“Koncerti ”
Në teatrin e fjetur të pyllit,
zoti Ujk po na i binte fyellit…
Ngrehur rrinin veshët edhe qimja;
kishte shpresë që të mblidhej gjindja,
e të linin mendt’ te fyelli i tij;
(ndokush edhe kokën, sigurisht).
Ngase u cfilit deri në mbrëmje,
edhe në “koncert” nuk shkeli këmbë,
ia ktheu sakaq me ulërimë:
“Uuu, ç’më shkoi dëm gjithë ky mundim!
Mos më dalçi në ndonjë shteg a pritë;
copash do t’ju bëj dhe pa muzikë…”
Rendi
Moti, për festimet, dukej mbarë.
Në tribunë, u dha Çakalli i pari.
Fjalët, q’i kish shkruar mbi një gjethe,
zuri t’i kumtonte plot lezete…
Por papritur, bëri ballë Luani.
Gjindja mbajti frymën, le ç’po ngjan.
Bam (!) ai një shkelm zotit Çakall
dhe e postoi te shkurret përballë…
“Të më falni,”- tha pastaj, “ishte pa klas;
por… o miqtë e mi, nga kjo marr shkas,
ta them ndershëm se do ish më mirë,
që sekush vendin e tij ta dijë.”
Dhe më tej, fjalën e mori vetë;
gjindja – sytë përpjetë…
Pianoja dhe…Xhina
Po luanin në piano,
te salloni.
Shtëpia sikur ndërroi përnjimend;
u duk se perdet, lulet po këndonin.
I pakënaqur qenkej veç një qen,
që ndërsa tasin ish duke lëpirë,
po meditonte shoku gjithë mërzi:
“Unë për vete,
ndjehem pak më mirë,
kur Xhina leh, te vila përkarshi…”






















