Ashpërsohen luftimet në Jemen, zhvendosen mbi 125 mijë njerëz

Sulmet ajrore dhe përshkallëzimi i luftimeve në Jemen kanë shkaktuar një valë të re zhvendosjesh, ndërsa Kombet e Bashkuara thonë se të paktën 125 mijë njerëz, ose rreth 18 mijë familje, janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që prej fillimit të muajit.

Rebelët Houthi, të njohur edhe si Ansar Allah dhe të mbështetur nga Irani, kanë akuzuar Arabinë Saudite për dhjetëra sulme ajrore në disa zona të Jemenit. Pretendimet vijnë pasi koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite premtoi se do të përgjigjej “me vendosmëri” ndaj sulmeve me raketa dhe dronë të Houthive kundër territorit saudit.

Sigal

Koalicioni tha se sulmet e Houthive ndaj qyteteve Khamis Mushait, Abha dhe Taif shkaktuan plagosjen e 13 civilëve, me dëme në shtatë banesa dhe dy automjete. Zëdhënësi i koalicionit, gjeneralmajor Turki al-Maliki, deklaroi se forcat e koalicionit do të ndërmarrin masa për të mbrojtur sovranitetin e Arabisë Saudite.