Mirela Karabina, ish ministre e MARS: Kanë dështuar Reforma kurrikulare në Arsimin Parauniversitar dhe Reforma në Arsimin e Lartë  

918
Sigal

Qeveria ndërmori një reformë me një ligj që cënonte lirinë akademike dhe autonominë universitare, por jo vetëm, ligjin e futi në fuqi të paplotë. Mungesa e akteve nënligjore futi në kolaps universitetin dhe pengoi përmbushjen e detyrimit institucional të tij. Dhe, Pakti për Universitetin ishte një mashtrim për të rikthyer studentët në auditore.

Dhe sot ne nuk duhet t’i referohemi Paktit për Universietin, pasi ai është asgjë, është një mekanizëm manipulues i qeverisë që minimizon problemet e thella në arsimin e lartë, dhe po tenton të na e paraqesë si pikë referimi.

Jakup B. GJOÇA

Odela Ramo

Mirela Karabina, ish ministre e MARS në intervistën për  gazetën “Telegraf” shprehet se Pakti për Universitetin është asgjë, është një mekanizëm manipulues i qeverisë që minimizon problemet e thella në arsimin e lartë, dhe  qeveria po tenton të na e paraqesë si pikë referimi. Zonja Karabina  gjithashtu shprehet se qeveria e ka detyrim të mbështesë studentët, ndaj është aty dhe jo t’i pamundësojë ata për të drejtë studimi.  Përsa i përket kushtëzimit nga qeveria për  përfitimin e bursës me të dy prindërit invalidë sipas saj ky nuk është investimi, ky është veç një turp! Ajo shprehet se buxheti i ulët për Arsimin e Lartë vë në vështirësi universitetin për funksionim normal dhe kërkim shkencor të munguar por, nëse paska të ardhura universiteti për lulishte, llaç e tulla atëherë duhet të shohim përtej. Për një arsim më cilësor, sipas zonjës Karabina, duhen reforma dhe ligji për arsimin e lartë, ligj funksional dhe jo klientlist që cënon autonominë universitare duhet të jetë proritet me qëllim që universitetet të rriten e zhvillohen dhe të jenë konkurrues në treg. Zonja Karabina thekson se arsimi nuk ka qenë as prioritet, dhe as në vëmendjen e kësaj qeverie, por për Shqipërinë studentët janë investimi, janë kualitet, janë e ardhmja.

-Zonja Karabina ka kaluar një vit nga momenti që kur kanë perfunduar protestat e studentëve dhe, siç pohojnë vetë studentët, kërkesat e tyre nuk janë plotesuar nga qeveria, edhe pse miratoi Paktin për universitetin. Cilat janë arsyet që e pengojnë shtetin për mosplotësimin e këtyre kërkesave?

–  Qeveria, në fakt, nuk ka çfarë të plotësojë, pasi ajo është vetë përgjegjëse për gjendjen tejet të rëndë dhe Reformën e dështuar në Arsimin e Lartë. Ajo ndërmori një reformë me një ligj që cënonte lirinë akademike dhe autonominë universitare, por jo vetëm, ligjin e futi në fuqi të paplotë. Mungesa e akteve nënligjore futi në kolaps universitetin dhe pengoi përmbushjen e detyrimit institucional të tij. Dhe, Pakti për Universitetin ishte një mashtrim për të rikthyer studentët në auditore, nuk përmbushte asnjë kërkesë të studentëve: arsim cilësor, arsim bashkëkohor dhe kushte normale. Urdhërat dhe VKM-rat e Paktit ishin në kundërshtim me ligjin e hartuar nga vetë kjo qeveri. Dhe sot ne nuk duhet t’i referohemi Paktit, pasi ai është asgjë, është një mekanizëm manipulues i qeverisë që minimizon problemet e thella në arsimin e lartë, dhe po tenton të na e paraqesë si pikë referimi.

Pavarësisht buxhetit të ulët, kjo qeveri, ndërmori dy refoma: Reforma kurrikulare në Arsimin Parauniversitar dhe Reforma në Arsimin e Lartë. Që të dyja të dështuara që në nisje duke futur gjithë sistemin arsimor në një çorganizim të organizuar me kosto tek formimi dhe aftësimi i nxënësve dhe studentëve.

–  Sipas jush, pse shteti ka ulur buxhetin e arsimit?

– Arsimi nuk ka qenë as prioritet, dhe as në vëmendjen e kësaj qeverie. Premtoi që do rriste buxhetin e arsimin në kufirin minimal të vendeve të hapësirës europiane, 5% të PBB, por e la në nivelin 3.4%. Pra, nuk ka dashur të investojë,duke e lënë arsimin në gjendjen më të rëndë të këtyre 30 viteve. Por pavarësisht buxhetit të ulët, kjo qeveri, ndërmori dy refoma: Reforma kurrikulare në Arsimin Parauniversitar dhe Reforma në Arsimin e Lartë. Që të dyja të dështuara që në nisje duke futur gjithë sistemin arsimor në një çorganizim të organizuar me kosto tek formimi dhe aftësimi i nxënësve dhe studentëve.

Tarifat e përgjysmuara përfshijnë vetëm studentët që kanë mesatare mbi 6.00 dhe s’duhet të ketë asnjë provim të mbartur. A nuk privohet e drejta për t’u arsimuar falas?

– Problemi qëndron në zanafillë: investim në arsim dhe tarifa të ulta për gjithë studentët. Kakofonia e provimeve te mbartura nuk ka të bëjë më tarifën e shkollimit. Ajo duhet parë (tarifa  shkollimit), duhet të ulet në kufinjtë minimalë e të përballueshëm për familjet shqiptare. Ndërsa tarifa e provimeve të mbartura duhet të jetë e pranueshme dhe të përdoret si mekanizëm menaxhues nga studentët për të mbaruar në një periudhë të caktuar studimet dhe, jo si presion apo për të siguruar të ardhura universiteti nga studentët dhe jo rritje të buxhetit të arsimit nga qeveria, siç dhe ka ndodhur.

Qeveria e ka detyrim të mbështesë studentët, ndaj është aty dhe jo t’i pamundësojë ata për të drejtë studimi. Sa përqind e studentëve kanë të dy prindërit invalidë që po na e paraqet si përmbushje detyrimesh? Ky nuk është investimi. Ky është,veç, një turp!

– Studentët që të përfitojnë bursë duhet t’i kenë të dy prindërit invalid. A mund ta quajmë këtë kushtëzim një tallje nga ana e qeverisë?

– Mbetesh pa fjalë. Ç’emër t’i vësh: tallje, përbuzje, shpërfillje, injorim, papërgjegjshmëri e pakufi? Qeveria e ka detyrim të mbështesë studentët, ndaj është aty dhe jo t’i pamundësojë ata për të drejtë studimi. Sa përqind e studentëve kanë të dy prindërit invalidë që po na e paraqet si përmbushje detyrimesh? Ky nuk është investimi. Ky është,veç, një turp!

Kur pashë ato kodrina dhe korridore të ngushta në oborrin e Fakultetit të Gjuhëve të huaja dhe Fakultetit Filologjik m’u duk sikur nga momenti në moment do dilnin karakteret “Teletabis”.

Kohëve të fundit sapo ka mbaruar së ndërtuari oborri përpara godinës së Fakultetit FHF/FHGJ, ndërkohë që nuk ka auditore, laboratore, bibliotekë për studentët. A ka qëllime të caktuara interesash, që nuk vihen në shërbim të mësimdhënies në universitete?

– Ajo që po ndodh çdo ditë është deformimi i modelit dhe detyrimi i një shijeje të deformuar, në këtë rast ngushtim i hapësirave për studentët, Nuk mjafton që studentët bëjnë mësim në kushte të ftohta në dimër dhe të vaposura në verë; nuk mjafton që nuk kanë ajër në salla; nuk mjafton që bëjnë mësim veç me letra e tabelë dhe në mungesë literature dhe laboratoresh e hapësirash kërkimore; nuk mjafton që nuk i qartësojnë për vlerën e diplomës; nuk mjafton që jetojnë në kushte mizerabël; nuk mjafton që nuk gëzojnë e kartën studentit në shërbime mbështetëse por duhet dhe atë pak hapsirë të gjelbër të tyre t’ia rrëmbejnë. Ministria është pjesë e menaxhimit financiar të të ardhurave në universitet nëpërmjet Bordit të Administrimit, kështu që e kanë vendosur bashkë këtë punë luksi me kodrina e shatërvanë. Kur pashë ato kodrina dhe korridore të ngushta në oborrin e Fakultetit të Gjuhëve të huaja dhe Fakultetit Filologjik m’u duk sikur nga momenti në moment do dilnin karakteret “Teletabis”, që për nga mosha i bie të jenë kukullat e preferuara të studentëve në fëmijërinë e tyre. Ndoshta, për këtë e kanë bërë dhe investimin.

–  Zonja Karabina, para disa ditësh u bë publike plani i qeverisë për të ndërtuar me koncension korpusin e ri të Universiteteve, ku buxheti do t’i financojë me qindra milionë euro, ndërkohë që qeveria nuk plotësoi kushtet ekonomike të Paktit dhe shkurton fondet e buxhetit për Arsimin. Pse ndodh kështu, kaq kontradiktë për prioritetet e Arsimit të Lartë?

– Asgjë nuk është trasnparente, probleme gjithandej dhe hallka zinxhiri që këputen. Jo rritje buxheti, por reformë, jo  rritje buxheti, por investime për korpus. Për pronat e universitetit nuk dimë ku janë, si përdoren, a janë hipotekuar, siç ligj e kërkon? Kemi rastin e Kopshtit Botanik, hapësirën tek Universiteti Bujqësor përplasje, rrëmbim, jo qartësim, e të tjera. Dhe asgjë në shërbim të universitetit, por rrëmbim të hapësirave të tij. Mesa duket, është kjo filozofi e ndjekur që mund të jetë pjesë e konfliktit në Universitetin e Tiranës: Rektor-Kryeministër, Rektor-Ministri, Rektor-Bord Administrimi, pasi asnjëherë nuk kuptojmë se për çfarë realisht është gjithë kjo mosmarrëveshje katër vjeçare. Një gjë duket qartë: veç për cilësi në arsimim nuk është konflikti.

–  Pse studentët tani nuk i përkrahën protestat? Janë demoralizuar, dëshpëruar? A mund të shpresojnë akoma tek premtimet e qeverisë?

– Studentët pas protestës së dhjetorit 2018 janë ndryshe. Ata mësuan se kanë fuqi, sepse rrëzuan gjysmën e qeverisë, ata kuptuan se në çfarë halli të madh janë me këtë sistem arsimor të rrënuar. Por ato kanë nevojë për qartësim, pasi qëllimisht janë lënë jashtë vendimmarrjes dhe transparencës për lehtësi manipulimi. Uroj që studentët të ringrihen, pasi fryma që do mbjellin ata do të jetë në shërbim të së ardhmes.

–  Zonja Karabina, pse nuk është falas Arsimi i lartë Universitar publik?

– Nuk ka pasur vullnet politik për ta bërë, mendoj. Absolutisht që tarifat janë shumë të larta në krahasim me të ardhurat e familjeve shqiptare. Dhe, qeveria me politikat e saj duhet të kujdeset që arsimimi studentëtve të jetë i përballueshëm për to. Ka forma dhe zgjidhje të ndryshme dhe të mundshme.

–  Studentët tanë paguajnë tarifa studimi në universitetet publike thuajse të barabarta me tarifat në universitetet private. Këto të ardhura sa përdoren për mësimdhënien në universitete?

– Në fakt, duhet të ketë një transparencë. Dhe këtë e di qeveria dhe ministria, pasi ato e kanë në dorë kontrollin financiar të universitetit. Kështu që, menaxhimi është i përbashkët: Qeveri- Ministri Arsimi- Universitet. Buxheti i ulët për Arsimin e Lartë sigurisht vë në vështirësi universitetin për funksionim normal dhe kërkim shkencor të munguar. Por, nëse paska të ardhura universiteti për lulishte, llaç e tulla atëherë duhet të shohim përtej, tashmë.

–  Çfarë reforme do sugjeronit ju për të nxjerrë arsimin nga kjo situatë?

– Reforma vjen nga lart, nga qeveria, pra kërkon mendje të hapura,profesionistë të fushës, njerëz të përgjegjshëm dhe një qeveri të moralshme. Reforma dhe ligji për arsimin e lartë, ligj funksional dhe jo klientlist që cënon autonominë universitare duhet të jetë proritet me qëllim që universitetet të rriten e zhvillohen dhe të jenë konkurrues në treg. Por, kjo do të vijë pas  rritjes së buxhetit për arsimin dhe arsimit të lartë në veçanti. Është emergjencë kombëtare. Investim në burime njerëzore dhe infrastrukturë do ‘t’i hapë rrugë zhvillimit të arsimit të lartë. Mbështetja e studentëve dhe sidomos të atyre shtresave më të dobta do t’i jepte mundësi arsimimi dhe kualifikimi të mëtejshëm të rinjve arsimdashës.

– Sipas jush a kanë studenet motiv për të qëndruar e për të punuar në Shqipëri?

– Studentët duhet të qëndrojnë në Shqipëri, janë investimi ynë, janë kualitet yni, janë e ardhmja jonë. Dhe për këtë duhet të punojmë fort. Por sot, fatkeqësisht, ato janë drejt kërkimit të një shkollimi më të mirë, të një diplome të vlefshme për tregun, të një jete më të mirë. Pra,jo vetëm nuk e gjejnë këtu, por i kanë vrarë dhe shpresën, duke ia vështirësuar në pamundësi zgjidhjen e problemeve të tyre. Pas 30 vitesh të dëgjojmë nga ta thirrjen që prindëri e tyre përdorën në vitet ’90 ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa” është sa tronditëse, aq dhe këmbanë alarmi.

– Faleminderit!`