Rruga që lidh 100 fshatra dhe bashkon 60 mijë banorë

1861
Sigal

Albert HABAZAJ

RRUGA E “LUMIT TË VLORËS’’

E kemi pritur prej vitesh përfundimin e rrugës së “Lumit të Vlorës”. Kemi pritur lëvizjen më të mirë të banorëve në afro 100 fshatra, dhe bashkimin më të mirë të tyre. Kemi pyetur se kur do të fillojë e mbarojë ajo, arteria kryevepër gjigante e Labërisë? Dhe pyetjen e kemi bërë në vite e dekada. Tani që rruga ka nisur të ecë e të shtrijë krahët e vet, kemi të drejtë të bëjmë një tjetër pyetje: “Ku ka shkuar ajo, rruga e “Lumit të Vlorës’’, rruga jonë?’’

Ja pse, ditën e parë të këtij gushti e shkelëm me këmbë rrugën e Lumit të Vlorës dhe pamë me sy punimet e shumëpritura për rehabilitimin e saj në shumë fronte. Veçse, sa kaluam Qafën e Koçiut, s’di pse na u kujtuan dy detaje nga letërsia jonë. Ndërmend na erdhën vargjet e Kadaresë: “Ç’kërkonte shqiptari në shekuj?!/ Pak bukë, pak dritë dhe pak hekur…”, që përditësohen në një trajtë tjetër për krahinën e shumë vuajtur të Lumit të Vlorës, e cila nis në Kuç e lë stafetën në Beshisht e në Bishtin e Malit të Armenit, ku Shushica (Lumi i Bardhë) i falet Vjosës. Asnjë banor i zonës nuk dëshiron që këtyre hënave të luhet “Legjenda e misrit” e Migjenit e lokalizuar si “Legjenda e Rrugës së Lumit”. Labët e Lumit të Vlorës, kohërash i kanë siguruar me forcat e tyre nevojat jetike. Edhe sot. Kush ka investuar për këtë zonë? Kur? Çfarë? Çfarë kanë përfituar të tjerët nga kjo zonë? Banorët e kanë bërë detyrën e tyre ndaj Atdheut. Po vertikaliteti ynë hierarkik e ka parë me shpërfillje këtë trevë, larë me gjak lirie për dritë përparimi e mirësie. Çfarë ka përfituar krahina, krahasuar me simotrat shqiptare, apo qoftë dhe me Himarën, që vetëm vargmali i Vetëtimës i ndan dhe gjithçka tjetër e bashkon?! “Ç’kërkonte banori i Lumit në shekuj?! Rrugën, vetëm rrugën, se të tjerat vetë i ka gjetur…” Të gjithëve na kujtohet se, qysh në fillim të vitit 2013 u prezantua një studimi konceptual për zonën e Lumit të Vlorës. Pikërisht në atë periudhë u botua dhe libri studimor “Një rrugë për banorët e Lumit të Vlorës” në trajtën e një guide me autor ish deputetin Fatmir Toçi, shumë të interesuar që rruga të përfundonte sa më shpejtë. Studimi, u botua nga Shtëpia Botuese “Toena”, shkurt 2013. Paradigma e librit është: “Krahina e Lumit të Vlorës, me gati 100 fshatra, ajo që është quajtur në shekuj si zemra e Labërisë” … Rruga, edhe pse ka vepra arti me vlerë, është lehtësisht e ndërtueshme sepse kalon në fushë, buzë lumit … Dhe … Çfarë pamë me sy këto ditë mes punëtorëve ?… Njerëz me uniformë pune, punë konkrete, mjete në përforcim si asnjëherë më parë. Përditë i shikon në front në pozicionin e tyre, të ndërgjegjshëm, pa fjalë. Punojnë ata. S’kanë llafe. Dhe në fundjavë na thanë që nuk bie ritmi i punës. Sjellim në kujtesë të lexuesve të gazetës sonë të dashur “Telegraf” se rehabilitimi i rrugës po bëhet pothuaj në atë shtrat që guxoi ta thoshte e ta mbronte, që në kohën e Zogut e para mbretit burri i urtë i Vranishtit Rrapo Meto Premtaj. E vërteta është se në kohën e Enverit, u punua me vetëmohim e sakrifica dhe rruga u bë sipas kritereve të asaj kohe, e rregullt, sipas kapaciteteve e mundësive që ishin, por më tej sikur e harruan përkujdesjen ndaj kësaj arterie jetike.

Tani, sipas projektit, e vazhdimit të punës, rruga përfundon pas dy vjetësh, në vitin 2020. Ky aks, i cili nis në Vlorë dhe përfundon në Qeparo përveçse lehtëson banorët e shumë fshatrave në këtë zonë, siguron një lidhje të re për bregdetin e Jonit.

Lajmet optimiste venë e vinë nëpërmjet shtypit të shkruar dhe atij online. Ky projekt do të shërbejë si korridor i perspektivës së zhvillimit social – ekonomik të të gjithë rajonit dhe gjithashtu do të sjellë edhe një zhvillim rural për të gjithë komunitetin e tri bashkive, të bashkisë së Vlorës, Selenicës dhe Himarës, si dhe do të ulë kostot e udhëtimit për banorët. Projekti ka një kosto të përgjithshme prej 72.000.000 USD-sh, pa përfshirë këtu TVSH-në, vlera e së cilës do të mbulohet nga buxheti i shtetit. Ndërsa huaja e akorduar nga Fondi Saudit për Zhvillim, kap vlerën e afërsisht 30 milionë dollarëve. Realiteti është premtues. Është punuar. Puna duket. Ndryshimi preket … Janë bërë vepra arti të rëndësishme gjatë gjithë segmentit të lotit të parë. Është ngritur traseja dhe është skarpatuar sipas standardeve, ku është dashur është devijuar rruga, si p.sh., te ish-kthesat e bezdisshme të Qafës së Dushkut, apo te Ura e Slapit ku është bërë vepër gjigante. Nën trup të rrugës janë vendosur tombino, janë ngritur e po ngrihen urat e duhura e vepra të tjera arti. Punë vërtet heroike. Duket se është marrë me seriozitet. Por ka vërejte, se punohet edhe me hope, pa I marrë produktivitetin e duhur ditës së punës.

Të gjithë pamë se më 1 qershor punimet rifilluan me të gjitha forcat dhe mjetet e mundshme dhe na thonë që më 1 shtator është objektivi të përfundojë loti i parë deri në Gjorm, pjesë rruge me gjatësi rreth 23 kilometra. Duke ecur në këmbë në Peshkëpi, në Drashovicë e Kotë e më tej udhës gjarpëruese të Lumit me zall të bardhë e ujë të kthjellët, e ndjemë nga afër pulsin i ri në kantierin e punimeve të frytshme ku shkelëm. Një pjesë e segmentit Bypass-i të Vlorës – Sherishtë – Peshkëpi – Gjorm është rehabilituar. Segmenti i dytë 27.1 kilometra shtrihet nga Ura e Gjormit – Brataj – Ura e Laskos, ndërsa segmenti i tretë prej 23.7 kilometra vazhdon nga Ura e Laskos – Qeparo & Ura e Laskos – Kuç. Na thonë se këto dy segmente aktualisht janë në procedurat e fundit të tenderimit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Segmenti i fundit i rrugës është ai Peshkëpi – Selenicë – Superstradë me gjatësi 16.4 kilometra, për të cilën Fondi Shqiptar i Zhvillimit po përzgjedh konsulentin dhe mbikëqyrësin e punimeve për të shpallur më pas tenderin e punimeve. Është një vepër jashtëzakonisht e rëndësishme për Vlorën dhe për gjithë Shqipërinë. Është një lidhje tjetër paralele me bregdetin e Shqipërisë dhe punohet me intensitet që brenda dy viteve në vijim kjo rrugë do të jetë tërësisht e përfunduar që të ketë një impakt të jashtëzakonshëm për gjithë zonën e Lumit të Vlorës, për zonën e Bregdetit. Bashkë me zhvillimet e tjera infrastrukturore në Vlorë, do të krijojë një ndërlidhje shumë të mirë nga pikëpamja e mobilitetit, infrastrukturës dhe realisht do të sjellë një zhvillim ekonomik për të gjithë zonën. Banorët e dinë mirë që rruga do të sjellë shumë të mira e dobi, se do t’i jepet hov zhvillimit të turizmit malor dhe etnokulturor, duke ndikuar kështu edhe në mirëqenien e familjeve vlonjate.

Rapsodi e vogël për Lajmin e Rrugës së Lumit të Vlorës

Tungjatjeta me diell nga Vlora, vajza e madhe e Lumit të Vlorës!

Kush na vlerëson, si ne, e mbajmë në pëllëmbë të dorës.

Njoftimi vjen entuziast, i shumëpritur, me kohë i merituar,

Se për liri e përparim si krahina jonë kush ka luftuar?!

 

“E ç’kërkonte” labi i Lumit të Vlorës “në shekuj”,

Rrugën për të lëvizur me dinjitet, jo si të mekur,

Se të parët bënë histori, që djal’ pas djali,

Ta gëzojnë pasardhësit e tyre dhe jo djalli,

 

Se Lumi i Vlorës qe me nam, Vatra e Idealit,

Jo të merrte mallkimin e Çikës e Kurorës së malit.

Po, këtyre hënave, lart Vlore thuhet në fjalë:

Notari duket jo kur futet në det, por në të dalë.

 

Lajmi është i gëzuar, na bën me krahë shqiponje,

Pastë uratën e trimave kush i kthen nderin kësaj Zone!

Nderojmë ata që na nderojnë Vatrën!