Suplementi Pena Shqiptare/ Theodhori Proko: Një kafe “shqiptare”

542
Ndoshta, ne na është “mësuar” syri dhe nuk na bën përshtypje, por të huajt që vijnë në vendin tonë, e shikojnë si një nga çudirat e shumta shqiptare dhe habiten me ritualin tonë të përditshëm. Më saktë, me atë mënyrë vrastare që i bëjmë kohës me anë të filxhanit të kafesë. Shija e saj i bën burrat shqiptarë të ngulen mbi tavolinë me orë të tëra, duke e rrufitur ngadalë, bashkë me tymin e pesë – gjashtë cigareve rresht dhe pastaj, kur dielli ka dalë “shtatë hostenë” lart, kujtohen se kanë edhe punë për të bërë. Mjafton t’u hedhësh një sy lokaleve në mëngjes, të mbushur plot e përplot dhe të bindesh se ky fakt është real dhe jo i trilluar. Në zonën e Orikumit në Vlorë ka disa biznese, që merren me kultivimin e peshkut nëpër rezervate të krijuar posaçërisht për këtë punë. Një miku im i pasionuar pas gjuetisë së peshkut, shkon shpesh andej për të parë. Në njërin prej tyre takoi dy specialistë izraelitë, dy djem të rinj, të shkathët e punëtorë, që lëviznin gjithë ditën si bletët punëtore, pa u ndalur për asnjë çast, deri në orët e vona të mbrëmjes. Kjo i bëri përshtypje mikut tim dhe një ditë hyri në bisedë me ta, pasi mësoi se edhe ata komunikonin mjaft mirë në italisht. Me mirënjohje ata i përgjigjeshin pyetjeve kurioze të Gëzimit për zgjedhjen e rasatit, mënyrën e ushqyerjes dhe kohën që duhej të kalonte derisa peshku i hedhur të rritej e të ishte i gatshëm për t’u “peshkuar”, por pa e ndërprerë punën e tyre. I shtyrë nga dëshira për të mësuar diçka më shumë, ai i ftoi për një kafe të dy specialistët e huaj, por u çudit kur ata refuzuan në mënyrë të prerë. Pa e kuptuar dot arsyen e kundërshtimit të tyre në atë mënyrë , miku im, ndoshta i fyer në sedër, i pyeti drejtpërdrejt: – Përse? -Sepse një kafe me shqiptarët zgjat sa një ditë pune – i tha njëri prej tyre. Dhe qysh atë ditë që erdhëm në Shqipëri dhe pimë kafen e parë, jemi betuar të mos pimë më kafe gjatë kohës së punës. Jo se nuk na pëlqejnë njerëzit dhe kafja, por se na lënë pa punë…Dhe shkurt i tregoi për atë ditë, kur u prezantuan si përfaqësues të firmës që do të ndihmonin me përvojën e tyre kolegët e këtushëm, në rritjen e peshkut. Kishin marrë me vete edhe pajisjet e nevojshme që do t’i montonin për t’u shërbyer e lehtësuar procesin e punës. Por kishin bërë edhe llogaritë e kohëzgjatjes së këtij procesi, sipas mënyrës së tyre izraelite dhe jo sipas mënyrës shqiptare, që gjetën në këto brigje. Pa filluar punën, miqtë që i pritën, i ftuan për një kafe, siç e do zakoni ynë i mikpritjes. Dhe shkuan së bashku në një lokalet e Orikumit, buzë detit, me aromë jodi dhe pamje mahnitëse, ku ja vlente vërtetë ta shijoje kafen e mëngjesit. Nisën të shkëmbejnë edhe ndonjë fjalë për punën, por fjala solli fjalën dhe u kthye në një mbledhje të gjatë, sa që ata të huaj, të cilët punën e kishin edukatë, në vend që të kënaqeshin, filluan të mërziten. Në tavolinën e tyre “miqtë” ndërroheshin, duke ardhur e duke i përshëndetur, duke pirë kafen e duke ikur, pasi secilit prej tyre, mikpritësit vendas, u kishin treguar gjerë e gjatë edhe “biografinë” e specialistëve të huaj dhe qëllimin pse kishin ardhur në qytezën e tyre. Mbasi kaluan tre orë të mira dhe kërkesës së përsëritur të të huajve për t’u ngritur, vendasit i përgjigjeshin me shprehjen që e dëgjojmë shpesh në bisedat tona të përditshme, “hajt mo, puna aty është, nuk mbaron kurrë”, izraelitët nuk duruan më dhe u ngritën nga tavolina dhe shkuan në vendin e punës. Që prej asaj dite morën edhe vendimin me njeri-tjetrin, që të mos pinë më kafe “shqiptare” siç e quajtën ata ritualin tonë të përditshëm, që zgjat sa një ditë pune. Ndaj me mirësjellje i lanë të kuptonte Gëzimit, se tani edhe bisedës me atë i kishte ardhur fundi dhe ai duhej të largohej. Fatkeqësisht, më tregoi i trishtuar miku im, kolegët shqiptarë nuk e ndoqën shembullin e specialistëve të huaj dhe nuk hoqën dorë nga “vrasja” e kohës kafeneve. Shumë shpejt, mbas largimit të tyre sa herë shkoja në atë rezervat peshku shikoja me dhimbje si po degradonte dita – ditës, për shkak të menaxhimit të kohës së punës. Kur blerësit vinin për të tërhequr sasinë e porositur të peshkut u duhej të prisnin me orë të tëra, sepse personat përgjegjës kishin shkuar “për një kafe”. Dhe erdhi një kohë që ai biznes shumë fitimprurës falimentoi tërësisht, duke hedhur në erë gjithë investimet e bëra në vleftë monetare e duke nxjerrë në rrugë të madhe edhe tetëdhjetë punëtorë që ishin punësuar në të. Vërtetë çudi shqiptare, kjo mendësia jonë për ta “vrarë” kohën kafeneve e për të mos e “vrarë” mendjen për punën. Edhe ata që kanë provuan mbi shpatullat e tyre peshën e rëndë të punës në emigracion, ku siç thonë edhe vet, kafen e mëngjesit e pinë kalimthi, në këmbë e me nxitim, kur kthehen këtu bien “pre” e kësaj sëmundje. Dhe janë po këta, që nga tavolinat e kafeneve ku shpërdorojnë kohën e çmuar, shajnë e mallkojnë këdo, veç vetes së tyre, duke u ankuar se nuk ka punë. Dhe s’ka si të ketë, nëse vazhdojmë ta jetojmë kohën e re me mendësi të vjetra.
Sigal