ANTENA
Një Antenë brinjëshkalafitur,
sapo zuri era të këndonte,
foli me ca zogj q’e kishin hipur:
“Seç m’u zgjuan ca kujtime sonte…
Se ta dini ju, spurdhjakë, dikur,
(në atë kohën tjetër, në ato vite)
Njerëzit, për mua, loznin çdo gur;
përndryshe, djema, jetë s’kishte.
Pak të frynte era… ja kështu,
me tela, pinca, kapuçë në kokë,
ata i kishe sakaq këtu;
për mua, të gjithë bëheshin copë.”
Teksa qielli shi e bëri grinë,
zogjtë u shpërndanë andej-këndej.
Por Antena prapë historinë:
“Ah, ta dinit ju, mor qeratenj…
HËNA DHE UDHËTARI
Në korije, udhëtari ngriti kryet.
Hëna shfaqej edhe fshihej nëpër re.
“Pse më ikën, tha trishtuar, s’ka as yje;
hënëzoje rrugën, që ta gjej…”
U duk prapë princesha qiellore,
gjithë e ëmbël, plot dritnim, siç ish;
hedhur supesh veç një re të hollë,
si fustan për mbrëmje, si këmishë.
“Budalla, që gjetur e ke rrugën,
kot e pret përrallën që të vijë;
ta mendoje qysh se ishte mugët,
këtë copë rrugë në vetmi…”
“DIELLI”
Shkëlqente saçi i madh mbi pellg,
trazuar heraherës
nga një shelg.
La mendtë Biba edhe tha:
“Dielli! Është Dielli, mama!…”
Por Pata fare nuk ia vari;
(shihte ndonjë krimb a fije bari).
Dhe Biba e ndoqi nëpër zheg,
duke marrë me vete
diell e pellg…






















