Projektligji, Pensioni i zyrtarëve, jo më pak se 1 milion lekë

244
Pas skandalit të 26 dhjetor 2014, ku maxhoranca dhe opozita në konsensus të plotë miratuan projektligjin e e trajtimit të deputetëve, në të cilin parashikohej rritje e rrogës së deputetëve, dhe dhënia e përfitimi i shumë privilegjeve material të tjera, si kompensime, trajtime, dieta, etj, që faktikisht, bëjnë që rrogat e deputetëve të rriten në miliona lekë në muaj, qeveria dhe ministri Veliaj, me të ashtuquajturën “reformë e pensioneve”, krahas rritjes së rrogave, vazhdojnë edhe rritjen e pensioneve që arrijnë 1.000.000 lekë në muaj, për deputetë, ministra dhe president, ndërsa pensionet e punëtorëve deri në 17.000 lekë dhe ndihma sociale është 1800 lekë në muaj për kryefamiljar dhe pensioni social është 6700 lekë në muaj. 
Reforma e pensioneve të Veliajt, rritje lekësh për zyrtarët e lartë, por edhe rritje të kontributit financiar për të varfrit
Reforma që ndërmori ministri Veliaj, për të përmirësuar skemën e pensioneve, në fakt, qëndron në dy boshte. Së pari, ministri Veliaj, me reformën e re të pensioneve, rriti kontributin që duhet të paguajnë secili, për të dalë në pension. Domethënë, të gjithë ata punëtorë që janë në tregun privat do të paguajnë më shumë detyrime financiare për pensionin e tyre, plus edhe rriti edhe moshën e daljes në pension, që tani është deri në 67 vjeç për burrat. Ndërsa minatorëve, u hodhi hi në sy, duke demagoguar, se u uli vite moshe për daljen në pension, por, njëkohësisht, i detyron ata, që të paguajnë 5 % më shumë kontribute, kur ende janë në punë. Kjo skemë e re, i bën minatorët, që praktikisht, të dalin 5 vjet më vonë, se sa me skemën e vjetër të pensioneve. Ndërsa rriti kontributin edhe të gjithë atyre që paguajnë vullnetarisht për pension, ndërkohë, që për fermerët kontributet për pension u 3 fishuan, duke filluar nga 1 janari i 2015-s. 
1.000.000lekë pension çdo zyrtar i lartë i shtetit
Ministri Veliaj, njëkohësisht u rriti me 200.000 lekë çdo pension të zyrtarëve të lartë të shtetit, si edhe mosha e tyre e daljes në pension është 60 vjeç, thua se ata kanë punuar në miniera dhe jo në zyra luksoze të shtetit. Kështu, zëvendësministrat do të kenë pension me reformën e ministrit Velaij, 800.000 lekë, ndërsa deputetët, ministrat e deri te Presidenti do të kenë pension 1.000.000 lekë në muaj. Kjo është tallje e hapur, që ministri Mirëqenies Sociale u bën punëtorëve dhe të varfërve. Kur pensioni i një punëtori që ka punuar 40 vjet, sot është nga 120.000-170.000 lekë, ministri Veliaj u jep shtesë pensioni 200.000 lekë deputetëve, ministrave e zëvendësministrave. 

Intervista për Telegraf
Sherefedin Shehu: Me reformën e pensioneve të Veliajt, zyrtari i lartë i shtetit ka pension 1.000.000 lekë
Pensionet e zyrtarëve të lartë të shtetit u rritën me ligjin që ka miratuar qeveria “Rama”, kur miratoi reformën e pensioneve, sepse ka hequr tavanin, dhe për rrjedhojë, gjithë pagat e larta marrin pension më të lartë se sa merrnin përpara kësaj reforme. 
-Sa është rritja e pensioneve për zyrtarët e lartë të shtetit?
– Rritja e pensioneve të larta për zyrtarët e lartë të shtetit shkon 200.000 lekë. 
– Vetëm shtesa?
– Po, vetëm shtesa e pensioneve të zyrtarëve të lartë të shtetit. 
-Afërsisht, sa shkon një pension i një zyrtari të lartë të shtetit?
– Një pension i zyrtarëve të lartë të shtetit, i bashkuar me rritjen që iu bë nga reforma e pensioneve, shkon nga 800.000 lekë e deri edhe në 1.000.000 lekë. 
– Cila ishte oponenca juaj?
– Unë bëra oponencë, duke u thënë ministrit Velaij, që pretendoni se keni bërë reformë, por në fakt keni rritur pensionet e atyre që kanë rroga të larta, dhe keni ulur pensionet e atyre që kanë rroga të ulwta. Që do të thotë, zoti Veliaj, që pretendoni se ju ulni deficitin buxhetor dhe deficitin buxhetor e financojnë të varfrit. Unë ju thashë edhe një fakt tjetër ministrit Veliaj, që ai ka reklamuar me reformën e pensioneve, uljen e moshës së daljes në pension për minatorët, por në fakt kanë shtuar 5 % kontributin që duhet të paguajnë ata, që të dalin në pension. 
– Ju si e zbërtheni këtë formulë të re të reformës “Veliaj” për pensionet e minatorëve?
– Unë e zbërthej që minatorët tani detyrohen të blejnë me lekët e tyre 5 vite pension, për daljen në pension. Ndërkohë, që bujqit tashmë nuk do të marrin më pension, sepse u është 3 fishuar kontributi që duhet të paguajnë, që nga janari i 2015-s, dhe nuk kanë më mundësi që ta paguajnë. Kështu që fermerët do të marrin asistencë sociale 6.500 lekë. 
– Si reagoi ministri Veliaj, përballë oponencës tuaj për reformën e pensioneve?
– Ministri Veliaj tha që “në kemi bërë reformë, kemi rritur pensionet”. Por në fakt, unë i thashë ministrit Veliaj, që pensionet na i ke rritur neve, deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit, dhe nuk ua ke rritur pensionin punëtorëve të fasonit, atyre punëtorëve që sot marrin 20.000 lekë rrogë pune në muaj. 
– Cilët futen në kategorinë e zyrtarëve të lartë të shtetit?
– Po janë komisionerët e enteve të pavarura, zëvendësministrat, ministrat, kryeministri dhe Presidenti.