90-vjeçarja Niqi Derri: Si çliruam 68 vite më parë Vlorën dhe ishullin e Sazanit

1094
Sigal

EKSKLUZIVE/Ish-partizania rrëfen luftën për çlirim, rindërtimin e  vendit, njohjen me Enverin, Mehmetin, Hysniun etj

Niqi Derri, sapo festoi këto dit 90-vjetorin e lindjes. Gjithçka tek ajo është e pazakontë: memoria, vitaliteti, patriotizmi i tejskajshëm, por edhe rebelizmi si tek asnjë tjetër. Në këtë 90-vjetor, Niqi Derri ka folur për gazetarë të huaj që erdhën enkas në Vlorë për të bërë një dokumentar për partizanen e njohur shqiptare në Luftën e Dytë Botërore. Ndërkohë, për ‘Telegraf’ ajo rrëfen gjatë jetën e saj që nga lidhja me luftën, detyrën si korriere e Husni Kapos, ekzekutimin e Qeriba Derrit, si priti e njohu Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, përpjekjet që bëri për mobilizimin  grave në luftë, pjesëmarrjen e saj në çlirimin e Vlorës dhe ishullit të Sazanit, martesën me Shaqo Derrin, aksionet e shumta vullnetare, deri dhe zhgënjimin për deformimin e demokracisë nga drejtuesit e shtetit në 20 vitet e fundit…

Kush është Niqi Derri, gruaja e fortë e Vlorës?

-Jam pinjolle e familjes Varfi nga Vunoi. Prindërit e mi lindën 11 fëmijë, 5 vajza e 6 djem. Kemi jetuar me ndershmëri dhe derën e kemi mbajtur gjithë hapur, për të ndihmuar të vobektit. E gjithë familja është angazhuar me luftën, duke dhënë kontribute të mëdha edhe në ndërtimin e vendit.

Si ka nisur aktiviteti juaj?

-Isha vetëm 12 vjeç, kur u aktivizova me lëvizjen komuniste, që drejtohej nga Hysni Kapo. Unë isha korriere e Hysniut, që më jepte zarfet, që i fusja në gjoks dhe i dërgoja në Nartë tek patrioti Murat Tërbaçi. Unë ecja, kurse Hyaniu më ndiqte nga pas me biçikletë, për të më ruajtur, se mos më merrnin zarfin sekret. Ai mbante në kokë një kasketë, që të mos e njihnin dhe vishej gjithmonë sportiv. Gruaja e Murat Tërbaçit më priste dhe përcillte si vajzën e saj. E bëra një vit këtë detyrë. Aty kam takuar edhe Qemal Stafën.

Më pas me se jeni marrë?

-Më thirri Hysniu dhe më tha se do të shkosh të punosh në terren në Vuno, për të zgjuar ndërgjegjen e grave, që të ndihmojnë dhe marrin pjesë në luftë. Atje gjeta djem e vajza trima, që punonin për këtë ideal. Isha bashkë me Zaho Kokën, Kiço Kolekën, Llambro Shetin, Lefteri Kapon, Agllahi Zoton dhe shumë të tjerë, që u bënë pjesë e brigadës së 5-të Sulmuese. Mua më besuan një detyrë me shumë përgjegjësi: Të mbaja të hollat që grumbulloheshin në ndihmë të Brigadës. Thesarin ma dorëzonte Kiço Koleka. Ishte vërtetë një punë me përgjegjësi…

Çfarë probleme hasnit në punën me gruan?

-Punonim në të gjithë fshatrat e Himarës dhe nuk gjetëm ndonjë vështirësi në mbështetje të thirrjes për të dalë partizane. Menjëherë dolën partizane Vaçe Leçja, Niqi Kovaçja, e shoqja e Kllapo Gjondedës, Kate Tarja e shumë të tjera, të gjitha fillimisht me brigadën e pestë, pastaj u shpërndamë në brigada të tjera. Unë mbeta në brigadën e pestë dhe më pas kalova përsëri në terren duke u shtrirë gjatë gjithë bregdetit por edhe në Kudhës e Sevaster, Brat, zona të çliruara.

Ju keni marrë pjesë në çlirimin e Ishullit të Sazanit?

-Më parë kemi çliruar Vlorën. Unë mbaj mënd që kemi hyrë më 14 tetor në Vlorë dhe na është bërë një pritje e jashtëzakonshme nga populli… Ishim një grup i vogël partizanësh, që morëm me vete vetëm 4 automatikë, 2 mitraloz të lehtë, 4 pushkë gjermane, 8 bomba dhe  bashkë me 4 marinarë italianë, të cilët njihnin detin, muarëm përsipër clirimin e Sazanit . Pas 4 orësh, lundrimi duke lëvizur në rrugën Uji i Ftohtë Shënjan – Ishull, zbritëm në ishull dhe i detyruan oficerët e garnizonit gjerman, të dorëzoheshin duke kapur 53 robër.Pokështu u kapën shumë materiale ushtarake si: 30 mitralozë, sasi të mëdha pushkësh italiane, por edhe sasi të konsiderueshme veshjesh e ushqimesh. Në orën 14.00 të datës 22 tetor 1944, ishulli mori frymë lirisht pas 30 vjetësh pushtimi nazifashist. Meqë isha femra e vetme, më dhanë të ngrija flamurin e fitores dhe ky është një sat gëzimi, që nuk do ta harroj kurrë. Grupi i partizanëve, ku bënin pjesë Bajram Mici, Bejko Pulaj, Skëndo Veshi, Niqi Varfi, Avdulla Cenko, Rrapo Sejdo, Viko Xhelo, Ismail Memushi, si dhe katër ushtarë italianë që shërbenin në atë kohë në radhët e forcave partizane shqiptare, u ndjenë triumfatorë.

Po pas çlirimit çfarë ka bërë Niqi?

-Ne nuk punuam dhe luftuam për të marrë shpërblime, moj vajzë. Që pas çlirimit jam marrë me problemet e gruas në lagje e qytet, kam qenë e zgjedhur në të gjitha strukturat e pushtetit vendor. Kishim një detyrë të vështirë, po aq sa edhe lufta: Të ndërtonim vendin. Kështu më ngarkuan të ngre dhe drejtoj brigadat vullnetare të grave dhe vajzave dhe i vumë gjoksin punës….

Si u njohe me Shaqo Derrin, bashkëshortin e Heroinës së Popullit Qeriba Derri,me të cilin do të kaloje jetën?

-Më parë se të martohej me mua, Shaqo ka qënë i martuar me Qeribanë, ‘Heroinë e Popullit’. Ajo ka qënë jetime, nga fshati Matogjin. Nuk kishte asnjë njeri të afërt të saj. Madje fshati e përdorte si shërbëtore, për të bërë punët. Shaqo ka qënë oficer dhe kur mori vesh historinë e Qeribasë, i erdhi shumë keq për të, pasi edhe Shaqo ka qënë jetim. Kështu ai vendosi ta marrë dhe e dërgoi tek i vëllai Elmazi, duke i lënë amanetin:’Nuk dihet se kur kthehem, për 2 vjet a tre. Trajtoje si motër se kur të vij do ta marr nuse’. Por kjo vajzë e vogël, jetime, do të bëhej një propogandiste, një luftëtare, që nuk ekishshoqen jo vetëm në Qarkun e Vlorës. Aktiviteti i saj lidhej me Halim Xhelon, ‘Heroin e Popullit’. ..

Në ç’rrethana është vrarë Heroina Qeriba Derri?

-E thotë historia, por unë e di më mirë se ato që shkruhen.Operacioni i vitit 1943, ka qënë më i vështiri, me shumë të vrarë dhe të plagosur. Qeribaja u ngarkua të cojë në spitalin partizan të Gjirokastrës 10 të plagosuri, ishte plagosur edhe Shaqo, jo pak por 13 plagë kish marrë.  Kur e merr vesh Hysni Kapo, jep urdhër që  Qeribaja të kthehet menjëherë në Mesaplik, pasi i rrezikohej jeta nga reaksioni, qëkishdalë hapur. Ajo u kthye në Smokthinë, por kur pa që në shtëpinë e saj kishin ardhur ballistët, bashkë me të kunatin u fsheh në Malin e Cepinit. Ndodhi ajo që nuk pritej. Ishin pikërisht fisi Derraj, që i bëri kurth Qeribasë, pasi ishin të lidhur më Ballin Kombëtar. Kështu i kapën të gjallë i lidhën Qeribanë dhe të kunatin, vëllanë e Shaqos dhe i sollën në Vlorë. ..

Në ç’rrethana u ekzekutua Qeribaja?

-Në burgun e Vlorës, ku ka provuar torturat e tmerrshme si vezë të zjera në sqetull, shkulje thonjtë, ndërsa kunati nuk u ngrit deri sa e masakruan. Më 4 prill të vitit 1944, i morën dhe i pushkatuan tek tregu, bashkë me katër të tjerë. Balli kombëtar e quajti festë, ndërsa populli dhe gruaja e Vlorë, ndjeu dhimbje për Heroinën 35-vjeçare.

Bënë një gropë të dhe i mbuluan të pestë bashkë. Pas çlirimit u vendosën atje ku e meritojnë: Varrezat e dëshmorëve dhe Qeribaja u bë Heroinë e Popullit’.

Ju si u lidhët me Shaqo Derrin?

-Kisha mësuar shumë për këtë luftëtar, ca më tepër qëkishpasur grua një heroinë të vërtetë. Në janar të 1945 më ka prezantuar Petro Koka, që u bë edhe ndërmjetës për martesën tonë. U takuam dhe biseduam vetëm për vetëm. Më tregoi që ka qënë i martuar dhe të mos i gëzohesha pozitës që kishte, se mund të përfundonte edhe hamall. Nuk gabuam, kemi bërë një jetë bashkë, që do të na e kishte zili edhe Nexhmie Hoxha.

Përmendët Nexhmije Hoxhën, mund tju pyesim:Ka qenë Enver Hoxha në shtëpinë tuaj?

-Jo vetëm Enveri e Mehmeti, Kadri Hazbiu që njiheshim shumë mirë, por e gjithë Byroja Politike deri tek Liri Belishova. Ja në këtë shtëpi bëheshin mbledhjet, shtrohej rakia, shtroheshin detyra, hartoheshin planet. Çdo anëtar i Byrosë, deputet apo kushdo që vinte i deleguar në Vlorë, nuk mund të mos pihej një kafe në shtëpinë e Shaqo Derrit. Por edhe ne ua kemi kthyer vizitën të gjithëve nëpër shtëpitë e tyre.Ishimnjerëz të nderuar, të besuar, pasi punuam tërë jetën, luftuam e ndërtuam vendin, duke përmbushur detyrën ndaj popullit.

Cilat janë mardhaniet e Niqi Derrit me partitë politike,  pas rënies së rregjimit?

-Ndoshta erdhi koha që të largohej ai regjim, por nuk jam dakord që i është vënë kryq sistemit socialist. Jam 90 vjeçe dhe jeta ime është shtrirë në tre kohë. E kam mendjen top, e them me gojën plot se askush, jo vetëm Saliu, që ka qënë komunist, por as Rama, asnjë ballist e zogist, nuk mund të dalin e të mburren përpara meje dhe përpara atij brezi, që bëri luftën, çliroi vendin dhe ndërtoi Shqipërinë. Mua dhe brezit tim, ata duhet ti përkulen me nderim, të na rrisin pensionin, të na i bëjë falas shërbimet, pse kemi dhënë gjak e djersë për këtë Shqipëri. Unë nuk dua të di për askënd, pse të gjithë politikanët luftojnë për interesat e tyre, nuk kanë ideal. Ja ta them unë, askujt nuk i dhimbset Shqipëria, sepse e gjetën gati. Unë nuk i llogaris fare, u jap të gjithëve ujë me bisht të lugës….