Suplementi Pena Shqiptare/  Vepror Hasani: Hasani i madh i Frashërit dhe Butka

24
Sigal

Frashëri në krye të herës pati 6 shtëpi (5 me kryefamiljar dhe 1 shtëpi me një beqar). Tashmë edhe beqari priste të kishte bashkëshorten e vet, familjen e vet dhe të ardhmen e vet. Nga sa kuptohet, pjestarët e këtyre familjeve, (gjithsej 6 bashkë me beqarin), duhet të kenë qenë njerëz me ambicie të madhe, sypatrembur dhe kurajo të spikatur. Emrat e tyre, (as të beqarit dhe as të familjarëve), nuk i dimë, sepse në regjistrimet ixhmal (përmbledhës) banorët nuk përmenden me emra, pasi shënohet vetëm numri i tyre. (Emrat e banorëve të Frashërit do t’i mësojmë më pas).

Ky fshat i vogël nga gjithkush shihej me çudi të madhe. Njerëzit e tij, në fillesë, jetonin mes pyjeve, ku netëve të errta dëgjoheshin hungërima kafshësh të egra, krakëllima shpendësh dhe britma të frikshme, por ata nuk i trembeshin asgjëje, ndryshe nuk do të kishin pranuar të mbeteshin në atë vend të frikshëm ku gjendeshin lumenj e gryka, male dhe qafëmale, shpate dhe kanione, lugina dhe fusha, gërxhe dhe maja, burime dhe ujëvara, përrenj dhe zallishte, kullota dhe lëndina etj; ngryseshin dhe gdhiheshin bashkë me rrezikun. Gjithashtu edhe dimri ishte i ftohtë me shumë dëborë, stuhi, furtunë e rrebeshe. Shpesh qëllonte të qëndronin për ditë të tëra me radhë të izoluar në shtëpitë e tyre….. Ishte viti 1431-32 .

Edhe një pjesëz tjetër teksti nga hyrja e Librit

„Në vitin 1506, sipas regjistrit mufasal (i hollësishëm), ku shënohen edhe emrat e banorëve, Frashëri kishte 41 shtëpi, nga të cilat 40 të krishtera dhe 1 familje me pjestarë myslimanë. Sipas të gjitha gjasave, familja me pjestarë myslimanë është ajo e beqarit të përmendur në regjistrin e vitit 1431-32, i cili duke qenë i vetmuar, pa përkrahje, mund të ketë gjetur mbështetje te klerikët myslimanë, dhe vetiu i është bashkuar besimit Islam.

Nëse ka qenë kështu, (dhe më e mundshmja është kështu, sepse të gjitha indiciet të çojnë në këtë përfundim), beqarit i ka pëlqyer të quhej Hasan, të kishte emrin e nipit të profetit Muhamet. Tashmë nga viti 1431-32 kur beqari përmendet për herë të parë, deri në vitin 1506 kanë kaluar 74 vjet, (dhe pavarësisht nëse ai jeton ose jo), e sigurtë është që ka lënë pas një familje: bij, mbesa, nipër dhe stërnipër. Disa prej tyre mbajnë emrin Hasan, emrin e stërgjyshit, ashtu siç e donte zakoni në ato kohëra…

Ky është Hasani i Madh i Frashërit, krijuesi i familjeve të mëdha, nga i cili rrjedh edhe autori i këtij libri… Hasan quhej edhe stërgjyshi, ishte biri i Selfos, i cili mbante titullin bej…. Këtu zë fill historia e Frashërit …