Suplementi Pena Shqiptare/ Valter Dauti: Himn për flamurin

484
Sigal

Merrni, po deshët Asdrenin, me gjithë Himnin në Flamur,
Të këndojë që nga Korça, a në dashtë nga Bukureshti,
T’ju tregojë se për Atdheun, zemra digjet, bëhet zhur,
T’ju rrëfejë se për Shqipërinë, nëpër shekuj shpirti s’heshti.

Dale! Ç’bëni, or të marrë?
Është a s’është këtu shqiptari?
Po të pyesësh deputetët,
S’dinë se kush është më i pari.

Thirr Asdrenin që nga vitet, të rrëfejë me Himn Flamuri,
T’ju tregojë si shqiptar, ç’do të thotë Aleksandër…
Përmes vargjesh që gjëmojnë, kohë e ashpër shpresa pruri,
Përmes këngësh që nga Vatrat, shqipja krahët rrahu ashpër.

Thirrni! Tirrni, ç’lebetiti?
Ju pështyni historinë!
Partizani dhe ballisti,
Ende njëri –tjetrin grijnë…

Sill Asdrenin, le të vijë, të na thotë pse shkroi Himnin,
Të këndojë që nga Korça…të këndojë nga Bukureshti…
Ç’marrëzi, o të pa ditur, Himnin dini apo s’dini?!
Faj të madh na pruri koha, Himnin s’di as Presidenti.

Qeshni, qani, qani, qeshni,
Në podium dhëmbë zgërdhini,
Mbi flamur hijet ngërdheshni,
Ç’është flamuri po s’qe Himni?

Fto Asdrenin nëpër shkolla, tek oborret gumëzhijnë,
Te Flamuri qëndron ftohtë, si jetim që s’ka fole…
S’ka student të ekselencës, Himnin gjer në fund ta dijë.
S’di askush se Himn-Flamur, do të thotë që ke Atdhe.

Flisni, prisni, grisni, vrisni,
Pillni mjaltë politike,
Merrni kombin e gremisni,
Duke qeshur në karrige.

Nëpër studiot pjellakeqe, shesin mend, fryhen e shfryhen,
Gazetarë mjekër formë, profesorë mbushur me thinjë ,
Keni qejf ta ulin kokën, krye-fund me turp të lyhen?
Himnin tonë që është i shenjtë, pyetini, vallë a e dinë ?

Llapni para, llapni prapa,
Llapni majtas, llapni djathtas…
Edhe dreqin u ha llapa,
Edhe diellin lindni praptas…

Hesht Asdreni i çuditur, shpirtin ç’dhanë për kombin, heshtin…
Himni vdes i çoroditur, përpëlitet mbi Flamur…
Dy koka të një shqiponje, sigurisht që s’mund të vdesin,
Himni lutet, trembet, struket, përvëluar, bërë zhur…