Agim Bajrami: Persiatje mbi romanin “Asnjëherë të martën”, i Bashkim Hoxhës

104
Sigal

Vdekja vjen përtej ‘së martës’

Për të nisur leximin e librave të Bashkim Hoxhës, një lexues ka njëmijë e një arsye, por arsyeja më e fortë është se librat e këtij autori janë si një skenë teatri, ku personazhet luajnë dramën dhe tragjikomedinë e tyre, me një sinqeritet deri në vetëmohim dhe për më tepër, pa kërkuar prej askujt duartrokitje. Në këtë kontekst nuk bën përjashtim as libri i tij i fundit “Asnjëherë të martën”, roman që e pasuron edhe më shumë opusin e tij letrar me temat e nxehta të bashkëkohësisë. Edhe pse në pamje të parë të krijohet ndjesia se kemi të bëjmë me një histori policeske, me vrasës dhe të vrarë, e vërteta është ndryshe. Është një vepër, ku personazhet janë modeluar në bazë të raportit kohë hapësirë, po ku nocionet formale të kortezisë, ka kohë që janë prishur, ose janë kthyer në të kundërtën e tyre. Është ky realitet, që i jep veprës së këtij autori një shpërfaqje përtej të zakonshmes. Është ky shkaku, që kufijtë mes narrativës së jashtme të shkrimtarit dhe narrativës së brendshme të personazheve, të jenë të padukshëm, ose në rastin më të keq krejt formalë, duke dalë kësisoj nga stereotipat dhe formatet tradicionalë të diskursit. Bashkim Hoxha jo pa qëllim zgjedh kohëra tranzite dhe situata gjer në kufijtë e absurdit. Ai e di, se prej tyre mund të nxjerrësh krijesa hibride dhe material po aq interesant. Shumica e heronjve të tij sikur kanë dalë nga një album të sëmurësh depresivë. Edhe pse shpesh herë shfaqen para nesh me pamje të zakonshme, ose me kostume të shtrenjtë filozofësh provincialë, brendia e tyre e padukshme, le vend për t’u mëshiruar. Shumica e tyre janë të implikuar në vrasje, ose veprimtari kriminale, dhe janë të dënuar të ndiqen nga mbrapa nga turma e hijeve të viktimave të tyre. Edhe pse bëjnë gjithçka për të shpëtuar, dalja e tyre nga metafora e fatalitetit është e pamundur. Jo më kot fatthënat, që kundrojnë dhe parashikojnë jetët e tyre në këtë vepër, kanë zakonisht fytyra të ngrysura dhe shohin çdo natë ëndrra horror. Nga ana tjetër Bashkim Hoxha, nuk e kundron personazhin e tij vetëm si viktimë rrethanash shoqërore, por edhe një si viktimizues të pamëshirshëm të saj. Në sinkron me këtë, ai pikturon edhe ambientet urbane, ku rriten dhe zhvillohen ata. Ndofta është ky çelësi magjik me të cilin ai arrin të motivojë ngjitjet e përkohshme dhe rrëzimet e tij. Denis P (alias Vladi) në fillim ishte një njeri i rregullt, gjersa një ditë të bukur, kthehet në një vrasës profesionist të rrezikshëm. Mendimi i parë që mund që të vijë në këtë rast, është se brenda tij mund të ketë ngjarë ndonjë shkarje, apo shok i rëndë psikologjik, pasi në jetë ndodhin shpesh trauma të tilla. Por mbasi bëhesh vetëm pak kohë bashkudhëtar i ambienteve të frikshëm ku është rritur dhe formuar ai, bindesh për të kundërtën. Janë koha dhe aksesorët e saj të përbindshëm shkaktarët kryesorë të këtij transformimi. Jo më kot gjatë gjithë aktit të leximit, lexuesi ndjen një mungesë të vazhdueshme ajri dhe një ankth që të vret pak nga pak. Pikërisht ky ka qenë edhe qëllimi parësor i autorit. Depërtimi në substratin e së keqes dhe trajtimi sa më i thellë artistik i saj.

“Vdekja si fillim, vdekja si fund” 

Ashtu siç e thamë që në krye, ky roman fillon me një deklaratë të pazakontë, për një vrasje të pritshme “- Të martën e kam pushim, nuk bëj vrasje. Të mërkurën po. Pastaj do iki.” Edhe pse ngjan se Denis P, i ka shpëtuar pa dashje kjo gjë, një deklaratë e tillë shërben si një mjet artistik mjaft i gjetur nga ana e autorit, për t’i dhënë veprës së tij që në krye, një fillim intensiv. Detaje të tillë, që autori i përdor herë pas herë si pjesë e teknikës së tij narrative, janë të aftë ta gjallërojnë dhe ta bëjnë më lëvizshëm dhe më dinamik rrjedhën romaneske. Protogonisti dhe hija e tij fizike, ecin krah për krah njëri-tjetrit, për një kohë të gjatë, por që nuk e pyesin njëri-tjetrin se ku do mbërrijnë, pasi ata e kanë të qartë destinin e tyre fatal. Vizatimi i një peizazhi të tillë gri shoqërohet patjetër me një muzikë të trishtë të tipit funebër dhe aq më shumë kur plotësimit të peisazhit, i shërben edhe dalja herë pas here në skenë e simbolikës së Shën Kozmait, shenjtit me një kokë të prerë në duar. Si një vepër me pohime të fuqishme, të tillë detaje e përforcojnë më shumë faktin se ne të gjithë udhëtojmë gjatë gjithë jetës sonë, me vdekjet dhe kafkat tona në duar, pavarësisht lumturive dhe humbamendjeve tona të përkohshme. Synimi i autorit, për të treguar se ç’pjesë të vyera shpirtërore humb individi, kur bëhet pjesë e së keqes, jepet nëpërmjet kurbave të herëpashershme të një jete njerëzore, gjithnjë e në rënie, çka një lexues i mirë, mund t’i ndjekë vazhdimisht hap pas hapi. Ajo çka të bie në sy në shumë romane të këtij autori, është autenticiteti i rrëfimit. Shumica e heronjve të tij, kanë një dëshirë të lindur për ta marrë vetë përsipër narrativën e veprimeve të tyre, duke u rreshtuar kështu në një vijë paralele me autorin e veprës, në një duet interesant. Nëse do të hidhnim një paralele me këngët polifonike të jugut, ne këtë roman kemi të bëjmë më dy lloj narratorësh. Narratori A (ose marrësi), që është shkrimtari, dhe narratori B, (ose kthyesi që i takon të jetë Vladi). Zhvillimi i veprës varet natyrisht nga harmonizimi i zërave të tyre, pa i interferuar dhe pa i hyrë njëri-tjetrit në pjesë. Në kontrast me tonet e buta dhe të qetë të narratorit A, tonet e larta dhe ndonjëherë të pakontrolluara të narratorit B, janë kaq të nevojshëm. Së pari i shërbejnë autorit, për të prishur linearitetin e narrativës, por më së shumti i shërbejnë narratorit B që ka një etje të tmerrshme për të rrëfyer historitë e trazuara të jetës së tij të trazuar dhe për t’u lehtësuar disi. Duke i mbledhur në një shumësinë e ngjarjeve dhe historive, pohimi baze i të dy narratorëve është se: “- Në kohëra të çmendura, askush s’habitet më me habinë.” Duke qenë një autor që e njeh gjer në detaje periudhën e tranzicionit të pamëshirshëm shqiptar, dramat dhe tragjeditë që ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë ai, autori i mëshon fort idesë, se kur njerëzit mësohen me të keqen për një kohë të gjatë, shndërrohen padashje edhe vetë në mbrojtës dhe kalcifikues të saj. Personazhi kryesor i romanit, ka kohë që vuan nga halucinacionet. Që mbas vrasjes së parë, Vladi nisi të bëhej i verbër si plumbi, sepse historitë e tij të mëparshme ia vodhi mjegulla. “Nuk ka kohë të shohësh qiellin, nëse vret një njeri”,- thotë ai me trishtim përpara aktit të vetëvrasjes.  Diskordancat e dukshme mes kohës së reflektimit dhe kohës së rrëfimit janë të shpjegueshme: “Me sa duket, kolona zanore e kujtimeve, mund të jetë e trishtuar”, thotë ai. Ose: “Në luftë shkohet për të vrarë, nuk shkohet për vallzim”. Intriga e thyerjes së Vladit kalon nëpër një trajektore të gjatë dhe të ndërlikuar katharsisi. Një proces i tillë, që ndeshet kaq shpesh edhe në shumë vepra të letërsive të mëdha, në romanin “Asnjëherë të martën” ka një specifikë të veçantë. Përshtypja ime është se ai u shpall që në momentin kur kuptoi kotësinë dhe fatalitetin e qenies së tij, në këtë ambient pa rrugëdalje. Rendja nëpër natë, në kërkim të Marinës të “dashurës” së tij mbas grindjes për abortin e foshnjës, vrarja e ndërgjegjes dhe dëshira e çuditshme që e pushtoi për ta pasur atë pranë bashkë me fëmijën, humbja e saj së bashku me trashëgimtarin e mundshëm dhe më në fund vetëvrasja. Edhe pse mund të ngjajë paksa e çuditshme për dikë veprimi fatal, unë mendoj se autori ka vepruar drejtë. Një individ si Vladi, që hyn aksidentalisht në një rrugë të shtrembër, dikur do kërkonte për të dalë prej andej, duke marrë mbi vete edhe kostot. Shfaqja e herëpashershme e imazhit të nënës birësuese dhe asaj të vërtetë kanë lozur rolin e tyre. Në kuptimin metaforik, Denis P ndihej kaq i vetmuar larg tyre ndaj, dhe shkoi për t’i takuar. Bashkimi të intrigon që në titujt e veçantë, që iu vendos librave të tij. Janë ata që të orientojnë për të hyrë sa më shpejt nga porta kryesore e veprës dhe jo nga dritarja. Relacionet e këndshme mes elementit publicistik dhe atij romanesk, i kanë sjellë risi dhe veçanti të spikatura veprës së tij. Kjo gjë duhet thënë edhe për mënyrën e thurjes së subjekteve dhe tipologjinë e larmishme të personazheve, njëri me interesant se tjetri, si dhe kurthet e shumta artistike, nëpër të cilat ngecin ata. Është ndofta kjo një arsye më shumë, që fiksioni të ushqehet nga realiteti dhe dallimet mes tyre, të jenë kaq pak të dallueshëm. Në këtë vepër spikat tendenca e autorit për ta shqyrtuar heroin e tij nëpër disa faza vëzhgimi, si dhe një rikthim më këmbëngulës “drejt së brendshmes” së tij ekzistenciale. Ndaj nuk është rastësi që mbasi ke kthyer edhe faqen e fundit të “Asnjëherë të martën”, të të mbetet në duar skeleti i kartontë i një individi pa të nesërme dhe pyetja, se deri në ç’shkallë mund ta katandisë atë perversiteti dhe imoraliteti i një shoqërie pa moral!