Mbi 10 mijë të mitur, për t’i shpëtuar varfërisë, kërkojnë strehim në Itali

739
Sigal


Ëngjëll Musai
Drejtor i Gazetës Telegraf

Fakte të hidhura sociale-ekonomike, për të cilat “Rilindja” duhet të marrë masa për zgjidhje urgjente

“Dëgjesat me popullin” janë kthyer në mbledhje të hapura partie, me podium ministrat, deputetët, kryetarët e PS të zonave dhe me “popull” anëtarët e PS, që janë instruktuar për të përshëndetur fitoren e “Rilindjes”.

 

Ngarkesa e madhe shqetësuese sociale-ekonomike, e cila po shtohet për keq në çdo vit, nuk po bëhet tematikë e dëgjesave publike, që kryeministri po zhvillon nëpër qendrat e banuara. Se sa reale janë këto “dëgjesa”, kjo provohet me dëshmitë e shumta të banorëve, të cilët thonë se kryeministri vjen për të dëgjuar popullin për hallet që ka, por “dëgjon” vetëm ata që përgatiten paraprakisht nga ministrat edhe deputetët, qysh përpara se të vijë kryeministri në “dëgjesë”. Në mos kjo është porosi e dhënë nga kryeministri, ky fakt dihet prej tij dhe duhet ta ndalojë, mbasi nuk informohet për realitetin, por për “lustrat”, që i servirin deputetët e zonave me qëllim për të krijuar përshtypjen false se gjoja banorët në zonat e tyre “janë të lumtur, duan kryeministrin dhe qeverinë”! Në këto takime, kryeministri duhet të shkojë për të dëgjuar problemet konkrete që kanë banorët e zonave e jo të bëjë mbledhje partie me podium ministrat, deputetët, kryetarët e PS dhe me “popull” anëtarët e PS, që përshëndesin fitoren e “Rilindjes”! Kemi parë nëpër kronikat e “dëgjesave”, individë që kërkojnë tapi për ndërtimet e paligjshme, që “mallkojnë” dhe kërkojnë dënimin e përkrahësve të LSI, që lavdërojnë drejtorët e PS dhe kryeministri jep urdhra si të jetë “Tuç Maku” i prefekturës, rrethit, qytetit, komunës e fshatit! Por nuk shikon dhe nuk dëgjon hallet e shumta social-ekonomike, që kanë njerëzit, të cilët nuk kanë lidhje postesh as me zyrat e shtetit, as me bosët e pushtetit! Nuk dëgjon faktin, që fshatrat nuk kanë ujë për vaditje. Nuk dëgjon faktin që zonat rurale nuk kanë rrugë dhe për këtë shkak u digjen pyjet, pemëtoret, ullishtat e kullotat! Nuk dëgjon faktin, që në fshatra nuk ka mjekë e infermierë! Nuk dëgjon faktin, që tregjet janë mbushur me ushqime vrasëse, që prodhohen ilegalisht në Shqipëri e që futen nga importi me letra cilësie të falsifikuar! Nuk dëgjon faktin, që KEMP-et në prefektura dhe KEMP-i Epror tallet, masakron invalidët e vërtetë edhe pa këmbë e pa duar, me vajtje-ardhje të kota nga zona në prefekturë e deri në Tiranë disa herë dhe nuk u japin pensione! Nuk dëgjon faktin, që në qytete nuk ka asnjë pikë ujë e në fshatra nuk ka energji elektrike e shkolla. Banorët e çdo zone, kanë probleme shqetësuese sociale, që duhen dëgjuar dhe trajtuar me zgjidhje e jo me shënim në “blloqet defterë-bakall të dëgjesave…


Për t’i shpëtuar varfërisë, të miturit kërkojnë strehim jashtë vendit

Edhe pse jo toka e ëndërrave (Amerika), Italia për të miturit nga Shqipëria është një tokë për t’i shpërtuar varfërisë në Shqipëri. Janë më shumë se 10 mijë fëmijë shqiptarë që nën motivacionin, “nuk kemi familje dhe të afërm se ku mund të mbështetemi” kanë kërkuar një strehë, ushqim dhe përkujdesje në Itali në 7 vitet e fundit. Pak dihet mbi ecurinë e tyre pasi arrijnë moshën e pjekurisë. E humbura e madhe është Shqipëria. Sipas të dhënave nga zyra për të Miturit e Huaj të Pashoqëruar, fëmijët shqiptarë renditen të tretët pas atyre nga Ukraina dhe Egjipti për numrin më të lartë të kërkesave për përkujdesje në Itali.

“Ulërima” e varfërisë ekstreme: 65% e shqiptarëve ushqehen vetëm 1.1 herë në ditë

Gazeta “Telegraf” ka përgatitur një studim social, lidhur me nivelin dhe kushtet e jetesës së shqiptarëve në 2 vitet e fundit. Në këtë studim, një nga kapitujt është sasia e ushqimit që sigurojnë shqiptarët e nivelit faktik të varfërisë si numër. Sot po i dërgojmë kryeministrit publikisht për “dëgjesë”, faktin që Shqipëria ka popullsi masive të varfër, e cila ushqehet shumë pak si sasi dhe shumë keq si kalori. Sipas këtij studimi, shqiptarët janë populli që ushqehet nën nivelin e standardit të lejueshëm minimal, të përcaktuar nga Organizata Botërore e Ushqimit (OBU) dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), referuar nivelit botëror të mbijetesës për vendet në tranzicion, ku përfshihet dhe Shqipëria. Sipas të dhënave studimore, në Shqipëri rezulton ky realitet ushqyerje:

  1. Afro 65% e shqiptarëve sigurojnë vetëm 40% të ushqimit jetik ditor me 25% të kalorive të domosdoshme, ose ushqehen vetëm 1.3 herë në ditë.
  2. Ndihma ekonomike, sa 10% e kuotës ushqimore jetike e të varfërve ekstrem në Somali
  3. Afro 65% e shqiptarëve, sigurojnë vetëm 40% të ushqimit të domosdoshëm jetik ditor.
  4. Afro 20% e shqiptarëve sigurojnë vetëm 35% të ushqimit të domosdoshëm minimal ditor.
  5. Afro 15 % e shqiptarëve jetojnë me lypje dhe sigurojnë vetëm 30% të ushqimit për mbijetesë.
  6. Afro 10% e familjeve shqiptare, sigurojnë 70% të ushqimit minimal jetik ditor, duke përdorur fëmijët 1-13 vjeç për lypje e punë rruge.
  7. Afro 75% e shqiptarëve konsumojnë ushqime, të cilat kanë vetëm 25% të kalorive të domosdoshme ushqimore ditore për mbijetesë.

Sondazhi:  “Një në dy shqiptarë duan të ikin nga vendi”. Besim i ulët i qytetarëve ndaj gjithë institucioneve dhe reformës në drejtësi

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim publikoi sot në Tiranë Sondazhin e Opinionit Publik mbi Besimin në Qeverisje. Sondazhi zbuloi një besim të ulët të qytetarëve ndaj gjithë institucioneve shtetërore e politike në vend, si dhe tek reforma në drejtësi. Në raport thuhet se një në dy shqiptarë duan të ikin nga vendi dhe perceptimi i tyre për korrupsionin shtetëror mbetet i lartë.
Sondazhi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim u shtri në 61 bashki të vendit dhe mblodhi vlerësime të ulëta nga qytetatët për nivelin e besimit tek qeveria, parlamenti, presidenti, partitë politike dhe tek drejtësia.

Të anketuarit kanë shprehur më shumë besim tek organizmat ndërkombëtare, si NATO, OKB, dhe BE se sa tek ato vendase. Ndërsa brenda vendit më shumë besim kanë tek institucionet fetare dhe shoqatat.