Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Telat e shpirtit të gruas

92
Sigal

Sytë e gruas, rrezatim qiellor i pastër.

Zemra e gruas, dashuri e gravitetit kozmik.

Shpirti i gruas, frymë e oksigjenit të kaltër.

Duart e gruas, familja shtëpiake plot dritë.

Trupi i gruas, vetë Toka me begati të harlisur,

ku mbjell e rrit, gjithë pemët e popullimit,

në pranvera e vjeshtëra me lule stolisur,

bën vegjetacionin e blerimit të njerëzimit.

Mendja e gruas, truri i butë i mirësisë bujare,

që rrezaton vetëm impulse dashurie të zjarrtë,

afron shpirtrat dhe nga largësitë kontinentale,

të fekondohen zemrat në përjetimin jetëgjatë.

Zëri i gruas, instrumenti më i ëmbël muzikor,

me tinguj origjinal, e tonalitete të ngrohta,

krijuar nga natyra, gjatë evolucionit njerëzor,

për ata, që kanë frekuenca dëgjimore të plota.

Lum kush di t’i prekë gruas, telat e artë,

me butësinë e një instrumentisti virtuoz,

për t’i dhënë jetës, cilësinë më të lartë,

me tinguj femëror aq të ëmbël e melodioz.

Se vetëm kësisoj, të gjitha kakofonitë zbuten,

krijohet mes çiftit, bashkëjetesa mirëkuptimore,

telat delikat të harmonisë familjare, nuk këputen,

dhe uniteti mes njerëzve, bëhet simfoni gazmore.