Skënder Maliqi: Luan Jaupi, artisti që sheh përtej

Ka njerëz që e jetojnë jetën dhe ka të tjerë që, përveçse e jetojnë, e dokumentojnë atë për brezat që vijnë. Luan Jaupi i përket kësaj kategorie të dytë. Ai nuk është thjesht fotograf, gazetar apo koleksionist; është një njeri që ka ditur të ruajë kujtesën e qytetit të tij dhe ta pasurojë atë me pasion, kulturë dhe përkushtim.

Luan Jaupin e njoh prej shumë vitesh. Në çdo bisedë, në çdo takim apo veprimtari ku kemi qenë së bashku, të krijon menjëherë përshtypjen e një njeriu të qetë, të kulturuar dhe me një botë të pasur shpirtërore. Ai flet pak, por di shumë. Zotëron njohuri të admirueshme në gazetari, fotografi, muzikë, detari, histori, letërsi dhe koleksionistikë. Mbi të gjitha, ruan një virtyt të rrallë: dëgjon me vëmendje dhe e pranon mendimin ndryshe.

Sigal

Megjithëse ka kaluar të shtatëdhjetat, mbetet i ri në shpirt. Kureshtja është motori i jetës së tij, ndërsa aparati fotografik dhe biçikleta janë shokët e tij më besnikë.
Si gazetar dhe fotograf, Luan Jaupi ka lënë një gjurmë të rëndësishme në historinë bashkëkohore të Durrësit. Objektivi i aparatit të tij ka fiksuar ngjarje politike, kulturore, sportive e artistike, konferenca, promovime librash, shfaqje teatrore, aktivitete shkollore e festive. Janë mijëra fotografi që sot përbëjnë një arkiv me vlera dokumentare për qytetin antik.

Gjatë karrierës së tij ka përdorur mbi 43 aparate fotografike të markave të njohura botërore, nga FED-3, Pentacon, Pentax e Praktica deri te Nikon, Agfa, Kodak dhe Canon. Për të, fotografia nuk ka qenë vetëm profesion apo pasion, por një mënyrë për të ndalur kohën dhe për ta kthyer çastin në histori.
Trashëgimia e dashurisë për detin i vjen nga i ati, Adem Jaupi, kapiteni legjendar i anijes “Mati”, një emër i respektuar në flotën tregtare shqiptare. Pas studimeve në Baku të Azerbajxhanit, ai iu përkushtua detarisë me profesionalizëm të rrallë. Në librin “SOS”, Luani ka përjetësuar një nga episodet më dramatike të jetës së të atit, përpjekjen heroike për të shpëtuar anijen e cili u mbyt,por kapiten Ademi mori kasetën me dokumente sekrete dhe shpëtoj ekuipazhin nga një stuhi e fuqishme. Ky rrëfim nuk është vetëm histori familjare, por edhe një dëshmi e etikës dhe sakrificës së detarëve shqiptarë.

Durrësi është një qytet që fsheh ende shumë nga historia e tij. Në brigjet e tij kanë kaluar qytetërime, perandori, udhëtarë, tregtarë dhe studiues, duke lënë gjurmë të pashlyeshme. Pikërisht kjo trashëgimi duket se ka ushqyer edhe pasionin e Luan Jaupit për ruajtjen e kujtesës materiale.

Në shtëpinë e tij ndodhet një muze privat prej rreth 40 metrash katrorë, i vogël në sipërfaqe, por i madh në vlera në katin e parë të një shtëpie dykatësha.
Ai është ndërtuar me vite pune, kërkimesh dhe sakrificash, pa mbështetje institucionale, vetëm falë dashurisë së një njeriu dhe dashamirsisë së disa familjeve durrsake në misionin e tij fisnik për ruajtjen e historisë.

Vizitori gjen aty koleksione të rralla pullash postare shqiptare dhe të huaja, aparate fotografikë të epokave të ndryshme, monedha, relike, dokumente historike, albume, katalogë, fjalorë dhe libra të rrallë. Ndër objektet më të çmuara spikat Abetarja e Kostandin Kristoforidhit, botuar në Kostandinopojë në vitin 1872, një vepër me rëndësi të jashtëzakonshme për historinë e arsimit dhe gjuhës shqipe.

Një kënd i veçantë i kushtohet detarisë, ndërsa një tjetër gjuhës Esperanto, për përhapjen e së cilës Luani ka dhënë kontribut të çmuar. Biblioteka e tij ruan botime të rralla të Biblës dhe Kuranit nga fundi i shekullit XVIII, si edhe objekte me vlerë historike e kulturore, ndër to çakmaku i Mbretit Zog dhe kitara e këngëtares së madhe Vaçe Zela.
Por bota e Luan Jaupit nuk mbaron me fotografinë dhe koleksionet. Ai është edhe poet. Poezia e tij është e ndjerë, e sinqertë dhe shpesh e mbështetur mbi përvojën jetësore. Në vargjet e tij gjejmë dashurinë, mallin, dhimbjen, detin dhe reflektimin filozofik. Krijime poetike si “Puthja e parë”, “Pasqyra e kaltërsisë” dhe “E zeza që erdhi vonë” dëshmojnë një ndjeshmëri artistike që buron natyrshëm dhe komunikon drejtpërdrejt me lexuesin.

Puthja e parë

Kish heshtur bota mijra zëra,
Nga qiejt binin meteorë,
Po ne me buzë i thamë të tëra,
Dhe pse atë çast na vinte zor.

Dhe pse kaq vjet larg më ke ikur,
Atë çast gjithmonë kujtoj me ëndje,
Ndaj nëse ndodh të vdes papritur,
O Zot më vdis mbi buzën tënde.

Në poezinë e mëposhtme autori na çfaq transformimin e kaltërsisë së detit nga agimi në muzg me një hijeshi të admirueshme.

Pasqyra e kaltërsisë

Në agim një fustan prej ari vesh mbi shtat,
Në muzg,bëhet i purpurt,i thellë dhe i ngratë,
Fsheh brenda thesare,sekrete dhe dëshira,
Dhe zërat e erës që fërshfërijnë të lira.

Në poezinë e mëposhtme janë të forta dhimbja dhe malli të shprehura në gjuhë poetike.

E zeza që erdhi vonë

Nuk erdhe kur dota i dridhej për pak dritë,
Nuk erdhe kur dhimbja i kthehej në korb,
Por erdhe me vello ti tregosh botës sytë,
Në atë dasmë të vdekjes,ku s’ka më asnjë borxh.

E zeza e rrobës të rri bukur pa fjalë,
Por se mbulon dot mungesën që rëndon si gur,
Ai s’ka nevojë për lotin tënd që rrjedh me nge,
Se kush s’erdhi në jetë,në vdekje s’vjen kurrë.

Nuk është rastësi që ai është vlerësuar me çmime në konkurse poetike brenda dhe jashtë vendit.

Në një kohë kur shumë njerëz rendin pas së resë duke harruar të djeshmen, Luan Jaupi ka zgjedhur një rrugë tjetër: të ruajë kujtesën. Ai mbledh, dokumenton, restauron dhe ndan me të tjerët atë që koha rrezikon ta fshijë. Në këtë kuptim, ai nuk është vetëm një artist i fotografisë apo i poezisë; ai është një kujdestar i memories qytetare.

Prandaj titulli “Artisti që sheh përtej” nuk është një metaforë e rastësishme. Luani sheh përtej objektivit të aparatit, përtej relikeve dhe përtej vargut poetik. Ai sheh lidhjen mes së shkuarës dhe së ardhmes, duke na kujtuar se një qytet pa kujtesë është si një njeri pa identitet.

Durrësi mund të krenohet me njerëz të tillë, të cilët pa zhurmë, pa bujë dhe larg reklamës, kanë ndërtuar një pasuri kulturore që meriton jo vetëm vlerësim, por edhe mbështetje institucionale. Luan Jaupi është një prej tyre.