Suplementi Pena Shqiptare/ Eva Gjoni: Sakrifica e një Shpirti rebel

Në botën e kinematografisë ka personazhe që mbeten në kujtesë jo për shkak të heroizmave të zhurmshëm, por për shkak të botës së tyre të brendshme, të heshtur dhe komplekse. I tillë është Jack Weil në filmin Havana, i portretizuar me një sharm absolut nga Robert Redford. Në pamje të parë, Jack shfaqet si një mashkull moskokëçarës, një bixhozçi i jetës që luan me fatin dhe vlerëson gjërat minimale, pa u përpjekur t’u japë atyre ndonjë kuptueshmëri. Ai jeton në sipërfaqe, apo kështu dëshiron të besojë, duke mbajtur të paprekur dhe të pacenuar një botë të tërë të fshehur me zhguall një shpirt ku askënd nuk kishte lejuar të hynte. Megjithatë, fati ka rregullat e veta dhe kjo mburojë moskokëçarjeje shkërmoqet sapo në jetën e tij shfaqet AJO. Një grua e godet fort, jo me fjalë të mëdha, por me praninë e saj, me një shikim më lëvizjen e saj që kërkon vend kërkon vëmendje. Lind kështu një dashuri pa fjalë, një ndjenjë aq e fuqishme sa që depërton dhe i trondit damarët e qenies së tij. Për herë të parë, ky burrë që nuk i detyrohej asgjë askujt, e gjen veten të gatshëm të bëjë çdo gjë për një tjetër person. Ai fillon ta dojë atë përtej vetes, përtej interesit dhe madje përtej arsyes. Kjo është madhështia e vërtetë e dashurisë së tij, Jack nuk u tregua egoist. Ai nuk kërkoi ta zotëronte atë grua që ishte tashmë e tija, por zgjodhi ta donte në formën më të lartë duke e lënë të lirë… Ajo e deshte dhe kjo ishte një e vërtetë e cila qëndronte, nuk gënjeu kur i tha të dua, por ajo kishte dhe një botë tjetër ku ai nuk ishte prezent ndaj nuk i përkiste të pretendonte më tej. Në një botë ku dashuria shpesh ngatërrohet me posedimin, ky personazh na jep një leksion të jashtëzakonshëm se çfarë është dashuria e vërtetë mashkullore. Është një ndjenjë që nuk lodhet, nuk vjetrohet dhe nuk kërkon shpërblim. Jack Weil e dashuroi atë grua duke pranuar dhimbjen e mungesës, vetëm që ajo të ishte e sigurt dhe besnike ndaj idealeve të saj.Në të kundërtën asnjëherë nuk do ishte e tij plotësisht, do mbetej peng e asaj që kishte lënë. Në fund, filmi Havana nuk është thjesht një histori për një revolucion politik, por një evolucion i inteligjencës empatike, aftësia për të dëgjuar atë që nuk thuhet, për të kuptuar atë që nuk shfaqet dhe për të respektuar përjetimin e dikujt edhe kur nuk e kemi jetuar vet, mëndësia udhëhiqet nga ndjenjat e një njeriu të lirë. Përmes Jack Weil, ne kuptojmë se dashuria e thellë e një mashkulli nuk ka zhurmë, është heshtja e një shikimi që mbron, kujdeset për të shtrenjtën e tij, duke e kthyer atë ndjenjë në një burim drite që nuk fiket, oqeani është miku i tij më i mirë, ku mund të flasë për atë që pati fatin ta këte dhe që nuk lodhet ta presë kurrë!!

 

NOA