Rasti Doshi dhe “çudia”, që në 20 vjet nuk ka asnjë ditë pagesë deputeti “me raport mjekësor”!

1387
Pyetëm, nëse Dritan Prifti ka paraqitur raport mjekësor për 32 ditët kur ish-qeveria “Meta” e dërgoi jashtë vendit, për t’u operuar e kuruar me operacion në kokë dhe na thanë: “JO”! Pyetëm, nëse Jemin Gjana ka paraqitur raport mjekësor, kur gjatë fushatës elektorale në Peshkopi në qershor 2009 theu dorën në një ndeshje volejbolli me vajzat maturante të qytetit dhe na thanë: “JO”…
Paraqitja e raportit mjekësor të deputetit Tom Doshi, për të mos shkuar në seancën dëgjimore të Komisionit Parlamentar të Imuniteteve dhe Mandateve, mund të duket e mund të jetë një “dredhi” për të “shtyrë ditët” e ballafaqimit me kërkesën e drejtësisë për arrestimin e tij. Nuk e dimë, nëse është kështu apo jo, por raporti mjekësor që paraqitu Doshi, evidenton një ligj të shkelur nga vetë deputetët. Me paraqitjen e raportit mjekësor në Kuvend, deputeti Tom Doshi, nëpërmjet sikletit të tij, për ta shtyrë “gjyqin” me raport mjekësor, pa vetëdije zbatoi një detyrim ligjor, të pa zbatuar deri sot nga asnjë prej deputetëve. E kemi fjalën, për rastet kur deputeti sëmuret dhe njofton parlamentin, se është i sëmurë e nuk do të paraqitet në punë. Sipas ligjit, si çdo individ në marrëdhënie pune edhe deputeti, ka detyrim ligjor të paraqes raport mjekësor në qendrën e tij të punës, konkretisht në kuvend. A respektohet ky ligj nga deputetët? Po nga drejtoria e financës së Kuvendit? Gazeta “Telegraf”, u interesua dje në financat e Kryesisë së Kuvendit, për të informuar, nëse në borderotë e deputetëve është zbatuar detyrimi ligjor për paraqitjen e raporteve mjekësore kur ata thonë se “janë sëmurë” dhe për pagesën e ditëve të punës së tyre “me raport mjekësor”, në rastet kur ata paraqesin raporte të tilla. Pyetjen e shtruam kështu: A ka ndonjë deputet, që ka paraqitur raport mjekësor në këto 23 vite (pas 22 marsit 1992) dhe që ditët e raportit mjekësor t’i jenë paguar sipas ligjit me ndalesë përqindjesh në pagë? Përgjigja ishte kjo: (Buzëqeshje) Jo! Në borderotë e deputetëve nuk ka pagesa ditësh me raport mjekësor, që prej vitit 1995! Sipas borderove, rezulton se në 20 vitet e fundit, nuk është sëmurur asnjë deputet i Shqipërisë! Ose, janë sëmurur, por nuk kanë marrë raport mjekësor dhe janë paguar me pagë të plotë. Pyetëm, nëse ky ligj është zbatuar psh., në disa raste të bëra publike, kur deputetët kanë qenë të sëmurë…? Po nëse, për ditët e “sëmundjes”, kanë paraqitur apo jo raport mjekësor dhe nëse ditët e punës u janë paguar të plota kur kanë paraqitur raport mjekësor, apo u janë hequr nga borderoja mujore? Përgjigja ishte kjo: (Buzëqeshje) Nuk ka asnjë rast! P.sh, pyetëm, nëse Arben Imami ka paraqitur raport mjekësor në vitin 1996, kur e masakroi SHIK në mitingjet e opozitës dhe nuk doli nga shtëpia për 1 muaj. Na thanë “JO”! Pyetëm, nëse Dritan Prifti ka paraqitur raport mjekësor për 32 ditët kur shkoi jashtë vendit, për të bërë operacionin në kokë dhe na thanë “JO”. Pyetëm, nëse Bujar Nishani, ka paraqitur raport mjekësor kur shkoi 3 muaj për kurim jashtë vendit e na thanë “JO”. Pyetëm, nëse Jemin Gjana ka paraqitur raport mjekësor, kur në qershor 2009 theu dorën gjatë fushatës elektorale në Peshkopi e na thanë “JO”. Pyetëm, nëse Edmond Spaho paraqiti raport mjekësor kur u përplas me makinë në tunelin e Elbasanit e na thanë “JO”. Pyetëm, nëse Sali Berisha paraqiti raport mjekësor kur u ra të fikët në mbledhjen përkujtimore të PD në dhjetor 2012 dhe na thanë “JO”! Në 20 vite, nuk rezulton të jetë sëmurur asnjë deputet, nuk rezulton të ketë paraqitur raport mjekësor asnjë deputet, nuk rezulton t’i jetë ndalur paga asnjë deputeti që ka njoftuar se ka qenë sëmurë! Rasti i fundit, nga deputetët që ka paraqitur 9 ditë raport mjekësor në kuvend dhe që këto ditë i janë paguar sipas ligjit me përqindje të ndalur “me raport mjekësor”, ka qenë (i ndjeri) Pjetër Arbnori, në datat 12-21 maj 1995! Pas 20 vitesh shfaqet rasti “Doshi”. Pavarësisht “virusit” që e sëmuri, i vetmi deputetë që ka paraqitur raport mjekësor pas 20 vitesh është Tom Doshi!
Sigal