Prof. Dr. Lush Susaj: Është rrënuar në themel demokracia dhe sjellja demokratike

701
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Pas bullizimit, fyerjeve dhe manipulimit të zgjedhjeve me të gjitha mënyrat dhe mjetet, nuk shoh asnjë mundësi, për një bashkëqeverisje Rama-Basha

Prof. Dr. Lush Susaj, në intervistën për gazetën “Telegraf” keqqeverisjen e ‘Rilindjes’ e shikon si rrënim të themeleve të demokracisë dhe sjelljes demokratike. Prof. Susaj, duke iu referuar arrestimeve të zyrtarëve të lartë për korrupsion (të emëruar nga vetë kryeministri) pohon se, në lidhje me kryetarët aktualë të bashkive dhe disa deputetë dallkaukë, nuk shoh që të ketë asnjë pikë morali shtetëror e politik. Ndërsa për Reformën në Arsim, Prof. Susaj thotë: Situata në shkolla dhe në universitete është përkeqësuar si kurrë më parë. Shkolla është goditur në thelbin e saj kombëtar dhe profesional.

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al: 

-Prof. Susaj, zjarret masive kanë treguar se investimi në zjarrfikëse është nënvleftësuar. Aktualisht qeveria investon më shumë në zyra, se sa në mjetet mbrojtëse nga zjarri. Cili është komenti juaj?

-Kjo lloj qeverisje që kemi, do të kujtohet shumë gjatë si qeverisja më e korruptuar, më fiktive, më klanore dhe me shkatërrimtare për pyjet, për mjedisin, për bujqësinë dhe për burimet e tjera natyrore e njerëzore të kombit shqiptar. E gjithë kjo ka ndodhur për shkak të rrënimit me themel të demokracisë dhe të sjelljes demokratike. Zjarret në pyjet dhe kullotat e Shqipërisë, kanë një specifikë, të cilën e njohin shumë mirë specialistët e bujqësisë dhe të gjithë banorët e krahinave malore të vendit. Ndërsa hiqen sikur nuk e dinë, nuk e shohin dhe nuk e njohin vetëm organet dhe institucionet përgjegjëse për ruajtjen dhe për administrimin e qëndrueshëm të mjedisit dhe territorit. Specifika ka të bëjë me faktin që për kushtet e Shqipërisë së viteve 2016-2021, sikurse edhe më parë, deri në fund të muajt qershor, në pyje ka pak zjarre, sepse i ruajnë njerëzit e armatosur që punojnë e shërbejnë në parcelat e kanabisit. Dihet që parcelat e kanabisit në Veri i ruajnë djem të armatosur nga Vlora, Lazarati, Tepelena, etj. Ndërsa në Jug, janë punësuar djem të armatosur nga Mirdita, Puka, Tropoja, Shkodra, etj. Deri në fundin e muajt qershor, zjarret ndodhin sa herë që policia sulmon dhe shkatërron parcelat e mbjella me kanabis. Në mënyrë të veçantë, zjarret shfaqen pas çdo ndërhyrje të FNSH-së, ose pas çdo hatërmbetje e xhelozie të kultivuesve të njohur të kanabisit në zonë. Ndërsa përgjatë gushtit, gjithnjë ka patur e do të ketë më shumë zjarre. Kjo sepse, nga njëra anë, bilanci i rreshjeve është në nivelet më të ulëta të vitit, ndërsa nga ana tjetër, gjatë kësaj periudhe, nuk ka kanabis dhe nuk ka as roje të armatosura nëpër pyje. Ndërsa fikja e zjarreve në pyje, por edhe në qytetet dhe fshatrat tona, është një proces që akoma kryhet me mjetet primitive të krahut, sikurse janë kazmat e lopatat. Në të gjithë Shqipërinë, për institucionet dhe mjetet e mbrojtjes kundra zjarrit, pothuajse nuk është bërë asgjë. Përveç mungesës së theksuar të investimeve reale në infrastrukturë, në paisje dhe në kualifikime, janë goditur e larguar specialistët dhe përvojat më të mira. Vendin e njerëzve të ditur e kanë zënë militantë dhe njerëz që mendojnë vetëm për të bërë tendera, demagogji dhe filmime nëpër konferenca e symposiume pa asnjë interes, as produkt.

“Pavarësisht se nuk janë përdorur auditorët, as laboratoret, as reagentët kimikë, as autobusët për praktika, as elektriciteti, as kondicionerët, etj, studentët janë të detyruar që të paguajnë 100% të tarifës vjetore”

“Studenti shqiptar nuk ka qenë kurrë më i pa dëgjuar, më i margjinalizuar, më i diskriminuar e më i mashtruar”

Njerëzit e paditur e të korruptuar të qeverisjeve kakistokratike të këtyre viteve, përveçse nuk dinë, nuk duan as të dëgjojnë për asgjë. Kjo më kujton një nga historitë e lexuara të Sulltan Muratit II (1404-1451), i cili e pati porositur djalin e tij Mehmetin, duke i thënë: “O bir, në këtë botë ka tre lloj njerëzish: Në llojin e pare, janë ata që mendojnë dhe shohin të ardhmen. Në llojin e dytë, janë ata që nuk dinë se cila është rruga e drejtë apo e shtrembër. Por po t’i këshillosh, marrin vesh dhe futen në rrugë të drejtë dhe jetojnë duke bërë siç ndjejnë e dëgjojnë. Kurse në llojin e tretë, janë ata që nuk dinë as dëgjojnë këshillat. O bir, nëse Zoti të ka krijuar nga lloji i parë, gëzohem dhe falenderoj Zotin. Nëse je nga të dytët, të këshilloj t’ua vesh veshin këshillimeve dhe paralajmërimeve që të bëhen. Por kurrë të mos futesh tek lloji i tretë, sepse ata nuk janë të mirë për Zotin, as për njerëzit”. Shqiptarët ka kohë që qeverisen nga njerëz të llojit të tretë, njerëz që nuk janë të mirë për njerëzit, as për natyrën dhe as për shoqërinë njerëzore. Kjo lloj qeverisje është një ‘KÇK’ tipike, e që nuk i bëhet fare vonë për pyjet, as për mjedisin dhe as për njerëzit dhe brezat që do të vijnë.

-Kohët e fundit shumë kryetarë bashkish të PS-së,  kanë pasur probleme  me deklaratat e pastërtisë së figurës, dhe së fundi shumë janë arrestuar. Çfarë tregon kjo?

– Pavarësisht nga lloji i punës apo pozicionit adminsitrativ e politik, e para dhe më e rendësishmja për çdo punë, është morali. Në lidhje me kryetarët aktualë të bashkive dhe disa deputetë dallkaukë, nuk shoh që të ketë asnjë pikë morali shtetëror e politik. Që të gjithë janë njerëz të emëruar pa garë, pa meritë dhe pa profesionalizëm. Të tillë njerëz janë mina me sahat, janë shkelës dhe dhunues të vazhdueshëm e të rëndomtë të ligjit dhe të moralit shtetëror e politik. Zgjedhjet lokale ishin tipike moniste, për pasojë në krye të punëve dhe të institucioneve, u vunë më të bindurit e klanit, ata më të shquarit për korrupsion, për nepotizëm dhe pafytyrësi. Këta njerëz janë dhe do të jenë target i parë i drejtësisë.

“Shqiptarët ka kohë që qeverisen nga njerëz të llojit të tretë, njerëz që nuk janë të mirë për njerëzit, as për natyrën dhe as për shoqërinë njerëzore. Kjo lloj qeverisje është një ‘KÇK’ tipike”

Sërish probleme me maturantët që po përgatisin dokumentet për studimet universitare. Shtyhen vazhdimisht aplikimet dhe kërkesat për dokumente, çfarë tregon kjo?

– Pavarësisht nga ajo që u propagandua në vitet 2012-2014, situata në shkolla dhe në universitete është përkeqësuar si kurrë më parë. Shkolla është goditur në thelbin e saj kombëtar dhe profesional. Në shkollat dhe universitetet tona nuk kultivohet më dashuria për punën, për dijen e as për atdheun. Më shumë se asgjë tjetër, duket që po kultivohet servilizmi, nihilizmi dhe mungesa e shpresës për të punuar e për të jetuar me punë të ndershme në Shqipëri. Pavarësisht nga shkresat dhe rregulloret e depozituara nëpër dosje, duket që është rikthyer koha dhe modeli sipas të cilit, çdo gjë zgjidhet dhe vendoset nga organizata bazë e partisë. Dihet se si me mariftete e me nepotizëm janë larguar profesionistët më të mirë të kurikulave dhe të teksteve shkollore dhe janë zëvendësuar me përkthyes të rëndomtë e mediokër, e që nuk dinë asgjë nga fusha e arsimit, profesionit dhe shkencës. Kështu i kanë shkatërruar të gjitha kurikulat dhe metodat e mësimdhënies dhe të mësuarit natyral, të mësuarit produktiv e krijues. Të gjithë e dimë mirë faktin që, njerëzit pa profesione, nuk mund ta ndërtojnë kurrë arsimin profesional.

– Në vitin e pandemisë studentëve u janë marrë pagesat dhe detyrimet edhe pse shkolla është bërë online. Jo vetëm kaq, por shteti fiton nga doktoraturat, apo mbrojtjet e temave post-universitare, miliona euro. Ku shkojnë këto pagesa?A rritet cilësia dhe investimi në auditore dhe konvkite?

– Studenti shqiptar nuk ka qenë kurrë më i padëgjuar, më i margjinalizuar, më i diskriminuar e më i mashtruar. Pavarësisht se nuk janë përdorur auditorët, as laboratoret, as reagentët kimikë, as autobusët për praktika, as elektriciteti, as kondicionerët, etj, studentët janë të detyruar që të paguajnë 100% të tarifës vjetore. Kjo për shkak se, shkollat dhe universitetet tona, përveçse janë infektuar rëndë nga nepotizmi, pandjeshmëria dhe krahinizmi, në këto 30 vite, duket sikur universitetet dhe shkollat janë kthyer në vatra të ngrohta të korrupsionit me tenderat, me prokurimet publike, me emërimet nepotike dhe me investimet nga ku ka mbetur shumë pak, për të mos thënë asgjë. Në shkollat dhe në universitetet tona, përveçse demagogjisë dhe fasadës, unë nuk shoh investime të mirëfillëta e në shërbim të drejtëpërdrejtë të mësimit dhe të përgatitjes shkencore dhe intelektuale. Në universitetet tona, shkruhet dhe flitet shumë për departamentin si njësi themelore. Ndërsa departamentin, grupin mësimor dhe as profesorët me dinjitet e me profesionalizëm të thellë, nuk i dëgjon më askush. Debati dhe diskutimi akademik e profesional, duket sikur po vdesin e po zëvendësohen me facebook, email, youtube, etj. Në universitetet tona duket sikur po mbytet edhe jeta letrare dhe artistike. Për talentët, poetët dhe shkrimtarët e rinj, duket që nuk ka më asnjë kujdes, asnjë projekt. Në letrat e dosjeve ekzistojnë paisje dhe laboratore të inauguruara disa herë dhe nga disa kryeministra. Ndërsa pas inaugurimit, për studentin duket që nuk ka mbetur asgjë. Në jo pak raste, studentët tanë e fillojnë dhe e mbarojnë shkollën pa prekur asnjë preparat e asnjë paisje teknike me dorë. Më e keqja e kësaj situate, lidhet me faktin që, edhe të ardhurat e siguruara nga pagesat e studentëve, bëhën pre e tenderave dhe blerjeve konspirative, e jashtë realitetit të mallrave, të çmimeve dhe tregjeve të kohës. Në këtë mënyrë, studentët janë detyruar që të paguajnë për diçka që nuk e kanë konsumuar.

“Në lidhje me kryetarët aktualë të bashkive dhe disa deputetë dallkaukë, nuk shoh që të ketë asnjë pikë morali shtetëror e politik”

– A mendoni se do ketë një bashkëqeverisje Rama- Basha?

– Pas bullizimit, fyerjeve dhe manipulimit të zgjedhjeve me të gjitha mënyrat dhe mjetet, nuk shoh asnjë mundësi për një bashkëqeverisje me bazë të gjerë e të dobishme midis drejtuesve kryesorë të politikës konfliktuale të Tiranës. Megjithatë jeta politike e shtetërore do të vazhdojë me patjetër. Ajo që duhet dhe që besoj që do të ndodhë me patjetër në shtator, është futja e opozitës në parlament dhe rikthimi i parlamentarizmit pluralist e real në jetën shtetërore e politike të vendit. Prezenca dhe beteja e opozitës demokratike në parlament është thelbësore, për funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Përkundrejt faktit që PD e Shqipërisë, duhet të tregojë vitalitetin dhe aftësinë e saj për të bashkëpunuar e për t’u hapur sa më pare, ndaj vlerave më të mira shkencore, menaxheriale dhe intelektuale të kombit shqiptar. PD nuk ka asnjë arsye dhe asnjë minutë kohë për të humbur, me kufomat politike dhe as me kufomat e korrupsionit dhe krimit të organizuar e ordiner të këtyre 30 viteve, në Shqipëri. Katarsisi i mirfilltë politik do ta shpëtojë njëherë e mirë PD-në dhe demokracinë shqiptare nga fytyrat e urryera të krimit dhe korrupsionit të këtyre 30 viteve. PD nuk është dhe nuk duhet të bëhet kurrë mburoja e askujt që ka shkelur ligjin, moralin politik dhe të drejtat e liritë themelore të njeriut. Ne e dimë se si është themeluar e rritur PD në vite. E dime edhe mënyrën se si është uzurpuar e klanizuar. Që nga viti 1994, intelektualët dhe themeluesit e sinqertë dhe antikomunistë të PD-së, e kanë pritur dhe e kanë dëshiruar një analizë dhe debat të hapur e të sinqertë për rikthimin e PD-së në shtratin dhe në misionin e saj historik, atë të demokratizmit dhe të zhvillimit evropian të Shqipërisë. Unë besoj se në shtator të këtij viti e në vazhdim, përballë qeverisjes arrogante, demagogjike, varfëruese e dehumanizuese të sektit “Rilindja” do të kemi një PD të hapur dhe të vetëpastruar nga të korruptuarit, nga kriminelët, nga injorantët dhe nga sjellja e vrazhdë otomano-komuniste.