“Ringu” i ekspertëve për taksën e Rrugës së Kombit

721
Duhet apo nuk duhet pagesë për rrugën Durrës-Kukës? Ndërsa debati ka përfshirë tashmë opinionin publik dhe arenën politike, ekspertët analizojnë nga pikëpamja ekonomike nismën më të fundit që qeverisë, që do t’i kushtojë çdo veture që do të kalojë në rrugën e Kombit 5 euro dhe autobusëve 11.2 euro. Por ndërsa opinionet ndahen në atë që është apo jo e drejtë, në një pikë të gjithë bashkohen. Qeveria duhet të ulë taksën e qarkullimit, që sot rëndon me 32 lekë në çdo litër karburant dhe që si destinacion, kur u vendos, kishte pikërisht mirëmbajtjen e rrugëve. Një shërbim për të cilin do të paguajmë shtesë, nëse do të kalojmë nga Rruga e Kombit.

Olti Rrumbullaku, ekspert për ekonominë:
“Koncesioni i rrugës Rrëshen-Kukës është një mundësi e mirë për të pasur një menaxhim të mirë të këtij aseti kombëtar. Nuk duhet të kemi frikë nga pagesat për përdorimin e kësaj rruge, për sa kohë shpenzimet e mirëmbajtjes së saj do të rriten përgjatë viteve. Nga ana tjetër, qeveria duhet të gjejë hapësirat për të shtuar rrugë të tjera me pagesë, duke reduktuar njëkohësisht taksën e qarkullimit, meqenëse disa nga investimet kryesore të infrastrukturës parashikohet që do të realizohen nëpërmjet koncesioneve. Jemi në diferenca shumë të larta të çmimit të naftës me Kosovën dhe Maqedoninë dhe kjo situatë duhet të ndryshojë në të ardhmen. Anët negative: Ky koncesion duhet të nisë investimet, për të cilët ka nënshkruar, si p.sh tunelin e shkurtër në hyrje të Kukësit dhe sistemime të tjera, sipas kontratës. Kompanitë rrezikojnë me imazhin e tyre, nëse nuk e sjellin rrugën në standardet e një rruge ndërkombëtare ose të krahasueshme me Kosovën. Mund të jetë e lehtë të mbash më pak kosto e në standard imazhin e 100 pikave të karburantit, por nuk është e njëjta gjë me një investim gjigant në infrastrukturë”.

Panajot Soko, ekspert për ekonominë:
“Personalisht e shoh një iniciativë jashtë logjikës ekonomike, jo-koherente dhe mbi të gjitha antikushtetuese. E shoh jashtë logjikës ekonomike, pasi taksapaguesit shqiptarë paguajnë posaçërisht për mirëmbajtjen e rrugëve rreth 20 miliardë lekë në vit. Ndërkohë, që bazuar në studimet pjesë e strategjisë për rrugët e Qeverisë dhe Bankës Botërore, mirëmbajtja e fondit aktual të rrugëve në Shqipëri kërkon rreth 8.5 miliardë lekë. Pra, shqiptarët e kanë paguar mbi 2.5 here mirëmbajtjen e rrugëve dhe vendosja e një tarife shtesë është abuzive. E shoh jo-koherente, pasi po të kthehemi 3-4 vite më parë, kjo qeveri ka rritur dy herë taksën e qarkullimit, pikërisht me motivin e mirëmbajtjes së rrugëve. Atëherë, ku shkuan lekët e taksës së shtuar, përse lindi nevoja për koncesionimin e mirëmbajtjes së rrugës kryesore në vend? Por siç e thashë, në fillim, kryesor është fakti që kjo iniciativë bie ndesh me Kushtetutën, posaçërisht në nenin 38/1 i cili sanksionon detyrimin e shtetit për të garantuar lëvizjen e lirë të shtetasve në gjithë territorin. Vendosja e një tarife për rrugën dhe mos-ekzistenca e një opsioni alternativ falas për qytetarët që nuk kanë mundësi të paguajnë, është shkelje, pasi pengon lëvizje e lirë të shtetasve, që s’kanë mundësi ekonomike të përballojnë tarifën”.
Sigal