Çeta e Pezës, shkëndija e parë, që ndezi zjarrin e LANÇ-it

102
Sigal

Çeta e Pezës, “shkëndija” e parë që ndezi zjarrin e madh të LANÇ

5 Qershor 1940, formohet Çeta e Pezës, e para çetë Antifashiste në Evropë

-Me rastin e 81-vjetorit të krijimit-

 

Më 5 qeshor të vitit 1940, në Pyllin e Vanorit, në Pezën e Madhe, u krijua Çeta e Parë Antifashiste në Shqipëri, por edhe në Ballkan e në gjithë Evropën, me komandant trimin legjendar, Myslim Peza. Formimi i Çetës Patriotike të Pezës përbën një ngjarje të rëndësishme për Historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, për Shqipërinë e për gjithë shtetet që u bashkuan në Luftën e Madhe për të mposhtur nazifashizmin që do të pushtonte botën sepse ajo, pasi u kthye në çetë partizane, u bë shembull e model për gjithë çetat e tjera që u formuan më pas. Kjo ngjarje na bën të krenohemi si komb e si popull sepse, Çeta e Pezës ishte shkëndija e parë që ndezi Luftën e Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare, që ndezi në fillimet e Luftës II Botërore kundër nazifashizmit. Sikur të ishte krijuar një çetë e tillë në një shtet tjetër, padyshim që bota do ta njihte shumë e më shumë. Çeta e Parë Antifashiste e Pezës ka historinë e saj të formimit, të luftës së saj patriotike dhe të heroizmit partizan. Atë e krijuan rrethanat e kohës, e krijoi urrejtja ndaj pushtuesve fashistë italianë, e krijoi populli i Pezës dhe biri legjendar i kësaj krahine, patrioti i shquar, heroi i Popullit Myslim Peza. Myslim Peza, i mërguar jashtë vendit për shkak të përndjekjes që i bënte regjimi i Zogut për ta vrarë, sapo mësoi pushtimin e Atdheut nga fashistët italianë, u kthye menjëherë ne vendlindje. Dhe kthehet me një vendim të prerë e me një mision të qartë: të vihej në ballë të luftës për të shporrur pushtuesit nga trojet tona.

Në kohën që pushtuesit italianë vazhdonin t’i shtrinin kthetrat e tyre robëruese në tërë vendin, në Shqipëri nuk kishte asnjë forcë politike që të bënte thirrje për bashkim të popullit dhe për luftë kundër fashizmit. Edhe ata që dolën më 7 prill të vitit 1939 në Durrës me në krye Mujo Ulqinakun, për të sprapsur pushtuesit fashistë, i pat thirrur ndërgjegjja e tyre kombëtare. Krejt vullnetarisht patën vepruar edhe antifashistët e tjerë ne Shëngjin, Vlorë, Sarandë e gjetkë. I mbrujtur me zemëratë të madhe për regjimin antipopullor të Zogut, tashmë i mbushur edhe me më shumë urrejtje për shkak të pushtimit fashist të vendit, Babë Myslimi vendosi të krijojë Çetën Antifashiste. Po cilët ishin pjesëtarët e parë të këtij formacioni te lavdishëm? Ishte vetë ai, Myslim Peza dhe tërë pjesëtarët e familjes së vet, duke fìlluar që nga bashkëshortja, djali dhe vajzat. Ishin anëtarët e familjes së vëllait të tij. Ishin edhe njerëz të tjerë të gjakut të vet, të farefisit. Myslim Peza si komandant i Çetës mobilizoi gjithë të afërmit e tij, si per t’u thënë tërë pezakëve dhe jo vetëm atyre, se ne kemi vendosur edhe të sakrifìkohemi per çështjen e shënjtë të çlirimit të Atdheut. Çeta Antifashiste e Pezës nuk mbeti vetëm e familjes dhe farefisit të Myslim Pezës, që fillimisht bëheshin 30 vetë. Por ajo do të rritej e do të shtohej dita-ditës, javë pas jave e muaj pas muaji… Në të u përfshinë gjithë pezakët patriotë por dhe luftëtarë nga fshatrat e Kavajës, Shijakut, Durrësit, Peqinit etj… Brenda pak muajve ky formacion antifashist do të përbëhej nga më shumë se 70 luftëtarë e më vonë 100. Mes tyre ishin edhe Kajo Karafili, Ramazan Çoba, Shaban e Shkurt Rexha, Sul Jonuzi, Hamdi Grori, Avdi Kasalli, Xhaferr Durishti, Kasem e Sadi Sinani, Zyber Peza, Rrem Haka. Ymer Kurti, Fadil Çelmeta, Lui Brahja, Vath Korriku etj. etj…. Në të do të rreshtoheshin ushtarë që kishin dezertuar nga Lufta Italo- greke. Të gjithë ishin të vendosur dhe të betuar për misionin qe kishin marrë përsipër të kryenin. Ata shikonin te Babë Myslimi njeriun që do t’i udhëhiqte për të mirën e Shqipërisë, njeriun që nuk kishte asnjë interes për vete, veç për popullin e Atdheun. Fjala e tij kishte peshë, fjala e tij ishte ligj e besë. Prandaj ai u kthye për ta në një komandat trim e sypatrembur, në një idhull dhe e ndoqën pas deri në fund. Çeta tashmë do bënte aksione të tilla që do të ngjallte besim e dashuri te populli. Babë Myslimi organizoi disa aksione prita kundër fashistëve, sidomos përgjatë rrugës kombëtare Tiranë – Durrës e anasjelltas. Çeta po kthehej në një shqetësim e kërcënim për qeverinë fashiste e për pushtuesit fashistë. Për këtë arsye më 16 mars të vitit 1941 mbi 700 karabinierë fashistë, të pajisur me armët më të mira të kohës, mbërritën në Pezë për të asgjësuar Çetën e Babë Myslimit, me shpresën e madhe se kështu do të mund të shuanin përfundimisht shkëndijën e fuqishme të luftës antifashiste ne Tiranë. Por pikërisht në luftën e 16 marsit 1941 antifashizmi i kësaj Çete do të bëhej edhe më i fuqishëm, e fama e saj do të rritej shumë. Fashistët shkuan në Pezë për të asgjësuar Çetën, por i kishin bëre llogaritë gabim. Shkuan për lesh, por dualën të qethur. Gjatë kësaj lufte, ku spikati talenti i Babë Myslimit si komandant, spikati patriotizmi i luftëtarëve të kësaj çete. Armiqtë lanë 84 te vrarë e shumë të plagosur. Nga Çeta mbetën pesë dëshmorët e parë të saj: Hasan Peza, Sadi Sinani, Vath Korriku, Xhaferr Durishti dhe Muharrem Haka. U plagosën dhe mbetën invalidë të Luftës edhe disa luftërarë, si Skënder Peza, Emin Çelmeta, Qemal Deliallisi, Shkurt Rexha dhe Sulejman Brahja. Edhe pas kësaj përpjekjeje të përgjakshme, Çeta Antifashiste s’i ndërpreu luftimet. Përkundrazi, i vazhdoi në Pezë dhe në një territor të gjërë, që shkonte nga Shijaku, Kavaja e deri nga Peqini e Lushnja. Dhe kudo dëshmoi heroizëm të pashoq, duke u bërë frymëzim.

Kthimi nga çetë patriotike në çetë partizane

Çeta e Pezës po kthehej në një shkollë të luftës. Këtu luftëtarët po merrnin mësimet e para të shkollës së madhe të luftës antifashiste. Çeta e Pezës dhe komandanti i saj tërhoqën vëmendjen e komunistëve. Që herët, pasi u kthye nga Resnja, pas 9 vjetësh mërgim, më 11 korrik të viti 1939, Enver Hoxha zhvillon një takim me Babë Myslimin, ku biseduan për hallet e popullit e do të bëheshin miq. Në janar të vitit 1941, Enver Hoxha zhvillon përsëri një takim tjetër me babë Myslimin, te Dyqani Flora. Më 1941 Enver Hoxha shkon dy herë në Pezë. Ai u takua me luftëtarët e komandantin e saj Myslim Peza dhe u propozoi që të pranonin në gjirin e tyre komunistë. Më 21 gusht të vitit 1941, kur ende nuk ishte krijuar Partia Komuniste e Shqipërisë, me inisiativën e Enver Hoxhës, çeta Antifashiste do të shndërrohej në çetë Partizane. Ata pranuan. Në Pezë shkoi edhe Qemal Stafa. Tanimë ajo do të kishte edhe komisar politik, siç do të ishte Vasil Shanto e, ca me pas, Mustafa Gjinishi. Në këtë kohë e në vazhdim, luftëtarët e çetës do të bëheshin edhe më të vetëdijshëm për misionin që ishin duke kryer. Me kalimin e muajve çeta do të zgjerohej me luftëtarë të rinj, ardhur edhe nga rrethe të tjera, sikundër që do të shtohej edhe me kuadro të përgatitur, sjellë këtu me detyra konkrete. Që këtej doli nevoja që të krijohej Batalioni i parë Partizan i Pezës. Në vazhdim, Batalioni i dytë, i tretë e me radhë. Ca më pas u krijua Grupi Partizan i Pezës dhe, më në fund, edhe Brigada XXII Sulmuese me komandant birin e shquar të Kavajës, Sali Verdha dhe komisar militantin e hershëm shkodran, Tonin Jakova.

 

-Sipas kujtimeve të “Heroit të Popullit” Myslim Peza-

“Në fillim të qershorit 1940, unë, Kajani dhe Sulë Jonuzi, u hodhëm në ilegalitet. Dija një vend qysh në kohën e ndjekjeve të Zogut, pyllin e Vanorit. Aty kishte plot vende të fshehta dhe ujë të bollshëm. Nëpër daljet e pyllit mund të lidheshe me të gjitha fshatrat e Pezës. Në Vanor na gjetën tre të arratisur nga fshatrat e Kavajës. Një ndër ta ishte Ramazan Çoba, nga Seferaj i Kavajës, i arratisur për shkak të një hasmërie. Më kujtohet që Ramazani erdhi kur Shyqyriu ndodhej në burg. Një nga kalamajtë pezakë më pyeti se si e quanin shokun tonë të ri dhe unë ju përgjigja kot: Spiro. Kështu Ramazanit i mbeti emri Spiro. Pas çlirimit, Ramazan Çoba ra dëshmor në një përpjekje me diversantët. Një ditë na solli bukë Shaban Rexha nga Greca. Ai ishte një djalë i shëndetshëm rreth të njëzetë e pesave, i fortë dhe i shkathët. Nga trupi e fytyra ngjante si një binjak me Sulë Jonuzin. Kur u vra Sula, milicia fashiste shpalli se u vra Shabë Rexha, kaq shumë ngjanin. “A më merr dhe mue?”, më pyeti Shaba. “Si të duash, o Shabë”, i thashë, “ti po e sheh se çfarë jete po bajmë ne. Mendohu mirë!”. “Vallahi Babë, tha, po më pranove, unë e kam ndarë mendjen të rri me ju”. Pas Shabës erdhi Hamdi Grori. U vra në malet e Pukës Hamdiu, në atë betejë ku u vra pioneri hero, Met Hasa. Eh, çfarë Hamdiu ishte ai! I këputur, i këputur fare, po djalë më zemërgjerë nuk ban nana. Sa hije i kishin kollanët e fishekëve në gjoks! Të gjithë mbanin nga një kollan, Hamdiu mbante tre. Ishte trupmadh e i lidhur, i rregullt e i kujdesshëm, shënjtar i rrallë. Edhe një shenjtar tjetër, po nga Grori, u bashkua me ne atë verë: Avdi Kasalli. Shtëpia e Avdiut ishte një nga bazat tona më të forta, por na e zbuluan milicët! E rrethuan Avdiun në shtëpi. Ai e çau rrethimin dhe erdhi te ne. Kështu u krijua bërthama e Çetës së I-rë Antifashiste që do të merrte emrin e dashur të Pezës. Në vjeshtë e në dimër të tij viti, Çeta arriti në 72 veta, burra e djem të thekur për luftë. Ma të mirët ndër ta ishin Kasem Sinani e Sadi Sinani nga Maknori. Kasem Sinani, kaçak i vjetër antizogist, ishte rreth të gjashtëdhjetave, prandaj ne e thërrisnim xha Kasem”.