Suplementi Pena Shqiptare/ Feti Zeneli: Simfonia e zërave të jugut

-Rreth librit “Antologjia e poetëve të jugut”

Në një kohë kur lëvizjet demografike, emigracioni i brendshëm e i jashtëm dhe ritmet e shpejta të tranzicionit demokratik kanë zbehur ndjesinë e përkatësisë dhe kanë shpërndarë komunitetet në hapësira të reja, arti mbetet një nga format më të qëndrueshme të bashkimit njerëzor. Shpërbërja e strukturave tradicionale, dobësimi i lidhjeve të dikurshme dhe fragmentarizimi i jetës shoqërore kanë krijuar një realitet ku individi shpesh ndihet i vetmuar mes turmës. Në këtë sfond, arti – dhe në mënyrë të veçantë poezia – shfaqet si një strehë e brendshme dhe si një urë e padukshme që lidh zemrat përtej kufijve gjeografikë e socialë. Ajo nuk njeh pasaporta, nuk njeh barriera administrative; ajo qarkullon si frymë dhe bëhet pronë e përbashkët e atyre që dinë ta ndjejnë, prekindhe shijojnë. Tregut të botimeve letrare, në një kohë kur librat shpesh konsumohen si produkte sezonale dhe harrohen me po atë shpejtësi me të cilën promovohen, i është shtuar së fundmi “Antologjia e poetëve të jugut”, përgatitur nga poeti, publicisti dhe fabulisti I njohur, Çano Nora. Ky botim nuk është thjesht një përmbledhje tekstesh poetike, as një inventar emrash të vendosur pranë njëri-tjetrit për arsye përfaqësimi. Ai është një përpjekje e vetëdijshme për të mbledhur zëra, për të rikthyer ndjesinë e përkatësisë dhe për të dëshmuar se arti ende mund të krijojë ura aty ku realiteti ngre kufij. Në një periudhë prej afro tre dekada e gjysmë, kur lëvizjet demografike dhe proceset demokratike kanë sjellë shpërbërje të komuniteteve tradicionale, kjo antologji tenton të bëjë të kundërtën: të bashkojë, të rikompozojë, të rindërtojë një hartë shpirtërore. Vlera e saj nuk qëndron vetëm në cilësinë estetike të poezive, por në misionin e heshtur që mbart. Poetët mund të jenë të shpërndarë fizikisht në hapësirën urbane, të larguar nga vendlindjet për shkak të rrethanave ekonomiko-shoqërore, por ata i bashkon poezia, sepse atdheu i tyre i vërtetë është shpirti njerëzor. Libri, në këtë kuptim, shndërrohet në një hapësirë simbolike takimi, në një tryezë të përbashkët ku fjala poetike kapërcen distancat gjeografike dhe rikthen ndjenjën e bashkimit e të vëllazërisë. Kjo ide përkon me mendimin e Leo Tolstoit, i cili shprehej: “Arti duhet të bëjë që ndjenjat e vëllazërisë dhe të dashurisë për të afërmin të shndërrohen në ndjenja të zakonshme, instinktive tek të gjithë.” Në frymën e kësaj thënieje, antologjia dëshmon se arti nuk është luks për kohë të qeta, por nevojë për kohë të trazuara; nuk është zbukurim estetik, por mjet për të rindërtuar lidhjet e brishta njerëzore. Në një botë që shpesh e humbet busullën morale dhe relativizon gjithçka, poezia mbetet një nga mënyrat më të pastra për të rikujtuar se, përtej ndryshimeve, njeriu mbetet qenie që kërkon të mirëkuptojë dhe të jetë i mirëkuptuar. Ajo i jep zë ndjenjave që shpesh mbeten të pashprehura, i artikulon ankthin, mallin, dashurinë, zhgënjimin dhe shpresën. Në këtë kuptim, “Antologjia e poetëve të jugut” është një dëshmi se fjala poetike nuk është thjesht formë, por përmbajtje jete. Larmia e 19 autorëve të përfshirë në këtë antologji nuk është thjesht një shumëzim emrash, por një bashkëjetesë zërash që vijnë nga përvoja, horizonte dhe formime të ndryshme jetësore. Ata nuk bashkohen vetëm nga gjeografia e Jugut, por nga një ndjeshmëri e përbashkët ndaj fjalës poetike, nga një raport i veçantë me kujtesën, me natyrën, me historinë dhe me kohën. Ndryshimet në moshë, profesion, gjini apo përvojë letrare e bëjnë këtë vëllim një mozaik të pasur, ku çdo gur ka ngjyrën dhe dritën e vet. Siç ka thënë Borges: “Unë jam të gjithë shkrimtarët që kam lexuar”, duke nënkuptuar se letërsia është një dialog i përhershëm mes zërave, një ndërthurje ndikimesh dhe përvojash. Në këtë antologji, ky dialog bëhet i prekshëm: secili autor ruan individualitetin, ndërkohë që kontribuon në një harmoni të përbashkët, si instrument në një orkestër ku tingujt ndryshojnë, por simfonia mbetet e njëjtë.

Sigal

Fakti që për secilin janë përzgjedhur nga pesë poezi, të redaktuara me kompetencë nga Iljaz Bobaj, dëshmon një filozofi të qartë estetike: vlera matet nga cilësia dhe jo nga sasia. Përzgjedhja e kujdesshme është një akt përgjegjësie dhe respekti ndaj lexuesit; është një filtër që synon të nxjerrë në pah më përfaqësuesen, më të arrirën, më të përpunuarën. Në këtë kontekst, kujtojmë fjalët e Gustav Flaubert, i cili theksonte: “Zoti është në detaje.” Redaktimi profesional nuk është thjesht ndërhyrje teknike në tekst, por përkujdesje për detajin, ritmin e brendshëm, figuracionin dhe muzikalitetin e vargut. Ai është një akt bashkë-krijimi i heshtur, që e bën antologjinë jo vetëm një përmbledhje tekstesh poetike, por një tekst të strukturuar me kompetencë; pra me koherencë dhe standard estetik. Përfshirja e emrave të tillë si: Çano Nora, Iljaz Bobaj, Vllasova Musta, Migel Flor (Laura Laura), Shefik Arifi, Valbona Pasha Kordha, Mufit Çeli, Bekim Alizoti, Panajot Boli, Mimoza Maria Ajdhoni, Florentina Tamo, Ismail Xhaferi, Hekuran Halili, Feti Zeneli, Polo Çipa, Pajtim Caushi, Ibrahim Didani, Petraq Neti dhe Agron Mema e shndërron këtë vëllim në një hartë të gjallë poetike. Secili prej tyre përfaqëson një këndvështrim, një përvojë dhe një raport unik me realitetin: disa e përjetojnë poezinë si kujtesë të vendlindjes, të tjerë si reflektim filozofik, disa si revoltë të brendshme, të tjerë si lutje apo meditim. Në këtë shumësi zërash vërtetohet ajo që ka shprehur Octavio Paz: “Poezia është zëri i tjetrit brenda nesh.” Këta poetë, ndonëse të ndryshëm në stil e tematikë, krijojnë një jehonë të përbashkët që kapërcen kufijtë individualë dhe ndërton një identitet kolektiv poetik.

Natyrisht, Jugu ka shumë më tepër krijues sesa këta të përfshirë në këtë vëllim të parë. Por çdo ndërtesë nis me themelet. Këta autorë janë gurët e parë, të vendosur me kujdes, mbi të cilët do të ngrihen muret dhe çatia e një projekti më të gjerë letrar. Ky konceptim vizionar i Çano Norës e sheh antologjinë jo si një akt të mbyllur, por si një proces në zhvillim, si një organizëm që rritet dhe plotësohet me kohën. Në këtë prizëm, vlen të përmendet mendimi i Rainer Maria Rilke: “Veprat e artit janë të një pafundësie të vetmuar.” Por kur këto vepra vendosen pranë njëra-tjetrës, si në një antologji, ato krijojnë një bashkësi që sfidon vetminë, ndërton një traditë dhe krijon një vazhdimësi. Kështu, ky vëllim i parë është thjeshtë fillimi i një rruge. Ai shpall një qëllim të qartë: të mbledhë, të përfaqësojë dhe të forcojë një identitet letrar rajonal, pa e mbyllur atë në kufij të ngushtë, por duke e hapur ndaj universalitetit të shpirtit njerëzor. Në fund të fundit, siç shprehej Gëte: “Letërsia kombëtare tashmë nuk do të thotë shumë; epoka e letërsisë botërore ka ardhur.” Parë në këtë këndvështim, “Antologjia e poetëve të jugut” është një hap i vogël, por i rëndësishëm drejt kësaj letërsie që nis nga rrënjët lokale dhe synon horizontin e përbashkët njerëzor – një letërsi që e di se sa më thellë të futet në tokën e vet, aq më shumë i afrohet qiellit të përbashkët të njerëzimit.