Suplementi Pena Shqiptare/ Pirro Loli: Gjurmët

470
Sigal

   Poemë 

 Në ishullin shkretan, mbuluar me rërë,

Vetëm hëna ka mbetur e paprekur,

E hirtë

varur në shtyllën e pikëllimit.

 

Të parët e vendit vrapuan si  pronarët e ishullit

Që kishin vulat dhe tapitë e zyrave,

Nën sqetull mbajtën projektet për nesër e pasnesër

Nipat dhe mbesat.

 

Vitrina e trëndafiltë

U zhduk befasisht përnjëherësh ,

Atë ditë kur qielli u mbush me hithra

e deti i egërsuar ishullin utopik,

E përpiu nga brenda.

 

Ata kudo që shkojnë

Këtu kanë  lënë gjurmët

të freskëta,

Gjurmë xhuxhmaxhuxhësh  të kuq

Të gjitha njëlloj –

Që për të parin e tyre u vranë shoq me shoq.

***

Asnjë gjurmë zogu,

Asnjë syth,

Asnjë flutur,

Vetëm hapi i erës që fëshfërin nëpër erë .

***

Në mes të ishullit

dremit skeleti i gijotinës  heroike.

Në buzë ka gjak të ngrirë

qepalla të thikta, të rënda

me ndryshk.

***

Dhe ylberet shkuan në këtë gijotinë,

Të gjitha harqet e njoma

Metaforat ,

Ngjyrat dhe nuancat,

Prerë mes për mes.

 

Me gjakun e ylberit

Mbushën barkun banderola

të kuqërremta resh.

 

***

Poetët. Të mbetur pa ylber ikën të fundit ,

Me një brengë  në gjoks,

Të ngritur si gungë.

 

Ata janë kthyer të gjithë,

Ata kanë lënë  tapitë

dhe dosjet pa u djegur.

 

Gjurmët e lëna kanë mbirë,

Lulëzojnë hijeve vertikalisht,

ëndrrash të tjera buzëqeshur,

kafshuar premtimesh  me dhëmbë të vënë.

Gjurmët kanë  mbirë

Lulëzojnë hijeve, presidiumeve bankave, kullave .

Banderola të fryra ëndrrash

të tjera buzëkuqe,

premtime të kafshuara me dhëmbë të vënë.

***

E zbetë mbi shtroje rëre,

tejpërtej  hapet hëna

si qefin.