U godit me thikë në fyt, identifikohet i riu shqiptar trupi i të cilit u gjet anash rrugës! Në pranga dy shtetas rumunë

175
Sigal

Është identifikuar shqiptari që u gjet i vdekur mbrëmjen e së dielës në via di Case Colonnella në Artena, në një pellg me gjak.

Viktima është Fation Bylyshi, 31 vjeç, ndërsa si autorë të dyshuar të krimit janë arrestuar dy shtetas rumunë, përkatësisht 27 dhe 30 vjeç.

Dyshohet se ata kanë goditur me thikë në qafë shqiptarin brenda një banese pas një mosmarrëveshje mes tyre, jo shumë larg vendit ku u gjet kufoma.

Trupi i pajetë i 31-vjeçarit u gjet përtokë, anës rrugës në një pellg me gjak. Ai ishte mbuluar me disa rroba të pista.

Ishte një kalimtar që gjeti trupin e pajetë në rrugë dhe njoftoi menjëherë policinë.  Nga këqyrja e jashtme e trupit u konstatua një plagë e thellë me thikë në fyt, që ka rezultuar fatale për jetën e tij.

Raportohet se viktima ishte pa dokumente. Karabinierët ranë në gjurmët e shtetasve rumunë, pas këqyrjes së kamerave të sigurisë në zonë.

Mbetet e paqartë arsyeja e krimit dhe se si trupi i të riut përfundoi në rrugë. Viktima mund të jetë larguar nga banesa pasi u qëllua me thikë për t’i shpëtuar autorëve, ose kanë qenë vrasësit që e kanë hedhur trupin e tij aty.