Hyqmet Zane: Kush e ka marrë peng  Shoqatën Çamëria ?

497
Sigal

Ku ndodhet, kush e ka marrë peng Shoqatën Çamëria ? Nuk është një pyetje sensacionale, por një e vërtetë e hidhur se Shoqata Çamëria, bëhet fjalë për atë “Shoqërinë Politike Atdhetare Çamëria” të krijuar 31 vjet më parë dhe ku edhe unë isha protagonist. Iku edhe 2021 dhe në këtë fillim janari vjen një datë e shënuar 10 janari që na çon në vitin 1991. Mbaj mend se isha një djalë i ri atëherë dhe së bashku me Mehmet Qamil Izeti ishim bashkë në mbledhjen e parë zyrtare të krijimit të atij organizimi për të menduar dhe zgjidhur problemin çam, kryetar i së cilës u zgjodh Abaz Dojaka (ndjesë pastë).

Por sot pas 31 vjetësh jam në një hall të madh se nuk di përse ka pushuar së ekzistuari organizimi më i rëndësishëm kombëtar, pas krijimit të Partisë Demokratike, si e para forcë politike me lejimin e pluralizmit në Shqipëri. Realisht sot është një shqetësim i ligjshëm jo thjesht për mua, por për të gjithë ata trashëgimtarë që e duan Çamërinë dhe duan të japin kontribute të sinqerta për kauzën e madhe .

31 vjet më parë nuk kishte gëzim më të madh të jetës sonë në startin e tranzicioni demokratik shqiptar të mendonim, të flisnim e të punonim për kauzën e Çamërisë. Jo vetëm për ne që ishim të pranishëm në atë sallën e vogël ku u morën vendime të mëdha për të menduar për trajtimin dhe zgjidhjen e çështjes çame, por për të gjithë ata bij e bija, nëna e baballarë, gjyshër e stërgjyshër që erdhën nga Çamëria në Shqipëri mes flakëve të Luftës II Botërore dhe genocidit grek. Ishte një gëzim se më në fund do të dinim të mendonim lirshëm për veten tonë dhe puna me kryetar Abaz Dojakën nisi mbarë, si edhe organizimi në mbarë qytetet e fshatrat ku kishte familje të shqiptarëve të ardhur nga Çamëria.

U dhanë edhe kontribute modeste në para nga çdo familje që kontaktohej dhe njihej me këtë organizim të ri. Derë më derë me një fletore në dorë dhe me një dëshirë të pashuar bënim regjistrimin e familjeve dhe pjesëtarëve të saj si dhe të atyre që kishin ikur, nga cili vend i Çamërisë ishin dhe çfarë fisi përfaqësonin. Ishte një punë e lodhshme, por e domosdoshme dhe fisnike që na bëri të njihnim edhe më thellë njeri-tjetrin se sa ishim e ku ishim, duke dëgjuar edhe histori të pasojave të genocidit grek. Ato histori i përmblodha në një libër të botuar më 2009 dhe ribotuar me ndryshime më 2021 “Çamëria dhe Kosova – Genocid pa ndëshkim”.

Kështu nisi ai angazhim dinjitoz për të ditur ku jemi e sa jemi dhe sipas statistikave përbënim rreth 10 përqind të popullsisë së Shqipërisë çka na jepte të drejtën të bëheshim një forcë unike dhe faktor në përcaktimin e programit kombëtar për zgjidhjen e çështjes çame. Edhe në programet e partive politike u vunë objektiva për trajtimin e çështjes çame që më pas u zbehën dhe u hoqën siç edhe është realiteti i sotëm.

Nga krijimi i Shoqatës deri në kohën kur kryetar i përgjithshëm ishte Ardian Tana në vitin 2005, kishte një organizim të vrullshëm dhe me shumë punë që u bënë që nga vendosja e 27 qershorit si dita e genocidit grek mbi Çamërinë, Traktati i Miqësisë shqiptaro – greke, edhe pse pati zhvillime të njëanshme vetëm nga pala shqiptare, se pala greke kishte synime shoviniste, Kryesitë e Shoqatës kudo ku ishin bashkë me këshillat e përgjitshëm mblidheshin çdo muaj kryesia dhe dilte me detyra konkrete. Edhe protesta për Rezolutën çame më 2004 dhe protesta të tjera para ambasadës greke, kishin mbështetje edhe nga pjesa tjetër jo çame kudo. Aktivitetet ishin të fuqishme. Me një fjalë kishte një shpresë për të ecur  edhe pse qeverisjet e njëpasnjëshme shqiptare nuk kishin dhënë mbështetje për Shoqatën Çamëria si dhe pengesat që bëheshin përmes lobingjeve greke me njerëzit e saj dhe të blerë që përdoreshin kundër interesave të shqiptarëve të Çamërisë të ardhur në Shqipëri.

I gjithë ky angazhim mendohej se do të ishte një bazë e mirë edhe kur u formuan PDI, një parti serioze që lëvizi nga vendi qeverisjet, sepse u tha atyre që tanimë do mendojmë për kauzën tonë. Pikërisht pas kësaj me krijimin e PDU-së u prish balanca e idealeve dhe ajo parti me kryetarin e saj u prirën drejt interesave të tyre se sa kundër pengesave të politikës shqiptare ndaj çështjes çame. Edhe pse bashkimi PDI + PDU që prodhoi PDIU u konceptua si një bashkim për të treguar forcën tonë dhe që çoi në 5 deputetë, më pas sjelljet e drejtuesve të kësaj partie, sidomos të atij që e drejton sot, ishin katërcipërisht të kundërta me kauzën e Çamërisë.

E gjithë kjo ishte rrjedhojë e ndërhyrjeve tek Shoqata Çamëria kur u fillua që kryetari i Shoqatës të emërohej nga kryetari i PDIU, u krijua një situatë e nderë e sundimit të Shoqatës nga një emër që sot është i padëshirueshëm për çamët. Shoqata ka pasur zyra në çdo rreth, porse sot nuk i kemi ato dhe ka humbur adresa e saj. Këtë e shprehin me të gjitha mënyrat edhe në Vlorë dhe Durrës, në Elbasan dhe Fier e kudo. Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi futi frymëm e privacisë dhe sundimit të tij mbi Shoqatën Çamëria sa sot jemi pa kryetar, pa organizimin e vogël të Shoqatës në degë dhe pa një përfaqësim dinjitoz në rang kombëtar.

Pa dashur që të futem në punët e PDIU, dua të them se edhe vetë kjo parti, që flet në emër të Shoqatës dhe të shqiptarëve të Çamërisë, ka të njejtën situatë se i ka humbur nam e nishan dhe ekzistenca e saj është thjesht në interes të një grupi të vogël njerëzish që kanë interesa të tyre private dhe aspak çështjen dhe kauzën e Çamërisë.

Mbi të gjitha mungon fjala “Çamëri” sipas dëshirës së grekëve që ia ka kërkuar këtë qeverisë shqiptare. Ku është  studio angleze që u tha se do ishte zgjidhja e problemit me avokaturën e saj, ndërkohë që Shoqata Çamëria ishte tkurrur dhe u bë inekzistente, thjesht sa për emër. U fol kaq vjet për Rezolutën e Çamërisë si produkt i Shoqatës Çamëria që u nxorr nga sirtari se e kishte zënë pluhuri, por që ka 8 vjet që doli nga një sirtar dhe hyri në një sirtar tjetër të harresës si për të thënë u fut në kalendat greke që të mos flitet për të dhe në vend të trajtimit të problemeve, manipulohej situata me heqjen e një kryetari të Shoqatës dhe komandimin e një tjetri e kështu për disa vjet, që sot të mos kemi as kryetar dhe as kauz e as platformë dhe as një shpresë.

Aktiviteti është puna kryesore e Shoqatës Çamëria që është vatra e ndezur e kauzës sonë që në një formë a në një tjetër mbante gjallë opinionin dhe u pa si shpresë PDI, kryetari i së cilës nisi takimet si ajo në  Strazburb me kryekomisionerin Tomas Hamerberg. Në funksion të Shoqatës, PDI nga 20007 deri ne 2010 shkuan disa herë në Kongresin dhe senatin amerikan, u bënë takime të rëndësishme me kongresmenë dhe senatorë deri tek grupi lobingut në Ëashington, dy pjesëtarë të së cilës erdhën dhe në Shqipëri për herë të parë, duke marrë përsipër që ta kalonin Rezolutën për Çamërinë në komisionin e jashtëm të Kongresit Amerikan,

Ndërkohë që ishin bërë këto përpjekje në emër të Shoqatës Çamëria nga ana e PDI, sot ndodhemi në një situatë amorfe, si e marrë peng nga PDIU dhe kryetari i saj Shpëtim Idrizi. Ku është amaneti i të parëve që duket se është zëvendësuar me emërime postesh në drejtori të qeverisjes së majtë si interes imediat i partisë dhe jo i Shoqatës që nuk ka tashmë as zgjedhjet e kryetarit të përgjithshëm, as Kuvend të përgjithshëm, as zë e as frymë. Tamam e marrë peng një kauz e madhe që është klithmë e madhe.  Ajo që funksionon sot është vetëm ajo që çfarë do Shpëtim Idrizi që publikon në gazetën Çamëria punët e PDIU, por jo të Shoqatës Çamëria.

Unë gazetari i çështjes çame e kam të mbyllur gazetën Çamëria si një mbyllje fgoje, por që nuk ka urdhër që të më mbyllë mua gojën për të trajtuar dhe menduar e shkruar për kauzën e amanetit të kauzës së shenjtë të Çamërisë. Ky shkrim është një mesazh për mijëra e mijëra shqiptarë të Çamërisë në Shqipëri, vëllezër të mi që duhet t’i dalin zot amanetit të të parëve që nuk e tret as dheu i Çamërisë, nuk e fal as gjaku i të rënëve, por as amaneti i gjyshërve e prindërve tanë që ikën nga kjo jetë me marazin e madh që Çamëria – vatra jonë amtare ka mbetur jetime pa të zotët e vet që ta kërkojnë drejtësinë dhe kthimin e të drejtave të mohuara nga shovinizmi grek dhe që u ka ardhur në ndihmë qeveria shqiptare.

U drejtohem të gjithë vëllezërve e motrave të bëjnë këto pyetje dhe t’u japin përgjigje reale :

Unë e dua Çamërinë , por sa punoj për të ?

Ti e don Çamërinë , por sa punon t’i për të ?

Ai / Ajo e don Çamërinë , por sa punojnë për të ?

Ne e dojm(duam) Çamërinë , por sa punojmë për të ?

Ju e doni Çamërinë , por ju sa punoni për të ?

Ata/Ato e duan Çamërinë , por sa punojnë për të ?