Prof. Dr. Qemal Lame: Marrëveshja e Kosovës me Serbinë mbetet detyrë ndërkombëtare

307
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Lufta në Kosovë e përfunduar me largimin e trupave ushtarake të Serbisë; pavarësia e krijimi i Shtetit të Ri të Kosovës dëshmoi dobinë e ndërhyrjes së Natos dhe reagimin pozitiv ndërkombëtar. Qëndrimi i përbashkët ndërkombëtar, sidomos i Këshillit të Sigurimit dhe partnerëve strategjikë ndërkombëtar, mbeten detyra për zgjidhjen e krizës politike të njohjes së Kosovës nga Serbia, të sigurisë e paqes në rajon. Bashkimi Evropian i caktuar për ndërmjetësimin, megjithë përpjekjet e bëra, nuk është në gjendje i vetëm të realizojë këtë mision. Këtë e tregoi edhe vizita e fundit e të dërguarit të posaçëm për dialogun Serbi-Kosovë Miroslav Lajçak. Ai theksoi në vizitën e tij në Beograd se dialogu Beograd-Prishtinë është thelbësor për të dyja palët dhe se status-kuoja nuk është diçka që Evropa e mbështet. Ai vuri në dukje edhe se qeveritë nuk kanë luksin të zgjedhin prioritetet dhe se Evropa pret vazhdimin e dialogut. Pra, qeveritë vazhdojnë të jenë të pozicionuara në interesat e tyre, nuk ka dëshirë për ndryshime dhe nuk priten përfundime të shpejta për zgjidhjen e krizës së ngrirë që dëmton palët e interesuara. Serbia nuk ndryshon politikën e saj. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u shpreh se “nuk e kupton se ku është kompromisi në njohjen e ndërsjelltë të Beogradit dhe Prishtinës” dhe se “kompromisi nuk mund të jetë një deklaratë, si Gjuro do të të kërkojë ty falje, se të ka rrahur.” Ai beson se pala shqiptare nuk është e gatshme për një marrëveshje, por është i kënaqur që ajo është e gatshme për dialog. Me këtë deklaratë të bërë edhe më parë, tërhiqet vëmendja në vazhdimësinë e ruajtjes së pretendimeve të padrejta të politikës së vjetër. Kuptohet, së pari, qëndrimi i pandryshuar i Serbisë për të mos njohur Kosovën pa u bërë lëshimet që kërkon Beogradi. Së dyti, të imponohet faza e marrjes së vendimeve politike për zgjidhjen e problemit të Kosovës sipas pikpamjeve të kërkesave kushtëzuese serbe. Kjo qartësohet me thëniet e njohura të Vuçiçit se: “asnjërit të gjithën, por për secilin mjaftueshëm”. Kjo është kërkesa për realizimin e një varianit tjetër në temën “më shumë se autonomi, dhe më pak se pavarësi”. Prandaj theksohet edhe një herë politika se presidenti i Serbisë është i gatshëm ta njohë Kosovën në një farë forme, nëse Serbia në këmbim do të marrë diçka. Procesi jo transparent i bisedimeve dhe marrëveshjet e arritura në favor të Serbisë e në dëm të Kosovës, tregojnë se nuk flitet hapur dhe nuk po ndodh procesi normal i arritjes me dëshirë të marrëveshjes, është e vështirë të përcaktohet, se çfarë  është kjo “diçka”, që Vuçiç do të paraqesë si fundin e një rruge, në të cilën Serbia nuk mori “gjithçka”, por mori “mjaft”, opinoni serb dhe ai shqiptar nuk kanë të qartë zhvillimin e bisedimeve dhe perspektivën e marrëveshjes së domosdoshme.  Deklarimet publike të Aleksandër Vuçiç “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi” ndihmojnë të kuptohet edhe qëllimi për të parapërgatitur opinonin e politikanëve e të e ushtarakëve, si dhe atë publik e shpirtëror fetar për kohën dhe mënyrën e njohjes së Kosovës. Në qëndrimin e tij pas takimit me Lajçakun del ideja e njohjes së Kosovës dhe ruajtja e stabilitetit politik e shoqëror. Ka ardhur momenti, kur me të vërtetë po flitet për modalitetet e njohjes së Kosovës. Qëllimi i këtij dialogu për Serbinë është vetëm se si të gjendet ndonjë model, sipas të cilit Serbia do të njohë në mënyrë përfundimtare Kosovën. Megjithë vazhdimin e politikës së vjetër, Vuçiç prej disa vitesh përpiqet të përgatisë për këtë terrenin përmes institucioneve të ndryshme, që deri tani i janë kundërvënë kësaj, si kisha, ushtria, apo Akademia serbe e Shkencave dhe Arteve.

Politikanët serbë këmbëngulin në lëshimet që kërkohet të bëjë secila palë, sidomos ajo e Kosovës, për arritjen e marrëveshjes. Megjithatë, Aleksandër Vuçiç, nuk e sheh se njohja reciproke mund të jetë ndonjë kompromis. Naim Leo Beshiri e konsideron si diçka që mund të çojë në një konkluzion të gabuar: “Koncepti i njohjes reciproke sjell një lloj konfuzioni, sepse Serbia nuk ka domosdoshmërisht nevojë për njohjen e Kosovës. Kosova nga ana tjetër ka më shumë nevojë për njohjen nga Serbia. Pra, kur flasim për presionet mbi Serbinë, ne flasim se si të gjendet mënyra më pak e dhimbshme që Serbia të njohë Kosovën. Vuçiç tani përqipet të marrë ndonjë avantazh ekonomik nga kjo, por duhet theksuar se edhe pa problemin e Kosovës Serbia ka shumë probleme të tjera, për shkak të të cilave nuk mund të llogarisë me sigurinë e anëtarësimit në BE”, thekson Beshiri. Me të drejtë nga politikanë të BE dhe personalitete të tjera jepen mendime se Vuçiç është i vetëdijshëm, që i gjithë ky proces po shkon drejt një lloj njohjeje të Kosovës. Por kjo marrëveshje e mundshme të paraqitet e tillë, sikur Serbia nuk është dorëzuar në gjithçka dhe ka fituar ato që dëshëronte. Që nga fillimi i bisedimeve në Bruksel, dihet se Serbia ka nëshkruar 50 dokumente të ndryshme me Kosovën. Serbia ka përfocuar pozitat e saj ndërkombëtare dhe ka ruajtur interesat ekonomike. Kosova ka qëndruar në tavolinën e bisedimeve si shtet i pavarur. Marrëveshjet kanë forcuar më tej sovranitetin e Kosovës dhe nga ana tjetër ajo nuk ka bërë lëshime as për Bashkësinë e Komunave Serbe, megjithë presionin ndërkombëtar. Rezultatet e bisedimeve tregojnë se pala serbe është detyruar të bëjë lëshime masive në këto bisedime, por në publik i ka propaganduar si proces, në të cilin askush as nuk ka humbur dhe as nuk ka fituar ndonjë gjë të veçantë.

Në vitin e fundit në Kosovë u ndërruan tre qeveri, ku la pasoja largimi pas 51 ditëve i Qeverisë së kryesuar nga Albin Kurti, për shkak të mënjanimit të pengesave për realizimin e marrëveshjeve në shërbim të zgjedhjeve presidenciale në Serbi e në SHBA. Me zgjedhjet e parakohëshme, Kurti forcoi mbështetjen nga populli dhe pritet të formohet Qeveria e Re e kryesuar prej tij. Për Serbinë dhe partnerët ndërkombëtarë rivihet në rendin e ditës shqetësimi se dialogu nuk është prioriteti kryesor, por referendumi për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës. Pala shqiptare nuk tregon shumë entusiazëm për vazhdimin e dialogut. Edhe Beogradi deri diku është indiferent, nëse do të vazhdojë dialogu. Prandaj, Dejan Bursaç nga Instituti për Studime Politike thotë për DW se: “ nuk sheh që Brukseli do të jetë në gjendje të ringjallë dialogun, nëse nuk ushtrohet presion pak më i madh, e këtë presion Brukseli nuk mund ta ushtrojë pa SHBA”. Këtu është edhe pyetja, se si do të paraqitet Albin Kurti, i cili opinionit të brendshëm publik i paraqitet si dikush, që i kundërvihet Perëndimit, por nga ana tjetër është dikush, që për gjithçka konsultohet me SHBA-në dhe Gjermaninë, vlerëson Bursaç. Presionin mbi Serbinë, ka një shtytje nga raporti i Parlamentit Evropian. Është me vend të përmendim se ky raport ndryshon nga ato të viteve të fundit. Këto sinjale në rrugë parlamentare janë inkurajuese megjithëse kanë në përmbajtje një formë të vogël presioni dhe dirigjimi të Beogradit drejt dialogut me Prishtinën. Priten më shumë përkushtime e presione zyrtare nga Komisioni i Bashkimi Evropian. Analiza e përparësive të gjeopolitikës evidenton faktin se pa rolin parësor të SHBA e BE dhe pa mbështetje nga Rusia e Kina nuk mund të arrihen qëllimet për prioritete të përbashkëta, vënien në lëvizje të dialogut dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare të njohjes. Serbisë i leverdis situata toleruese ndaj saj, përfiton nga interesat e ndryshme midis perëndimit e lindjes dhe kërkon e pret më shumë lëshime nga partnerët strategjikë e nga Kosova. Është e domosdoshme të mënjanohet përfundimisht ideja e ndarjes dhe ndryshimit të kufijve apo e shkëmbimit të territoreve. Në kohën e sotme moderne të zhvillimeve demokratike nuk pranohen politikat kolonialiste të tregtisë së territoreve nga interesa gjeopolitike. Me popullin shqiptar dhe me territoret e tij në Kosovë, Serbi etj, nuk mund të përsëriten në forma të reja pasojat e rënda të Traktatit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër dhe as të Kongresit të Berlinit. Serbia të mos vazhdojë më tej lojën e tregtisë së njohjes së Kosovës me anëtarësimin e garantuar në Bashkimin Evropian, Partia Progresive Serbe dhe presidenti i saj mendojnë se kjo mund t‘i lërë në pushtet për të paktën dhjetë vjet të tjera. Kjo është një llogaritje krejtësisht e gabuar. Serbia është e domosdoshme të reflektojë e të reagojë pa vonesë, të ndryshojë Kushtetutën ku përfshiu arbitrarisht Kosovën, të njohë e pranojë realitetin politik e gjeografik, të dëshmojë dëshirën e ndërgjegjshme për marrëveshjen me Kosovën, respektimin e të drejtave, miqësinë e bashkëpunimin e barabartë me shqiptarët në jugun e Serbisë.