të dramave, se ato janë fshehur të gjitha, sepse shteti nuk kujdesej për shkrimtarët, por përparësi kishte atë që njerëzit të kishin urrejtje për armikun dhe të kërkonin kudo armikun. Duke u bazuar në këtë fakt shkruheshin histori jo të vërteta.

Sot mund ta them se letërsia shqipe e ka paguar shtrenjtë këtë gjë. Unë e çmoj shumë brezin e ri dhe, sidomos, dëshirën që ju doni të keni lidhje me letërsinë dhe me artet. Por sot në shtresën si ju, ka një farë gjendje jo të zakonshme, pasi ju mungon diçka, keni një pikëllim. Një pikëllim që zgjohet kur lexoni libra dhe dëgjoni muzikë dhe shpesh merrni kënaqësi nëpërmjet pikëllimit.

Letërsia sot e jep këtë pikëllim dhe vetvetiu gjendja juaj duhet të ndryshojë, pasi ju jeni shumë të ndjeshëm dhe e gjithë shoqëria ka për detyrë që t’ua lehtësojë këtë gjendje. Por aktualisht unë mendoj se në Shqipëria nuk është në atë shkallë që të ketë një interes korrekt për ju. Do doja që interesi, ndihma, kujdesja nga shteti dhe shoqëria për ju të ishte më e vazhdueshme (ndalon dhe përmban lotët).

Por shoh se kjo është një vazhdim i një propagande që bëhej në kohën e komunizmit (por vazhdon dhe sot) ku çdo gjë bëhej për partinë, “Të rrojë partia dhe të jetë mirë partia”, dhe të tilla fjalë e lënë të ftohtë njeriun dhe interesin për shtresat në nevojë. Ju jeni tamam kjo pjesë e popullsisë që politika nuk tregohet e kujdesshme dhe keni nevojë për ngrohtësi njerëzore, pasi nuk ju ngopin fjalët boshe. Keni nevojë për libra që t’ju trazojnë shpirtin dhe t’ju orientojnë. Një shpirt kur trazohet është i pasur gjithmonë dhe rrezaton.

Epilog

Sa mbaron përgjigjet duartrokitjet e fëmijëve jetimë zgjatën disa minuta. Ishte një moment shumë domethënës, shumë prekës, shumë shprehës. Kjo ditë ishte dita e parë që njeriu i madh i letrave foli ndryshe, foli pa rezerva, foli pa ndaluar, foli sinqerisht, foli me gjuhën e zemrës. Në këtë ditë Kadareja tregoi se nuk është ai njeriu i ftohtë, individualist, që flitet shpesh herë. Jo!

Në këtë ditë Kadareja tregoi atë anë të jetës së tij që pak ose aspak e njohin. Kadareja në 20 maj u tregua social, i ndjeshëm, shkrimtar plot ndjesi, gati duke shpërthyer në lot, me zë ngashërues, foli si prind, si shkrimtar me zemër të madhe. Ky ishte Kadareja që s’e kishim parë kurrë. Ishte Kadareja që na mungonte ta njihnim.

Ishte Kadareja që me këtë takim’ besoj’ se plotësoi një boshllëk kritik dhe që tashmë e meriton plotësisht ta marrë çmimin “Nobel”. Në 20 maj Kadareja ishte shqiptari i madh që bota e nderon dhe kombin tonë e lartëson. Në këtë ditë Kadareja ishte Njeriu që përcolli një mesazh të cilin politika nuk e ka thënë kurrë në 30 vjet.

Ja ky është Kadareja i vërtetë që ne na takon ta mbështesim dhe të respektojmë. Më shumë se kurrë në këtë 20 maj u ndjeva plotësisht krenar, që kombi ynë ka një figurë të tillë që e ka zili gjithë bota. Në shumë 20 maj që kam qenë pjesë e aktiviteteve të z. Çumani asnjëherë nuk skam parë politikan, shkrimtar, biznesmen, artist, që të flasë si Kadareja i Madh i kombit tonë të vogël.

**

Helena Kadare: Fatet e Shqipërisë t’i marrin në dorë atdhetarët 

Kur mbaruan duartrokitjet ndërsa Kadareja po vendoste autografet në librat dhuratë për fëmijët jetimë, munda të marr një opinion të shkrimtares Helena Kadare për këtë takim shumë interesant.

-Zonja Helena, si do ta komentoni këtë takim shumë magjik të Kadaresë me fëmijët jetimë?

Një ditë kemi që kemi ardhur nga Franca dhe ishim shumë të lodhur. Këto ditë kemi shumë punë intensive dhe agjendën e takimeve e kemi pasur shumë të ngjeshur, sa nuk kemi kohë të takojmë as të afërmit. Por kërkesa e z. Çumani na befasoi.

Kadareja nuk e mendoi gjatë, por më tha, do shmangim shumë takime të tjera dhe do shkojmë në këtë takim, edhe pse jemi të lodhur. Dhe ja erdhëm. Kur takova këta fëmijë kaq të pafajshëm, kaq të bukur (loton) më pikëlloi në zemër që janë jetimë.

Ata duan shumë përkrahje, duan shumë dashuri. Por shoh që nuk kanë vëmendjen e duhur, Politika shqiptare duket shumë e acaruar. Duhen ulur tonet, duhen ulur tensionet. Këta fëmijë duhet të kenë fat tjetër. Nuk duhet të kemi zjarre, fyerje, shantazhe dhe presione mes partive politike. Rinia do punë, argëtim, paqe, mirësi.

Akoma më shumë kjo shtresë në nevojë. Ndihem e lehtësuar që erdhëm sot këtu, edhe pse kishin shumë punë të tjera. Ismaili nuk shprehet, por ka një zemër shumë të ndjeshme. Shqipërisë, shqiptarëve dhe, sidomos, këtyre fëmijëve u takon tjetër fat. Jemi një vend i bekuar nga perëndia dhe që duhet ta marrin në dorë njerëzit e ditur që e duan vërtetë atdheun tonë.