Suplementi Pena Shqiptare/ Kadri Roshi, Legjenda e skenës Shqiptare

808
Sigal

Nga Luan Çipi

Kadri Roshi lindi më 4 janar të vitit 1924, në Ballsh të Mallakastrës, por prindërit e tij, Maksuti dhe Sabria, ishin me orgjinë, nga Libohova e Gjirokastrës. Nëna e Kadri Roshit do të largohej nga jeta, kur Kadriu ishte vetëm 2 vjeç, ndërsa i ati do ta linte atë jetim, fare të vogël, në moshën 12-vjeçare. Babai i tij ishte një avokat i spikatur, që përgatiste mbrojtjet me kujdes e argumente të tilla, që kurrë e asnjëherë në karrierën e tij, nuk njohu dështim.

Pas vdekjes së të dy prindërve e më pas, Kadri Roshit, i duhej të siguronte jetesën, duke punuar, herë si punëtor ngarkim shkarkimi në portin e Durrësit, herë si punëtor mirëmbajtjeje, në Vlorë, Gjirokastër e Fier dhe në fund, biletaprerës, në ish-kinema Republika, në Tiranë. Edhe pse deri rrethi familjar tij ishte e arsimuar, aqsa në fisin e tij, numëroheshin rreth 25 mësues, ndryshe nga kjo, Kadri Roshi, në fillimet e jetës së tij, do të mbetej i paarsimuar, duke mundur të kryente vetëm 5 vitet e para të shkollës fillore.

Martohet herët, në moshën 23-vjeçare, me Drita Tahon, vajzë me origjinë nga Gjakova, e cila gjithashtu ishte artiste, dhe që do të ndajë në harmoni me aktorin e shquar, 60 vite të jetës së saj. Nga kjo martesë do të lindin dy fëmijë, Ermira dhe Kliti, të cilët profesionalisht do të ndjekin pasionin e prindërve.

Qysh në moshë fare të vogël, Kadri Roshi, do të tërhiqte vëmendjen e mësuesit të tij të shkollës fillore, mandej duke e mahnitur atë, ndërsa recitonte poezi të Naimit dhe Migjenit. Në vitin 1945, Kadri Roshi, i cili sapo kishte dëgjuar për një grup teatral të krijuar, do të vendoste t’i nënshtrohej konkursit të tij të parë. Do të ishte pikërisht ky konkurs, që për ironi, do e skualifikonte Kadri Roshin për ’’mungesë talenti dhe pengesë në të folur”. Disfata e tij e parë. Por artisti, për fat, nuk u dorëzua. Vendos të konkurrojë për herë të dytë. Sërish do të pësonte një tjetër disfatë. Në një konkurs me 21 pjesëmarrës Kadri Roshi, prapë cilësohet si i patalentuar dhe për çudi, këtë herë, shoqëruar nga një tjetër konkurrent, Naim Frashëri dhe së bashku,  do të kryesonin listën e të skualifikuarëve.

I pushtuar nga hidhërimi dhe i pashpresë për disa muaj, do të endej i vetëm rrugëve. Duket se kjo zgjati, deri në momentin fatlum, kur përballë tij rishfaqet mësuesi i tij i fillores. Atëherë duket do të lind edhe shpresa  e parë, që do të ndriçojë rrugën e lavdishme  të gjeniut drejt artit.

Pasi dëgjon dhe njeh arsyet e trishtimit të ish-nxënësit të vet, mësuesi dashamirës, vendos të shkojnë së bashku, e të takojnë një mik të tij në Drejtorinë e Arteve të Bukura. “Miku” ishte për kohën, një figurë e shquar e letërsisë, shkrimtari i njohur  gjirokastrit Zihni Sako, i njohur i mësuesit, i cili vendosi të ndihmojë Kadriun, duke i krijuar atij mundësinë të punonte fillimisht si sufler.

 

Nuk do të kalojë shumë kohë, kur një grup i vogël personash jo profesionistë, në të cilin bënte pjesë edhe Kadri Roshi, Naim Frashëri etj, të konsideruar më parë si të patalentuar, do të mblidheshin e do të përkthenin nga frëngjishtja, e më pas do të vinin në skenë pjesën “Martesa e Gogolit”, ku Kadri Roshi interpretonte rolin e Podgolisenit. Kaq i madh ishte suksesi i kësaj shfaqjeje, sa ky grup amatorësh, hyn menjëherë në grupin profesionist të Teatrit Popullor dhe nga ajo ditë Kadri Roshi përfshihet si aktor permanent i Teatrit Popullor.

Roli i tij i parë në Teatrin Popullor, do të ishte Osipi, tek Revizori i Gogolit. Pas dhënies së kësaj shfaqjeje, e cila pati një sukses të bujshëm, dramaturgu i madh Gogol, konsiderohet frymëzues dhe si një figurë shumë e dashur dhe e pa ndarë për të.

Në vitin 1947 Kadri Roshit i jepet e drejta e studimit në Zagreb të Kroacisë, për aktor. Me prishjen e marrëdhënieve me ish-Jugosllavinë, studenti transferohet në Pragë të Çekisë, ku dhe përfundon në vitin 1950 studimet e tij me rezultatin shkëlqyeshëm.

Roli i tij i parë, pasi u kthye në Shqipëri, pas kryerjes së studimeve, çuditërisht dhe për koincidencë do të ishte sërish, Osipi i Gogolit. Edhe një herë, suksesi dhe popullarizimi i interpretuesit, tashmë edhe të shkolluare me përvojë, do të ishte i jashtëzakonshëm.

Kadri Roshi, do të interpretonte, gjate jetës së tij shumë role, duke lënë gjurmë e mbresa të pashlyeshme për çdo shqiptar, me shifrën e tyre rekord të rreth 215 roleve, duke përfshirë teatër dhe në kinematografi, pa përmendur këtu veprimtarinë e tij si regjisor dhe pjesëmarrës në shfaqje gjurmëlënëse brenda dhe jashtë vendit dhe  si recitues monologësh të bujshme, të paharruara.

Në vitin 1970 së bashku me grupin e delegacionit brazilian të ardhur në Shqipëri, gjendej edhe Guilherme de Oliveira Figueiredo, dramaturgu brazilian, autori i komedisë “Dhelpra dhe Rrushtë” (Ezopi). Guilherme kishte dëgjuar se pjesa Dhelpra dhe Rrushtë ishte vënë në skenë në 1963 në Shqipëri, pa e ditur se kjo pjese tashmë ishte hequr në mënyrë paradoksale nga repertori. Vetë dramaturgu brazilian kërkoi të mund ta shikonte atë. Kadri Roshi gjendej pikërisht ato ditë në shtratin e tij, në kushte jo të mira shëndetësore. Si rrjedhim, 4 aktoret e tjerë pjesëmarrës, do ta shndërronin dhomën e tij në studio provash e për vetëm 10 ditë do të arrinin të jepnin shfaqjen suksesshëm para autorit.

Figueiredo në fund të shfaqjes do të thoshte: “E kam parë në shumë vende të botës, por Ezopin, që mendova dhe shkrova, e gjeta vetëm këtu, në këtë teatër”.

Në vitin 1974, menjëherë mbas suksesit të madh të Kadri Roshit, në interpretimin e rolit Arturo Ui, vetë artisti do gjykohej e akuzohej për shkaqe të paarsyeshme, sa mund të thuhet thjeshtë për teke personale e deri vendime diktatoriale. Në fund, Kadriu i pafajshëm, do të dënohej, fare padrejtësisht, do përjashtohej nga Teatri, duke u dërguar të punonte, si punëtor në ofiçinën e automjeteve të ndërtimit, OAN.

Do të ishte shumë e madhe tronditja e tij shpirtërore në atë periudhë, por, pӕr natyrën e tij optimiste, jo krejt disfatiste. Edhe pse në këtë mjedis, ku nuk gjallonte asnjë mendimi për teatrin, Kadri Roshi, do të ngrinte një grup teatral të përbërë thjeshtë nga amatorë të përzgjedhur midis punëtorësh. Do të punonte si regjisor e do të vinte në skenë po këtë vit, me grupin që kishte krijuar, pjesën “Koha e Komisarëve”, si një metaforë dhe sfidë proteste, ku vetë ai interpretonte, rolin kryesor të “Komandantit Rapo”.

Gjatë shfaqjes, e cila do të jepej në Teatrin Kombëtar, Kadriu, si i përjashtuar, nuk do të lejohej as të përdorte ish kabinën e tij të veshjes, të cilën ai vetë kishte përdorur për një periudhe 30-vjeçare. Shfaqja ishte caktuar të fillonte në orën 18:00, por edhe pse koha tashmë kishte kaluar dhe ora shënonte 18:30, ajo po vonohej për ngurrim e pasiguri: A do ta pëlqente sërish publiku aktorin Kadri Roshi? Si do ta priste ai atë? Kadri Roshi, qëndronte si i hutuar mbrapa kuintave, i mbërthyer nga emocionet. Befas dëgjohet zhurma e kërcitjeve të dyshemesë së teatrit, si zhurma e lëkundje të ngjashme me ato të një tërmeti. Salla e teatrit ishte mbipopulluar nga spektatorët, duke kapërcyer dyfish kapacitetin e saj. Godina e pasigurt e teatrit rrezikonte të shembej. Po shfaqja filloi. Interpretimi dhe rikthimi në skenë i Kadri Roshit, që impononte madhështi e kompetencë, shoqëruar me keqardhjen e largimit padrejtësisht nga skena të tij, kthyer shenjë dashurie, simpatie dhe keqardhje popullore, do të shoqërohej e mbytej nga ovacione e brohoritje të vazhdueshme. Shqiptarët që e njihnin mirë, e ri gjetën dhe e dashuruan edhe më shumë deri në adhurim, gjeniun e vet, duke mos lejuar të zbriste më nga skena, deri në vdekje.

Kadri Roshi është konsideruar njëzëri nga kritika e artit, si legjenda e skenës dhe ekranit shqiptar dhe ishte nderuar e vlerësuar deri me titullin “Artist i Popullit”. Po kulmet e vlerësimit cilësor të veprimtarisë së tij artistike mbarëkombëtare, ai i arriti në vitin 1995, kur u nderua me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik Shqiptar dhe në vitin 1997 me Çmimin e Madh të Nderit, kur nga Presidenti Republikës  z. Alfred Moisiu, u shpall  “Nderi i Kombit” .

Artisti i madh, për gjithë jetës së tij skenike, karakterizohej nga një cens humori i pazakontë. Të gjithë ata që e njihnin mahniteshin nga bota e humorit të tij, humor i cili shembte dhe asgjësonte deri çdo hidhërim, pakënaqësi e lëkundje mendore të gjatë e momentale. Po duhet theksuar se, me gjithë madhështinë e tij të lindur, Ai ishte kurdoherë e në çdo rast, adhurues e mishërues i modestisë së skajshme. Shpesh pyeste e frenonte vet veten: Mos u tregova mendjemadh? Dhe po me humor, ai  përgjigjej: Epo më mirë mendjemadh se mëndje vogël.

Nëse do kërkojmë hobitë dhe pasionet e tij të veçanta, mund të themi pa mëdyshje që ato ishin: duhani dhe peshkimi. Por, këto dy pasione të mirëfillta, që e dominuan për një kohë tepër të gjatë të jetës së tij, do t’i braktiste, kur i konstatoi frenuese e të dëmshme.  Ai i sakrifikoj ato dhe u shkëput nga ato, për rreth 6 muaj, në kulmin e ngarkesës aktoreske,  për hir të dashurisë më të madhe të tij, për artin. Kjo ndodhi në përgatitjen e rolit Arturo Ui. Përfundimisht mund te themi se pasioni i tij madhor jetik, ishte aktrimi artistik në teatër e kinema, sepse Ai, gjatë aktrimit tjetërsohej tërësisht në rol.

Për të qenë gjithnjë në këtë pozicion, ai studionte dhe thellohej deri në hollësirat e ngjarjeve të mjedisit autorial.  Për hir të këtij objeksioni, Artisti, ishte një njohës i thelluar, si rrallë kush, i historisë, politikës, gjeografisë dhe ekonomisë botërore edhe e shprehte shpesh, që këto njohuri, janë të domosdoshme në interpretimin e roleve të veta.

I pyetur, nëse ndien shumë emocione gjatë interpretimeve, ai do të përgjigjej: Përpiqem të provoj gjithë emocionet që kanë kaluar karakteret e mi, që të mund t’ia transmetoj publikut  sa më të plota  e të vërteta ato.

Artisti, gjatë përgatitjeve të roleve, po edhe si regjisor e lektor në Akademinë e Arteve, na mësonte se për të qenë i suksesshëm, duhej shumë punë. Për këtë arsye, ai do ti kushtonte punës studimore përgatitore e sqaruese, pjesën më të madhe të jetës së tij, duke lexuar shpesh direkt në gjuhët origjinale, disa prej të cilave i njihte fare mirë.

Artisti madh komik, ndahet nga jeta në 6 shkurt të vitit 2007, duke i lënë trashëgim Kombit Shqiptar, një figurë aktoreske të papërsëritshme e unikale, me madhështinë e tij legjendare e të pa arrirë nga tjetërkush.

Kjo është, sipas meje dhe kërkimeve në internet e gjetiu, historia e  shkurtër  jetëshkrimore, e gjeniut të skenës shqiptare.

 

FILMOGRAFIA:

 

Nga Libri im “KRENARI PËR KOMBIN’