Sinkronizimi i politikave mes Shqipërisë e Kosovës, një shans për të shpëtuar turizmin këtë vit

72

Turizmi është sektori që pritet të vuajë më shumë nga mbyllja e vendit për shkak të koronavirusit. Teksa konsumi i brendshëm pritet të gjallërohet me heqjen graduale të kufizimeve, është pothuajse e pamundur të ndodhë e njëjta gjë me hyrjet e të huajve në vend. Operatorët turistikë kanë pohuar se tashmë janë anuluar rezervimet jo vetëm për prillin e majin, por edhe prenotimet e verës. Kjo po ndodh, teksa turizmi ishte në ditët e tij më të mira, me ardhjet e të huajve që u rritën ndjeshëm vitet e fundit, duke nxitur investime të mëdha në shtimin e kapaciteteve hoteliere. Tashmë këto investime janë në rrezik, duke dhënë një efekt zinxhir dhe në sektorë të tjerë që direkt apo indirekt mbështesnin turizmin.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në një raport të fundit të saj për rezistencën e vendeve ndaj pandemisë së Covid-19, gjeti se Shqipëria është më e rrezikuar nga turizmi, për shkak të peshës së lartë që ka ai në ekonomi, me mbi 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Por, ka një shpresë që turizmi të funksionojë këtë vit. Ai është te fqinjët tanë, Kosova, por edhe Maqedonia.   Të dhënat e INSTAT tregojnë se nga Kosova hynë në 2019 rreth 2.2 milionë shtetas, ose 34% e totalit. Nga Maqedonia, e cila renditet e dyta, erdhën 750 mijë persona (gati 12% e totalit). Pra nga të dy këto shtete vijnë gati gjysma e totalit të turistëve në vend.

Një sinkronizim i politikave të administrimit të krizës mes Shqipërisë e Kosovës (por edhe Maqedonisë në fakt), do të ishte në interes të Shqipërisë, por edhe Kosovës e Maqedonisë.

Turizmi shqiptar do të mbijetonte sigurisht më mirë në 2020, sikur në të arrinim që nëpërmjet një politike të sinkronizuar të administrimit të krizës, të “hapemi” në të njëjtin moment.

Nëse në korrik do të arrihej një hapje e kufijve me fqinjët, do të mund të administrohet shumë më kollaj nje kufi tokësor me Kosovën se sa të rifillojë për shembull hapja me Poloninë apo me Ukrainën.

Një hapje e sinkronizuar do të kishte efekt real në ekonomi. Por duhet të mos kujtohemi në Javën e parë të Korrikut. Duhet të sinkronizohemi që tani, në aspektin e qasjes ndaj depistimit të populatës, administrimit të situatës epidemiologjike, por edhe të administrimit të sistemit shëndetësor e të burimeve që të dy sistemet kanë.

Interesi është i përbashkët. Shqipëria e ka atë në fokusin e turizmit, ndërsa Kosova  jo vetëm ka një treg bujqësor mjaft me të organizuar se ai i yni, por edhe produkte që mund të jenë zëvendësuesi për importe, që kriza i ka bërë më të vështira për tu arritur.

Prej shumë vitesh Shqipëria dhe Kosova nuk po arrijnë që të gjejnë një rrugë të përbashkët për të shfrytëzuar avantazhet konkurruese të gjithësecilit. Barriera të dukshme e të padukshme kanë penguar këtë zhvillim, pavarësisht përpjekjeve të qeverive të të dyja kaheve. Në këtë situatë të vështirë që po kalon i gjithë globi, shpëtimin mund ta gjejmë së pari nga brenda. Tashmë është momenti që të dy vendet të funksionojnë e të mendojnë si një i vetëm, për të mirën e përbashkët.