Ish-ushtarakët, letër të hapur Edi Ramës/ Kolonel Shkëlqim Selmani, i specializuar në SHBA: Bëji një të mirë Shqipërisë, jep dorëheqjen! Homologët e tu në botë e kanë bërë edhe për një urë të rrëzuar. Mos e ço popullin tënd në luftë klasore e as në përplasje civile

1179
Sigal

Bëji një të mirë Shqipërisë, jep dorëheqjen!

 

Letër e hapur, Kryeministrit Edi Rama

 

Shkëlqim Selmani, kolonel në rezervë, specialist sigurie

 

Zoti kryeministër! Jam Shkëlqim Selmani, oficer madhor në rezervë e specialist sigurie i trajnuar për këtë tre herë nga ICITAP amerikan, këtu në Shqipëri si edhe në ShBA. Aktualisht i pa punë…. Kjo sa për një miniprezantim.

Para disa ditësh bëra një postim ku deklaroja se nuk do shkruaj më për politikën partiake. Ndihesha i lodhur, i padëgjuar dhe zhgënjyer nga kjo politikë ” bjeri Zaçe allashqiptarçe”, ndaj mendova se nuk ia vlente të lodhesha duke hedhur gurë në pus. Një pjesë e miqve të mi intelektualë e aprovuan qëndrimin tim e një pjesë jo. Unë vetë e vendosa që vitet që më kanë ngelur të angazhohesha vetëm në komente e analiza që do i shërbenin më shumë Shqipërisë së sa partisë, kushdo qoftë ajo, që mendjen e kanë të pushteti dhe jo të shteti e prosperiteti i atdheut. Po përpiqem ta mbaj fjalën dhe kjo letër për ju atë synim ka. Të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve, të paktën kështu e mendoj unë.

  1. Kryeministër! Ju keni 21 vjet në pushtet si ministër i kulturës, kryetar i bashkisë Tiranë dhe së fundmi edhe kryeministër i Shqipërisë. Nuk u ngopët?! E vërteta është se ju keni ngjitur shkallët e pushtetit falë punës, këmbënguljes dhe aftësive tuaja makiavelike. E vërtetë është që keni disa aftësi të lindura për politikan, e vërtetë është se keni bërë disa gjëra të mira dhe keni përmbysur shumë tabu të modeleve qeverisëse para jush, por e vërteta më e madhe është, se ju keni qeverisur duke vënë në plan të parë interesat tuaja personale dhe të atyre potencialeve politike, ekonomike e ndërkombëtare që ju kanë mbështetur në ngjitjen dhe mbajtjen tuaj në pushtet.

Në dukje normale kjo, por anormale është se ju nuk keni menduar asnjë ditë për interesat ekonomike e demokratike të popullit tuaj që ju ka votuar dhe ju mban në shpinë me gjithë këto të mira që i ke krijuar vetes dhe më tepër bashkëpunëtorëve tuaj të bindur politikë, mediatikë, oligarkë e të huaj, të cilët të bëjnë qejfin e të mbështesin për interesat dhe fitimet e tyre dhe sapo të shohin, se ti mund të gremisesh, do të lënë menjëherë në baltë. Ti e di mirë këtë e ndaj i je qepur pushtetit më thonj e dhëmbë, por e ke gabim. Nuk është kjo rruga e drejtë që ka shpërblim, por rruga e gabuar që ka ndëshkim.

Zoti kryeministër! Keni 6 vjet që qeverisni! Erdhët në pushtet plot premtime e shumë bujë. Pa marrë ende drejtimin e qeverisë në 2013-n, nga padurimi a fiksimi, filluat mbledhjet e qeverisë që nga Kosova, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Vlora, e ku di unë ku tjetër, duke marrë më vete një shpurë ndjekësish e rojesh, duke harxhuar milona lekë shpenzime të kota, patjetër nga xhepat e popullit, e përse, për show e tangërllëk. E morët drejtimin e qeverisë dhe puna e parë ishte marrja e borxhit të huaj 270 milionë euro për të paguar borxhet e qeverisë së mëparshme?! Pastaj filluat fundin e marrëzisë më llotot dhe marrëzia pas tre muajsh shkoi në majë. Më pas filluat të hidhni në erë me dinamit godina pa leje duke shkatërruar edhe ato më leje pranë tyre e duke ngjallur llahtar të panevojshëm të qytetarët, se qeveria e zë lepurin më qerre o mik dhe jo me dinamit. Vazhdove me rritje taksash dhe tarifash deri në dhjetëfish, mbyte biznesin e vogël dhe detyrove 300 mijë shqiptarë të ikin nga sytë këmbët. Burg, burg, burg për qytetarët dhe pallë, pallë, pallë për oligarkët dhe qeveritarët. Nuk po flas se ç’bëre me opozitën, mediat, drejtësinë, se ti e di më mirë se kushdo. Janë me mijëra skandale që e rëndojnë qeverisjen tënde 6-vjeçare si kryeministër, edhe kur nuk e kishe të gjithë tepsinë, edhe tani që ke edhe timonin edhe tepsinë… I fundit fare ky më Beketin, 110 milionë euro, që me gjithë shpenzimet gjyqësore, dëmshpërblimet për të dëmtuarit e tjerë thonë se shkon 300 milionë euro. Mos të flasim pastaj për PPP-të, projektin e Unazës, minatorët, studentët, sigurinë ushqimore, sigurinë kombëtare, politikën e jashtme, drogën, lidhjen më krimin, blerjen e votave etj., etj.

Zoti kryeministër, e di që kjo pjesë do të mërziti shumë, po e lexove këtë letër të hapur, dhe sigurisht do përpiqesh të përdorësh inteligjencën dhe oratorinë tënde për t’i hedhur poshtë këto akuza që nuk i bëra unë për herë të parë, unë i gjeta midis jush të artikuluara mijëra herë nga shumë të tjerë. Mos iu bëj zhvlerësimin e këtyre akuzave, mendohu gjatë njëherë, se ti e di më mirë se kushdo që janë të vërteta!

  • Ka ardhur momenti jo që t’i pranosh, mirë do ishte, por që të reflektosh dhe të kuptosh se, edhe falë teje ky popull shqiptar nuk është më aq budalla sa duket dhe as aq dele sa mendohet.
  • Ka ardhur momenti të kuptosh, se nuk është mirë dhe nuk shtyhet më me mashtrime dhe keqqeverisje.
  • Ka ardhur koha të kuptosh, se edhe ndërkombëtarët e kuptojnë mirë situatën e rëndë politikë dhe ekonomikë që ndodhet Shqipëria edhe pas 30 vjetësh pluralizëm e gjoja demokraci dhe se ka ardhur momenti t’i jepet fund këtij tranzicioni të gjatë e të qëllimshëm.

Zoti kryeministër, të lutem kuptoje se në pozicionin ku ndodhesh ke ende një As shumë të rëndësishëm dhe të dobishëm në dorë. Ky As do të shënojë në histori si kryeministrin që nuk e mundi arroganca e vet, frika e vet dhe mafia politike e ekonomike, por në momentin e duhur bëri veprimin e duhur për t’i shërbyer Shqipërisë në fillimin e një rrugë të re, e një kapitulli të ri në aspiratën drejt Evropës, demokracisë e shtetit të së drejtës.

Jep dorëheqjen Zoti kryeministër!

Mos e ço popullin tënd në luftë klasore e as në përplasje civile. Kolegët e tu në botë e kanë bërë këtë edhe për një urë të rrëzuar, edhe për një premtim të pa mbajtur, edhe për një skandal të një ministri…. Po ti pse ke frikë? Nga kush? Jepe dorëheqjen Edi, kjo të lartëson! Prano kushtet e opozitës për qeveri tranzitore, kjo të nderon! Bëj thirrje ti dhe të gjithë drejtuesit e partive të tjera shqiptare për zgjedhje të lira e të ndershme. Organizoni zgjedhje të lira e të ndershme dhe historia e populli do qetësohet e do ju falë gabimet, mashtrimet, kusaritë dhe ligësitë që i keni bërë këtij populli dhe do ju vlerësojë, se ja më në fund e bëtë diçka shumë të mirë për popullin, demokracinë e Shqipërinë. Fitoji ti sërish zgjedhjet, po munde Edi Rama, por:

  • pa mashtrime,
  • pa vjedhje
  • pa blerje votë,
  • pa të fortë
  • pa dhunë,

sepse këto jo vetëm që shkatërrojnë sistemin e votës së lirë e të ndershme, por të bëjnë edhe peng të mafies e krimit, që në fund, si pasojë, e paguan vetëm populli i thjeshtë. Unë jam kundër protestave të dhunshme, jam kundër përplasjes civile, jam kundër kthimit të partive në ushtri antagoniste në luftën për pushtet të individëve, por para kësaj jam kundër arrogancës, jam kundër qeverisjes së keqe e skandaleve qeverisëse të cilat çojnë në zemërim popullor e ndoshta edhe në përplasje civile, gjë që ka ndodhur në Shqipëri e pasojat e saj i vuajmë ende edhe sot… Që kjo të mos ndodhë e keni më shumë nga të gjithë ju në dorë.

Jep dorëheqjen, jo vetëm se ta kërkon opozita dhe protestuesit, por se në këtë situatë e kërkojnë interesat e larta të vendit. Kaq kisha për të thënë, pa urrejtje, modestisht e sinqerisht Zoti kryeministër.

E di që kjo letër në leximin e parë nuk do të pëlqej as ty, as të tuve e as të mive, por në leximin e dytë do të më jepni të drejtë, e po nuk më dhatë ju do më japin ata qindra e mijëra shqiptarë të thjeshtë që e duan Shqipërinë dhe begatinë e sigurinë e familjeve të tyre më shumë se partinë dhe armiqësinë. Faleminderit!