Spartak Topollaj: Pastrimi i parave të krimit dhe korrupsioni në Shqipëri kanë vulën e Rilindjes Socialiste

351
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Askush nuk guxon të bëjë evazion fiskal, të pastrojë paratë e krimit, pa pasur favorizim në qeverinë e Rilindjes, kur qeveria burgos mijra qytetarë, që s’paguajnë dot faturat e energjisë,

Spartak Topollaj, diplomat në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se Shqipëria është bërë parajsa fiskale e pastrimit të parave të botës së krimit, korrupsioni është shtrirë në çdo qelizë të shtetit, sepse qeveria është mafia shqiptare në pushtet. Diplomati Topollaj argumenton se midis DASH dhe ambasadës së SHBA në Tiranë nuk ka qëndrime të njëjta për vlerësimin e korrupsionit, trafikimin e drogave, pastrimin e parave të krimit, për shkak se kjo është një çështje lobesh! Madje, diplomati Topollaj thotë se ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim ka befasuar disa herë me qëndrimet e saj publike prorilindes. Prandaj, si ka mundësi, që ambasadorja Kim të ketë bërë propozim tek DASH për t’u vlerësuar prokurori i diktaturës, veprim që irritoi shqiptarët!

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

-Zoti Topollaj, për kë bien këmbanat e Raportit vjetor 2020 të DASH, i cili thekson se në Shqipëri është problem pastrimii parave të krimit për shkak të korrupsionit?

– Si i pari, Raport i DASH-it nën Administratën e re të Presidentit të sapozgjedhur demokrat Bajden dhe Sekretarit Entoni Blinken, patjetër që  do të pritej me interes të madh, ku pjesa për Shqipërinë, është edhe më e rëndësishmja për ne. Për fat të keq, duke lexuar se çfarë shkruhet aty për korrupsionin, kanabizimin, trafiqet dhe pastrimin e paráve të krimit, nuk ka se si të mos ndihesh keq, qoftë edhe si opozitar i kësaj mazhorance rilindase, që prej tetë vitesh drejton Legjislativin dhe Ekzekutivin shqiptar, ashtu si nga ana tjetër, ajo ka futur edhe duart e gjata, që janë shtrirë pothuaj kudo në institucionet e Drejtësisë, të cilat, dikush bën sikur e beson, se janë reformuar?! E për më keq akoma, kjo mazhorancë, kontrollon edhe pjesën më të madhe të mediave të shkruara apo vizive, pra edhe pushtetin e katërt, çka e bën fare haptaz, pa asnjë finesë apo elegancë, të paktën, demagogjiko -politike, pasi kemi të drejtë të themi diçka që tashmë dihet: mediat, përgjithësisht janë në pronësi të oligarkëve me interesa reciproke, kryesisht të lidhur me qeverinë Rama, e cila, pa mëdyshje mund të thuhet, se është qeveria e konçesioneve, PPP-ve, tenderave dhe lejeve të ndërtimit, kryesisht për kulla?! Shndrrimi i Shqipërisë në Kanabistan, ku Lazarati sot do të dukej një oaz  në shkretëtirë, korrupsioni galopant tentakular dhe kapilar, pastrimi i parave të pista dhe trafiqet, nuk janë thjeshtë një kambanë alarmi për këtë qeveri, por sirena që paralajmërojnë cunam ndaj saj! Kjo pyetje, në të vërtetë, e ka përgjigjen e thjeshtë për këdo, se kambanat, s’ka si të bien për ata, të cilët, prej tetë vitesh janë në opozitë!

“Çuditërisht, dhe paradoksalisht, shpesh vihet re, se mes DASH-it dhe vetë Ambasadës Amerikane në Tiranë ka qëndrime jo të njejta për çështje të ndryshme, veçanërisht në rastin e Shqipërisë! Me sa duket është çështje lobesh”

“Ka raste të shumta që Ambasadorja Kim, ka befasuar me qëndrimet e saj prorilindase”

Raporti i DASH konkretisht thekson se Shqipëria ka ekonomi të madhe parash dhe sektor informal, evazion fiskal e kontrabandë. Këto a nuk janë produkt i korrupsionit qeveritar?

– Që droga sjell miliarda, kjo është sa e njohur,  aq dhe e vërtetuar tashmë nga vetë historia e Mafias, ‘Ndrangheta-s, Koza Nostra-s, Kamorra-s, Sakra Korona Unita-s etj , në Itali, SHBA, Amerikën Latine, Turqi etj etj. Edhe Mafia shqiptare çdo ditë ditë e më tepër po u ngjan atyre, madje shpesh është edhe më dhunshme, e  më brutale se ato. Ajo është fuqizuar shumë në mënyrë drastike këto tetë vite, edhe për lidhjet e ngushta me elementë të së majtës, që s’ka pse habisë askend, edhe për shkak kjo ndoshta të një trashëgimie qysh prej kohës kur Enver Hoxha, superdemagogu më i madh shqiptar i të gjithë kohërave, gjoja m – l i madh me moral të lartë proletar, zhvillonte kontrabandë e trafiqe cigaresh, armësh, e pse jo edhe droge, me mafian italiane! Dy ministra të Brendshëm, shumë deputetë, kryebashkiakë, apo drejtorë dhe shefa socialisto-rilindas, kanë pas vetes histori droge, e dënimesh në Shqipëri dhe Europë, edhe pse Rama, s’la rast pa humbur për t’i mbrojtur me çdo kusht! Bosët shqiptarë të drogës dhe trafiqeve, si edhe grupet,  bandat, apo organizatat e tyre kriminale, po trembin Policinë, shërbimet inteligjente dhe gjykatës e prokurorë në Itali, Britani, Greqi, Holandë, Zvicër etj, ku politika s’mund të bëjë indiferenten, çka pastaj kjo, çon në refuzimin e shteteve si Franca, Holanda, Danimarka,  etj, të  pranojnë hapjen e negociatave me ne, të bindur se pas botës së krimit qëndrojnë politikanë, qeveritarë , deputetë, oficerë të lartë policie, prokurorë e gjykatës! Po ashtu, askush nuk guxon të bëjë evazion fiskal, pa pasur shpatullat e ngrohta dhe favorizim në Qeveri e administratën e lartë, kur nga ana tjetër u burgosën mijra qytetarë, që s’paguanin dot faturat e energjisë, të cilat nuk e kalonin as faturën ditore të tavolinave për kafe e uiski të zengjinëve të rinj që gjenden me shumicë në habitatin e socialistëve me fjalë dhe kapitalistëve me vepra!!! Informaliteti i madh i ekonomisë, vërteton se deri në ç’shkallë ka mbërritur korrupsioni, i cili “shkëlqen” te tatimet dhe doganat, të cilat dalin çdo vit me mosrealizim miliardash, si në kohën e Spiropalit, për të cilën ajo edhe u shkarkua, e që pak më vonë, për arsye qartësisht të njohura e të kuptueshme, e pa veten deputete dhe ministre e “Skënderbeut të Dytë”!

Deri më sot Gjyqërori i reformuar nuk ka çuar në gjyq asnjë zyrtar të lartë për korrupsion. A mund të fshihet ky fakt pas ndonjë sekuestrimi pasurish të disa personave të botës së krimit?

– Pasi Shqipëria u bë i vetmi vend europian pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë për disa vite, dosjet mal të të cilave, i bie të shqyrtohen, kur të kenë ikur nga kjo botë shumë prej atyre që presin prej dekadash vendimet e formës së prerë, diçka ka lëvizur më në fund, si pjesë e të ashtuquajturës Reformë në Drejtësi, të cilën e duam të gjithë! Për fat të keq kjo Reformë, e nxitur me të drejtë edhe nga SHBA dhe BE dhe e miratuar nga të 140 deputetët e Kuvendit, djallëzisht dhe nën hundën edhe të disa prej ambasadorëve kryesorë, të akredituar në Tiranë, u bë dhe po bëhet selektive, madje, për më keq akoma, në krye të tyre u “zgjodhën” njerëz të së majtës luksoze, me lidhje të ngushta familjare, fisnore, klanesh dhe tarafesh me mazhorancën, ose nga njerëz, që kanë shërbyer e kanë bërë “drejtësi” popullore e proletare socialiste me dhënie dënimesh politike në kohën e Diktaturës! Kështu po bëhet Vetingu selektiv, sipas bindjeve politike që duan socialistët, nga ata, të cilëve vetë, nuk iu a ka bërë kush vetingun, disa prej të cilëve edhe me probleme në të tre kriteret! Oligarkë e miliarderë, miq, e sponsorizues fushatash elektorale, s’ka OFL t’i tundë nga vendi, por ndryshe ndodh me disa sardele apo cironj të vegjël andej nga margjinat, të cilët arrestohen plot bujë, u sekuestrohet diçka, po nuk iu konfiskohet asgjë , me ndonjë përjashtim të rrallë , tē cilët, pas pak shfaqen si kaposhë të fryrë në resorte turistike me 5 yje me autovetura të blinduara, të markave më luksoze 150.000 €uro e lartë, si rregull me xhama të zinj, të cilëve iu a kanë frikën policët hallemëdhenj , madje i nderojnë, duke iu thënë : na fal shef që të ndaluam, se s’e dinim që ishe ti?! Për ndonjë gardh pa leje, ndonjë lopatë beton në teracë, apo vetratë duroalumini në verandë, shkon në burg,  po për koncesione, tendera, PPP, leje ndërtimi kullash miliona € uroshe, s’të hyn ferrë në këmbë!

“Shndrrimi i Shqipërisë në Kanabistan, korrupsioni galopant, pastrimi i parave të pista dhe trafiqet, nuk janë thjeshtë një kambanë alarmi për këtë qeveri, por sirena që paralajmërojnë cunam ndaj saj”

Zoti Topollaj, ju, si diplomat, e dini që burimi kryesor i informacionit të DASH për Shqipërinë është ambasada amerikane në Shqipëri. A ka konktradiktë në Raportin e DASH për korrupsionin dhe pastrimin e parave në Shqipëri me vlerësimin që DASH i bëri Dvoranit si kampion i Antikorrupsionit? Kë korrupsion luftoi Dvorani?

– Dihet mirë nga të gjithë, se Ambasadat janë burim prioritar analizash, opinionesh, informacionesh, kabllogramesh etj për eprorët e tyre respektivë. Kur vjen puna për SHBA-në, ata marrin të dhëna nga burime të shumta, përfshi sidomos dhe ato nga shërbimet inteligjente, paçka se duket sikur Lufta e Ftohtë ka mbaruar! Çuditërisht, dhe paradoksalisht, shpesh vihet re, se mes DASH-it dhe vetë Ambasadës Amerikane ka qëndrime jo të njejta për çështje të ndryshme, veçanërisht në rastin e Shqipërisë! Me sa duket është çështje lobesh dhe konjukturash strategjike dhe taktike, të të vetmes Superfuqi natyrisht demokratike të Botës, ku dallon hebreo -amerikani nga Hungaria, Xhorxh Soros dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur, që ai dhe i biri drejtojnë, aq influent me miliardat e tij “filantropike” në ish vendet e Lindjes Komuniste, kur dihet mirë nga të gjithë, se vetëm dorëlëshuar nuk janë hebrenjtë! Përgjithësisht, ambasadat përpiqen të mbajnë marrëdhënie të mira me qeveritë e shteteve, ku ato janë të akredituara dhe e kundërta, por krejt habitshëm , me disa prej ambasadorëve amerikanë, ka ndodhur ajo më e paparashikueshmja! Ata kanë mbyllur njërin sy dhe njërin vesh, për skandalet dhe megakorrupsionin , sidomos sa herë ka qeverisur e Majta në Shqipëri?! Me sa duket , të sigurtë se e Djathta te ne ka qenë, është dhe do të jetë gjithnjë proamerikane, ata duan t’a bëjnë të tillë edhe të Majtën tonë, në të cilën, siç ka përcaktuar Gjeniu Kadare, ka një krah të fuqishëm stalinist, që edhe pse numri i kasketave leniniste sa vjen e paksohet, me kontigjentin  e pasardhësve, kuptohet të moderuar si neostalinistë, por gjithnjë konsevatorë dhe antiamerikanë, ata po shtohen?! Kështu, të besosh se neostalinistët shqiptarë do të bëhen një ditë proamerikanë, është njësoj si të besosh së Antarktida do të bëhet Sahara?! Ka raste të shumta që Ambasadorja Kim, ka befasuar me qëndrimet e saj prorilindase, por për të mos u zgjatur, po veçoj, vetëm tre: Grisjen, që të nesërmen e nënshkrimit në rezidencën dhë nën garancinë e Ambasadores amerikane, e të Ambasadorit të Madhërisë së Saj, Dankan, të Marrëveshjes me Opozitën nga Edi Rama, së dyti, deklarimet delirante po të Ramës, se ai nuk pret t’a mësojnë ambasadorët, përfshi dhe atë amerikane dhe së treti, ndërsa amerikanët po shtojnë kritikat për autoritarizmin e Erdoganit, Rama pranon konsiderimin vëlla prej tij ! Ambasadorja hesht! Kulmi mbrriti me Çmimin akorduar Dvoranit si “luftëtar” i madh kundër korrupsionit, nga Sekretari i ri i Shtetit Blinken, që as besoj t’a ketë dëgjuar emrin e tij! Si mundet, zonja Kim, të keni bërë një propozim të tillë , që ka lënë pa frymë shqiptarët?!  Merr çmim pēr antikorrupsion, ai që kish “harruar” të shënonte në Deklaratën e Pasurisë 100 milionë lekë të vjetra  ose 100.000 $?! Këtë “gabim të vogël” mund t’a bëjë, vetëm dikush që ka depozita në miliona$?! A e pranon dinjiteti i një gjykatësi të lartë, të qëndrojë në detyrë edhe shtatë vite, pasi i ka mbaruar mandati?! Kushtetuta jonë, nuk ia lejon atyre që kanë dhënë apo kanë kërkuar dënime politike në regjimin totalitar, të ushtrojnë detyra, aq më tepër të larta, në sistemin e Drejtësisë, si në rastin e Dvoranit, i cili nga 1988 – 1991 ishte në organet e Diktaturës në qytetin më antikomunist e properëndimor të Shqipërisë, Shkodrën Demokrate! Kontrasti i fortë mes Raportit tejet kritik të DASH-it për qeverinë dhe Çmimit për Dvoranin, nxjerr zbuluar rolin, aspak të ndershëm të zonjës Kim, ndaj së cilës ngritën zërin Shoqatat e të burgosurve dhe të persekutuarve politikë, shumica të dënuar rëndë pse deshën Amerikën dhe Demokracinë e saj (pa harruar 6000 të ezekutuarit pa ose me gjyq)! Është për këtë, që më duhet t’i kujtoj zonjës Kim, se shqiptarët nuk e duan Amerikën për hatër të Ambasadorëve, por Ambasadorët i respektojnë për hatër të Amerikës,  të cilës i detyrohemi për jetë në këto 100 vite për mbrojtjen e ekzistencës së Shtetit të Pavarur dhe Kombit tonë, ( Konferenca e Paqes e Parisit dhe Presidenti Uillson), si dhe për rolin e jashtëzakonshëm  e përcaktues në çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës bashkë me NATO-n!

– Ju si diplomat karriere, si e shpjegoni qëndrimin e Ambasadës amerikane në Shqipëri që DASH-it i përcjell raporte për rritjen e shkallës së korrupsionit dhe pastrimit të parave në një sektor informal, evazion fiskal dhe kontrabandë, burimi i trafikimit të hashashit në Europë, ndërkohë që Ambasada kurrë nuk i ka adresuar këto probleme publikisht në Tiranë, por ka heshtur?

Ajo që të çudit është, se kontrasti mes raporteve kritike të DASH dhe heshtjes vështirësisht të shpjegueshme të Ambasadës për skandalet pa fund, megakorrupsionin dhe akaparimin e të gjithë pushteteve në duart e një njëriu të vetëm, që falë kësaj, tashmë qytetarët shqiptarë parapëlqejnë t’a quajnë Ramashenko,  për analogji me autokratin Lukashenko të Bjellorusisë , është shumë i madh! Ajo që nuk do të doja t’a besoja kurrë, dhe që do të ishte e pafalshme për këdo, mbetet dyshimi i disave, se në këtë mes, miliardat e drogës mund të kenë rol korruptues?! Të mos harrojmë që vetëm pak ditë më parë u dënua me burg për korrupsion, ish Presidenti Francez Nikolá Sarkozi, si edhe shumë të tjerë para tij!

“Kulmi mbrriti me Çmimin akorduar Dvoranit si “luftëtar” i madh kundër korrupsionit , nga Sekretari i ri i Shtetit Blinken, që as besoj t’a ketë dëgjuar emrin e tij! Si mundet , zonja Kim, të keni bërë një propozim të tillë , që ka lënë pa frymë shqiptarët?!”

“Kontrasti i fortë mes Raportit tejet kritik të DASH-it për Qeverinë dhe Çmimit për Dvoranin, nxjerr zbuluar rolin, aspak të ndershëm të zonjës Kim”

Mos vallë heshtja publike e Ambasadës amerikane në Shqipëri ndaj Korrupsionit e pastrimit të parave të krimit ka të bëjë me atë që të mos përplaset me qeverinë?

– Ambasada Amerikane, nuk mund të ketë frikë nga përplasja me asnjë qeveri, aq më pak nga qeveria shqiptare, kur është fjala për mbrojtjen e demokracisë, kështu e përjashtoj plotësisht këtë hipotezë! Natyrisht Amerika do stabilitet, në Shqipëri, Kosovë dhe gjithë Ballkanin, ashtu si do shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit! Ka njerëz, që gabimisht mendojnë , se amerikanët janë hatërmbetur me Opozitën, ngaqë ajo dogji mandatet dhe bojkotoi zgjedhjet për Pushtetin Lokal më 30 qershor 2019! Por shqiptarët dhe veçanërisht opozitarët,  që janë ata që përmbysën regjimin totalitar antidemokratik dhe antiamerikan e sollën pluralizmin politik , nuk mund të pranonin poshtërimin dhe fyerjen e një mazhorance të inkriminuar në skandale dhe korrupsion , si edhe vjedhje votash , që BILD-i , më e madhja gazetë e Gjermanisë dhe Europës deri në 7.5 milionë kopje e vërtetoi botërisht !Akoma më e pabesueshme ishte deklarata e paraardhësit të Zonjës Kim, Ambasadorit  Lu, se Zgjedhjet mund të bëhen edhe pa Opozitën, ç’ka do t’a kishte zili edhe vetë antiamerikani më i madh, Diktatori ynë Enver Hoxha,  që në 40 vite të sundimit të tij bëri zgjedhje pa opozitë dhe “fitonte” me mbi 99.99% të votave. A mund të zhvillohet  një ndeshje futbolli, kur arbitri,  para se ajo të fillojë, të thotë që ndeshjen e keni të humbur?!

“Disa nga ambasadorët amerikanë në Tiranë kanë mbyllur njërin sy dhe njërin vesh, për skandalet dhe megakorrupsionin , sidomos sa herë ka qeverisur e majta në Shqipëri?!”

– Para disa ditësh, Reporteri i Parlamentit Europian David Lega në një intervistë theksoi se Shqipëria nuk ka përmbushur kushtet e integrimit Shitblerja e vitës dhe korrupsioni mbajnë peng Shqipërinë. Çfarë mesazhi përcjell eurodeputeti Lega në prag të zgjedhjeve të 25 prillit?

 – Europarlamentari suedez nga Gëteborgu, Lega, Kristian -Demokrat, me këtë deklaratë s’është as i pari dhe as i fundit që e ngré zërin lartë për vjedhjen dhe shitblerjen e votës! Natyrisht ai duhet falenderuar nga zemra për çka tha, por për vjedhjen e votës, edhe Ramës ia bënë të qartë  në Bruksel para tre ditësh krerët e BE -së, si shans i fundit për hapjen e negociatave, po qe se ato do të zhvillohen të rregullta, të lira e të ndershme.

Raporti i  Freeedom House vlerësoi më pak Shqipërinë në drejtim të lirive të vendit. Përse Shqipëria humbet çdo vit të Drejtat dhe Liritë e Njeriut?

– Dikur këndonim:dy gëzime në një ditë, kurse pardjé patëm dy hidhërime në një ditë: Raporti tejet kritik i DASH-it, për mazhorancën dhe qeverinë, edhe ai i Freedom House , që na zbriti edhe një shkallë më poshtë, kur Maqedonia e Veriut u ngjit tre shkallë më lartë! I kujt është faji që Policia dhunon egërsisht Opozitën, rreh dhe mbyt me gaz lotsjellës protestuesit paqësorë, dhunon brutalisht artistët dhe Shemb Teatrin Kombëtar, e për më keq, vret një djalë 25 vjeçar, vetëm se nuk ndaloi ngaqë kish kaluar orën policore të karantinës, mbyll Televizione e Portale dhe pastaj paguajmë nga 110 milionë €uro gjobë , si p.sh. ajo për Beketin?! Tani 25 Prilli po vjen dhe kjo qeveri e kjo mazhorancë e dështuar që në “rilindjen” e saj, me në krye Ramën e kupton, që koha e saj mbaroi, por ashtu si ai gomari ( i mirë, siç u vetquajt Kryeministri ynë), të cilin po e hante ujku dhe thoshte inshallah jam në ëndërr, e që të gjithë sondazhet e nxjerrin humbëse, nuk do t’a pranojë atë! I vetëm, Rama ndihet keq, kur sheh bashkimin e 15 Partive opozitare rreth PD-së me Bashën, tashmë Kryeministër pas 25 Prillit! Batutat e stërkonsumuara kundër Liderit historik, Prof . Dr. Berishës, apo dhe Presidentit Meta, nuk emocionojnë e nuk impresionojnë më askend. Rotacioni politik,  që do të ndodhë pas 50 ditësh nuk ka pse të jetë fundi i Botës!

-Faleminderit!