Vlora feston 68-vjetorin e çlirimit

1451
Sigal

Partitë politike, bashkë në nderim të dëshmorëve

Vlora është gdhirë e veshur me petkun e festës. Në këtë 15 tetor vlonjatët kremtuan ditën e 68-vjetorit të çlirimit nga nazifashistët. Me këtë rast në varrezat e dëshmorëve, u organizua një ceremoni përkujtimore, ku merrnin pjesë veteranë të luftës, familje dhe të afërm të dëshmorëve, qytetarë të Vlorës si dhe përfaqësues të partive politike, drejtues të institucioneve etj.. Në lapidarin kushtuar të rënëve u vendosën kurora dhe buqeta me lule, ndërsa më pas u bënë homazhe mbi varret e dëshmorëve. Në emër të veteranëve të Luftës foli  z. Seit Jonuzaj: “Çlirimin e qytetit të Vlorës ai e vlerësoi si ngjarjen e dytë shumë të rëndësishme, pas shpalljes së Pavarësisë nga Ismail Qemali. Finalizimi i luftës, aksioneve dhe betejave ku ranë heroikisht 1000 dëshmorë, u bë pikërisht më 15 Tetor të vitit 1944. Epopeja e luftës Nacional-Çlirimtare, është një faqe e ndritur e historisë shumëshekullore, e qëndresës, që do të frymëzojë brezat”,- ka përfunduar Jonuzaj. Nënkryetari i Bashkisë së Vlorës z.Arben Beqiri, përshëndeti në emër të bashkisë së qytetit: “Kjo nuk është thjeshtë një ditë përkujtimore, por një epope, ku u shpalosën përpjekjet sublime deri në dhënien e jetës nga trimat që bënë historinë dhe prehen sot në këta varreza të mermertë. Ata meritojnë nder dhe lavdi të përjetshme dhe lavdia e kësaj lufte do të bëhet më madhështore sa më shumë të kalojë koha. Lufta e Dytë Botërore është pjesë e historisë së artë të luftërave shumë shekullore për liri dhe pavarësi”,- tha Beqiri. Në këtë ditë të shënuar u bënë vizita në familjet patriote dhe të dëshmorëve, ndërsa një veprimtari e gjerë do të bëhej edhe në shkollën 15 Tetori, që mban datën e çlirimit të Vlorës.