Suplementi Pena Shqiptare/ Timo Flloko: Manekinet

70
Sigal

Nëpër vitrina pozojnë manekinet. Syshkruara,
të brishta,
sensuale,
të trishta,
qafëgjata si pata.
Seksit i bëjnë fetish!
Oh, Krisht!

Të përkryera,
pa moshë,
as plaken as vdesin.
Nuk e përfillin as e shpërfillin,
virtytin dhe vesin.
S’njohin braktisje,
ndarja s’u dhimbset.
Detit të shpresave
as notojnë as mbyten.
Sajohen, stolisen, vitrinash veniten. Hidhen e priten, eshtrat s’u vriten.

(Për statistikë,
në jo pak raste,
Adhuruesë të marrë,
Për to kryejnë vetvrasje).

E ftohta manekinë që feks në vitrinë,
Unë s’mund të të ngjall, të të jap frymë.
Ik nga ky burg, ti s’je një robinë,
Shtegëto, dashuro… jeto lirinë!

Por zemër ti s’ke, bukuri e ngrirë, ndryshe do të kërceje,
do merrje arratinë,
pozat do braktisje, për t’u ndier femër, sikur copë ta bëje,
xhamin dhe zemrën.

Miqtë

Falini gjithmonë armiqtë. Asgjë s’i mërzit më shumë.
Mark Tëain

Kot e ke, më tha vetëdija!
Njerëzit s’janë përherë miq.
Ti pandeh se ata të duan,
por, në fakt, i ke armiq.

I them vetes, pse, s’kanë shkak! S’kam pushtet, as ofiq,
nuk urrej askënd në jetë,
s’ndaj të mirë dhe të ligj.

S’ka të bëjë, ata s’të duan,
udhës shko, pas mos i ndiq.
(Dashuri ti s’fal, thotë Krishti,
po s’i deshe dhe armiqtë!)

S’është çudi, në këtë jetë
Mes armiqsh ka të tillë “miq”.
Helm i egos i ngërthen
dhe i bën, oh, sa të ligj!

Mos u lig, mos u mpak,
thotë vetvetja, je një hiç,
i pavlerë në këtë botë,
po nuk pate dhe “armiq”.

Veç një jetë, njerëz, kemi,
si të mirë edhe të ligj!
Në pusí një ditë në rënça,
mos qoftë thënë ta kem nga miqtë!

Burgu i zemrës

Për rebelim e burgosën zemrën,
jo në Alkatras, as në kështjellën If a të Uindsorit!
Ngase rrihte fort dhe ishte e paepur,
e mbyllën në burgun e kraharorit.

E ngujuan në asht, pas eshtrash me jetë,
me burgim të përjetshëm e dënuan,
në tortura e vunë, nga më mesjetaret,
por rrahjet dhe zjarrin dot nuk ia shuan.