Telegraf.al / Restaurimi i sheshit të Çerçizit përkoi me dy ngjarje të rëndësishme festive, të cilat fatkeqësisht nuk u përjetuan si të tilla. Ato janë 100 vjetori i vendosjes së emrit “Çerçiz Topulli” sheshit kryesor të qytetit, dhe 90 vjetori i vendosjes së bustit të këtij heroi kombëtar në këtë shesh.

Si lindi idea për bustin?
Idea për nderimin e Çerçiz Topullit me ngritjen e një statuje është e hershme.
1908 – Në gazetën “Kombi” të Bostonit, u hodh për herë të parë idea për ngritjen e një busti për Çerçiz Topullin.
“Bota nderon të gjithë ata që përpiqen dhe luftojnë për një ide të lartë, siç është liria. Statujat ndër shtetet e qytetëruara për këta njerëz, janë më e vogla shfaqje e nderimit të përgjithshëm.”
Veli Hashorva- nderim i parë i Çeços 1920
– Aktin e parë nderues edhe vlerësues të Çerçiz Topullit, e ka bërë Veli Hashorva, botuesi i gazetës kombëtare “Drita”, i të parës gazetë në gjuhën shqipe në Gjirokastër. Vetëm një intelektual i përmasave të tilla, mund të vlerësonte pa mëdyshje luftën dhe sakrificat e Çerçizit për mbrojtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe. I kthyer nga SHBA dhe i shqetësuar me “harimin” e veprimtarisë së heroit, ai bën një gjest të rrallë për kohën. Sallës së gazetës së tij, ai i vendosi emrin “Çerçiz Topulli”. Këtë ai e njofton në gazetën e tij të datës 13 prillit 1920:
“Çerçiz Topulli është më i miri emër që gjetëm për të pagëzuar sallën tonë. Ai është njeriu me të cilin nuk mburret vetëm shtëpia e tij, por tërë kjo krahinë dhe gjithë Shqipëria. Veçanërisht gjirokastritët kanë të mburren me emrin e tij disa shekuj me rradhë. Çeçua ishte një nga ata trimat e rrallë që lindin në shekull e jo çdo vit. Më vjen keq për harrimin e Çeços, të cilin fati i keq e lindi këtu në Gjirokastër.”

1922 – Në qershor i vendoset emri Çerçiz Topulli sheshit të qytetit.
Pas fitores së Luftës së Vlorës u vu re një ndryshim i dukshëm në qëndrimin ndaj heronjve të së shkuarës. Kjo pasi më në fund pushtuesit ishin larguar njëherë e përgjithmonë nga Shqipëria. Në qershor të vitit 1922 ju vendos emri “Çerçiz Topulli”, sheshit të qytetit. Mendohet se një ndikim të drejtëpërdrejtë për këtë gjë veç Veli Hashorvës, ka pasur edhe kryetari i Bashkisë Javer Hurshiti. Gjatë Luftës së parë botërore ky shesh kishte pasur emra ushtarakësh dhe princash të huaj. Para se të vendosej emri i heroit tonë kombëtar ai quhej “Sheshi i policisë”. Në këtë periudhë në mesin e pazarit karakteristik, u hap edhe një kafene me emrin “Çerçiz Topulli”.
1925 – Gazeta “Labëria” informonte se ideja për ngritjen e bustit të Çerçizit ishte hedhur kohë më parë, por ajo nuk e përcakton datën:
“Bashkia e Delvinës pagëzoi rrugët e reja të qytetit me emrat e dëshmorëve të kombit. Pyesim bashkinë tonë: Ç’bëhet me statujën që do t’i ngrihej të ndjerit Çerçiz Topulli”?

1928 – Në një artikull të botuar në gazetën “Demokratia” të 14 janarit, botuesi i saj Xhevat Kallajxhiu e ringrë propozimin për ngritjen e bustit:
“Vlera e këtij burri nuk u çmua as kur ishte gjallë e as tani që është i vdekur. Në qoftë se nuk do të kërkojmë që Çeços t’i ngrëmë një statujë, të jemi të sigurtë që me këtë sjellje nuk do t’i bëjmë nder vetvetes, dhe gjenerata e re do të na thotë “jazëk”. Kam patur rastin e mirë të jem në kontakt me skulptorin e ri shqiptar Odise Pakali. Ai mund të na i bëjë për 200 napolona. Këtë sakrificë, Odise Paskali e bën si bir i këtij vendi.”
1928 – Një muaj më vonë, të dielën e 22 shkurtit në orën 10 të paradite, Xhevat Kallajxhi organizoi një mbledhje në sallën e kinemasë ku morën fjalën avokati Xhevdet Xheneti, farmacisti Beso Gega që kishte ndihmuar çetën me ilaçe dhe ish prefekti i Korçës në vitin 1906, Fejzi Alizoti. Mbledhja zgjodhi edhe komisionin për ngritjen e bustit. Antarë komisioni sipas gazetës “Demokratia” dt. 25 shkurt u zgjodhën: Beso Gega – kryetar, Galip Çano – nën kryetar, dhe Xhevat Kallajxhi – sekretar dhe arkëtar i komisionit. Antarë të komisionit u zgjodhën, Vasil Lito, Aleks Çeçi, Xhevdet Xheneti, Sami Kokalari, Foto Tola, Elmas Hajdëri dhe Bame Mezini.
Beso Gega- kërkesat për bustin
Në datën 10 Korrik 1929 kryetari i Komisionit të ngritjes së bustit Beso Gega, përmes një letre bëri me dije kërkesat, që duhet të kishin parasysh skulptorët konkurues. Brenda kësaj letre u vendos edhe një fotografi e heroit.
- Skulptura do të derdhej në Bronx, si bust ose i gjithë shtati.
- Ajo do të vendosej mbi një piedestal.
- Mbi piedestalin do të vendosej një pllakë me një epigraf që do ta përcaktonte Komisioni.

Fotografia model …
Ndër fotografitë e Çerçizit, u zgjodh për model ajo ku ai qëndron në këmbë dhe dorën e majtë e mban të mbështetur në koburren që mban në brez, dhe me dorën e djathtë ka kapur pushkën, e cila qëndron e mbështetur në tokë. Çerçizi mban në kokë kapelen Garibaldine, dhe flokët i ka të hedhura mbi supe. famshme të Mashkullorës. Për këtë arsye dora e tij e djathtë është e pozicionuar mbrapa.
Skulptorët pjesëmarrës
Letërkëmbimi me disa skulptorë tregon përpjekjet e komisionit për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Pjesmarrës në konkursin për bërjen e bustit ishin tre artistë. Mes tyre ishte edhe skulptori i ri shqiptar Odhise Paskali.
- Givera nga Bari
- Bildshauer Perseshuer nga Ëiena
- Odhise Paskali
Interesimi për artistin fitues të këtij projekti përfshiu edhe diplomacinë italiane.

Konsulli Italian – Skulptori Givera
Në një letër me numur protokolli 157/I të 29 gushtit 1929 kryekonsulli Mark Kodheli i dërgoi një letër Kryetarit të Komisionit. Ai kërkonte informacion mbi ofertën e paraqitur për realizimin e bustit të Çerçizit nga skulptori Italian Givera. Në paragrafin e fundit të letrës ai shkruan:
“…meqënëse skulptori z. Givera na është drejtue më tepër se një herë dhe interesue për këtë punë, ju lutemi, Zotni Kryetar, të kini mirësinë me na komunikue opinionin e Komisionit mbi preventivin e prezantuar nga artisti në fjalë.”

Odise Paskali – Artisti fitues
Gazeta “Demokratia” e 18 korrikut të vitit 1931, njoftonte se komisioni lidhi kontratën me skulptorin Odise Paskali. Monumenti do të ishte në bronx, i lartë 2 metra e 60 centimetra dhe do të kushtonte 8 mijë franga ari. Se përse u përkrah oferta e skulptorit shqiptar, e pohon Xhevat Kallaxhiu në fjalën e tij në momentin e inagurimit.
Komisioni në bërjen e monumentit të Çerçizit e përkrahu njëkohësisht edhe artisti shqiptar. Prandaj me këtë vepër kombëtare kemi edhe punën e dorës së një artisti shqiptar. Komisioni është plotësisht i kënaqur nga vepra e skulptorit Odise Paskali, të cilit i shfaq gëzimet e tij më të thella.
Me këtë vepër nis rrugëtimi profesional i Odise Paskalit, i cili njihet sot si themeluesi i shkollës shqiptare të skulpturës.
Financimi i monumentit
Për të gjetur lekët për ngritjen e monumentit të heroit u bë thirrje publike përmes gazetës “Demokratia”. Në të vazhdimisht botohej lista e personave dhe shuma individuale e dhënë për bustin. Në këto lista bie në sy financimi i shoqërisë “Drita”, i vëllezërve “Guri”, i mësuesit të shkollës së parë shqipe, Thoma Papapano, i mësuesit të Liceut Francez të Gjirokastrës, Salim Kokalari etj. Përveç ndihmave nga qytetarët dhe tregtarët e Gjirokastrës, një ndihmë të madhe dhanë edhe shqiptarët e Amerikës. Lekë u mblodhën edhe nga dhënia e çfaqjeve teatrale:
1931 – Në janar Baba Lamkua dërgoi nga Egjypti 400 gram Ar për ngritjen e monumentit.
Masa për inagurimin e shtatores
Në janar 1932 Odise Paskali solli kokën e heroit të punuar në gips. Komisioni e pëlqeu dhe autorit ju dha leje të vijonte punën. Në datën 14 shkurt 1934 Odise Paskali mbëriti për herë të dytë në Gjirokastër. Sipas shtypit të kohës, ai vendosi kontakt me studjon italiane të projekteve që funksiononte në qytet.
Këtë javë po fillojnë punimet për ngritjen e piedestalit. Kjo punë nga ana e Odise Paskalit ju ngarkua arkitektit Vitalio Poseli. Njëkohësisht do të sillet edhe shtati prej bronxi që ndodhet në doganën e Sarandës.

Inagurimi i bustit – 18 mars 1934
Monumenti i parë në Shqipëri për një dëshmor.
Busti ishte parashikuar të ngrihej me rastin e 25 vjetorit të Luftës së Mashkullorës (1908-1933), por ky përvjetor, nuk u arrit dot. Për këtë arsye inagurimi u la në 18 marsin e një viti më vonë. Sheshi dhe “Bregu i Bendos” ishin mbushur me njerëz. Përpara monumentit ishin vendosur autoritetet civile dhe ushtarake të vendit; prefekti, krerët e feve, paria dhe përfaqësues të krahinave. Ishin rreshtuar në shesh edhe nxënësit dhe nxënëset e shkollave, si dhe një togë xhandarësh bashkë me ushtarët. Veç autoriteteve vendore, në ceremoni merrte pjesë edhe familja e Çerçizit. Ajo qëndronte në ballkonin e bashkisë. Ishte gruaja e tij, Qamua, motra dhe gratë e tjera të shtëpisë, nipërit. Statuja u zbulua nga kryetari. i bashkisë, Sami Kokalari, i cili ndër të tjera tha:
“Ky bir i Shqipërisë, gjirokastrit, në një kohë që ndjenjat shqiptare gjindeshin të humbura e të fjetura në zemrat e çdo shqiptari, pa marrë parasysh çdo rrezik mori pushkën në dorë dhe doli maleve për përhapjen e idealeve nacionale dhe për lirinë e kombit të vet, tue shkrue në qeleshen që mbante në krye, “Ja vdekje, ja liri”.
Ceremonia u shoqërua nga Banda e qytetit, e cila ezekutoi “Hymnin e Flamurit”” dhe Hymnin Mbretëror”. Fjalimi i rastit u mbajt nga Beso Gega e më vonë e mori fjalën Xhevat Kallajxhi, i cili tha:
“Gjinokastra ka të drejtë të krenohet dhe të lëvdohet, se është e para që mori iniciativën të ngrejë një monument dëshmori. Të vdekurit janë udhëheqësit e të gjallëve”.
Kurorat me dafina
Kurora mbretërore
Pas ceremonisë inaguruese në lulishten para shtatores u vendosën më shumë se dyzetë kurora. Në emër të Qeverisë Mbretërore, kurora u vendos nga përfaqësuesi i saj, prefekti z. Siri Leskoviku. Kurora vendosën Bashkia e qytetit, Bashkitë e Qarkut, Gazeta “Demokratia”, fshatrat e Dropullit, Komanda e Garnizonit etj.
Parlamenti shqiptar nuk e nderoi Çerçizin
Për arsye që nuk dihen, Parlamenti Shqiptar nuk u përfaqësua në këtë ceremoni madhështore. I vetmi deputet që u bë pjesë e saj, ishte Javer Hurshiti, një nga miqtë e Çerçizit. Në fjalën e tij ai theksoi:
“Një komb që harron historinë e tij, një komb që nuk i kujton heronjtë e tij, një komb që nuk nderon dëshmorët, ata që kanë derdhur gjakun për triumfin kombëtar, nuk mund të rrojë, nuk ka të drejtë të rrojë.
Pas pritjeve në Bashkinë e qytetit u shtrua edhe një drekë në hotel “Ruajal”.
Këmbim telegramesh
Në ceremoni u lexua edhe telegrami i dërguar nga kryeministri Pandeli Vangjeli:
“Me rastin e zbulimit të përmendores për nder të Çerçiz Topullit heroit të idesë kombëtare, Qeveria Mbretënore bashkohet shpirtërisht në ceremoni me popullin fisnik të atij qarku, duke shprehur respektin e saj në kujtim të këtij luftëtari kombëtar.”
Por pas ceremonisë Kryetari i Bashkisë Sami Kokalari i dërgoi një telegram mbretit Zog:
“Kam nderin përunjësisht të njoftoj se sot në orën 10 u bë inagurimi i monumentit të dëshmorit kombëtar Çerçiz Topulli dhe marrja pjesë e përfaqësisë Mretërore u prit me gëzim të madh. Në këtë ceremoni patriotike gjithë populli mori pjesë me enthuziazmë të patreguar dhe brohoriti për Lart madhërinë Tuaj, nën udhëheqjen e të cilit idea kombëtare po mer një hov dhe zhvillim të përgjithshëm.

Fotografia ceremoniale
Në foton ceremoniale të bërë në ditën e inagurimit, paria e qytetit pozoi përpara bustit duke pasur mbrapa një grup popullor djemsh gjirokastritë të veshur me veshje kombëtare. Elementët, që bien në sy në këtë foto janë: Flamuri kombëtar në ballkonin e Bashkisë, shkaba dy krenore në kangjellat e tij dhe kurora me dafina, e cila i qëndron mbi krye shtatores së heroit. Në shesh u kërcye vallja e kënduar “Te rrapi në Mashkullorë” vargjet e së cilës i kishte recituar më parë nxënësja e Liceut Nezaqet Skënduli.
Mbyllja
Nëntëdhjetë vjetori i ngritjes së bustit të Çerçizit për shkak të restaurimit të sheshit, e gjeti qytetin jo vetëm pa bustin e heroit, por edhe me derën e mbyllur të “Muzeut të Rilindjes Kombëtare”, i cili funksiononte në banesën e madhe Topulli, e cila është ringritur nga themelet me fonde të shtetit shqiptar. Kjo ndodhi pas propozimit që i bëri Enver Hoxhës muzeologu i njohur Lefter Dilo. Mes atyre që folën 90 vjet më parë në ngritjen e bustit ishte edhe kryeredaktori i gazetës Demokratia, Halil Tuqi:
“Nderi dhe mirënjohja që tregon sot gjirokastriti karshi sakrificave patriotike të këtij trimi me fletë, janë plotësisht me vend. Le të shpresojmë se vjen mbase një ditë që t’ju tregohet një nder i tillë edhe atyre idealistëve të vërtetë si Koto Hoxhi e Bajo Topulli.



















