Prof. Dr. Emine Sadiku: Vëmendja ime për librin “Çamëria … Heshtja që vret” të autorit Hyqmet Zane

65
Screenshot
Sigal
  • Autorin e këtij libri aq të mirëpritur nga ne, Hyqmet Zane, mund ta quaja që në fillimin e kësaj paraqitje “luftëtar të paepur të çështjes çame dhe të civilizacionit çam”. Megjithë entuziazmin dhe notat glorifikuese për Çamërinë dhe persona çamë me merita të theksuara në historinë shqiptare, anembanë librit ndihet një dëshpërim dhe një indinjatë për trajtimin e çështjes çame që, përherë e më tepër, shfaqet e zhduket si të ishte një reklamë e rastit, e vjetëruar në sfonde të ndryshme historike. Përmbajtja e librit shtjellohet në disa boshte tematike. Për nga rëndësia trajtimet e temave kanë, pothuaj, të njëjtën peshë. Por thirrja për drejtësi, për njohjen e genocidit çam të ushtruar nga andartët grekë, për fitoren e çështjes së drejtë çame ndihet e fortë anembanë artikujve të përmbledhur në këtë libër. Është fjala për një sasi jo të vogël artikujsh të botuar, kryesisht, në gazetën “Telegraf”. Ashtu të veçuar, të botuar në kohë dhe në numra të ndryshëm të një gazete të njohur në botën e larmishme të mediave tona, ato shkrime vepronin me një ndikim të koncentruar. Por dhe të përmbledhur në një libër, ndikimi i tyre mbetet i spikatur. Veçantia e shkrimeve të Hyqmetit është pathosi, pasioni, empatia, që zhvillohen tek ai, sapo fillon të shkruajë për Çamërinë, për bijtë e saj dhe për çështjen çame. Kësaj veçorie i bashkangjitet dokumentimi, argumentimi, faktet. Shkrimet e Hyqmetit janë “miniera” dokumentesh, historish e thëniesh autentike. E çuditshme se ku i ka mbledhur dhe si i ka ruajtur; me fanatizëm (!). Me shumësinë e informacionit që na ka ofruar autori, Hyqmet Zane, tregon se historia çame do shkruar e rishkruar, jo vetëm mbi burime të njohura, por dhe të reja, të munguara më parë. Ne lexuesit, duke u gjendur para rasteve të tilla, nxjerrim përfundimet tona, përvijojmë receptimet tona që marrin më shumë siguri dhe forcë. Në tekstin gjermanisht thuhet :Operacioni asgjësues kundër shqiptarëve në krahinën e Çamërisë filloi më 27 qershor 1944. Ishte një genocid me vrasje e therje, prerje gjymtyrësh, çarje barqesh grash shtatëzana… në tërë krahinën e Çamërisë, nga popullsia civile u vranë 3242 njerëz. 2900 prej tyre ishin burra të rinj ose të moshuar; 214 gra dhe 96 fëmijë, 714 gra u përdhunuan, 76 gra u rrëmbyen, 32 bebe u vranë, 68 fshatra u shkatërruan krejt, 5800 shtëpi e xhami u rrafshuan. Pas këtyre mizorive shqiptarët çamë, që mbetën gjallë, u larguan nga vendi i tyre. Pronat e të dëbuarve/ të larguarve iu shpërndanë ardhacakëve. Të gjitha emrat e vendeve u greqizuan…Hyqmeti, në disa shkrime të tij, duke kaluar nga masakra greke ndaj çamëve, ndalet në persekutimet që vazhduan në Shqipëri, në vendin amë, ku çamët kërkuan shpëtimin dhe u gjetën të sulmuar me paragjykime, përbuzje, persekutime dhe burgime vandale. Janë të njohura në Shqipëri gjyqet për “Grupin e Teme Sejkos dhe Tahir Demit”. Autori ndalet gjerësisht, me anë të bisedave me familjarë, në trajtimin mizor – antinjerëzor që iu bë familjarëve të të ashtuquajturit “grupi çam”. Nuk gjej fjalë t’i përsëris dhe njëherë ato që thotë Hyqmeti për goditjen dhe terrorizimin e familjeve, që gjithsesi e kishin marrë një goditje me arrestimin kafshëror të familjarëve. Në këtë përmbledhje i jepet shumë vend përmendjes dhe portretizimit të figurave të shquara, bij të Çamërisë. Krahas evidentimit të heroizmit të tyre, shpesh vijon zhgënjimi i harrimit dhe i mospërfilljes. Kjo ilustrohet ndër të tjera me harresën e 80-vjetorit të vdekjes së heroit të popullit, Ali Demi. Ky moment theksohet e rëndohet më tej me ndërhyrjen e motrës së heroit nga Boston-i i Amerikës :“Ç’bëhet andej, i harruat dëshmorët tanë …? “. Harresat dhe nënvlerësimet autori i lidh shpesh me punën e Shoqatës Çamëria  dhe PDIU. Kritika ndaj saj zë një vend të dukshëm në libër. Mllefi dhe zemërata ndaj Shoqatës Çamëria që “vegjeton” në Parlamentin Shqiptar pa bërë asnjë lloj përfaqësimi, edhe pse është votuar nga qytetarë çamë. Një tjetër bosht tematik përbën trajtimi i çështjeve që lidhen me Kosovën. Autori, Hyqmet Zane,bashkërendon shpesh genocidin çam me atë kosovar (f. 181: Serbia në Veri të Kosovës dhe Greqia në Jug të Shqipërisë, dy vendet më antishqiptare të Europës). Kështu të bashkërenduar genocidet ndaj shqiptarëve marrin forcë të veçantë akuzuese dhe denoncuese. Një tematikë më vehte përbëjnë përpjekjet dhe angazhimi i çamëve për të zgjidhur çështjen e tyre, lufta e tyre për drejtësi e dinjitet. Ato masakra dhe vrasje makabre të drejtuara nga gjenerali Napoleon Zerva ishin aksione spastrimi, genocid i mirëfilltë. Autori i librit përmend dhe ndalet me interesim të veçantë në persona me kontribute të veçanta për Çamërinë, etnosin çam dhe çështjen çame. Do të veçonim  Resul Musa. Demin nga Filati i Çamërisë. Madje autori e fillon librin me një requiem për Resul Demin që u nda nga jeta rreth një vit më parë. Një laudatio e veçantë vlen dhe për Tahir Muhedinin, që si përfaqësues i komunitetit çam troket në Departamentin e Shtetit me bindjen se Amerika është vendi i lirisë, i respektimit të të drejtave të njeriut dhe i dënimit të genocideve. Në shkrimin me titull “Një kujtesë pas 60 vjetësh” Hyqmet Zane i kthehet dhe njëherë “grupit çam”, këtë herë me anë të bisedave të zhvilluara me familjarë të viktimave, me djemtë e Teme Sejkos: Rajmond dhe Hektor Sejko; me djalin e Tahir Demit, Ilir Demi etj. Përshkrimet e familjarëve të mbijetuar janë të tilla që të “ngjethin mishtë”. Dhe nuk të ndahet pyetja : Si është e mundur që njeriu të torturojë njeriun në mënyrë kaq përbindshore…Për më tepër “grupi çam” ishte i sajuar nga partia dhe hetuesia.Autori meriton urime dhe një rrugëtim të mbarë në punën e nisur për t’ia sjellë lexuesit “botën” çame ashtu të pasur, plot përpjekje, vuajtje, gëzime e vitalitet!
  • Shënimi i gazetës Telegraf për botimin e librit “Çamëria … Heshtja që vret”

    Këto ditë doli nga shtypi një libër me një tematikë të veantë nëkëndvështrimin historik me autor Hyqmet Zane. “Çamëria … Heshtja që vret” është titulli i një game tw madhe me artikuj problematike që autori ka shkruar dhe botuar në gazetën Telegraf në këto 5 vitet e fundit, pasi në arkivin e tij ka edhe disa libra të tjerë si “Kosova dhe amëria – Dëshmi rrënqethëse” (2009, “Çamëria – Toka pa njerëz, Njerëzit pa tokë” (2020), “ Çamëria dhe Kosova – genocid pa ndëshkim” (2021), “Lidhjet e Elbasanit me Çamërinë” (2023) dhe së fundi “Çamëria … Heshtja që vret” (2025).

    Ajo që është e veçanta në këtë libër të fundit është se autori ka ditur të spikasë tematika të situatës në të cilën gjendet çështja çame dhe i ka këndnvështruar me sens kritik për qeverisjet e këtyre 30 e ca viteve që kanë lënë në heshtje këtë problem kombëtar dhe veçanërisht heshtjen e Shoqatës Çamëria dhe atyre që janë deputetë të një partie që merr vota nga elektorati mçam dhe nuk i përfaqëson ata.

    Promovimi i këtij libri më 23 prill në Ditën Botërore të Librit është i gjetur enkas nga sponsporizuesi dhe mbështetësi i botimit të këtij libri që gjithashtu është me orgjinë nga edhe është vetëautori nga Filati i Çamërisë. Autori krenohet me faktin se shkrimet e tij publicistikë për Çamërinë që janë botuar nëgazetën Telegraf i ka lexuar eskluzivisht dhe me komente e sugjerime Resul Demi (ndjesë pastë), djali i një personaliteti nga Fliati i Çamërisë Musa Demi – “Nderi Kombit”.

    Promovimi i këtij libri tek salla e eventeve të Hotel Internacional në orën 11 më 23 prill, është një mesazh i madh për gjithë qeverisjet dhe Parlamentin Shqiptar se kauza e Çamërisë është e pavdekshme dhe është mbështetje për strategjinë kombëtare për zgjidhjen e këtij problemi madhor të kombit shqiptar.