Universiteti Marin Barleti në tendencën e zhvillimeve bashkëkohore

868
Universitetet e para (Universitetet e Brezit të Parë) janë formuar rreth shekullit të XI, me të parin Universitet të Bolonjës më 1158, atë të Parisit më 1200 etj., me objektiv iluminimin e botës, edukimin e sjelljes e bindjes, kultivimin e aftësive e talenteve artistike. Epoka e humanizmit nxiti e zhvilloi dinjitetin njerëzor, propagandoi vlerat e lirisë e të personalitetit njerëzor duke, determinuar, në kuadrin e Rilindjes, fillimet e metodës shkencore të studimit: eksperimentimi i lidhur ngushtë me argumentimin logjik morën rëndësinë e dorës së parë në studimet universitare, në këtë “epokë të arsyes”: mbështetja në eksperimentim, mbolli idenë e kërkimit për të mësuar.

Mbizotërimi i metodës e kërkimit shkencor dhe zhvillimi i personalitetit njerëzor, përbënë bazën e institucioneve universitare të Brezit të Dytë (Universiteti Humboldian), nisur nga shek. XVIII e në vijim. Aktualisht, shumica e institucioneve të tilla akoma dhe sot, janë të këtij lloji e natyre; ai shfaq karakteristika e veta të konsoliduara, të cilat, deri më sot, i kanë renditur këto institucione si armë të fuqishme të zhvillimit ekonomik e shoqëror. Kërkimi shkencor është, për ‘to, detyrë kryesore dhe edukimi integrohet më ‘të. Nga kjo pikëpamje, duke u mbështetur në “mendje të ndritura” dhe në “vullnete të hekurta”, këto institucione mbeten elitare dhe përthithnin, si ndjekës të tyre, elitat e brezave e moshave të rinisë. Metodologjia bazohet në racionalitet, vrojtim dhe transparencë; kërkimi dhe formimi janë monodisiplinarë dhe u përvijua dukuria e shtimit të disiplinave të ndryshme dhe, më tej, nën nxitjen e kërkimit e metodologjive shkencore të aplikuara, u shfaqën dhe nënspecializimet dhe disiplinat e ndërmjetme (midis shkencave kufitare e më larg). Kërkimi mbështet një mësimdhënie elitare dhe me efekte në zhvillimin ekonomik. Por, kërkimi është i kushtueshëm, apo sa vjen e bëhet edhe më i tillë; jemi dëshmitarë të epokës ku jetojmë që Universitetet ushtrojnë një veprimtari gjithmonë e në rritje për të siguruara fonde alternative të nevojshme për mbajtjen e zhvillimin e tyre. Nga ana tjetër, strukturat administrative shtetërore kërkojnë nga këto institucione, gjithmonë e më shumë, të luajnë rol të rëndësishëm në ekonominë e dijes. Qeveritë shfaqen të parat që presin nga këto institucione zgjidhjen e problematikave zhvillimore të vendit dhe, për këtë brez institucionesh, ky proces ka ecur gjithmonë në shkallë të krahasueshme, në varësi nga fuqitë ekonomike të shteteve të ndryshme. Duhet shtuar këtu një karakteristikë e rëndësishme e kohës: rritja e numrit të studentëve që kërkojnë të ndjekin studimet universitare. Kjo, jo vetëm për shkak të rritjes së brezave në numër, por edhe për shkak të përsosjes së sistemeve shkollore, rritjes së kapaciteteve të dijes dhe veditëdijësimi i kërkuesve që mund të fitojnë një kualifikim të lartë të përshtatshëm për vullnetet, shpresat dhe synimet e tyre. Në këtë çështje është shfaqur dhe nevoja e aftësisë së universitetit për të veçuar e kualifikuar më tej elitën me aftësi të veçanta, duke u dhënë mundësinë edhe pjesës tjetër të formohet në një institucion nga ku dalin edhe elitat shpikëse. Nga debatet e shumta akademike mbi këtë problem, kuptohet qartë që Universitetet nuk kanë mundur të zhvillohen vetëm me fondet qeveritare (investimi publik); universitetet e kësaj epoke janë zhvilluar, kryesisht, nëpërmjet donacioneve të përfituara nga industria e shoqëria civile (më pak); por, kohët e fundit, me një përfitim të madh nga “shitja” e dijeve, gjë që ka shtyrë në një stad më të lartë zhvillimet universitare, konmpetencën dhe cilësinë e tyre. Çështja po fillon të shtrohet: po për më shumë? Karakteristikë sfidante e unversiteteve të kohës së sotme është krijimi dhe prania në masë e instituteve kërkimore si njësi të pastra kërkimore shkencore të tyre. Kjo është një risi, rezultat i zhvillimit e progresit të universitetit, si dalje nga suaza e kërkimit të mbyllura në departament dhe formimi i instituteve kërkimore multidisiplinore. Dija u bë jo vetëm e thelluar, por edhe pluridisiplinore, me mundësi aplikimi e zbatimi të cilat nuk mund të formulohen e projektohen nga një lloj specialisti, por kanë nevojën e bashkimit të përfaqësuesve të fushave të ndryshme.

Sa afrohet SHLUJ “Universiteti Marin Barleti”?
Mjaft prej IAL jo publike (pjesëtarë të Forumit) pasqyrojnë sot shumë element të universitetit të epokës së re 3GU si Universiteti Evropian i Tiranës, Universiteti Polis, Universiteti New York Tirana, Akademia e Multimedas Marubi, SHLUJ “Luarasi”, Universiteti “Aldent” (e të tjerë) në pikëpamje, kryesisht, të përthithjes e menaxhimit të fondeve, lidhjeve me homologët e huaj, veprimtarinë alumni dhe marketingun e veçantë etj. Midis tyre renditet edhe SHLUJ “Universiteti Marin Barleti” në mënyrë të veçantë lidhur me aspektin e instituteve studimore e aplikative, diversitetin e disiplinave që ato zhvillojnë në kërkim dhe zbatimin në lidhje të ngushtë me komunitetin. Në procesin e Vlerësimit Institucional të Cilësisë nga agjencia britatnike QAA, ai meritoi vlerësimet maksimale në të pesë fushat e ekzaminuara dhe me Vendim të Bordit të ASCAL, mori akreditimin maksimal të pranuar nga Ligji i Arsimit të Lartë, duke u renditur i pari (dhe i vetmi) me këto vlerësime në grupin e universiteteve pjesëmarrëse. Me kompetencat e tij SHLUJ “Universiteti Marin Barleti” konkretizon dijet shkencore të prodhuara përgjatë punës kërkimore të personelit akademik, në projekte zhvillimore në bashkëpunim me komunitetin lokal, biznesin dhe administratën publike, nëpërmjet veprimtarisë së instituteve të tij pluridisiplinarë. Kështu, një seri trajnime janë zhvilluar me punonjës të pushtetit lokal në kryeqytet dhe në qytetet kryesore të vendit, për përmirësimin e qeverisjes vendore, me fokus rritjen e kapacitetit nëpërmjet përfshirjes së stafit të komunave e bashkive në rritjen e ndikimit të shoqërisë civile në proceset e hartimit, vendim marrjes dhe monitorimit të politikave publike, përgatitja e përfaqësuesve të pushtetit vendor aktivë dhe të përgjegjshëm në shoqëri, rritja e kapaciteteve të pushtetit vendor për të realizuar në praktikë njohuritë e fituara gjatë procesit didaktik. Në kushtet e përpjekjeve të vendit për rritjen e treguesve të turizmit dhe zhvillimin e një turizmi si masiv ashtu dhe elitar, në kuadrin e projektit USAID/Rritje Albania, është realizuara procesi i ndërtimit të kapaciteteve dhe certifikimi i edukatorëve e formatorëve të turizmit (edhe në bashkëpunim me AHLEI – në SHBA), me qëllimi identifikimin dhe krijimin e grupit të parë të edukatorëve shqiptarë për hotelerinë, me mundësi për të ofruar aftësitë e tyre arsimit profesional në industrinë e turizmit të Shqipërisë. Hapja e horizonteve për veprimtari ekonomike kreative, orientimin zhvillimor urbanistik dhe prodhues në qytete e vendit, nxitjen e dinamikës së veprimtarive qytetëse të lidhura me zhvillimin lokal është objekt i forumeve të përvitshme mbi Ekonominë Kreative dhe Zhvillimin Inteligjent, në fushën e ekonomisë dhe zhvillimit qytetar, nën patronazhin e lartë të Kryesisë së Këshillit të Ministrave, organizuar me qëllim vendosjen e marrëdhënieve të ngushta në fushën e ekonomisë kreative midis Shqipërisë dhe vendeve të Rajonit për nxitjen e mbështetjen e zhvillimit të qendrueshëm në vend. Në fushën sociale dhe të edukimit personeli akademik angazhohet në kërkim shkencor të zbatuar në analiza e refleksione lidhur me çështje të politikave e qeverisjes, zhvillimit të shoqërisë civile, shkollës dhe komunitetit, problemeve të marrëdhënieve e trajtimeve gjinor, gjakmarrjes etj. Kështu, është realizuar një mbështetje për Monitorimin Qytetar të Strategjisë së Zhvillimit të Bashkisë së Vlorës, si iniciativë me qëllim monitorimin e zbatimit të strategjive ekzistuese dhe planeve për zhvillim ekonomik lokal të qytetit nëpërmjet pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë dhe aktive të qytetarëve; institucioni është partner i vetëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në projektin Shkolla si Qendër Komunitar, me synim e qëllim krijimin, në vazhdimësi të një Ekosistemi të Edukimit për Zhvillim të Qëndrueshëm të Komunitetit Lokal dhe promovimin e lidhjeve të ngushta shkollë – komunitet; është kryer studimi “Efektet e gjakmarrjes mbi gratë dhe vajzat në Shqipëri dhe mënyra si mund të kontribuojnë për ta adresuar atë” i fokusuar mbi gratë në gjendjen e gjakmarrjes me qëllim që të analizojë pozicionin e tyre jo vetëm si viktima potenciale por edhe si agjentë të ndryshimit.; një nxitje dhe inkurajim për pjesëmarrjen e të rinjve në votime dhe edukim i të rinjve mbi liritë e tyre civile; fushatë ndërgjegjësuese jo-partiake, e drejtuar nga studentët e UMB, të trajnuar rreth lirive civile dhe ushtrimit të tyre është arritur nëpërmjet realizimit të projektit Vota Rinore, me një aktivizim të gjerë të të rinjve në të gjithë vendin dhe, në vijim, nëpërmjet Platformës Multimediale Rinore, adresojmë interesat e të rinjve, duke promovuar zërin e tyre dhe inkurajuar pjesëmarrjen e tyre në platformën multimediale (me media audio, elektronike, dhe të shkruar) e cila përfshin iniciativa ekzistuese dhe të reja. Veprimtaria e institucionit nuk kufizohet vetëm me kompetencat e personelit akademik dhe ato që kultivohen prej tyre gjatë kërkimit shkencor; ajo shkon edhe përtej njohurive akademike specifike të institucionit, duke zbatuar projekte edhe në fusha të tjera, me bashkëpunime të ngushta dhe ndërveprim specialistësh, në bashkëpunime të frytshme me njësi, organizma e institucione të tjera, për arritjen e rezultateve sa më të përshtatshme për komunitetin dhe për qëllimet institucionale. Përgatitja e Strategjisë Kombëtare e Biodiversitetit në Shqipëri 2012 – 2020 ofroi konsulencë për përgatitjen e Planit Kombëtar të Biodiversitetit (14 – 15) nëpërmjet një materiali serioz të paraqitur në Ministrinë e Mjedisit, në bashkëpunim me Diava Consulting; është realizuar projekti Arti, Plastika dhe Riciklimi, në kuadrin e programit ndër-kufitar Shqipëri-Mal i Zi, me qëllim reduktimin e efekteve negative në mjedis dhe inkurajimin e aktiviteteve ekonomike ekologjike, arritjen e një ekuilibri për përmirësimin e mjedisit si dhe inkurajimin e aktiviteteve ekonomike ekologjike në zonën ndërkufitare të Liqenit të Shkodrës. Inovacioni dhe organizimi i veprimtarive që e shprehin konkretisht atë në institucion por merr, nga dita në ditë, vëmendje gjithmonë e më të madhe. Institucioni me institutet e tij është partner kryesor në projektin e Habit të Inovacionit (me Ministrinë e Financave, me qëllim promovimin dhe mbështetjen ndaj përfshirjes sociale dhe programeve të qëndrueshme të punësimit për të rinjtë duke rritur përfshirjen e tyre aktive në sipërmarrjen në ICT, veprimtarinë kreative, inovative dhe konkurruese përmes ngritjes së kapaciteteve, zhvillimin e partneritetit dhe rritjen e veprimtarisë sipërmarrëse, në nivel start up dhe SME. Në nivel evropian, marrim pjesë në projektin Open Innovation; (Erasmus Mundus, Lifelong Learning Education), për krijimin një rrjeti të përbashkët të universiteteve, qendrave të kërkimit shkencor, të botës së biznesit dhe shoqërisë civile që do të bashkëpunojnë në Inovacionit të Hapur; mundëson zbatimin e modeleve të integruara të kurrikulës të arsimit të lartë. Në këto drejtime, SHLUJ “Universiteti Marin Barleti” ka përgatitur terrenin për krijimin e njësive sipërmarrëse universitare, me qëllim, vijimin e veprimtarive konkrete dhe sigurimin e të ardhurave nëpërmjet një veprimtarie të tillë, e një shkalle më të zhvilluar se “shitja” e dijeve të prodhuara; kjo do të sigurojë përfundimisht qëndrueshmërinë e institucionit dhe suksesin me formimeve të tij. Në këtë aspekt, edhe formimi i studentëve ka marrë prirjen drejt edukimit të tyre me cilësitë dhe zotësitë e veprimeve sipërmarrëse. Projekti Risi- Rini Sipërmarrëse, me synim fuqizimin e kapaciteteve të brezit të ri nëpërmjet nismave të sipërmarrjes së lirë; me qëllim krijimin e një gjenerate të rinjsh sipërmarrës nëpërmjet fuqizimit të oportuniteteve të rrjeteve bashkëpunuese dhe suportit të dedikuar në fazat e konkretizimit të idesë sipërmarrëse, përmes mjaft trajnimeve të kryera në Tiranë, broshurave të prodhuara dhe platformës virtuale të këtij projekti është zhvilluar me shumë sukses dhe pasohet nga mjaft veprimtari të tejra kultivuese për studentët të këtyre aftësive. Në institucion, po merr fuqi, gjithmonë e më shumë, komunikimi me institucione homologe jashtë vendit, në dimensionin e leksioneve të ndërsjella, shkëmbimit të studentëve për kurse të pjesshme apo veprimtari studimore. Prof. Dr. Michael TOTTERDELL, Drejtor i Qendrës së Menaxhimit për Zhvillimin e Lidershipit, Universitetit i Plymouth në Angli, ka qenë Prorektor i SHLUJ “Universiteti Marin Barleti” në periudhën 2010 – 2014. Një, seri profesorësh të huaj, për çdo vit, janë pritur në institucion duke dhënë kontruibut të shënuar në fomimin e studentëve dhe në forcimin e lidhjeve e shkëmbimeve akademike ndërkombëtare: Prof. Dr. Jannette FORD, School of Social Sciences, trajtoi me kompetencë lëndën mbi metodat e reja interaktive të mësimdhënies në Programin e Studimit të Edukimit (Master) 2011-2012; Prof.As. Dr. Christine STANDERFER, Clinton School of Public Services, University of Arkansas USA lektore e ardhur në vitin mësimor 2012 – 2013, specialiste e Komunikimit Politik dhe Mbrojtjes Ligjore (Advocacy); PhD Eda DERHEMI, University of Illinois USA, ardhur në vitin mësimor 2013 – 2014 si specialiste dhe lektore e komunikimit; Prof. Dr. Marc SMALL, Clemson University, ka kaluar 4 muaj pranë UMB në vitin mësimor 2015 – 2016, duke marrë pjesë në Konferencat “Creative Economy”, “Smart City”, në realizimin e projektit “Shkolla Komunitare” dhe në përgatitje projekte zhvillimore të UMB. Me kërkesë të Universitetit të Arkansas – Clinton School of Public Service, në kuadrin e marrëveshjes së bashkëpunimit, kanë ardhur në institucion studentë për të punuar temat e tyre të studimeve Master katër studentë nga ky universitet, në periudhën 2014 – 2016, të cilët kanë punuar temat e tyre master në drejtime si Marrëdhëniet me Komunitetin Evropian, Shoqëria Civile dhe Komunikimi, Turizmi si Mjet i Zhvillimit Ekonomik, Zhvillimi Urban dhe Planifikimi etj. Po me kërkesë të këtij Universiteti, dy pedagogë të SHLUJ “Universiteti Marin Barleti” kanë mbajtur leksione për disa javë në këtë universitet. Studentët e SHLUJ “Universiteti Marin Barleti” janë pjesëmarrës të disa projekteve Erasmus+ të shkëmbimit të studentëve midis universiteteve evropiane, për realizim pjesor të procesit mësimor në institucione homologe; por, ajo që duhet përmendur është pjesëmarrja aktive e tyre në veprimtari ndërkombëtare që i shërbejnë formimit të tyre të lartë dhe njohjes nga ana e tyre të institucioneve të rëndësishme politike e qeverisëse në Evropë. Kështu, studentë tanët kanë marrë pjesë në diskutim lidhur me të drejtat kushtetuese e evropiane në Universitetin e Napolit, në referim punimi mbi të drejtat e njeriut në suazën e Komunitetit Evropian në kuadrin e Projektit Tempus HEART, në hulumtime dhe pjesëmarrje në seance të Gjykatës Evropiane të Të Drejtave të Njeriut në Strasburg e në konkurse ndërkombëtare të fituara. Këto veprimtari, në vijimësi, aftësojnë studentët me ide e projekte të vlefshme për punësimin e tyre dhe integrimin sa më efektiv e cilësor në administratën publike etj. Në këto kushte, SHLU “Universiteti Marin Barleti” ka marrë formën e trendit të kohës në institucionet e arsimit të lartë, duke pasqyruar këtë trend në veprimtaritë e tij, gjithmonë në rritje cilësore e sasiore.

Prof.Dr. Marenglen SPIRO
Rektor i SHLUJ “Universiteti Marin Barleti”
Anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave
Sigal