Suplementi Pena Shqiptare/ Skënderbeu  negocion me Papa piu-n II

187
Sigal

Këndi i studjuesit (Diplomacia e Kastriotit)

(fragment nga libri im Kryqtari i Fundit. Viti 1460, 17 vjet pasi Kastrioti ishte kthyer në atdhe)

Në janar 1460 Koncili i Mantovës u mbyll me një vulë zyrtare të Papës për shpalljen e kryqëzatës, e cila mbeti pa asnjë jehonë veprimi. Skënderbeu ishte në paqe, ndonëse jo zyrtare, me Portën e Lartë. Kishte vepruar me maturi dhe largpamësi përballë një kryqëzate kaq të ngathët. Edhe me Sinjorinë venedikase marrëdhëniet mund t’i klasifikonte si normale në rast se nuk do të egzistonte gangrena e provizionit që proveditorët lokalë mezi ia jepnin. Qysh në mars ai kishte dërguar dy ambasadorë në Venedik, të cilët kërkonin me ngulm shqyrtimin e disa çështjeve, që kishin të bënin me marrëdhëniet dypalëshe. Më 4 prill ambasadorët e Skënderbeut marrin përgjigjen për paratë e mbetura nga provizioni i shefit të tyre. Senati u tregua i ndjeshëm para faktit që Skënderbeu ishte në prag të një paqeje me osmanët. Ai mori vendim që të organizonte një fushatë grumbullimi të parave nga dhomat lokale të tregëtisë, por duket se e zgjidhi pastaj çështjen duke lejuar që të shiten 600 starje drithë me origjinë nga Mantova, me paratë e të cilave do të paguhej Skënderbeu

Ky gjest “korrektese” i Sinjorisë ndaj Kastriotit u bë në një kohë kur, shqiptari autoritar i bregdetit të jugut, Simon Zenebishi, po kërcënohej me zhdukje nga osmanët. Ai i kishte bërë thirrje Venedikut për ndihmë, por përgjigja kishte qenë e akullt: “nuk mund të rrezikojmë paqen me Turkun”. Gjatë prillit kështjella e tij e Strovilit ne verilindje të Sajadhes, iu nënështrua gjyleve të ushtrisë osmane teksa regjenca venedikase në Korfuz priste të dëgjonte lajmet për fatin e zotit të saj.

Paqa turko-venedikase mund të bënte kurban këdo ndër ata që shpresuan te Koncili i Mantovës për “sulmin vendimtar kundër osmanëve”. Pavarësisht se çfarë flitej në samitet e larta, interesat strategjike të shumicës prej fuqive të mëdha të krishtera shkonin ndesh me planet e “kristalta fetare” të Piut II.

Vetë ai kishte ende shumë probleme “të brendshme” për të zgjidhur para se të dilte te kryqëzata. Çështja e Ferdinandit po i bëhej gangrenë. Një presion të madh po ushtronte mbi të edhe duka i Milanos, Francesco Sforza, i cili, siç pohon historiani italian Sismondo Sismondi, i “thoshte se një supremaci në rritje e francezëve në Itali do ta bënte Papën absolutisht të varur prej tyre. Kjo e bëri Papën ta shikonte mbrojtjen e Ferdinandit dhe luftën e Napolit si një çështje personale dhe i përkushtoi mbrojtjes së derës së Aragonës thesarin dhe armët që kishte grumbulluar për luftën kundër turqve.”

Kështu, në muajin maj 1460, plani italian i Skënderbeut dukej aq i përputhur me nevojat e “çështjes personale” të Piut II në lidhje me Napolin, sa më në fund, ky i fundit doli vetë në shtegun ku e priste Kastrioti. Paqja e Skënderbeut me “të pafetë” tani do të kishte sens edhe për Piun II, pavarësisht se ai nuk mund ta autorizonte atë publikisht.

Në fillim të qershorit 1460, Skënderbeu dërgoi në Romë ambasadorin Martin Muzaka për të shpjeguar më në hollësi aspektet e leverdive reciproke të kontributit të Kastriotit në Italinë e Jugut. Argumentet duhet të kenë qenë shumë interesante për interesat e Piut II, po të kihet parasysh se ai ndërmori menjëherë një fushatë bindëse ndaj Ferdinandit ngurrues.

Toni persuaziv ndihet qartë në një letër që papa i dërgon Ferdinandit, më 18 qershor, ku i shkruan se “Përfaqësuesi i birit tonë të dashur, zotit fisnik Gjergj Kastrioti, shtetasi tënd, ka shprehur dëshirën, që të kalojë në mbretërinë e Napolit për të të mbrojtur ty. Mirënjohës siç është për veprat e tët eti dhe tuat. Besojmë se ardhja e tij do të sjellë dobi të madhe për interesat e tua, jo vetëm për shkak të besnikërisë për të cilin është i famshëm, por edhe për aftësitë e tij të shkëlqyera në luftë…”

Fakti që Papa përdor të tilla fjalë në përpjekje për të ngacmuar interesat e Ferdinandit, tregon se ky i fundit, në atë periudhë, as nuk e njihte mirë Skënderbeun nga Ballkani dhe as nuk kishte besim në besnikërinë e tij si vasal i të atit dhe në cilësinë e kontributit ushtarak që mund të jepte. Duket se për këto arsye nuk i ishte përgjigjur më parë ofertës së Skënderbeut. Por, në mesin e vitit 1460, ai i kishte punët shumë keq dhe fjalët e Piut II i tingëlluan shpresëdhënëse.

Në pikën ku kishin ardhur punët, tashmë nga Ferdinandi kërkohej vetëm aprovimi formal, sepse planet ishin thuajse të përfunduara midis Papës dhe Skënderbeut. Ky i fundit, paralel me dërgimin e Martin Muzakës në Romë, kishte çuar dërgatë edhe në Raguzë, ku tashmë bisedohej për modalitetet e kalimit të trupave të tij për në Italinë e Jugut dhe për çështjen e fondeve kryqtare të akorduara nga Papa. Pra, ndërkohë që Piu II i dërgonte letrën e mësipërme Ferdinandit, të datuar 18 qershor 1460, trekëndëshi organizativ Romë, Krujë, Raguzë rezulton i mbyllur, Ajo që mbetej hapur ishte kërkesa e Skënderbeut që Papa të gjente forma për ta miratuar paqen e tij me Sulltanin.

Një letër tjetër e Piut II, e datës 29 qershor 1460, tregon se nëpërmjet vizitës së Martin Muzakës ose menjëherë pas saj, krahas rikonfirmimit të gatishmërisë për të ndihmuar Ferdinandin, Skënderbeu e kishte modifikuar pak kërkesën e tij në lidhje me paqen. Ai kishte paraqitur alternativën që Piu II ose të miratonte nënshkrimin e një paqeje të Skënderbeut me Sulltanin ose, në pamundësi, të merrte përsipër mbrojtjen e zotërimeve të Skënderbeut me anë të një përfaqësuesi të vet.

Për ose-n e parë Papa ktheu përgjigjen standarde se atij nuk i lejohej të jepte leje për marrëveshje me “të pafetë”, kurse, për ose-n e dytë, garantoi për angazhimin e venedikasve me flotën e tyre, duke e siguruar që Skënderbeu të ketë besim se “ne do ta mbarojmë këtë punë”. Ajo që kishte shumë rëndësi ishte se Piu II pranonte me shkrim para Kastriotit se s’kishte mundur të qulloste gjë me Koncilin e Mantovës pasi, siç shkruante ai në letrën e 29 qershorit, “Na vjen keq së tepërmi që nuk gjetëm ndër princërit e krishterë atë përkushtim që shpresonim të gjenim për punët e fesë dhe që fuqitë tona dhe ato të Kishës nuk janë të atilla sa të mund t’i japim ndihmë fisnikërisë sate, të cilën ndihmë e dimë se ja detyrojmë qëndresës dhe bëmave të tua për çështjen e fesë».

Kaq i mjaftonte Skënderbeut. Nga njëra anë dëgjonte shfajësimin e Papës në lidhje me dobësitë në kryqëzatë, kurse nga ana tjetër ky shfajësim e justifikonte edhe atë vetë për mosvajtjen në Koncilin e Mantovës dhe sidomos për iniciativat (për paqe) që po ndërmerrte për sigurimin e krahëve nga rreziku otoman.

Iu vu menjëherë punës për të siguruar një armëpushim sa më të qëndrueshëm me otomanët, në një kohë që Papa do të merrej me zbutjen e ndonjë reagimi armiqësor të Venedikut për çështjen Ferdinand. Në thelb, Piu II kishte lënë të kuptohet se, megjithëse nuk dha aprovim publik, nuk do të ngrinte asnjë objeksion për paqen me turqit. Ai ishte i gatshëm t’i pranonte shumë gjëra Skënderbeut në shkëmbim të ndihmës se tij të çmueshme për Ferdinandin.

Duke gjykuar nga rrjedha e ngjarjeve të mëvonshme dhe nga pohime dokumentare, del se Skënderbeu e kishte siguruar në mënyrë konfidenciale Piun II se këtë paqe armëpushimi do ta prishte sapo ushtria kryqtare të ishte gati. Kishte folur me Papën njësoj siç pati folur mbreti Vladislav me kardinal Cezarinin, 16 vjet më parë, për çështjen e paqes hungaro-turke. Atëherë (fundi i korrikut 1444), Vladislavi e ratifikoi në Segedin Traktatin e Paqes që ishte firmosur në Edirné, por ndërkohë ai u betua para të dërguarit të Papës, kardinal Cezarini-t se, sapo kryqëzata të ishte gati, do të fillonte luftën. Kështu bëri vërtet. Dy muaj më vonë, ushtria kryqtare e Huniadit qe hedhur në sulm.

Kjo analogji historike, e vendosur brenda një periudhe 16 vjeçare (jo aq e gjatë sa të ndikojë në ndryshimin e stilit të të bërit politikë), shërben për të kuptuar natyrën dhe rëndësinë e paqes që Kastrioti negocionte me Portën e Lartë. Nëse faktori Skënderbe do të ishte ndonjë faktor periferik në luftën kundër Perandorisë osmane, askush nuk do t’i mbante shënim negociatat e tij me osmanët. Por ai ishte faktor me peshë të madhe (sikundër Vladislavi më 1444), ndaj është më se logjike që kryekryqtari të merakosej për paqen e Kastriotit e, madje, të kërkonte përbetime gatishmërie për prishjen e saj. Nga ana e tij Kastrioti ia kishte bërë të qartë Piut II se ishte i detyruar të negocionte një paqe konjukturale, të imponuar jo aq nga Sulltani, se sa nga niveli i ulët i veprimit kryqtar, gjë që natyrisht e ngarkonte papen me një farë përgjegjësie. Thënë ndryshe, përtej deklaratave të ndrojtura e “parimore” zyrtare, kemi të bëjmë me një realpolitikë të mirëfilltë, të ndjekur si nga Papa ashtu edhe nga Skënderbeu. Të dy ndajnë hallin e përbashkët për gjendjen aspak të shëndetshme të kryqëzatës dhe bien dakord për të kryer veprime politike oportuniste në pritje të ditëve më të mira….etj. etj.