‘Zjarri në Durrës, dëshmi e dështimit të shtetit’/ Blushi: Nuk mund të jenë spektator përballë fatkeqësisë së qytetarëve

Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka shpërndarë një postim në Facebook, duke shprehur shqetësimin e tij për ngjarjen tragjike të zjarrit që ka përfshirë tregun e Durrësit gjatë ditës së sotme.

Ai e cilëson këtë ngjarje si një tjetër dëshmi të dështimit të institucioneve dhe qeverisë për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe pronës së tyre.

Sigal

Sipas Blushit, papërgjegjshmëria institucionale dhe mungesa e reagimit të shpejtë dhe efikas janë bërë një normë që nuk mund të justifikohet më as me mungesë mjetesh dhe as me burokraci.

Në postimin e tij, Blushi kërkon hetim të plotë dhe të menjëhershëm për ngjarjen, vënien para përgjegjësisë të zyrtarëve përgjegjës dhe kompensim për tregtarët e dëmtuar nga zjarri.

Ai thekson se shteti nuk mund të mbetet pasiv kur qytetarët e tij përballen me një fatkeqësi të tillë, duke kërkuar një reagim më të fortë dhe më të përgjegjshëm nga ana e autoriteteve.

Postimi i plotë:

Pamjet dramatike nga zjarri që po shkrumbon tregun e Durrësit janë një tjetër dëshmi tronditëse e braktisjes së plotë të qytetarëve dhe dështimin e thellë të Qeverisë dhe institucioneve vendore në garantimin e sigurisë së pronës dhe të jetës.

Papërgjegjshmëria institucionale nuk mund të justifikohet më as me mungesë mjetesh për shuarjen e zjarrit dhe as me burokraci.

Kjo ngjarje është pasojë e një shteti që ekziston vetëm në letra dhe propagandë, por që në momentet e emergjencës zhduket dhe i lë qytetarët në mëshirë të fatit.

Hetim të plotë dhe të menjëhershëm për këtë ngjarje, vënien para përgjegjësisë të çdo zyrtari që ka dështuar në detyrë, si dhe kompensim të menjëhershëm për tregtarët e dëmtuar.

Shteti nuk mund të jetë spektator përballë fatkeqësisë së qytetarëve të vet!