Flet “Mjeshtri i Madh” Gëzim Tushi: Sot në familjet shqiptare kanë humbur shumë tradita, zakone, janë ftohur lidhjet e gjakut dhe “pasionet fisnore” të dikurshme

12
Sigal

-Emigracioni ka sjellë një thyerje të raporteve familjare për shkak të largësisë.

Kujdesi për familjen, kusht për shëndetin e shoqërisë, por që jemi larg traditës.

Liberalizimi dhe prirja individualiste e jetës është reflektuar në tronditjen e shoqërisë dhe familjes.

– Dhuna në familje, konfliktet e zgjeruara për motive thelbësore dhe banale sjellin krisjen e familjes

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Telegraf.al / Diskutimet dhe shqetësimet për situatën e familjes shqiptare kohët e fundit janë shtuar me intensitet të veçantë. Ndoshta si kurrë më parë, për shkak të zhvillimeve kaotike që ka sjellë jeta moderne, kanë ndodhur dhe vazhdojnë me intensitet të lartë social zhvillime të forta tronditëse, ontologjike dhe strukturore brenda familjes shqiptare. Brenda tre dekadave të fillimit të epokës së shoqërisë moderne në Shqipëri, kanë ndryshuar dukshëm familja si tipologji dhe strukturë themelore e intimitetit dhe bazë e organizimit të jetës sociale. Tashmë në mënyrë evidente dallohet se në familjen tonë janë cënuar paradigmat konservatore e paternaliste, tabutë e vjetra, format arkaike të ndërtimit të raporteve relacionale tradicionale midis pjesëtarëve të saj.

  

-Sot flitet shumë për familjen. Diskutimet në panelet televizive apo shkrimet e ndryshme në media tregojnë problemet e saj. Por megjithatë mund të thuhet se famailja shqiptare është në krizë. Kryesisht në vitet ‘90 kemi pasur 9 divorce për çdo 100 martesa, ndërsa vitet e fundit statistikat e zgjidhjeve të martesave janë shumë të larta, shkojnë 24-26% për çdo 100 martesa. Besoj një fenomen shqetësues?

Liberalizimi dhe prirja individualiste e jetës është reflektuar në tronditjen e skemave vertikale të autoritetit dhe autoritarizmit maskilist. Kanë ndryshuar raportet midis burrave dhe grave, midis brezave, parimet e ndryshkura të prindërimit arkaik dhe në përgjithësi e tërë struktura e lidhjeve sociale e “marrëdhënieve disiplinore”, format e lidhjeve intime të ndërtuara nga njerëzit brenda familjes së tyre. Ato janë transformime me përmasa madhore, me efekte të thella konceptuale dhe strukturore, që jo vetëm brenda saj kanë sjellë probleme, por që ndihen të fuqishme edhe në jetën e përbashkët sociale, në ndryshimin e dukshëm të “sistemit të vlerave” dhe në nxitjen e një procesi social kombëtar, që po ndikon në rivlerësimin dhe ridimensionimin e raporteve tradicionale dhe të rolit të familjes në shoqërinë moderne shqiptare. Padyshim, kjo situatë e re e ndryshuar thelbësisht ka bërë që jo vetëm në gjirin e familjes, por dhe në terrenin e gjërë social të shoqërisë shqiptare, të shfaqen në mënyrë të detyruar, por përgjithësisht në formë të pastrukturuar, të parregullt ose shumë herë për ekzibicion social formal “postmodern”, shumë fenomene në formën e shqetësimeve, kontradiktave, konflikteve të sintetizuara në probleme komplekse me natyrë ekonomike, psikologjike, komunikative dhe paqartësi shpirtërore. Momentalisht megjithë turbulencat e dukshme, është epërsi sociale që në përgjithësi familja shqiptare është konsistente dhe vazhdon të jetë strukturë me autoritet social të admirueshëm. Nuk është pak që në shoqërinë tonë megjithë të metat dhe problemet që lidhen me proceset e individualizimit, modernizimit, liberalizimit dhe demokratizimit (procese të natyrshme dhe endemike të evolucionit të brendhshëm të saj) ajo ka qënë dhe mbetet institucioni tradicional më me peshë, mënyra themelore e organizimit të jetës intime dhe formacion fondamental bazë i organizimit të jetës sociale. Megjithatë nuk do të ishim realistë nëse nuk pranojmë ekzistencën e disa patologjive të berndshme, që tani nuk janë metaforë mjekësore, por realitete që janë kthyer në “acide gërryese” për rolin dhe funksionet e tronditura të saj.

-Janë shumë faktorë që kanë sjellë tronditjen e familjes shqiptare. Kush është një ndër to nga më kryesoret?

Dhuna në familje, konflikte të zgjeruara për motive thelbësore dhe banale, konfliktet bashkëshortore dhe niveli në rritje i divorceve, niveli në rënie i “kuotave të prindërimit” dhe konfliktet e zgjeruara midis prindërve dhe fëmijëve, vrasjet dhe vetëvrasje për xhelozi apo konfliktet të sjelljes bashkohore dhe përplasjes së tyre me kornizat e vjetra morale të shoqërisë maskiliste, patriarkale, paternaliste e autoritariste, janë probleme koherente, esenciale dhe ekzistenciale, me natyrë sociologjike e kulturore formale dhe thelbësore, strukturore dhe funksionale. Këto dhe shumë dukuri të tjera komplementare, janë bërë vërtet shqetësuese. Në vlerësimin tim dhe duke diagnostikuar shëndetin e familjes aktuale shqiptare, më duket se ajo është ende në kapërxyell apo në tranzicion. Kjo do të thotë se në mënyrë të natyrshme është në situatë ndryshimesh strukturore e materiale por dhe përballur ashpër me paqartësi konceptuale, për pasojë është bërë një “qelizë sociale” ku gjithnjë e më tepër grumbullohen shumë probleme, zhvillohen konflikte, kontradikta të zgjeruara më natyrë interpersonale në marrëdhëniet midis pjestarëve të saj. Por ka një shqetësim që duhet evidentuar. Kohët e fundit situata në familjen shqiptare rurale, urbane apo rurale, metropolitane, tradicionale, etike apo “dinastike” qoftë, është bërë akoma më e agravuar. Shqetësimi në këtë rast është me natyrë të gjërë sociale, nga që në familjen shqiptare po akumulohen veç problemeve funksionale, strukturore edhe çështje të tjera me natyrë kulturore dhe edukative, që përgjithësisht kanë impakt në sjelljen sociale dhe ontologjinë e përgjithshme të jetës dhe shëndetit të shoqërisë tonë. Ndërkaq, veç problemeve të shumta sociale me natyrë “mishtore dhe “shpirtërore”, që zhvillohen në raportet e “ndryshuara” të fenomenologjisë së jetës intime midis pjestarëve brenda saj (martesa, divorci dhe lëkundja e autoritetit prindëror), kanë filluar të shfaqen tek tuk edhe ide sociologjike kontradiktore, më shumë të infiltruara si ekzibicion moderniteti, por edhe si probleme të vërteta të kohës, për të justifikuar mënyrën shumë herë formalisto-moderne dhe herë “anti-tradicionale”, si nënvlerësim për rolin, funksionet, vlerën ekzistenciale të saj. Padyshim, një pjesë e ideve sociale që qarkullojnë teorikisht, janë ndikuese në praktikën e jetës së familjes sonë. Ato herë janë të sakta, pozitive herë duken si ide të “importuara” e të çoroditura që ushqejnë konceptin anarkist të jetës “anti-familje”. Këto ide kanë filluar gjithësesi të kenë efekt social mbi strukturën, kompozimin dhe funksionimin e familjes shqiptare. Ato janë reflektim i ndikimit të pskologjisë kontroversale të kohës, që e vlerësojnë në mënyrë të kufizuar, madje edhe me nënvleftësim social rolin e veçantë të familjes si organizim social themelor i pandryshuar edhe për kohën e sotme.

-Secili pretendon se punon individualisht për një familje dhe shoqëri normale. Por në fakt shkolla, shteti, insitucionet, mekanizmat e tjerë shoqërorë punojnë pa projekte të detajuara. Familja jo stabile besoj ndikon shumë në ambientin shoqëror?


Padyshim, nëse duam të kemi shoqëri normale dhe njerëz që sillen në të si qytetarë, duhet së pari të kemi familje të stabilizuar, të shëndoshë, funksionuese, të vendosur në vendin e vet, në mënyrë që ajo në çdo rast të luajë rolin e saj si strukturë adekuate, që garanton ekuilibret e brendshme midis pjestarëve të familjes dhe me mundësi të konfirmuara dhe ndikuese në stabilitetin social të shoqërisë. Nëse analizojmë dukuritë intensive, deformimet flagrante të strukturës dhe marrëdhënieve familjare, mbi të gjitha nëse të vërtetat i themi ashtu sikurse janë, pa zbukurime, alambikime morale, eufemizma sociologjike, atëherë duhet të pranojmë se shumë drama që përjeton shoqëria, në përgjithësi dhe kryesisht janë të lidhura me situatën në gjirin e familjes, dobësimin e dukshëm të kohezionit social, funksionit edukativ. Shumë probleme janë të lidhura e të kondicionuara drejtpërdrejt me statusin e familjes, ekuilibret e brishta afektive, marrëdhëniet e përcipta interpersonale që zhvillohen dhe prishen në të, me tipologjinë e tronditur konceptuale për rolin, funksionet dhe marrëdhëniet e pjesëtarëve që jetojnë brenda saj. Për fat të keq, tani në mënyrë të çuditshme kanë dalë në evidencë boshllëqe vlerore, vakume edukative, deformime strukturore. Ato nganjëherë janë në përmasa të tilla, që kanë bërë imperative nevojën të mendojmë, se çfarë mund të bëjmë për të përballuar shpërthimin e problemeve sociale, shumë shqetësuese për familjen tonë.

Kjo situatë aspak favorizuese për familjen shqiptare, çfarë kërkon?

Situata kërkon që paralelisht me familjen dhe në të njëjtën gjatësi vale me punën për forcimin e saj, të mendojmë të kemi në funksionim edhe institucionet sociale. Sepse tani kanë humbur shumë tradita, zakone, janë ftohur lidhjet e gjakut dhe “pasionet fisnore” të dikurshme, të cilat janë shkaqe që e kanë zbehur rolin e familjes, kanë dobësuar funksionet si strukturë bazë e “lidhjeve sociale”. Sot po shfaqen tendenca kontradiktore, qëndrime nihiliste për familjen, rolin e saj social. Ndoshta për shkak të moshës, modës dhe interferimeve të ideve antidisiplinore e anarkike, disa negacione e qëndrime të tilla ekzibicionale natyrshëm që shfaqen sidomos tek të rinjtë, që në miniaturë janë “revolta” të hapura apo të heshtura kundër tipologjisë së vjetër të familjes. Veçanërisht kundër ideve të ekzistencës dhe mbajtjes konservatore të strukturës piramidale dhe jo horizontale e demokratike, që ushqejnë padrejtësisht (dhe këtu kanë të drejtë të rinjtë) marrdhënie autoritariste në lidhjet dhe raportet midis tyre dhe prindërve. Ajo që ka rëndësi në këto momente, sipas mendimit tim, është nevoja për të ndikuar në shoqërinë tonë për të kuptuar ndryshimet, rolet e reja të familjes drejt dhe jo në mënyrë eksentrike. Kjo do të thotë që tani duhet t’i kthejmë sytë, të investojmë gjithçka të gjithë, shteti, shoqëria civile, shkolla, institucionet fetare, morali publik, komunitetet, duke e vlerësuar familjen si institucion unikal, të cilit jo vetëm nuk humbet roli dhe funksionet si strukturë bazë e jetës sociale, por ajo duhet vlerësuar, sepse është “qelizë garantuese” e vlerave dhe stabilitetit social me rëndësi kulturore, edukative, sociale, strukturore edhe në kohën moderne. Pavarësisht ndryshimeve, familja mbetet institucioni, i pazëvendësueshëm, i pakonkurueshëm, ku bashkohet në mënyrë të natyrshme dhe organike jeta sociale dhe intime e njeriut. Në këtë pikëpamje, nëse ka një shqetësim të përgjithshëm, që sipas mendimit tim është serioz, është fakti që kohët e fundit po ndodh me shpejtësi të frikshme deformimi i rolit social, veçanërisht i përgjegjësisë sociale dhe “funksionit ndërmjetësues” të familjes në shoqëri. Padyshim, sido që ta vlerësojmë situatën, çfardo shkaqesh të brendëshme dhe të jashtme të gjejmë apo sajojmë, të zhvillimit strukturor apo influencave të postmodernitetit, dhe t’i përdorim ato në mënyrë arbitrare e subjektiviste, si argumente për të justifikuar realitetin, shumica absolute e shkaqeve është e lidhur me strukturën sociale, e cila tashmë ka krijuar një raport të ri, jo vetëm me individët brenda saj, por edhe në raport me sovranitetin e vet strukturor, si dhe me ndryshimin e raporteve dhe marrëdhënieve të familjes shqiptare me institucionet e tjera të jetës sociale publike. Kjo është një situatë komplekse që duhet vlerësuar me përgjegjësi politike dhe qytetare, në mënyrë që të mund të ndikojmë në zbutjen e problemeve sociale që prodhohen brenda familjes shqiptare, dhe njëkohësisht të përpiqemi të ndikojmë për zgjidhjen në rrugë normale, humane të tyre. Natyrisht të vërtetat duhet t’i shikojmë në sy, t’i pranojmë ashtu siç janë. Edhe pse jo në përmasa alarmante, duket se roli social i familjes si strukturë ka filluar të zbehet. Evolucioni dhe mënyra moderne e strukturimit dhe funksionimit të familjes shqiptare, natyrshëm që do të sillte një varg problemesh të reja sociale, të panjohura që duhen parë, kuptuar dhe vlerësuar drejt, në përputhje me imperativat e kohës moderne…

 

Gëzim Tushi, sociolog

Mjeshtër i Madh

Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut