Ju tregoj ditët e tmerrit të TVSH-së, kur u kryqëzua Todi Lubonja e Fadil Paçrami

1521
Sigal

INTERVISTA/Flet një nga themeluesit e parë të Televizionit Shqiptar, regjisori dhe redaktori Gojard Daiu

Ai mbetet ndër pionierët e RTSH-së dhe kur flet për të, emocionet janë të shumta. Në miqtë e tij të këtij gjigandi të medias vizive shqiptare ai njihet si “babai” i Koncertit të Varietesë, që ka bërë bujë në fillimet e saj. Kujtimet e tij janë të shumta, por ai prek ato më pikantet që me të vërtetë e bëjnë jetën e tij shumë interesante. Flet rrjedhshëm pasi të gjitha historitë e jetës i ka para syve si në ekran televizioni. Mundohet që të kujtojë detaje, pasi ai ishte në shtatëshen e parë të krijimit të televizionit të parë dhe të vetëm shqiptar.

Kur filluat punë për herë të parë në televizionin shqiptar?

Fillimet e mia në TVSH, këtë gjigand të medias vizive shqiptare i përkasin vitit 1970.Parase të shkoja në televizion unë fillova punë në radio si redaktor muzike, në një emision për rininë. Me magnetofon në dorë shkoja ndërmarrje më ndërmarrje, institucion më institucion për ta përgatitur sa më mirë emisionin. Ne çdo gjë e bënim në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo nga zyra. Pastaj sa u rregullua godina e re e RTSH mua direkt më kaluan në televizion si redaktor muzike në redaksinë e kulturës. Në fillimet e para ne si drejtues ishim shtatë veta. Shefi im i kulturës ka qenë Fuat Bozgo.

Kush ishin ndër themeluesit e tjerë të televizionit?

Ka qenë Albert Minga, Mevlan Shanaj, Fuat Bozgo, etj.. Të gjithë në atë kohë rrinim në një zyrë dhe shkëmbenim informacione dhe eksperienca për njëri-tjetrin.

Cili ka qenë emisioni i parë i juaji në televizion?

Emisioni im i parë ka qenë një koncert që e kam bërë në Peshkopi me këngëtaren Liri Rasha. Në atë kohë Liria mund të ketë qenë 17 vjeçe.  Regjisor ka qenë Mevlan Shanaj, operator Stefan Gajo,  Gjergj Shteto ka qenë operator zëri. Me Lirinë për të xhiruar shkuam në Zall Dardhë. Pas realizimit të këtij emisioni filluam të regjistronim koncerte të ndryshme nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë. Pikërisht në këtë kohë u hodh një mendim për të bërë një spektakël me humor në televizion. Duke qenë se s’kishte shumë punonjës që e njihnin këtë fushë dhe duke qenë se unë pak a shumë e njihja këtë sektor e mora unë këtë emision të spikatur që u quajt Koncerti Variete.

Si nisi dhe si e mundësonit realizimin e këtij emisioni?

Ky koncert filloi në vitin 1971 dhe jepej çdo të shtunë. Ishte një koncert mjaft domethënës që përmblidhte, skeçe, parodi, këngë, grimca humoristike, recitime, pantonima, etj.. Unë punoja gjatë gjithë javës për këtë emision. Mblidhja materialet nëpër estradat e rretheve, shkoja kudo ku kishte shfaqje me humor, dhe deri të premten punoja orar pa orar që ti montoja. Shpesh herë i lajmëroja trupat e estradave që të vinin të mërkurat në Tiranë ku unë bëja xhirimet e rastit, pasi nuk kishim atë teknikë që të bënim xhirime nëpër rrethe. Deri të shtunën në drekë punoja për montazhin dhe zërin dhe në darkë pas emisionit të lajmeve jepej Koncerti Variete, i cili ritransmetohej të dielën në mëngjes. Ky ka qenë i pari emision në televizion që ishte realizuar me titra të plota. Emisioni zgjaste një orë e një çerek. Mund të them  se dhe skenarin e kisha përgatitur vetë.

Po në Festivalin e 11-të çfarë pozicioni kishit?

Në këtë Festival të shumë diskutuar unë isha redaktor muzike, për televizionin, sepse kishte redaktor edhe për Radio- Tiranën.

Ju u dënuat pas këtij festivali?

Sigurisht. Mua më çuan në Rrëshen, Aleksandër Lalon në Kukës, Françesk Radin në Pukë, etj…Thuajse të gjithë pjesëmarrësit u dënuan. Ishte një periudhë e vështirë për mua.Polargohesha nga TV dhe nga Tirana që s’isha larguar kurrë.

Kur u rikthyet sërishmi në televizion?

Në vitin 1975, kjo për arsyen se Koncerti Variete nuk po realizohej si duhej. Kjo ishte arsyeja pse më thirrën prapë në televizion. Mua në atë kohë më zëvendësoi Kadri Metohu. Në këtë punë unë ja kisha marrë dorën pasi kisha krijuar edhe lidhjet e mia. Fillova sërishmi si redaktor i Koncertit  Variete punë të cilën e vazhdova deri në vitin 1980. Në këtë vit u bënë ca lëvizje në televizion dhe mua më çuan në Prezë si përgjegjës i kulturës i zonës Prezë, Vorë, Marikaj. Këtu punova pesë vjet deri në vitin 1985. Pas këtij viti punova si metodist në Pallatin e Kulturës, ku bëja koncerte të mëdha për televizionin. Në vitin 1990 më emëruan Drejtor të Kinemave të Tiranës dhe pas dy vjetësh sërishmi në televizion me Koncertin Variete, i cili dalëngadalë filloi të sfumohej dhe filluan koncertet e mëdha me Vera Grabockën. Në këto spektakle kam qenë redaktor dhe koordinator me Vera Grabockën si “Rreth fatit për 12 javë”.

Gjatë kësaj kohe a keni pasur ndonjë takim me Enver Hoxhën apo Mehmet Shehun apo udhëheqës të ndryshëm të sistemit komunist?

Në një  spektakël që pata bërë në televizion me Ylli Pepon, “Fituesja e fitueseve”, një spektakël me tre puntata,  ku ishin 12 fitues të anketave të radios dhe nga prej tyre nxirrnim këngën më të mirë të vitit. Ishte një spektakël shumë interesant me elementë të  ndryshëm si karikaturistë dhe këngëtarë të tjerë jashtë konkurrimit, që bëri bujë. Filluan të qarkullojnë fjalë se ky emision është kopjuar nga emisionet italiane të Rafaela Kara. Filluan menjëherë kritikat nga KQ, sepse emisioni ishte shumë i avancuar për kohën, sepse thoshin kanë kopjuar Rafaela Karan që në fakt kishte një lloj kopjimi. Desh na pezulluan nga puna.

Po në Rrëshen çfarë kujtimesh ruan?

Kur isha në Rrëshen unë përgatita trupën që do të përfaqësonte Mirditën në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës në vitin 1974. Unë atëherë isha shefi i muzikës në atë rreth në Shtëpinë e Kulturës. Aty kishim një kompozitor dhe autor tekstesh, rapsod,  Gjok Beci që punonte tek biblioteka. Ai kishte ardhur në Rrëshen pasi kishte punuar disa vjet në Gjirokastër. Pas disa kohësh gruaja e tij lindi fëmijë dhe ai na mblodhi na dha një darkë. Kishte gëzim të madh. Një shok i tij që ishte ftuar në darkë e provokon dhe Gjoka thotë se, Stalini ka thënë: “fëmija është enigmë, kjo shprehje do të thotë se Stalini është gomar”. Ai e tha në formë shakaje në mirëbesim. Shoku i tij spiunoi dhe u bë një mbledhje e madhe ku erdhi Sekretari i Komitetit të Partisë. Ç’ka hequr Gjoka i shkretë. Desh i vunë prangat. Unë u çova dhe e mbrojta  duke thënë se, Gjoka kurrë s’e ka sharë Stalinin, përkundrazi ai ka bërë këngë për të. I deleguari i partisë më thotë dëgjo ti Daiu, se po mbron një armik. S’e di sesi shpëtoi Gjoka i shkretë.

A kishte profesionalizëm në atë kohë televizori shqiptar?

Shumë. Atëherë s’të kalonte asgjë nën hundë. Kërkohej dhe presja. Në filmimet e tij kishte mangësi sepse nuk njiheshin shumë gjëra, nuk kishim eksperiencë. Nuk kishim këtë teknologji që ta lehtëson shumë punën. Atëherë në qoftë se bëhej gabim, çdo gjë fillonte nga fillimi dhe jo me një montazh të tillë që ka sot. Ju tashmë e dini se të gjithë kuadrot që janë sot nëpër televizione private i përkasin atij televizioni.

Cila ka qenë dita më e vështirë në televizion?

Ka qenë dita kur u bë mbledhja dhe po kryqëzohej ish- Drejtori i Përgjithshëm i RTSH, Todi Lubonjës, pas Festivalit të 11. Atë ditë erdhën në RTSH, Ramiz Alia dhe Fadil Paçrami.  Në këtë Festival Todi ishte Drejtor i Përgjithshëm ndërsa Mihallaq Luarasi ishte regjisor i Festivalit. U mblodhëm në sallën e madhe. Ishte një ditë e zymtë. Më vinte keq që e shihja Todin në atë gjendje. Ishte një njeri shumë i përgatitur. Por ishte dhe ana tjetër sepse ky festival ishte një tavë shumë e madhe, ku dhe unë kisha pjesën madje e mora dhe unë pjesën time. Të gjithë kishim frikë. U bë një zallamahi e madhe. Todi u mbrojt edhe me veprat e Enver Hoxhës, por si duket orientimet ishin të dënohej. Por ditë të vështira kisha çdo të hënë se mos merrnin nga KQ për Koncertin Variete se mos kisha bërë ndonjë gabim.

Ka pasur raste që të kanë kritikuar?

P.sh, njëherë nxora Flutura Çangun në një Koncert Variete me një bluzë gjysmë të bardhë gjysmë të zezë. Direkt mori në telefon nga KQ shoqja Nexhmije Hoxha, e cila tha: “Ç’ishte ajo ekstravagancë në veshjen e asaj drejtueses së Koncertit?”. Sa çudi, sepse ne tregonim shumë kujdes, madje i hiqnim të gjitha unazat, byzylykët, varëset kur dilnin në prezantim. Këto ishin shfaqje të huaja, shfaqja borgjezo-revizioniste. Për këtë veshje mora një vërejtje për pushim nga puna.

Keni ndonjë peng?

Unë kam bërë rreth 270 variete, një punë kolosale. Si peng kam që kur dola në pension të më kishin bërë një darkë përcjelljeje.

Pse sot RTSH është ndër më pak të ndjekurit?

Për mendimin tim nuk ka motivim. Paguhen pak punonjësit dhe sepse është televizioni mëmë. Së dyti, është se kthehen në televizion partiakë me ndryshimin e qeverive. Kjo do të thotë që nuk është një televizion publik, por një televizion qeveritar.