Rrëfen e internuara Bajame Hoxha: Jehona e fundit e Ismail Kadaresë

674
Sigal

Rrëfen e internuara Bajame Hoxha: Ju tregoj vajzat e bukura me biografi të keqe që u hodhën në kosh nga shkrimtari. Brigadierët dhe deklarata e Faslli Halitit.

Shkrimtarja Bajame Çeliku Hoxha. Të internuarit e Savrës nuk i donte, i persekutonte, i torturonte diktatura, partia, pushteti, por jo ne, populli

  • Shkrimtari ynë i madh i hedh këto vajza sa të bukura aq dhe krenare në kosh të plehrave

  • “E penguara”, Ismail Kadare dhe vajzat e internuara të Savrës në Lushnje

  • Jehona e fundit e Ismail Kadaresë

  • Nuk do dëshiroja kurrë, që shkrimtarin e madh Ismail Kadare, ta ndjekë një dështim, një pendim,  një dëshpërim apo një mallkim

  • Faslli Haliti:  Ne, njerëzit e thjeshtë, populli,  e shihnim kampin e Savrës si një copë Europë

    Jehona e fundit e Ismail Kadare. Sa për parantezë po filloj këtë shkrim me disa rreshta shkëputur nga një parathënie e një libri tim me poezi, “Gjysma ime”. Parathënia është shkruar nga poeti dhe përkthyesi i mirënjohur, Faslli Haliti, ku ndër të tjera ai thotë: “Nuk e di nëse të internuarit e Savrës e ndienin, e shihnin, e kuptonin apo jo simpatinë tonë për ta. Të internuarit e Savrës nuk i donte, i persekutonte, i torturonte diktatura, partia, pushteti, por jo ne, populli, që i shikonim me simpati si mesazherë të Lirisë. Ne, njerëzit e thjeshtë, populli, e shihnim kampin e Savrës si një copë Europë Perëndimore, që na krijonte klimën e vërtetë qytetare, klimën e vërtetë europiane etj…”. Pra, ne vajzat e internuara ishim Savra! Savra, Parisi i vogël! Ku në ato vite zhvilloi e civilizoi qytetin e Lushnjës, sepse aty kaluan apo mbetën personalitete të shquara, e pena të arta. Me ta parë titullin e artikullit, Ismail Kadare do mendojë: “Vërtet ujë fle po hasmi nuk fle”. Ose: “Armiku mbetet armik”. Po nuk është kështu. Ismail Kadare është një shkrimtar me përmasa botërore e po të kisha fuqinë do t’ia akordoja çmimin “Nobel” se e meriton. Por, çfarë më shtyn mua që gati pas pesë vjetësh t’i rikthehem këtij libri? Kur libri është në gjumë tashmë, harruar nga më të shumtit e lexuesve persekutorë të personazhes, heroinës së librit, të internuarës, Linda B., e në tërësi? Pse unë kërkoj ta zgjoj?! Çfarë më shtyn?! Eh, o zot! Më shtynë një dhimbje, një fyerje ndaj personalitetit tim, një fyerje e pafund ndaj personalitetit të tyre vajzave që u mungoi liria përjetësisht, e shkrimtari ynë i madh i hedh këto vajza sa të bukura aq dhe krenare në kosh të plehrave, duke zgjatur duart drejt Tiranës… drejt shkrimtarit… në krahët e mësuesit të fizkulturës… e së fundi në prehër të brigadierit maskara, se s’kanë kurajën, forcën  dhe zotësinë të përballojnë diktaturën, gjë që s’ka ndodhur kurrë!. Pra, Dua të theksoj: Prandaj, vetëm nga këto vajza që vuajtën mjerimin e plotë me gjithë kurajën dhe kulturën e gjerë që kanë, ky libër prej tyre,nuk do të harrohet dot kurrë! Nuk do të harrohet sepse iu është vrarë dinjiteti.(Ky libër mund të bëhet dhe film, por, me një heroinë të dobët, e cila në asnjë çast nuk shpërthen me forcën dhe shpirtin ideal të femrës, i mungon energjia, s’mundohet të luftojë për të çarë batakun, pa dinamikë, i mungon Malva, Masllova, si dhe heroina shqiptare e vërtetë) Pikërisht, në këtë periudhë, unë marr penën e shkruaj për të shkarkuar nga vetja një peshë të rëndë që sa shkon e bëhet më e rëndë, ndërgjegjja flet! Të gjitha nuk përtypen, nuk mund t’i anashkalosh, por, e bukura mbetet e bukur, e hidhura mbetet e hidhur dhe vlerat mbeten vlera! Në këtë kontekst, më ka mbetur varur si një zinxhirë vuajtjesh të paharruara artikulli befasues i Beba (Xhuliana) Pervizi,vajzës së internuar, e cila me revoltë, ngre krye, dhe shkruan një artikull (shih në f.b.te: “vajzat e internuara”) Ky artikull s’më hiqet kurrë nga mendja. Aty konstatova se ishte artikull goditës, revoltues, por që mbarte në vetvete vlera të pa tjetërsuara, dhe hapësirë shumë të madhe kritike për librin e fundit të Ismail Kadare  “E PENGUARA”, e Isamil Kadaresë.

    “Më shtynë një dhimbje, një fyerje ndaj personalitetit tim, një fyerje e pafund ndaj personalitetit të tyre vajzave që u mungoi liria përjetësisht, e shkrimtari ynë i madh i hedh këto vajza sa të bukura aq dhe krenare në kosh të plehrave, duke zgjatur duart drejt Tiranës…”

    Aty për aty, u ndjeva krenare për shumë gjëra, por kjo krenari shumë shpejt u pa e zhgënjyer, e venitur, e ngacmuar, e zbehur, e fyer, sa u trishtova dhe u lëndova deri në pafundësi, sa shpirti më rënkoi. Eh, moj e kaluar! Më kujtoi me dhimbje fushat e Myzeqesë, shkuljen e rrënjëve të pambukut, Ngarkesat e rënda mbi supet e njoma, kanalet e pafund të hapur nga krahët e brishtë të vajzave të internuara në kampet barbare të internimit, ku punuam e vuajtëm deri në ditët e lirisë me shpirt ndër dhëmbë, por me dinjitet të plotë. Sa të forta që ishim! Heroinat e shekullit duhet të quhemi! O Zot! Gjithnjë na kërcënonin, na fyenin, na tundnin para syve gishtin tregues duke na kërcënuar: Ju armiqve ua kemi treguar vendin! Mos kujtoni se s’ka më luftë klasash? Jo, jo! Ajo ulet, por ngrihet dhe ashpërsohet pandërprerë për ju! Prandaj, mos shikoni nga perëndimi, (Frazën e fundit e përdornin shpesh, por unë, isha e bindur se nuk e kuptonin shumica e tyre) Aty, t’u plasi koka aty! Në punët më të vështira! Këto shprehje të ulëta dhe nga më banalet, janë përdorur dhe në “Ditët e fundit të Pompeit” edhe pas rënies së murit të Berlinit, edhe pas rënies së komunizmit në Rumani, e këta diktatorë të kampeve, të Shqipërisë në përgjithësi, nuk kishin as veshë për të dëgjuar, dhe as sy për të parë, se si po ndryshonte lindja në tërësi. “Gomarin po e hante ujku, ai thoshte: “Qofsha në ëndërr”( Në rastin tonë, vërtet kishte qenë në ëndërr) Kështu, asnjë penë jashtë kampit, sado e fortë të jetë, dhe dashamirëse, apo paqedashëse, nuk mund të përshkruajë dot, apo të tregojë në një roman “dokumentar” apo artistik, bëmat monstruoze të asaj kohe makabre, të atyre kanaleve e punëve të rënda ku ne na pikonin duart, këmbët dhe zemra gjak. Ishte lumë dhimbjesh, vuajtjesh, rënkimesh, prej fëmijëve, prej rinisë, dhe të moshës së tretë edhe më keq. ky lumë vazhdonte e mbushej çdo ditë e më shumë nga lotët e këtyre plagëve të hapura ndër vite, nga një hakmarrje e çmendur apo tradhtarë të atdheut të sajuar për të kënaqur shpirtin e tyre të ngushtë prej krimineli. Thjesht, ne, mbijetonim në një sistem ngricë, dhe ata, përfitonin, jetonin në kurrizin tonë. E pse na persekutonin e na ndiqnin aq shumë? Ende e pyes veten: Ç’ishte gjithë ajo urrejtje ndërmjet një populli me të njëjtën gjuhë e kulturë? Pse na diskriminonin e shkatërronin shpirtin e brishtë brenda kampeve? Ç’kishim bërë gjë të keqe? Po populli i thjeshtë pse na donte të vdekur? Ç’u kishim bërë? E kam fjalën më shumë, për të lirët e Savrës, në 80% ishin kthyer në përbindësha, po të kishin mundësi, e dorë fare të lirë, do na pushkatonin duke kënduar, ose do na i piqnin mishin e trupin në hell të gjallë. Urrejtja kishte arritur kulmin, ishte primitive, e verbër dhe e tmerrshme! Ata brigadierë ( jo të gjithë) e sidomos brigadieret ishin tmerri jonë.( Vëllezërit Nebiu, njëkohësisht brigadierë dhe gjakpirës të vërtetë). Nuk ngopeshin me gjakun tonë. Njësoj si sekretarët e partisë, si operativët e sigurimit që na vinin si zagarë nga pas për të na nxirë edhe më shumë atë jetë, të cilën nuk na i kishin falur ata, por që donin t’na i merrnin me çdo kusht në tortura e sipër sa më çnjerëzore të ishte e mundur. Librin “E penguara” të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, e kam lexuar tre herë dhe e kam në bibliotekën e shtëpisë këtu në Bruksel. Dhuratë nga një vajzë shqiptare që punon në Komitetin Europian (shoqe me vajzat e mia) Tereza Dajlani. Kjo vajzë intelektuale mezi priste rastin të më gëzonte me këtë roman, i cili fliste pikërisht për vajzat e persekutuara. Ajo duke e njohur jetën tonë, mendoi se pikërisht kjo do të ishte dhurata më e bukur, më e përshtatshme, më e çmuar, që po i bëhej një ish të internuare, një krijuese që e kishte kaluar jetën në kampet më të egra siç isha unë. Krenaria e saj sa vinte e rritej para meje se libri ishte shkruar nga shkrimtar i madh Ismail Kadare  dhe kjo s’ishte një dhuratë e vogël.

    “Ende e pyes veten: Ç’ishte gjithë ajo urrejtje ndërmjet një populli me të njëjtën gjuhë e kulturë?  Pse na diskriminonin e shkatërronin shpirtin e brishtë brenda kampeve? Ç’kishim bërë gjë të keqe?”

    Kështu një ditë plot diell pasi ishte kthyer nga Tirana, më fton për një kafe në qendër të Brukselit, ku unë e pranova me kënaqësi. Kur zbrita nga metroja, m’u desh të çaja udhën me vështirësi pasi ajo e shtunë, si gjithë të tjerat e kishte mbushur Brukselin me turistë të shumtë, ku nxitonin dhe ata për të parë “grand plac” qendrën e qytetit dhe pikat e tjera turistike. Tereza kishte mbërritur para meje dhe qe ulur jashtë te tavolina e zakonshme. Pasi u përshëndetëm me dashamirësi, porositëm nga një kafe. Biseda qe e frytshme dhe e hareshme pasi tregonte për Tiranën, për Gjirokastrën që kishte kryer studimet e larta, dhe për Tepelenën e saj që e donte aq shumë. E pashë të merrte çantën dhe prej saj nxori një libër të mbështjellë me kujdes dhe me një etikë të lartë ma afroi. -Është një dhuratë për ty,- më tha. Në sytë e saj pashë një shkëlqim, një kënaqësi që rrallë herë e has njeriu në ditët plot strese. E hapa dhe pashë kopertinën dhe me zë të lartë lexova: KADARE, ” E penguara”. Ia ngula sytë titullit sikur atë çast do ta zbërtheja, e do të gjeja atë që më mungonte prej kohësh.- Është libri më i fundit i shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare- ndërhyri vajza me shpejtësi. Po, po, e shoh! “Rekuim për Linda B.” Shqiptova me zë të lartë dhe tunda kryet në shenjë pohimi. E pranova me kënaqësi dhe e falënderova nga zemra për dhuratën e bukur. Por vajza e mirë me zemrën flori, nuk harroi të më thoshte: – Do ta përpish sonte… E hapa në prani të saj, dhe në faqen e parë, vajza më kishte lënë një autograf: “Për mamin e shoqes sime Rori! E kam lexuar këtë libër me ty në mendje; një libër që e rrok mendja e atyre që e kanë jetuar këtë kohë! Me mirënjohje, Tereza. Bruksel, 17 Janar 2010”. Autograf i gjetur! Thashë me vete. Shumë përkëdhelës, po që mbart misterin brenda. “Rrok mendja e atyre që e kanë jetuar këtë kohë”cilën kohë?!! Menjëherë m’u mbështollën në gryk me qindra pyetje e përgjigje sa u ngatërrova brenda tyre dhe po e shihja veten në një rrjet merimange sikur të kisha rënë në lak. Ndaj dhe heshtja për momentin ishte më e mira, ishte një kapak floriri. E dija se, pasi ta lexoja ajo do të kërkonte përshtypjet e mia të sinqerta. Librin e lexova brenda natës, po nuk di nëse kisha kuptuar vërtet atë çka kishte dashur të hedh shkrimtari që pa tjetër priste të shpërthente në një triumf të ri. Sigurisht, unë nuk kisha qenë në gjendje për të thithur nektarin e vërtetë, shijen e vërtetë të librit të tij të fundit. Prandaj, të nesërmen e nisa edhe një herë nga germa e parë e deri te e fundit me një vëmendje shumë të përqendruar për të kapur çdo fjalë e frazë, çdo batutë apo metaforë, pa marrë parasysh, figurat mitologjike e historike si dhe vrasjen e filozofit Seneka… këtu historia ishim ne! E mbarova librin së lexuari së treti herë dhe përsëri fajin desha t’ia shkarkoj vetes. Isha e bindur se gabimi qëndronte vetëm te mua e jo te një shkrimtar me përmasa botërore si Ismail Kadare, kandidat për çmimin NOBEL. Jo! S’ishte e mundur që shkrimtari, Ismail kadare, të kishte bërë një mëkat në ditët e sotme e të ulte aq poshtë figurën e femrës së persekutuar shqiptare. Figurën e së cilës, ai duhej ta ngrinte në piedestal!!!. Kështu pasi e lexova së treti herë veprën e tij të fundit, vendosa të hesht, heshtja do të ishte mjekimi më i mirë për mua e të kaluarën time të plagosur. Heshtja më dukej më e denjë se replika e debati! Së fundi, nuk doja të zgjoja atë kohë të errët, e cila na rrëmbeu fëmijërinë, rininë jetën dhe të dashurit tanë të zemrës. Por një gjë e di mirë, nuk u mposhtëm kurrë! Kurrë nuk kërkuam lëmoshë apo ulje dënimi, ndërrim pune apo spiunllëku për të përfituar privilegje. Ne na karakterizonte krenaria jonë, të bijat e kujt ishim, shoqëria në të cilën bënim pjesë, geni nga i cili rridhnim etj… Inteligjenca kishte lindur njësoj me ne dhe ishte rritur po aq sa mosha jonë ndër vite. Vuajtëm po qëndruam! Qëndruam burrëresha! Sepse ne, luftuam për të jetuar, dhe ja arritëm! Mbijetuam përballë bishave diktatorë, përballë torturave çnjerëzore fizike e psikologjike, përballë ca mjeranëve të fëlliqur, përballë së keqes së madhe e sigurimsave që na kishin lakmi e ne vajzat e internuara s’i përfillnim! Ne ishim ato vajza të reja, të bukura, të forta që çuam jetën ne mjediset e rënda të gulagut. Ne ishim ne! Dhe vetëm ne! Së fundi Doja të theksoja: nuk do dëshiroja kurrë, që shkrimtarin e madh Ismail Kadare, ta ndjekë një dështim, një pendim, një dëshpërim, një mallkim, apo një hije e personazhes së tij që ai e ka goditur rëndë në dinjitet e në zemër. Jemi në demokraci ku jetojmë pa censurë. Arti është art! Terezës nuk i telefonova as atë mëngjes dhe asnjë ditë tjetër deri sa një ditë përsëri u ftova prej saj në të njëjtin lokal. Takimi me Terezën ka qenë dhe mbetet gjithnjë një takim i ngrohtë, pavarësisht nga konkluzioni për librin të cilin ia dhashë me dorë në zemër vetëm me një frazë… Ajo është një vajzë gjithë vitalitet, ku transmeton dashuri dhe respekt. Për mua, nyja e kësaj konsiderate që vjen e rritet çdo ditë, ka një lidhje të vjetër që më bën të drithërohem. Tereza flet për Gjirokastrën me pasion, e mua, më duket vetja se jam duke fluturuar ende nëpër kalldrëmet e atij qyteti të bukur, ku shoh veten, të vogël duke shkuar në shkollë, duke luajtur e vrapuar mesh shoqesh në “shkalipor”. Rrugë kjo, afër qafës së pazarit në të cilën kisha shtëpinë. Së fundi katër vargje nga poezitë e mia: Kur vinte pranvera/ Me lotët e mia e vadisja/ Ku vinte dimri/ Me psherëtimat a mia e mbysja.

    Krijimtaria ime dhe jeta e zezë në internim

    Ndalohet hyrja për të internuarit

    Të them të drejtën në regjimin komunist, kam shkruar në shumë emra anonime nëpër gazeta. Me emra të ndryshëm dhe një nga këta emra mbetet edhe emri, Ama Çeliku, në festivalin e parë për fëmijë që organizua në qytetin e Lushnjës unë isha e njohur me emrin Ama Çeliku që te tekstet dhe te skeçet e poezitë. Isha e njohur për rrethin, dhe estrada e Lushnjës dëshironte të më tërhiqte. Një ditë më vjen një ftesë nga Drejtoria e Shtëpisë së Pionierit nga znj.Vera Turku, që të marr pjesë në një mbledhje me rastin e festivalit. Unë mora leje dhe pesë minuta me vonesë u gjenda në korridorin e Shtëpisë së Pionierit. Këmbë njeriu s’gjeta, unë vendosa të shikoja disa poezi nxënësish e foto nëpër mure dhe kur po dilja një zë gruaje më ndali duke më pyetur: Ti je  Ama Çeliku?- Po, i thashë disi e turbulluar- vetëm ti mungon. Të dyja u futëm në një sallë të madhe ku kishte filluar mbledhja. Meqenëse isha e vetmja vajzë në gjithë atë sallë më vendosën në podium së bashku me Drejtoren dhe një udhëheqëse pionieri që martohej një javë më vonë në Elbasan. Salla mbushur me meshkuj të rinj e të vjetër. Kërkohej nga të gjithë ne, tekste për këtë festival. 24 tekste do zgjidheshin për këtë festival fëmijësh e ndërmjet atyre 24, duhej të ishte edhe emri im po qe se e meritonte teksti. Kur dola nga mbledhja, sytë më lëshonin xixa, u shkunda njëherë, tunda kokën, mu duk vetja aq e vocërr sa një pikë lapsi në fletore të madhe. Në mbledhje ishin shkrimtarë e poetët më në zë, e unë? Unë çupëlina e vogël e kampeve, e detyruara e punëve të rënda që duhej të kthehesha te kazma e te lopata me një copëz letër në xhep të zhubrosur e me një laps të vogël gati në fund. Shkrova 4 poezi gjatë punës të nesërmen. Në prezencën e të gjitha shoqeve munda të lexoja ato tekste që i shkrova duke më shkuar djersa çurg pa ndalur punën për asnjë çast. Mbështesja kazmën te gjuri dhe mbi të letrën, pastaj me të shpejt shkruaja vargjet. Të nesërmen i dorëzova te drejtoria dhe u largova. Pasi kaluan 3 javë mendova të shkoj një herë e të shoh se ç’bëhej me poezitë e mia. Me mbesën time 8 vjeçe përdore u gjenda te dera e Shtëpisë së Pionierit. Instinktivisht ndala hapin, nuk po guxoja të hyja. Më bëhej se para meje qëndronte një postbllok, te i cili lexoja pa vështirësi: Ndalohet hyrja për të internuarit. Atmosfera ndihej gazmore dhe e këndshme nga fëmijët që këndonin e bënin prova. Unë përsëri ngurova të hyja, më dukej vetja se isha e tepërt për të marrë pjesë në një eveniment kaq me vlerë. E ndjeja së tepërmi hendekun që na ndante, biografinë. Unë kisha paraqitur 4 tekste. Duke qenë se isha shumë e ndjeshme, më mirë preferoja të më qëllonin surratit se sa të më thoshin:Tekstet e tua nuk u pranuan…arsyen ti e di…apo si guxove dhe erdhe… e di ti se kush je?etj..  Me këto turbullira në kokë u ktheva mbrapsh. Sa bëra disa hapa një zë fëmije më tërheq vëmendjen e më thotë se më kërkojnë brenda. Kur hyra një djalë i ri me entuziazëm më tha:Ama! Dëgjoje këngën tënde! Është nga më të bukurat! Ishte kompozitori. Aty mësova se nga 4 tekste ishin pranuar tre dhe se juria e festivalit kishte treguar interes të mëtejshëm për mua, e për talentin tim. Juria kishte propozuar që unë të zëvendësoja udhëheqësen e pionierit që po martohej. Në festival nuk mora pjesë nga mos guximi. Por mora vesh se një nga këngët e mia kishte marrë çmimin e dytë dhe shpesh e dëgjoja rrugës kur e këndonin fëmijët brenda oborreve të tyre e unë në rrugë ndalesha dhe e dëgjoja. Titulli i asaj kënge ishte: “Xhaxhit tim ushtar” Të fala Donika / Xhaxhit tim ushtar / Se e dua shumë / dhe e pres me mall./ Edhe nëpër male/ n’male me dëborë/ Xhaxhi im s’ka ftohtë /rri me pushkë në dorë.  Tra la la, xhaxhi im ushtar, tra la la, xhaxhi im ftohtë s’ka, etj.. Nga kjo këngë unë u shpërbleva me Flamur dhe Fletënderi, të cilat i mbajti Kompozitori duke më marrë leje mua. Kurse televizioni na dërgoi Fletënderi dhe një shpërblim suplementar në të holla plus. Këto të holla mund t’i kam tërhequr  gati tre muaj me vonesë. Kurse paratë e teksteve i kam marrë në rrugë përballë kinemasë duke firmosur borderonë që më afroi pa frikë e ndrojtje, njeriu i ndershëm që s’është më Enver Kallajxhiu.

    Si është pritur krijimtaria juaj në Lushnje. Të qenit e internuar a jua mbylli dyert e krijimtarisë?

    Siç e shpreha më lart; krijimtaria ime u prit me entuziazëm nga të gjithë lushnjarët, por shpejt u mbyll në një portë të hekurt. Poezia ime ishte si një agim i bukur kur shkëlqejnë rrezet e para të diellit, si një trëndafil i bukur rozë që kishte çelur atë agim plot vesë ku kundërmonte aroma e një pranvere të bukur e të bleruar. Më vonë, vjen një stuhi e tmerrshme e ia rrëzon një nga një këto petale të bukura  këtij trëndafili rozë. E më pas, vjen një rrebesh i papritur dhe e prish gjithë atë shkëlqim natyror që s’ishte aspak i rremë.  Do të ishte ky festival që do të ndryshonte jetën time rrënjësisht? Sigurisht, nëse një relacion negativ s’do kishte mbërritur në Shtëpinë e Pionierit që unë një vajzë aq e re, isha familje armike. Nuk i thonë kotë: ”Para të madhit e prapa kalit mos dil”. Pas demokracisë krijimtaria ime është mirëpritur e vlerësuar nga kritika letrare, jo vetëm në qytetin e Lushnjës, e të Tiranës, po në shumë qytete të tjera të vendit dhe jashtë vendit. Është mirëpritur dhe ka bërë jehonë të madhe, si në Maqedoni, Kosovë, Belgjikë, dhe jam përfshirë në shumë antologji, si shqip, frëngjisht, suedisht, gjermanisht, rumanisht, anglisht, etj.,  sidomos në qarqet intelektuale si dhe nëpër gjimnaze jam mirëpritur me respekt dhe dashuri. Shpesh herë njerëz të panjohur më ndalojnë në rrugë më kërkojnë autografe, bile dhe më ndjekin nga pas. Një ditë isha duke përshkuar një park të bukur në Bruksel dhe nisa të nxitoj hapin pasi koha lajmëronte për shi. Një zonjë që ishte e ulur rreth 25mera larg lëndinës që po kaloja unë me  shpejtësi, vura re se ajo po zgjatej sikur po më njihte. Unë instinktivisht i hodha një vështrim të shpejt dhe pa dashje i thashë në gjuhën shqipe: Të siguroj që nuk njihemi! Dhe vazhdova të nxitoj hapin duke u distancuar edhe më shumë. Kjo zonjë nuk u tërhoq nga e saja, por duke u ngritur më thotë: Dale moj dale! Mos je ti ajo e atij libri? Atëherë u ndala sepse zonja ishte shqiptare e më vonë mësova se ishte nga Shkodra. Kështu më ka ndodhur dhe në Maqedoni, në Francë po dhe në Amerikë.

    Botuar në Maj 2014