Konferenca e dytë Shkencore Studentore/ “Studentët e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë në epokën dixhitale”

26

Flet zëvendës dekania e fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane Dr. Luljeta Kodra

Sigal

Në kuadër të gjithë aktivitetit mësimor dhe shkencor, që zhvillohet në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë janë vendosur disa prioritete, që janë kërkimi shkencor, ndërkombëtarizimi i programeve të studimit dhe vitet i fundit vëmendja është drejtuar gjithashtu  tek  dixhitalizimi. Për këtë arsye kemi organizuar aktivitete shkencore me stafin akademik dhe kemi përfshirë në lëndë të ndryshme tema mësimore lidhur me ndikimin e dixhitalizimit në të gjitha aspektet e jetës dhe marrëdhënieve shoqërore.

Në vijim të punës tonë të përditshme me studentët, duke gjykuar se kemi shumë studentë të talentuar dhe që kanë dëshirë të punojnë për projekte shkencore përtej detyrimeve që kanë në procesin mësimor, studentë që priren ndaj kërkimit shkencor, vendosëm si dekanat i fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane që t’iu krijojmë mundësinë studentëve për të shprehur idetë e tyre nëpërmjet referimit në një konferencë shkencore. Tema e konferencës “Studentët në epokën dixhitale” u zgjodh jo vetëm sepse zhvillimet në fushën e dixhitalizimit janë aktuale, por edhe sepse në esetë, referimet dhe diskutimet e studentëve në lëndë të ndryshme kemi vënë re prirjen dhe dëshirën e tyre për tu fokusuar në ҫështje që lidhen me zhvillimet bashkëkohore të teknologjisë dhe ndikimin e teknologjisë në marrëdhëniet shoqërore të cilat janë objekti kryesor i studimit në programet e fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane.

Ftuam që të aplikojnë për pjesëmarrje në konferencë studentët e të gjitha programeve Master shkencor, Master profesional dhe Bachelor të ofruara nga departamentet e fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane, përkatësisht Departamenti i të Drejtës, Departamenti i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Departamenti i Psikologjisë dhe Sociologjisë, Departamenti i Edukimit, Komunikimit dhe Formimit Bazë.

Pavarësisht se konferenca studentore është organizuar nga fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Humane, duke qenë se tema e konferencës është interesante edhe për studentët e tre fakulteteve të tjera të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Fakulteti i Shkencave Ekonomike, Fakulteti i Informatikës, Fakulteti i Shkencave Mjekësore krijuam një sesion të veҫantë edhe për studentët e këtyre fakulteteve. E kërkuam këtë përfshirje të studentëve të fakulteteve të tjera edhe për faktin se jemi mësuar, dhe e kemi praktikë pune në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë që gjërat ti bëjmë të gjithë bashkë dhe jo thjesht si fakultete më vete.

Në pozicionin e zëvendës dekanes për kërkimin shkencor e fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane jam gjatë gjithë kohës e angazhuar me studentët, me interesat e tyre në fushën e kërkimit shkencor, me përfshirjen e tyre në aktivitete të shumta sipas interesave të tyre gjatë gjithë vitit akademik. Do të veҫoja për këtë vit akademik organizimin e pjesëmarrjes së studentëve në Tryezën e rrumbullakët me temë “Të drejtat e njeriut, historia dhe angazhimi rinor/qytetar”, në bashkëpunim me Grupin Shqiptar të të Drejtave të Njeriut; “Tryezën e diskutimit me Organizatat e Shoqërisë Civile”, të organizuar nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi në bashkëpunim me projektin e përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Fuqizimi i mbrojtjes nga Diskriminimi në Shqipëri”; Diskutimin e hapur të studentëve me përfaqësueset e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike mbi “Parimet e funksionimit të Administratës Publike në Republikën e Shqipërisë”; Takimin njohës e bashkëbisedues të studentëve të fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane me ish studentë të suksesshëm ALUMNI, për të diskutuar mbi përvojat dhe  arritjet e tyre profesionale pas diplomimit në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë; Referime të projekteve të studentëve në fushën e të drejtës kushtetuese dhe të drejtës administrative, aktivitete në të cilat studentët e programeve të ndryshme të studimit të fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane diskutojnë në mënyrë shumë profesionale dhe përfaqsojnë denjësisht fakultetin dhe Universitetin.

Duke qëndruar shumë afër studentëve, duke u përpjekur që ti njoh sa më mirë bazuar në aftësitë e tyre individuale përpiqem që të përzgjedh kryesisht studentët më të talentuar dhe më të përkushtuar të fushave të drejtësisë, shkencave politike, marrëdhënieve ndërkombëtare, admnistratës publike, psikologjisë si pjesëmarrës në këto takime. Në të njëjtën mënyrë u angazhova edhe me përfshirjen e studentëve në konferencën e II-të shkencore studentore të zhvilluar në datë 29/04/2024, në të cilën morën pjesë 69 studentë dhe u paraqitën 58 punime. Sigurisht që jam mbështetur nga përgjegjësit e departamenteve dhe pedagogët, por pavarësisht kësaj kam kontaktuar personalisht me të gjithë studentët dhe një pjesë të madhe të tyre kryesisht në ato grupe studentësh ku unë zhvilloj mësim i kam orientuar vetë për të marrë pjesë si referues në konferencën shkencore studentore duke insistuar tek rëndësia e pjesëmarrjes në aktivitete të tilla shkencore të organizuara nga fakulteti dhe Universiteti.

Studentët pjesëmarrës në konferencën e II-të shkencore studentore u përshëndetën në seancën e hapjes së konferencës nga rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë profesor Adrian Civici, përgjësi i Departamentit të Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare profesor Roland Lami, kryetari i këshillit stiudentor Abel Brahusha. Më pas  vijuan punimet sipas sesioneve të organizuara përkatësisht: Sesioni  tematik i Shkencave Juridike; Sesioni tematik i Shkencave Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare; Sesioni tematik i Psikologjisë dhe shkencave të edukimit; Sesion tematik i teknologjisë së informacionit dhe ekonomisë.

Ajo që u vu re në konferencën e II-të shkencore studentore të këtij viti akademik ishte numri i lartë i studentëve pjesëmarrës në konferencë nga programet e studimit që ofrohen nga Departamenti i  Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare kryesisht i studentëve të programeve të administratës publike, shkencave politike dhe marrëdhënie dhe institucione ndërkombëtare, gjë që tregon rritjen e interesit të studentëve  në këto fusha dhe punën e kujdesshme dhe shumë cilësore që zhvillojnë pedagogët që japin mësim në këto programe studimi. Më pas vijojnë studentët e programeve të studimit në drejtësi, programe të cilat kanë edhe numrin më të lartë të studentëve në raport me departamentet e tjera.

Temat e përzgjedhura dhe të referuara nga studentët ishin shumë interesante dhe ngjallën debate e diskutime në sesionet e veҫanta. Do të veҫoja temat: “Shoqëria e informacionit në raport me të drejtën ndërkombëtare” referuar nga Abel Brahusha, “Ndikimi i Inteligjencës Artificiale në jetën e studentëve: mundësitë dhe sfidat e të ardhmes” referuar nga Ermira Ademi, “Transformimi i Arsimit Përmes Platformave Dixhitale: Ndryshimi Para dhe Pas Pandemisë së COVID-19” referuar nga Arisa Tafani; “Dixhitalizimi i Administratës Shtetërore” referuar nga Arbër Pjetri, “Dixhitalizimi si barrierë parandaluese e korrupsionit” referuar nga Mateo Gugashi; “Sfidat e detoksifikimit dixhital në mjedisin akademik: Si mund të balancojnë studentët nevojën për mjete dixhitale në arsim me rëndësinë e shkëputjes dhe shmangies së mbingarkesës dixhitale?” referuar nga Megi Hida etj.

Për realizimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm shkencor me shumë vlera në përgatitjen dhe formimin shkencor të studentëve do të doja të falenderoja të gjithë studentët referues për angazhimin dhe punimet e tyre cilësore, pedagogët që kanë udhëhequr punimet individuale të studentëve dhe në mënyrë të veҫantë dekanin e fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane profesorin e mirënjohur dhe të nderuar Ksenofon Krisafi si dhe kontribuesin kryesor në realizimin e konferencës kolegun e nderuar profesor Kriton Kuci.