Prof. Dr. Lush Susaj: Para vitit 1990, bujqësia jepte 36-37% të PBB, ndërsa sot jep 18-19-20%, të PBB

22
Sigal

Flet Prof. Dr. Lush Susaj: Bujqësia është sektori më i goditur nga vjedhja dhe korrupsioni shtetëror.

– Në vendet e rajonit dhe ato të BE, nga 100 euro të adresuara për prodhimin bujqësor, 75-80 euro (75-80%), arrijnë tek prodhuesi, tek fermeri dhe blegtori.

– Në Shqipëri, tek fermeri dhe blegtori nuk arrijnë më shumë se 8-12%, sepse 88-92% e fondeve të huaja pasi humbasin nga korrupsioni

– Korrupsioni dhe mafia e projekteve dhe investimeve ja ka hequr sytë dhe trurin, e kanë rrjepur, e kanë gjunjëzuar dhe kolapsuar të gjithë sistemin e prodhimit bujqësor e blegtoral të Shqipërisë.

– Investimet e pakta në infrastrukturë me fokus zhvillimin rural, fragmentimi i tokave, mungesa e titujve të pronësisë dhe financimi i ulët i fermerëve janë faktorët kryesor që po pengojnë zhvillimin e sektorit të bujqësisë.

-Rendimenti është i ulët pasi fermat e vogla përbëjnë mbi 90% të numrit të përgjithshëm të ekonomive bujqësore, dhe të aktivitetit bujqësor të vendit.

 

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

      

Varfëria në vendin tonë është mjaft e thellë në zonat rurale, rreth 50% më e lartë se në zonat urbane. Shkak për këtë mendohet të jetë mungesa e zhvillimit të këtyre zonave, si pasojë e investimeve të ulëta, emigrimit të popullsisë dhe mosndërmarrjes së reformave mbështetëse.  Pra, ka humbur interesi i fermerëve për t’u marrë me bujqësi. Zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë dhe zonave rurale në tërësi duhet të jetë përparësi kryesore e çdo qeverisjeje por në fakt nuk ndodh. Të ngutshme për daljen nga kjo gjendje janë, regjistrimi i tokës në kadastër, krijimi i institucioneve mbështetëse për bujqësinë, rajonalizimi i prodhimeve, ripërtëritja e shkollave të mesme bujqësore sipas modelit amerikan dhe hartimi i një programi kombëtar antierozion për ndalimin e dëmtimit të tokës. Ja si shprehet Prof. Susaj për këto probleme…

-Flitet shumë për bujqësinë shqiptare….Në fund të vitit 2023, fondet e BE për sektorin e bujqësisë në Shqipëri janë pezulluar për shkak të një hetimi të nisur nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit me dyshimin për abuzime. Zyra e BE në Tiranë njoftoi se deri në përfundim të kontrollit financimet nuk do të jepen, ndërsa vijueshmëria e tyre do të varet nga gjetjet e hetimit. Si do ta komentoni këtë fakt dhe rendimentet e ulta në bujqësinë shqiptare?

Investimet e pakta në infrastrukturë me fokus zhvillimin rural, fragmentimi i tokave, mungesa e titujve të pronësisë dhe financimi i ulët i fermerëve janë faktorët kryesor që po pengojnë zhvillimin e sektorit të bujqësisë.

Kush ndihet qytetar i përgjegjëshëm i këtij vëndi, e kush ka qoftë edhe një pikë morali dhe dinjiteti njerëzor, shkëncor dhe kombëtar, duhet të flasë troç e me të madhe, e jo të belbëzojë e të konsumojë broçkullat dhe propagandën e mafies së korrupsionit me projektet dhe investimet në bujqësi. Pavarësisht nga ajo që shkruhet, flitet dhe propagandohet nga ana e administratës dhe disa mediave në shërbim të nepotizmit dhe korrupsionit, nuk besoj që ka ndonjë shqiptar apo të huaj që nuk e ka kuptuar që tashmë, korrupsioni dhe mafia e projekteve dhe investimeve ja ka hequr sytë dhe trurin, e kanë rrjepur, e kanë gjunjëzuar dhe kolapsuar të gjithë sistemin e prodhimit bujqësor e blegtoral të Shqipërisë. Nuk ka specialistë e as fermerë e banorë të Shqipërisë që nuk e kupton që zhvillimi rural, sikurse po trajtohet në media dhe në terren, është thjesht e vetëm pjesë e fjalorit të neveritshëm të propagandës mashtruese, dehumanizuese dhe shkombëtarizuese.

Është propagandë sepse, nuk mund të thuhet që po e ndihmojmë zhvillimin rural, në një kohë kur është ndërtuar një mal me burokraci e padrejtësi, që pamundësojnë aksesin e minifermave bujqësore në fonde, edhe pse fermat e vogla përbëjnë mbi 90% të numrit të përgjithshëm të ekonomive bujqësore, dhe të aktivitetit bujqësor të vendit. Në këtë mënyrë është pamundësuar subvencioni me pikatore që jepet për gjedhin, për të imtat, për bletët, për vreshtat, etj. Për më tepër, ndonëse bujqësia shqiptare, e cila subvencionohet 8-15 herë më pak se sa bujqësia e vendeve të rajonit (përfshirë edhe Kosovën), edhe për ato pak thërrime të premtuara, janë vendosur barriera e pamundësi absurde, të cilat e demoralizojnë dhe e largojnë edhe më shumë fermerin nga toka dhe nga blegtoria. Pa llogaritur edhe humbjen e madhe në ingranazhët e korrupsionit, të ndërtuara e kontrolluara nga mendja djallëzore e drejtuesve që kurrë nuk kanë punuar, e për pasojë e nuk njohin asgjë nga fshati, as ferma, e as nga sektori i prodhimit bujqësor e blegtoral. Në këtë mënyrë, në vendet e rajonit dhe ato të BE, nga 100 euro të adresuara për prodhimin bujqësorë, 75-80 euro (75-80%), arrijnë tek prodhuesi, tek fermeri dhe blegtori. Ndërsa në Shqipëri, tek fermeri dhe blegtori nuk arrijnë më shumë se 8-12%, sepse 88-92% e fondeve humbasin për dosje, vërtetime, harta, shkrime projekti, dreka, darka, fotografi, korrupsion e për të kopsitur dosjen e fiktivitetit. Në këto kushte, nuk mund të flitet për politika që kanë në fokus zhvillimin rural, përkundrazi është hajgare dhe demagogji për të mbuluar korrupsionin e kudogjendur.

Pa llogaritur edhe faktin që, edhe në ato pak minisubvencione të premtuara e që gjasmë po jepen, sikurse flitet dhe diskutohet kudo dhe fare hapur, po shkojnë tek ata që nuk kanë tokë, e që nuk mbjellin e as nuk prodhojnë. Fondet kanë shkuar dhe po shkojnë për strukturat nepotike e patronazhistë të partisë, e jo më kot bujqësinë kanë filluar ta quajnë “Lopa e Partisë”. Në këtë mënyrë, paraja për bujqësinë po përdoret tinëzisht edhe si një mjet presioni e joshje për vota, për pushtet. Por edhe për shantazh, mërzitje e dëbim të atyre që nuk nënshtrohen e që nuk bëhen pjesë e sistemit të patronazhimit dhe korrupsionit.

Ndërsa edhe fragmentarizimi i pashëmbullt i tokës bujqësore dhe kaosi me kadastrën dhe titujt e pronësisë, është produkt i korrupsionit dhe injorancës së qeverisjeve kakistokratike, antishkencë e antivlerë që ka patur e që akoma ka Shqipëria. Nuk ka asgjë të rastësishme, përkundrazi fragmentim i tokës u ideua dhe është përdorur me sukses nga mafia e pronave dhe trojeve. Edhe më idjotët e kësaj bote dinë dhe e kuptojnë shumë mirë që ky burim konflikti dhe korrupsioni, mund të mbyllet menjëherë përmes një ligji të shumëpritur nga të gjithë, dhe të një ekipi modest më rreth 300 topografë e 300 agronomë, të cilët mund të prodhojnë hartat e detajuara dhe të gjithë titujt e pronësisë, në më pak se 6 muaj. Që do të thotë që edhe kapja pas fragmentarizimit të skajshëm të tokës bujqësore, është propagandë bajate dhe hajgare e hajnave të tokave bujqësore dhe të trojeve të ndërtimit. Sidomos të tokave  në periferi të qyteteve dhe përgjatë vijes bregdetare. Populli nuk duhet të besojë e as të konsumojë propagandën e korrupsionit dhe injorancës, përkundrazi duhet të kuptojë sa më parë që këtë situatë të rendë e ka lindur dhe po e mban gjallë korrupsioni, e jo toka, as klima, as pozicioni gjeografikë, e as fermerët dhe blegtorët e Shqipërisë.

-Në një analizë të bërë për bujqësinë nga Banka Botërore, thuhet se sektori që kontribuon në 20% të PBB-së dhe që është burim kryesor punësimi për rreth 40% të popullsisë, po bën progres më pak se në vendet e rajonit. Mungesa e financimit është shkaku kryesor që po ndikon negativisht në sektor, për këtë arsye propozohet që të miratohen skema garancie sovrane, për të lehtësuar fermerët drejt aksesit në financë. Si mund të realizohen?

Treguesit e dhënë nga analiza e Bankës Botërore janë të saktë e me domethënie të madhe. Madje, para vitit 1990, bujqësia jepte 36-37% të PBB. Ndërsa përgjatë këtyre 30 viteve të fundit, edhe pse një mekanizëm i vjedhur e demontuar, si për inerci të demografisë dhe traditës bujqësore, gjithnjë ka dhënë 18-19-20%, dhe ka shërbyer për punësimin e 40-60% të fuqisë puntore. Banka Botërore dhe institucionet e tjera ndërkombëtare (FAO, etj), nga njëra anë publikojnë studime që të nxitet reagimi dhe hartimi e zbatimi i reformave antikorrupsion, antivjedhje e antishpopullim. Ndërsa nga ana tjetër qëndron në këmbë një strukturë thellësisht e korruptuar, dhe e lidhur ngushtë me hajninë dhe korrupsionin në bujqësi. Është ajo armatë e përbërë nga qylëxhinj, injorantë e servilë, që vodhi pa drojtje e që lëvizi herë majtas e herë djathtas, nga njëra qeveri në tjetrën për mbi 25 vjet pa u ndëshkuar e pa dhënë llogari për katastrofën e shkaktuar prej tyre. Janë ky takëmi i njohur i qylit, injorancës dhe korrupsionit, që përseri kanë shkaktuar goditjen fatale të bujqësisë për vitin 2024. Si gjithmonë, përkundrejt propagandës me lugën bosh, qëndron realiteti i trishtë, që është gatuar nga miksimi i injorancës dhe korrupsionit. Në këtë kontekst, nuk mund të flitet fare për politika shtetërore bashkëkohore, kur buxheti i bujqësisë për vitin 2024, është planifikuar që të jetë mbi 11,6% më i ulët se sa buxheti i vitit 2023, dhe i detajuar në mënyrën më të keqe të mundshme, dhe pa debat e konsultë.

Sikur të mos mjaftonte kjo injorancë dhe arrogancë në kurriz të bujqësisë dhe ekonomisë së vëndit, këtë vit ka mbirë edhe fara e korrupsionit dhe shpërdorimit të fondeve të IPARD2 dhe IPARD3. Për blllokimin e mbi 94 miljon eurove të IPARD2, dhe të mos hapjes së IPARD3, me mbi 142 miljon të tjera (në total 236 miljon euro), nuk e ka fajin opozita dhe as BE. Përkundrazi, janë mbi 236 milion euro më pak për bujqësinë e Shqipërisë. Është një mungesë e shkaktuar nga korrupsioni, injoranca dhe nepotizmi. E kemi paralajmëruar shumë herë këtë situatë, kemi folur dhe shkruar aq shumë për korrupsionin dhe politizimin e strukturave të bujqësisë, por si shpërblim morëm vetëm persekucion dhe menjanim nga punët tona të përditshme që dimë t’i bëjmë më mirë se askush tjetër mbi këtë tokë. Kemi folur e shkruar përditë, por sytë e qeverive nepotike e të korruptuara janë të verbër. Ndërsa administrate dhe drejtuesit e lartë janë si krimbat në librin e Shekspirit, për të cilët shkruante se janë pa sy, pa veshë, që zvarriten e që nuk e duan dritën. Të tillë administratë dhe qeverisje kundër dijes dhe dritës kemi patur dhe vazhdojmë që të kemi në të gjithë strukturën e bujqësisë. E për këtë arsye është shkatërruar totalisht edhe mbrojtja ligjore e prodhimit vëndas. Prandaj janë mbi 15000 ton mollë të shëndetshme që fermerët e Korçës dhe Devollit janë të detyruar që t’i groposin apo t’i hedhin në kanal. Sepse administrata e verbër nuk guxon të bllokojë për më pak se 15 ditë importin abuziv të mollës nga vëndet e tjera. Asnjë vënd i rajonit dhe BE nuk vepron në këtë mënyrë me fermeret dhe prodhuesit e vet. E shëmbuj të tillë ka plot, sikurse është prodhimi i grurit, i misrit, apo i perimeve që po vdesin nga abuzimi me çmimet dhe monopolet e pikave të grumbullimit. Shqiptarët duhet të kuptojnë se aktualisht një kg trangull në Lushnje po shitet me 30 lekë/kg, ndërsa tregu e rrit deri në 200 lekë/kg, një rritje abuziviste e korruptive me mbi 700%. Pa folur për lojën korruptive dhe antishqiptare që po bëhet me blegtorinë dhe prodhimet blegtorale, e ku numëri i krerëve ka ra nën minimumin historik, në më pak se një bagëti për frymë të popullsisë. Që do të thotë që përtej propagandës dhe mjergullës për të mbuluar vjedhjen dhe korrupsionin, nuk mbetet më asgjë, populli nuk ushqehet me propagandë e as me dosje fiktive.

-Qeveria ka të njëjtën frazë: Buxheti garanton mirëqenie se në vitin 2024 do rrisim pagat e arsimtarëve, bluzave të bardha dhe të forcave të rendit. (Shkaku është boshatisja e vendit, se s’ka më punonjës, dhe tentohet të mbulohet gropa e zezë). Po a do zbatohet kjo politikë?

Pavarësisht nga sa thotë e shkruan qeveria, ajo që unë takoj dhe shoh në të gjitha rrethet dhe fermat dhe fshatrat e Shqipërisë janë shtëpi të braktisura, pemëtore e vreshta të pakrasituara e që po degradohen. Shoh pleq që nuk kanë asnjë mundësi të punojnë, por as të gjejnë puntorë. Madje ka kohë që nëpër fshatrat e Shqipërisë së shpopulluar, po zhvillohet një debat ironizues, sipas të cilit satelitët e lëshuar e të paguar nga qeveria jonë, nuk vijnë me mjelë lopët tona, as me krasitur pemët, e as me mbjellë qepët dhe perimet e tjera, e as me kullot bagëtinë. Është zhvilluar një propagandë dhe shpenzime të kota financiare, ku përballë rrënimit total të sistemit të ujitjes në të gjithë Shqipërinë, flitet për ujitjen me dronë që mbajnë 9-12 litra ujë. Të paditurit e paguar nga korrupsioni e babëzia nuk kanë asnjë përvojë e njohuri rreth nevojës së bimës për ujë, e as rreth normës dhe kohës së ujitjes. E kujtojnë fermerin dhe agronomin aq budalla, sa mund ta mashtrojnë se fusha e Myzeqesë, e Maliqit, e Elbasanit, etj, mund të ujitet me drone? Një pamundësi absolute edhe për Japoninë. Me keqardhje të madhe e themi që arroganca e injoranca kanë arritur deri në majat më të larta, e po tash më shumë se kurrë përdoren për ta rrënuar bujqësinë, dhe për të dëbuar shqiptarin nga toka dhe vatra e tij. Korrupsioni dhe injoranca administrative, politike e shtetërore, janë bërë pushtuesit më të shëmtuar të institucioneve dhe të çdo hapësire ekonomike e shoqërore të vëndit. Janë aq të paturpshëm, saqe guxojnë të flasin e të mashtrojnë për ujitjen me dron, vetëm për të mbuluar vjedhjen e investimeve në ujitje, kullim, prita, argjinatura, etj.

Në këtë varfërim dhe defaktorizim të skajshëm të potencialeve prodhuese, demografike e shtetërore të vëndit, duket sikur nuk ka më vlerë as paga dhe as jeta. Në të tillë mjedis, nuk mund të qëndrojë e nuk mund të rritet kurrë rinia e shëndoshë e reaguese. Nga ky mjedis i krijuar po ikën rinia, po ikin profesionistët, por po ikin edhe pleqtë, pavarësisht se propagandohet ardhja e pleqve nga Italia, të cilët nuk mund ta shpëtojnë Shqipërinë. Shqipëria ka vetëm një mundësi shpëtimi, reagimi mbarë popullorë ndaj korrupsionit dhe ndaj injorancës shtetërore e politike.