Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj: Më mungon

355
Sigal

Më mungon

Më mungon,
Kur terri shuan gjurmët nëpër gurë,
Kur dielli valët detit ia përkëdhel,
Si hije më gjurmon, s’më ndahesh kurrë
Dhe lodhja brenda vetes nuk më del.

Më mungon,
Në shikime, në buzëqeshje, s’të kam gjetur.
Në biseda lënë përgjysmë, më mungon.
Në grykën time si një nyje më ke mbetur,
Bëj të të gëlltis e kurrë poshtë nuk më shkon.

Më mungon,
Mund të shtirem, se jam mirë, por më mungon.
Tani kuptoj seç është, të mos ndjesh’ një çast intim,
Mos më ndodhesh pranë, kur gjumi më harron,
Kur ecën këmbëzbathur brenda shpirtit tim.

Më mungon,
Ku të t’ kërkojë? Do gënjeja veten. Më mungon,
Je lutja ime në të ftohtët e mëngjeseve pafund
Për rreth, i arratisur ësht’ dhe ajri. Më mundon.
Të të shoh edhe një herë, gjithë botën do ta shkund.

 

Qentë

Qentë po ulërijnë,
Grumbull, në kopè.
Vallë, po ndjejnë urinë,
A po ndajnë një prè?!
Qentë po ulërasin,
Zgjojnë ëndrrën që fle
Herë zhvaten, herë zhvasin,
Gjumit po i venë fre.
Hëna vetullshkruar,
Ndriçon zbeht mbi re
Herë dremit, herë zgjuar
Më lart vetull ngre.
Ora ka ndaluar,
Akrepa ngrirë mbi dhè,
Puthjen akulluar,
Ma kthen kjo kopè.
Ora tre e natës,
Tre e njëzet e tre…