Suplementi Pena Shqiptare/ Izet Shehu: Ëndrra Bjonde

133
Sigal

Ku e kam parë një ëndërr bjonde!

Ku e kam parë as vetë s’e di!

Hëna mbi limon pikonte

lëng hënor ngjyrë floriri.

Sa u vërtita asaj nate:

sa në shtrat,

sa në dritare.

Ku e kam parë një ëndërr bjonde?

Më bjondinen e kësaj ane…

***

Nga të gjitha gjërat

më mbeti veç fjala.

Të tjerat m’i morën,

m’i rrëmbeu vala.

Tani edhe fjalën,

duan të ma marrin:

ata që thyen tempullin,

ata që thyen gardhin.

Nga të gjitha vlerat

më mbeti veç zemra!

Atë dot s’ma morën

e fsheha te kënga.

 

Lulebora

Këtë mëngjes

lulebora e virgjër

u zgjua e trembur, e zbehtë e dridhur.

Kujt t’i ankohej, s’i gjegjej njeri,

veç vezullimit të vesës mbi barin e ri.

Këtë mëngjes

lulebora e përgjumur

diç donte të shprehte me zymtësinë e bukur.

Një yll i shuar, një zë i mekur,

në myshkun e mesnatës e kishte humbur.

Këtë mëngjes!

Ah! Këtë mëngjes,

u zgjua e trishtë lulebora e brishtë!

Me ngut kërkonte pushin e ëndrrave

thellë, diku thellë, nën kaçubet e dendura.