Drejtuesi politik i PD për qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu zhvilloi takime me banorët e fshatrave Kovashicë, Fushë e Vogël dhe Grezhdan, duke vënë theksin te braktisja e fshatit dhe mungesa e shpresës.
Ai prezantoi Paketën e Dhembshurisë të Partisë Demokratike, që përfshin ndihma ekonomike për familjet në nevojë, mbështetje për të papunët, studentët dhe pensionistët, si dhe politika për rigjallërimin e bujqësisë dhe kthimin e emigrantëve.
Mziu theksoi nevojën për një politikë më humane që i rikthen dinjitetin çdo qytetari dhe se me Partinë Demokratike Shqipëria do të jetë ajo që duam.
Xhelal Mziu:
Derë në derë, me zemrën plot përkushtim.
Në fshatrat Kovashicë, Fushë e Vogël dhe Grezhdan, takuam banorët e mbetur – kryesisht të moshuar, në shtëpi që dikur gumëzhinin nga zërat e rinisë, sot të heshtura prej mungesës së shpresës.
Shqipëria ka nevojë për një politikë njerëzore. Ka nevojë për një dorë që ngre, jo që braktis.
Paketa e Dhembshurisë e Partisë Demokratike është një angazhim i sinqertë për të rikthyer dinjitetin në çdo shtëpi shqiptare:
200€ ndihmë ekonomike për çdo familje në nevojë;
200€ mbështetje mujore për çdo të papunë deri në moshën 18 vjeç dhe për çdo student;
Pension minimal 200€, që askush të mos kalojë pleqërinë në varfëri;
1000-4000€ për çdo fëmijë të sapolindur, për të inkurajuar jetën dhe të ardhmen;
Mbështetje konkrete për fermerët, përmes subvencioneve për naftën, farërat, mekanikën bujqësore dhe përpunimin e prodhimeve vendase.
Bujqësia dhe blegtoria janë zemra e fshatit shqiptar. Këto nuk janë vetëm sektorë ekonomikë, janë tradita, identitet dhe mbijetesa. Për këtë arsye, angazhohemi të ringjallim fermat, të rrisim sigurinë ushqimore dhe të krijojmë kushte që rinia të mos largohet më nga toka e vet.
Po ashtu, për emigrantët tanë, të cilët kanë mbajtur familjet dhe ekonominë tonë gjallë për dekada me radhë, do të krijojmë një paketë të veçantë mbështetëse për t’i rikthyer në atdhe, për të investuar kursimet, dijen dhe përvojën e tyre në vendlindje, me lehtësi fiskale, mbështetje me tokë bujqësore dhe kredi të buta për nismat prodhuese.
Kjo do të jetë Shqipëria që duam.
Shqipëria që kujdeset.Shqipëria që nuk harron asnjë bir, asnjë të moshuar, asnjë fermer.




















