Situata e krijuar nga Covid-19/ AMF u kërkon shoqërive të sigurimit të pezullojnë shpërndarjen e dividendit

324
Sigal

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare njoftoi se u ka kërkuar së fundmi shoqërive të sigurimit të pezullojnë procedurat e shpërndarjes së dividendit. Masa e njoftuar nga AMF vjen në kushtet e situatës së krijuar nga koronavirusi dhe sipas rekomandimeve të Autoritetit Europian të Sigurimeve, kërkohet ruajtje e likuiditetit dhe treguesve financiarë në tregjet në mbikëqyrje.

“Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është duke ndjekur me kujdes të veçantë të gjitha zhvillimet në tregjet nën mbikëqyrje, që lidhen me situatën e krijuar nga Covid-19.

Në linjë me rekomandimet e Autoritetit Europian të Sigurimeve,(EIOPA), si dhe rregullatorëve të tjerë homologë, AMF u kërkon shoqërive të sigurimit, marrjen e masave dhe kujdes të shtuar me qëllim ruajtjen e likuiditetit dhe treguesit e tyre financiarë.

Në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe tregut të sigurimeve, Autoriteti u kërkon shoqërive të sigurimit pezullimin e çdo procedure për shpërndarje dividendi, si dhe një qasje të kujdesshme në lidhje me shpërblimet e stafit, duke i shtyrë ato në kohë.

AMF mbetet e angazhuar për një mbikëqyrje efektive në funksion të mbrojtjes së personave të siguruar dhe ruajtjes së stabilitetit financiar” njoftoi AMF.