Shqipëria “surpriza” e Monte Carlos: Let Albania Surprise You 

556
Sigal

Enkeleida na ka befasuar këtë herë. Nëse në çdo rast e shohim duke promovuar vlerat e sportit nëpërmjet programit dhe projekteve të saj, këtë herë ka zgjedhur të promovojë Shqipërinë.

“Let Albania surprise You” është shkrimi që e sjell vendin tonë më afër në një prej revistave më prestigjoze luksoze në Monte Carlo. Ishte idea e saj për  ta bërë të njohur vendin tonë në tregun e luksit menjëherë pas bisedës së parë me Luca Marotta, botues dhe Drejtorin Krijues të Revistës “Force One”. Ai është Italian dhe si italianët që kanë një dashuri pa kushte për Shqipërinë, ai e përqafoi mënjëherë idenë. Për detajet ishte e thjeshtë, Shqipëria ofron shumë për t’u bërë atraktive. Natyra është arma e fortë, 2 detet dhe turizmi malor. Më tej historia dhe monumentet, por edhe projekti i portit të jahteve në Porto Palermo, që natyrisht është primar për turizmin luksoz. Detajet që janë përzgjedhur për të përshkruar Shqipërinë në këtë shkrim natyrisht lidhen kryesisht me traditën, folklorin dhe veshjet tradicionale por edhe kulturën moderne. Shtëpia Zekate prej të cilës janë rrënjët e Enkeleidës është simbol i një historie që ka shkuar shumë larg kufijve.

Por në sytë e Enkeleidës, Tirana dhe Shqipëria janë edhe një treg i ri por shumë premtues investimesh. Prandaj ajo e prezanton metropolin tonë si një mundësi të re për tregun e Monte Carlos. Edhe gastronomia është një pikë e fortë e vendit tonë, ku kuzhina tradicionale dhe ajo luksoze evropiane janë pika të forta.

Giuda në këtë udhëtim ka qenë Enkeleida Zeko, një simbol i gazetarisë në Shqipëri si Autore dhe prezantuese e një prej emisioneve më të ndjekur sportiv “Fair Play”- kështu shkruan revista prestigjoze “Force One”. Ajo thekson se historia e familjes së saj Zekate e bën atë një person shumë të besueshëm në këtë udhëtim.

Natyrisht që Shqipëria është një treg në rritje dhe këtë Enkeleida e di shumë mirë. Sipas saj ndikimi i sportit është primar. Ai bashkon njerëzit dhe është promotori më i mirë i vlerave. Si një drejtuese Sportive ajo është shumë e lumtur që finalja e “Conference League 2021-2022” që do zhvillohet në 25 maj të vitit të ardhshëm në “Air Albania”, do të jetë një mundësi fantastike për të promovuar sportin dhe turizmin. Mesazhi i saj është:

Ejani dhe vizitoni Shqipërinë, do të gjeni një pritje të ngrohtë…

Ky është vetëm projekti i parë me revistën “Force One” pasi shumë shpejt Enkeleida Zeko po bëhet partenere me programin e saj “Fair Play”, në një projekt të ri, në Monte Carlo.

“Fair Play” në Monte Carlo

Programi televiziv shqiptar partner në Mitingun e 1 Internacional të Monte Carlos “Fiat 500”.

Në datën 17 korrik 2021 në Monte Carlo do të organizohet një event ku Enkeleida Zeka ka zgjedhur që të jetë partnere me programin e saj. Ju do të thoni pse pikërisht këtu? Sepse ajo mendon se “Fiat 500” solli edhe revolucionin femëror në Itali, ku kjo makinë është përdorur kryesisht nga gratë. Dhe ajo e përqafon mënjëherë nëse bëhet fjalë për nisma femërore. Programi “Fair Play” lindi si një kauzë e rëndësishme, jo vetëm për të promovuar sportin por edhe femrën në sport.

Ajo është gazetarja e parë sportive në Shqipëri që ka drejtuar një program sportiv, e vetme dhe më tej, ka krijuar një emision që mban emrin e saj.

Enkeleida është fituese e disa çmimeve si:

Gazetarja më e mirë Sportive “Ismet Bellova”

Emisioni Sportiv më i mirë

Drejtuesja më e mirë e Vitit

Imazhi Shqiptar 

Ajo është autore e shumë shkrimeve dhe botimeve në Shtypin e Ditës si dhe Anëtare e Komisionit Kombëtar kundër Dhunës në Sport.

Enkeleida Zeko ka zhvilluar shumë specializime jashtë Shqipërisë, ku së fundi ka qenë e ftuar nga Ambasada Amerikane dhe Departamenti Amerikan i Shtetit për projektin “Fuqizimi i Gruas përmes Sportit dhe Gazetarisë Sportive” .