Prof.Dr.Lush Susaj: Kujdes, zgjedhjet në universitetet publike, të mos degradojnë në farsë korruptive e nepotike

15

– Në vitin 2013, në universitetet tona kishim 174000 studentë, e ku klasat ishin plot me student, ndërsa sot kemi rreth 120000, ose 54000 studentë më pak.

Sigal

Zgjedhjet duhet të synojnë depolitizimin, anti korrupsionin dhe anti nepotizmin

Duhet të kthejmë moralin e zgjedhjeve, që të kemi zgjedhje e jo farsën e radhës.

Situata është barsur vit pas viti, drejtues pas drejtuesi, e sikurse e shoh dhe e mendoj unë, tani edhe lëkura e lepurit mund ta gjunjëzojë devenë (sistemin).

Kapja e sistemit ka për bazë egoizmin dhe interesa të ulëta pasurore e politike të një grupi, që tashmë janë kthyer në autokraci të mirfilltë mbi 25 vjeçare

 

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Telegraf.al / Më 21 qershor do të mbahen zgjedhjet për autoritetet drejtuese dhe organet drejtuese në universitetet publike. Data është caktuar ngaMinistria e Arsimit dhe Sportit…..

“Bazuar në dispozitat e ligjit nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, i cili parashikon zhvillimin periodik të zgjedhjeve çdo katër vite, Ministria e Arsimit dhe Sportit njofton se është shpallur data e zgjedhjeve për autoritetet drejtuese dhe organet drejtuese në universitetet publike. Data e zhvillimit të zgjedhjeve do të jetë 21 Qershor 2024”, njofton ministria.

“Tani duket sikur e keqja ka arritur në pikën e ngopjes, e nuk mban më. Për të mos ardhur në këtë pikë, gjithnjë kemi folur e protestuar në krah e në ballë të protestës studentore, të lëvizjes për universitetin, në media dhe forume për shkollën, kudo që ka patur e që ka reagim kundër nepotizmit, korrupsionit, shkulturimit dhe shpopullimit të vendit. Për fatin e keq, politika foshnjore, kurrë nuk pati dije, kulturë e as shqiptari për të dëgjuar e vepruar.”

Zgjedhjet do të mbahen njëkohësisht në të gjitha universitetet publike në vend. Si u përcaktua kjo lloj zgjedhjeje në Universitete? Aplikimi rreth 20 vite më parë i caktimit të drejtuesve të universiteteve përmes zgjedhjeve të brendshme universitare, reflektonte dy supozime: 1) se kjo mënyrë do ndikonte pozitivisht mbi cilësinë e qeverisjes së universiteteve, dhe 2) se me drejtues të zgjedhur nga vetë komuniteti universitar, ndryshimi në universitete kishte gjasa të ishte më i shpejtë, më i madh, më cilësor!  Por realiteti i zgjedhjeve universitare të këtyre 15-20 viteve flet për një konkluzion të hidhur: Zgjedhja e drejtuesve nga vetë universitetet, nuk ka sjellë as një model më të mirë qeverisje të universiteteve, as ndonjë ndryshim të hatashëm në cilësinë e universiteteve. Zgjedhjet universitare thjesht kanë ricikluar po të njëjtët njerëz; kanë riprodhuar dhe konsoliduar qeverisjen çifligare; dhe i kanë ndryshuar universitetet jo për më mirë, por për më keq! Zgjedhja e drejtuesve nga universitetet pra, ka kontribuar në trashjen, jo në zgjidhjen, e problemeve të tyre! Ja si shprehet për zgjedhjet e reja Prof. Lush Susaj:

-Më 21 Qershor do të mbahen zgjedhjet për autoritetet drejtuese dhe organet drejtuese në universitetet publike. Data është caktuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Si do t’i cilësoni këto zgjedhje? Çfarë duhet të synojnë zgjedhjet e reja?

Zgjedhjet duhet të synojnë depolitizimin, anti korrupsionin dhe anti nepotizmin

Sipas njoftimit të Ministrisë së arsimit dhe sporteve, më 21 Qershor do të mbahen zgjedhjet për autoritetet dhe organet drejtuese në universitetet publike. Në njoftimin e datës 13 mars 2024, thuhet që bazuar në dispozitat e ligjit nr. 80/2015, për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë, i cili parashikon zhvillimin periodik të zgjedhjeve çdo katër vite, Ministria e Arsimit dhe Sportit njofton se është shpallur data e zgjedhjeve për autoritetet drejtuese dhe organet drejtuese në universitetet publike. Data e zhvillimit të zgjedhjeve do të jetë 21 Qershor 2024, në të gjitha universitetet publike të vendit.

“Tragjedia e sundimit të njëanshëm e nepotikë, ajo verbëria e mandateve 8 vjeçare të dekanëve, rektorëve dhe shefave të departamenteve, kur në të gjithë Europën mandatet janë 1-2 vjeçare, e pa të drejtë rikandidimi. Egoizmi i të paditurve e të korruptuarve është katastrofë, përndryshe njerëzit e vegjël të strukturave nepotike të universiteteve tona, nuk mund të pretendojnë kurrë që mandatet e tyre duhet të jenë në vazhdimësi, apo 8 dhe 12 vjeçare, sa dhe mandatet e Klintonit, Bushit, Obamës, Thëçërit, etj”

Padyshim që zgjedhjet universitare janë një moment i rëndësishëm për fatet e vendit, e sidomos për reputacionin dhe fatet e universiteteve publike të vëndit. Sepse nga produkti i dalë nga zgjedhjet, varet e ardhmja e universiteteve, e bashkë me të edhe zgjidhja e hallit të madh të rinisë shkollore dhe studentore të Shqipërisë, që për shkak të infeksionit dhe sëmundjes së rendë të universiteteve nga politizimi, korrupsioni dhe nepotizmi, gjithnjë e më shumë po emigrojnë për të studjuar e për të punuar në vëndet e tjera.

Sikurse dihet, në vitin 2013, në universitetet tona kishim 174000 studentë, e ku klasat ishin plot me studentë. Ndërsa sot kemi rreth 120000, ose 54000 studentë më pak. Për pasojë, klasat janë bosh, ose në rastin më të mirë janë të përgjysmuara. Në jo pak raste mbetën edhe me 3-4 studentë, pa përmendur ato degë jetike që janë mbyllur, e të tjera që rrezikojnë të mbyllen në të ardhmen e afërt. Pavarësisht nga propaganda dhe sofizmi me ligjet dhe rregulloret, situata e krijuar nuk është se buron nga shkaqe historike, gjenetike e rracore. Përkundrazi shkaku real i dështimit të vazhdueshëm të reformave në sistemin arsimor, duhet kërkuar tek politikat e gabuara, që nuk synuan kurrë zgjedhjet dhe as zgjidhjet meritokratike e morale. Janë politikat e gabuara dhe politizimi tinëzar i sistemit, ato që realisht kanë vrarë dhe degraduar zgjedhjet dhe demokracinë shkollore dhe universitare, nga ku buron kapja politike, korruptive dhe nepotike e shkollave dhe universiteteve. Kapja e sistemit ka për bazë egoizmin dhe interesa të ulëta pasurore e politike të një grupi, që tashmë janë kthyer në autokraci të mirfilltë mbi 25 vjeçare, e që janë bërë belaja më e madhe e sistemit. Tani duket sikur e keqja ka arritur në pikën e ngopjes, e nuk mban më. Për të mos ardhur në këtë pikë, gjithnjë kemi folur e protestuar në krah e në ballë të protestës studentore, të lëvizjes për universitetin, në media dhe forume për shkollën, kudo që ka patur e që ka reagim kundër nepotizmit, korrupsionit, shkulturimit dhe shpopullimit të vendit. Për fatin e keq, politika foshnjore, kurrë nuk pati dije, kulturë e as shqiptari për të dëgjuar e vepruar. Përkundrazi na ka përgojuar, bullizuar, sulmuar në mënyrat më të ulëta. Si askund tjetër në rajon dhe Europë, ata pedagogë dhe punonjës që folën, reaguan e protestuan u mënjanuan dhe u frikësuan dhe shantazhuan deri dhe me bukën e gojës. Ndërsa studentët që i prinë protestës studentore të përçarë nga patronazhimi made in komunistë, u goditën me nota të ulëta, me ngelje në klasë, e me lënien e tyre pa punë, edhe pse konkurojnë prej më shumë se 5 vitesh. Tashmë shumica e tyre ka ikur jashtë. Unë shoh dhe kuptoj që universitetet janë edhe më keq se sa ishin në vitet 2018-2019, e nëse nuk parandalohet edhe manipulimi i këtyre zgjedhjeve, politizimi, nepotizmi dhe korrupsioni i sistemit do të rritet, nga ku besueshmëria dhe rezultatet e rankimit do të jenë edhe më të ulëta.

-Ju vazhdimisht keni reaguar në shtyp për problematikat e këtyre zgjedhjeve? A do të vazhdojnë këto probleme? Sa dëm i sjellin studentëve zgjedhjet jo korrekte, por të ndikuara nga politika?

Së pari dua të them se me këto zgjedhje duhet të kthejmë moralin e zgjedhjeve, që të kemi zgjedhje e jo farsën e radhës.

Problemi shqetësues i Shqipërisë dhe institucioneve të shtetit shqiptarë, nuk janë ata që flasin e që reagojnë hapur e në mënyrë të sinqertë. Përkundrazi janë servilat dhe gojkyçurit, që heshtin, ata që kanë zgjedhë për model jetën e krimbave që zhgërryhen dhe tërhiqen zvarrë në errësirën e thërrimeve të korrupsionit, nepotizmit, krahinizmit, injorancës dhe konfliktualitetit. E keqja nuk është e nuk mund të jetë kurrë tek gjykimi dhe mendimi im, sipas të cilit në situatën aktuale të politizimit, të nepotizmit, të korrupsionit dhe të konspiracionit dhe të rënies së auditit të brendshëm e të llogaridhënies, zgjedhjet universitare dhe zgjidhja reale e problemeve të universiteteve, pothuajse është e pamundur. Sipas asaj që unë shoh e kuptoj, situata në sistemin shkollor, e në atë universitar në veçanti, është një tragjedi e pashëmbulltë në rajon dhe Europë. Kjo me kujton shprehjen e njohur të Aristotelit sipas të cilës, tragjedia denoncon teprinë njerëzore. Jo më kot, profesore Zamira Çavo, është e mendimit që për arsimin duhet të reagojmë e të ulurasim. Situata është barsur vit pas viti, drejtues pas drejtuesi, e sikurse e shoh dhe e mendoj unë, tani edhe lëkura e lepurit mund ta gjunjëzojë devenë (sistemin). Parë në këtë kontekst të mungesës së gjatë të reformimit të sistemit, mendoj se nuk mund të shkohet më tutje pa ndërmarrë reforma të mirëfillta demokratizuese, ligjore e gjithpërfshirëse, që e çlirojnë sistemin nga kthetrat e politikës dhe nga autokracia që i ka shërbyer me përulësi e verbëri të plotë.

Adam Smith, sikurse edhe Platoni para tij, tek libri me titull “Teoria e Sentimenteve Njerëzore” theksonte se rendi ekonomik, varet nga rendi moral, e që morali është në plan të parë. E në këtë këndvështrim filozofikë, mendoj se duhen gjetur rrugët ligjore për të kthyer me patjetër moralin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve, në mënyrë që zgjedhjet universitare në Shqipëri dhe produkti i dalë prej tyre, të paktën të përngjajë me produktin zgjedhor të universiteteve të rajonit të Ballkanit dhe Europës. Beteja me autokracinë e sistemit do të jetë e vështirë, sepse ajo tashmë është trashur aq shumë. Autokracia ka para dhe prona, ka ekonomi, edhe pse autokratët nuk kanë patur kurrë ndonjë profesion dhe as produkt shkencor, kulturor, letrar e as shoqëror. Autokracia, vite me radhë ka rekrutuar njerëz të bindur deri në verbëri, janë njerëz të rekrutuar me artifica e duke menjanuar elitën e mirfilltë e reaguese të rinisë studentore, e sidomos specialistët dhe ekspertët më të mirë të vëndit. Tragjedia e sundimit të njëanshëm e nepotikë, ajo verbëria e mandateve 8 vjeçare të dekanëve, rektorëve dhe shefave të departamenteve, kur në të gjithë Europën mandatet janë 1-2 vjeçare, e pa të drejtë rikandidimi. Egoizmi i të paditurve e të korruptuarve është katastrofë, përndryshe njerëzit e vegjel të strukturave nepotike të universiteteve tona, nuk mund të pretendojnë kurrë që mandatet e tyre duhet të jenë në vazhdimësi, apo 8 dhe 12 vjeçare, sa dhe mandatet e Klintonit, Bushit, Obamës, Thëçërit, etj. Kjo nuk mund të ndodh kurrë, e përsa kohë kjo lojë nepotike e korruptive nuk stopohet me ligj ose me rregullore, zgjedhjet nuk mund të kenë moral, dhe në asnjë rast nuk mund të prodhojnë zgjidhje. Kam mbi 20 vjet që shkruaj e që flas hapur kundër kësaj rruge të verbër, në të cilën politika e korruptuar e kakistokratike ka shtyrë stafet dhe universitetet tona. Kam mbi 20 vjetë që unë dhe ata që kanë reaguar, marrim dhe përballojmë goditje të ulëta politike, antiarsim dhe antikulturë.

Kjo dhe asgjë tjetër nuk më bën që të hesht, përkundrazi më bëjnë që të shkruaj e të bërtas edhe më shumë, me qëllim që të hartohen rregullore gjithpërfshirëse, që kufizojnë egoizmin e autokracisë nepotike e që rikthejnë moralin e zgjedhjeve, bashkë me cilësinë e produktit të tyre. Këtu nuk bëhët fjala për dëshirë, tashmë kemi të bëjmë me një domosdoshmëri nëse duhet të ekzistojmë në realitetin e tregut. Në këtë kontekst, nuk mendoj se do të cënonte asnjë nga ligjet e as nga kandidatët meritokratikë një rregullore e brendshme apo një udhëzim i gjithpranuar (që do të na përafronte me Kroacinë, Slloveninë, me Austrinë, me Malin e Zi, me Serbinë, etj), përmes të cilës do të mund të kufizohen mandatet. Apo do të pamundësohet kandidimi i atyre, që janë dhe ishin objekt i diskutimeve për mitmarrje, ngacmime seksuale, apo për plagjiatura, apo për korrupsion me fondet, etj. Një rregullore e hartuar dhe zbatuar në këtë frymë, vetëm sa do ta lartësojë moralin e këtyre zgjedhjeve dhe produktin e dalë prej tyre.