Instituti i Ndërtimit sinjalizon tajfunin e shembjeve të banesave

279

Godinat mbi 50 vjeçare në mëshirë të projektvendimit të qeverisë. Rreth 122 mijë ndërtesave mund t’i vendoset “kryqi i kuq” i rrezikut. Drejtori i Insitutit të Ndërtimit, Shkreli paralajmëroi se qytetarët me shtëpi të amortizuara, pasi t’u shemben, mund t’u jepet kredi. Ja harta e qyteteve më të prekura

Sigal

Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Artan Shkreli ka dhënë detaje mbi projektin e qeverisë për të shembur godinat mbi 50-vjeçare. I ftuar në “Noë”, Shkreli foli për kostot e rindërtimit të pallateve që pritet të shemben. Ai tha se ndërtimi do të bëhet nga privati dhe kostot nuk do të mbulohen totalisht nga shteti.

Shkreli tha se shumë qytetarë që i kanë banesat në gjendje shumë të amortizuar, gati në shembje, mund të paguajnë gjysmën e kostos. Këta qytetarë, sipas tij, do të ndihmohen me dhënien e një kredie. “Nuk di të them saktësisht se çfarë do të ndodhë. Shteti nuk bën pallat, natyrisht që privati do të bëjë. Sigurisht që do të ketë dhe mundësi që t’u jepet qytetarëve mundësia që të marrin një kredi, sepse mund të ndahen kostot 50% me 50% me shtetin. Ky draft ka shumë gjëra që duhen përpunuar”,- tha Shkreli.

Ai theksoi se çdo pallat që pas auditimit do të rezultojë në gjendje të tillë, që duhet shembur, do të shembet dhe kjo sipas tij, duhet konsideruar si fat për të gjithë banorët.

Sipas një projektvendimi të Qeverisë, të gjithë objektet, që kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar do të duhet t’i nënshtrohen auditimit teknik. Kjo do konsistojë në kryerjen e ekspertizës së thelluar për të vlerësuar gjendjen teknike aktuale dhe kapacitetin mbajtës të objekteve. Në rast se vlerësohet se objekti nuk përmbush kushtet teknike, i hapet rruga riparimit ose prishjes”.

Sipas projektvendimit të qeverisë, subjektet që do të bëjnë auditimin teknik të objekteve do përzgjidhen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe jo nga vetë pronarët e objekteve. Ndërkohë që, auditimi teknik do i vihet në dispozicion Institutit të Ndërtimit për kryerjen e oponencës.

Opozita nga ana tjetër, ka akuzuar se ketë projekt, kryeministri Edi Rama po planifikon ta përdorë për interesa të ngushta, në dëm të qytetarëve.

“Ka qëllim t’i vendosë Tiranës, troje e banesa në dispozicion të klaneve të drogës, oligarkëve të tij. Pasi shfrytëzoi fatkeqësinë natyrore të tërmetit tërësisht për pasurimin e tij dhe klikës së tij. Ju jeni dëshmitar se si është shfrytëzuar në Kombinat kjo fatkeqësi, tani nuk i durohet më, nuk pret më. Tani autorizoi veten, i dha vetes ‘karta bianka’ për të prishur çdo banesë që ai e konsideron fitimprurëse, ndërtimin në ato troje fitimprurës për veten dhe suitën e tij”, -tha kryetari i PD-së Sali Berisha, në një konferencë për mediat disa ditë më parë. Sipas Berishës, Rama ka qëllim të shembë 96 mijë banesa në Tiranë.

Auditimi teknik “prek” 122.690 ndërtesa banimi

Të paktën 122 690 ndërtesa për qëllime banimi do të preken nga vendimi për auditimin teknik, që parashikon qeveria. Ndërkaq, janë rreth 180 mijë ndërtesa të tjera, që nuk u njihet viti i ndërtimit e ku mund të bëjnë pjesë edhe godina mbi 50-vjeçare sipas të dhënave nga skan. Të ndara sipas qarqeve, rezulton se numrin më të lartë të këtyre ndërtesave e ka Tirana, Elbasani dhe Korça, ndërsa pas tyre vijnë Fieri, Vlora dhe Shkodra. Sipas projektvendimit të qeverisë subjektet që do të bëjnë auditimin teknik të objekteve do përzgjidhen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, ndërsa do të jetë ato subjekte që janë të pajisur me licencë në fushën e projektimit për llojin e objektit që do të auditohet.

Sinjali i rrafshimit  

Pas vendimit për verifikimin e sigurisë teknike të pallateve e godinave shtetërore me moshë 50-vjeçare. Qeveria po mundohet të krijojë bindje se nuk do ketë prishje masive, por vetëm ato pallate e godina shtetërore, që Instituti i Ndërtimit do t’i vlerësojë me rrezik në rast tërmeti. Në fakt, nuk i “digjet barku” për sigurinë e qytetarëve, por do shembë ndërtesat në zonat qendrore preferenciale të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Sarandës, Kavajës, Pogradecit e Shkodrës, që oligarkët i kanë “vënë syrin” për ndërtim kullash, hotelesh e qendrash tregtare. Drejtori Artan Shkreli, tha se do verifikohet siguria e godinave të Kryeministrisë, Pallatit të Kulturës, Akademisë së Arteve, Galerisë së Arteve e objekteve të tjera shtetërore me frekuentim publik në zonat qendrore të Tiranës. Sipas kësaj logjike, nëse Artan Shkreli i vë “kryqin e kuq” të rrezikut, mund të rrafshohet krejt Korpusi i Universitetit të Tiranës me gjithë pjacën e kolonave, Teatri i Kukullave, Muzeu Kombëtar, ish-hotel Dajti, Selia e PD, ndërtesa e Fakultetit Gjeologji-Miniera, Fakulteti Juridik, shkolla “11 Janari”, godina e zyrave të Aviacionit Civil, madje edhe Bashkia, ministritë e objekte në zona preferenciale.